Fjalimi dramatik i Vuçiqit dhe ultimatumet e tij e largojnë procesin politik nga dialogu dhe e vënë atë në binarët e njëanshmërisë. Në kontekstin e ngjarjeve në Banjskë në vitin e kaluar, ky fjalim e tregon vazhdimësinë e një politike hegjemoniste dhe agresive ndaj Kosovës. Kur i bën këto ultimatume dhe veprime, të cilat së buti mund të quhen “të njëanshme,” Vuçiqi llogarit në potencialin e shtetit të tij që ta destabilizojë rajonin. Me fjalimin e tij, ai tregoi se jo vetëm që e ka këtë potencial, por e ka edhe dëshirën që ta bëjë këtë destabilizim. Afërsia e tij me Putinin vetëm sa e ushqen këtë dëshirë të Serbisë, e cila, në politikën e saj dyfytyrëshe, është duke e mashtruar Perëndimin se gjoja Serbia është për integrim evropian. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet rreziku kryesor për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor
Me kërkesën e tij për kthimin në “Status quo ante”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi që t’i zhbënte si me shkop magjik të gjitha gabimet e tija politike që ndërlidhen me veriun, por duke ia hedhur përgjegjësinë për këto gabime palës kosovare.
Gjuha me të cilën foli Vuçiqi në konferencën e tij për shtyp, në të cilën i shpalosi të ashtuquajturat “masa”, ishte agresive, nacionaliste dhe irracionale nga e cila u la të kuptohet se politika e Serbisë në raport me dialogun me Kosovën nuk është përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet, por politikë e cila synon që ta ruajë status quonë, përkatësisht, ta forcojë kontrollin e Beogradit mbi serbët e Kosovës, e para së gjithash në veri të saj, përmes institucioneve paralele, të cilat, sipas Kushtetutës së Kosovës, janë ilegale, kurse në aspektin politik, janë pengesa kryesore për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Fjalimi i Vuçiqit kishte plot jokonsistenca dhe ishte kundërthënës. Ai megjithëqë e kritikoi politikën serbe të viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta, si politikë që nuk i kuptonte rrjedhat e politikës globale, nuk solli gjë të re. Përkundrazi, fjalimi dhe paralajmërimet e tij ishin një pasqyrim besnik i politikës shoviniste të Serbisë së viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë.
Përderisa shtihej sikur dëshiron kthim në rrjedhat e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Vuçiqi me të ashtuquajturat “masat” e tij e goditi më së shumti dialogun dhe parimin kryesor të tij: normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Paralajmërimi për miratimin e legjislacionit në Kuvendin e Serbisë, i cili do të kishte efekt në territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe njëfarë vendimi për anulimin e vendimeve të autoriteteve kosovare, nuk është vetëm në kundërshtim me parimin e fqinjësisë së mirë, por është edhe rikthim në politikën e Millosheviqit dhe në kundërshtim me vetë Rezolutën 1244, të cilën aq shumë e propagandon Serbia. Këto të ashtuquajtura “masa” janë veprime të njëanshme, të cilat e minojnë dialogun në themelet e tij.
Prandaj, reagimi i Bashkimit Evropian vetëm për pjesën, ku ai e kërkonte kthimin e policëve dhe të gjykatësve e prokurorëve serbë, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat e veriut me shumicë serbe, e jo edhe për pjesën e veprimeve të njëanshme që e minojnë dialogun, është një reagim cinik e i papërshtatshëm dhe që nuk i adreson në tërësi efektet negative të atyre “masave” në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Me këtë Bashkimi Evropian, përkatësisht personeli i tij që e udhëheq dialogun, është treguar i njëanshëm dhe joparimor dhe për këtë Kosova ka të drejtë që t’i ngrejë shqetësimet e saj. Reagimet e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve të Qeverisë në Prishtinë si të njëanshme janë të menjëhershme, por një reagim i tillë ndaj veprimeve të njëanshme dhe të rrezikshme të Beogradit munguan. Njëlloj mungoi një reagim nga shtetet anëtare të QUINT-it, përjashto SHBA-në, e cila reagoi duke e përmendur edhe legjislacionin e paralajmëruar si hap të njëanshëm.
