Një vjeshtë e rëndë përpara: jemi më afër se kurdoherë përdorimit të armëve bërthamore në Evropë, përjetimit të krizës energjetike në tërë kontinentin dhe spirales së shtrenjtimit të çdo gjëje, nga ushqimi deri te kredia. E, skenari i Putinit mund të përdorë edhe më tutje Ballkanin
1.
Nuk kisha ide më të mirë për të ilustruar ndjenjën e javës së kaluar - me paralajmërimin e presidentit rus Putin për mobilizimin e treqind mijë (e ndoshta qindra mijëra) rekrutëve të rinj për luftën në Ukrainë - sesa lojë fjalësh me këngën e famshme të Led Zeppelin, kësaj here në versionin që është edhe në titull, pra Stairway to Hell, Shkallët për në Ferr (e jo Heaven-Parajsë , si në origjinal).
Në kuptimin tim, shikuar nga periferia evropiane në të cilën gjendemi, Putini është duke e ngritur bastin për një shkallë më lart dhe ajo shkallë çon kah ferri. Në këtë interpretim presidenti rus ka vendosur me qartësi më të madhe objektivin e tij ushtarak dhe ky është tash pak a shumë aneksimi i territorit të Ukrainës në vijat e përafërta të kontrollit që i ka sot, apo të zgjeruara në përmasa jo shumë më të mëdha. Njëherë të aneksuara këto territore, “operacioni special” i Putinit do të shndërrohej në “mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Rusisë”. Kjo luftë për “mbrojtje të sovranitetit” do të përfshihej në doktrinën ushtarake të Rusisë, që përfshin përdorimin e armëve bërthamore si pjesë të mbrojtjes së vendit.
2.
Pra, prej javës së kaluar jemi më afër përdorimit, për herë të parë në kontinentin evropian, të armëve bërthamore, duke marrë për shkas aneksimin territorial të bërë me agresion. Por, për më tepër, dhe për ironi, përdorimi i armëve bërthamore (qoftë edhe në formën e kërcënimit real sikur tani) për Putinin mund ta ketë arsyetimin e njëjtë sikur në Luftën e Dytë Botërore, pra shpejtimin e fundit të luftës.
Nga ky këndvështrim pamja do të dukej kështu. Prijësi rus ka zhvilluar një luftë pak a shumë humbëse krahasuar me objektivat e deklaruara ditën e parë që ishin hiç më pak se zhdukja e Ukrainës së mëvetësishme, nëpërmjet rrëzimit të pushtetit të Zelenskyt dhe “denacifikimit” të vendit. Duke vendosur tani e tutje si objektiv aneksimin e territoreve nga Krimeja deri në “republikat”e Luhanskut dhe Donjeckut e shndërrimin e tyre në pjesë të Rusisë, fundi i luftës duhet të shpejtohet dhe të legjitimojë e legalizojë aneksimin territorial. Shpejtimi i luftës, në këtë skenar, bëhet edhe me kërcënimin real të përdorimit të armëve bërthamore dhe ky kërcënim ka të bëjë me të gjithë. Me NATO-n, që të mos e përkrahë Ukrainën drejt arritjes së një fitoreje ushtarake mbi Rusinë. Me Ukrainën, që të braktisë idenë e rikuperimit të shtetit çfarë ishte dikur. Me nacionalistët në radhët e Putinit, duke u vërtetuar nga lideri i tyre se ai nuk ka ndërmend ta humbasë këtë luftë, qoftë edhe duke përdorur arsenalin bërthamor.
Këta të fundit, nacionalistët e fashistët rusë, të rrethit intelektual, religjioz e ushtarak të Putinit, ka gjasë ta sjellin në thjeshtësinë më të madhe dilemën para Putinit: o do ta fitojë luftën, qoftë edhe me përdorim të armëve bërthamore, o do t’ia këpusin një në zverk, siç shprehej Enver Hoxha kur duhej eliminuar ndonjë kundërshtar politik.
Përllogaritja e përçudnuar e kësaj lufte del të jetë se paaftësia e ushtrisë ruse e sjell më afër përdorimin e armëve bërthamore. Mobilizimi i rekrutëve të rinj nuk i ndihmon aftësisë së ushtrisë ruse, ngase rekrutët nuk janë ushtarë - ata, kështu të pastërvitur, janë mish topi për një ushtri tashmë të konsoliduar e të koordinuar me fuqitë e NATO-s, siç është kjo ukrainase.
3.
Në perspektivën e Putinit është duke u reduktuar dhe thjeshtësuar pasqyra e ardhmërisë. Kundërshtarët e tij brenda vendit nuk do të jenë liberalët e demokratët: shumica sish po ikin nga vendi dhe rekrutimi në ushtri. Kundërshtarët do të jenë të gjithë ata që e inspiruan apo u bashkinspiruan në ridefinimin e fashizmit rus dhe që janë të pakënaqur me luftën jo pse e filloi, por pse nuk po e fiton.
Diçka të ngjashme përjetoi Millosheviqi në Serbi dhe diçka të ngjashme me Putinin u përpoq të përllogarisë edhe ai karshi unitetit të Perëndimit. Millosheviqi llogariti se Perëndimi do të ndahet lidhur me ndërhyrjen në Kosovë më 1999 dhe basti i doli i gabuar. Putini llogariti se Perëndimi do ta detyrojë Ukrainën drejt emëruesit më të ulët të përbashkët (dhënia e territoreve për paqe a armëpushim) dhe deri tani doli të jetë i gabuar.
Tash është duke llogaritur në një kombinim faktorësh që duhet ta përçajnë Perëndimin dhe ta vënë peshën e presionit prej Moskës kah Ukraina. Ky kombinim fillon me kërcënimin me përdorim të armëve bërthamore për herë të parë në Evropë, që duhet ta frikësojë çdokënd, prej qytetarit deri te kryeministri. Pastaj vazhdon me sfidën e një dimri të ftohtë dhe të shtrenjtë. Dhe këtij kokteji i bashkëngjitet çrregullimi i tregjeve financiare, mes tjerash, edhe me rritjen e çmimit të parasë.
Ky skenar duhet të përgatisë një gjendje ku në pranverë është më i vogël numri i njerëzve të afërt të Putinit në Moskë që mendojnë “t’ia këpusin një në zverk” dhe më i madh i njerëzve në Perëndim që i thonë Zelenskyt se duhet të arrijë marrëveshje për fund lufte, qoftë edhe me humbje të përkohshme a të përhershme territoresh.
4.
Në këtë përllogaritje Putini ka librin e vet të operacioneve në Ballkanin Perëndimor. Dhe do të vazhdojë ta përdorë, me investime shumë të ulëta e efekt të lartë. Në atë libër caqet janë të thjeshta. Bosnjë-Hercegovina nuk bën të shndërrohet në shtet funksional e demokratik, Mali i Zi duhet të dëshmohet si shtet i NATO-s që nuk ka stabilitet dhe identitet kushtetues-qytetar e Kosova dhe Serbia duhet të pamundësohen që të arrijnë çfarëdo marrëveshjeje.
Këtij libri prej javës së kaluar, me krizën e krijuar të kundërshtive mes komunitetit LGBT dhe Kishës Ortodokse në Serbi, i është shtuar edhe një element i ri, ai i paralajmërimit të mundësisë së veprimit politik të Kishës Ortodokse Serbe sikur në Mal të Zi duke u prirë demonstratave antiqeveritare. Dhe, ky është kërcënimi “bërthamor” i radhës për rajonin.