Përderisa në krye të dialogut janë Borrelli e Lajçaku, nuk mund të ketë përparim në dialog, sepse që të dy kanë treguar në shumë raste se e mbajnë anën e Serbisë dhe me këtë e kanë humbur besimin e njërës prej palëve. Në anën tjetër, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, i ftoi palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme, duke përfshirë edhe legjislacionin e paralajmëruar nga Vuçiqi. Ai e tha hapur se Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran si dhe veprimet e njëanshme të Beogradit nuk janë të mirëpritura.
Përkundër asaj që e mirëpriti Bashkimi Evropian si “ftesë për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, masat e Vuçiqit e bëjnë të kundërtën. Ta përmend vetëm një shembull: integrimi i serbëve të Kosovës nuk do të thotë vetëm zgjedhje të lira dhe kthim të policëve e të personelit gjyqësor në vendet e tyre të punës, nga ku dhanë dorëheqje me urdhër të Vuçiqit. Integrim i serbëve do të thotë edhe licencim të noterëve tek të cilët mund të bëhet vërtetimi i dokumenteve, kontratave dhe akteve të tjera administrative-ligjore. Paralajmërimi i Vuçiqit për hapjen e zyrave noteriale në kufi me Kosovën, ku serbët mund t’i vërtetojnë dokumentet e tyre, është veprim i cili e pengon integrimin e serbëve në Kosovë. Serbia do të duhej t’i njihte vulat noteriale nga noterët e licencuar sipas ligjeve të Kosovës, tek të cilët serbët, duke përfshirë edhe ata të veriut, mund t’i vërtetojnë dokumentet e tyre. Për më tepër, Vuçiqi, siç e tha edhe Daniel Serweri, ka kuptuar se me politikën e tij të bojkotit nuk ka arritur gjë dhe tani dëshiron që ta rivendosë kontrollin e tij përmes kthimit apo instalimit të njerëzve të dëgjueshëm në krye të institucioneve në veri të Kosovës.
Pastaj thirrja e Vuçiqit për rezistencë të institucioneve të Serbisë nuk është gjë tjetër veçse pengesë edhe e integrimit të serbëve dhe për normalizim të marrëdhënieve. Këto institucione kanë vepruar në mënyrë joligjore dhe janë kritikuar si të tilla edhe nga vetë prania ndërkombëtare, madje edhe kur Kosova ka qenë nën administrimin e UNMIK-ut.
Përkundër spinit të Vuçiqit, i cili i fajëson autoritetet e Kosovës për dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës, është ai vetë që ka dhënë urdhër për vetëlargimin e tyre dhe ka dhënë urdhër edhe për bojkot të zgjedhjeve, kur autoritetet e Kosovës ua kanë dhënë mundësinë serbëve që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokalë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore, të mbajtura këtë vit.
Në veri ekzistojnë organet legale të pushtetit. Për të mbajtur zgjedhje të lira, duhen ndjekur procedurat ligjore dhe që ato të mbahen sipas ligjeve të Kosovës në fuqi. Vuçiqi nuk ka të drejtë të ndërhyjë për mënyrën se si organizohen zgjedhjet në Kosovë, përkatësisht, t’i kërkojë OSBE-së apo organizmave të tjerë që të organizojnë zgjedhje në Kosovë. Me kërkesën e tij që në organizimin e zgjedhjeve në Kosovë të përfshihet misioni i OSBE-së, Vuçiqi e mohon faktin se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Megjithatë, ai nuk e ka të drejtën që të tregojë se kush i organizon zgjedhjet në Kosovë, sepse Kosova i ka ligjet në bazë të të cilave organizon zgjedhje dhe funksionon në tërësi si shtet. OSBE-ja dhe Bashkimi Evropian, por edhe akterë të tjerë ndërkombëtarë, munden vetëm ta bëjnë vëzhgimin e zgjedhjeve dhe asgjë më shumë.
Po ashtu, kërkesa që “menjëherë” të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe bën pjesë në spinin e Vuçiqit. Për t’u bërë Asociacioni, duhet të respektohen procedurat ligjore të Kosovës. Pra, një draft-statut ekzistues duhet të dërgohet një herë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, e pastaj, nëse vlerësimi është se statuti në fjalë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, të iniciohen procedurat për krijimin e Asociacionit. Nuk mundet Vuçiqi ta urdhërojë krijimin e Asociacionit. Ai është president i Serbisë e jo i Kosovës, dhe nuk ka të drejtë që ndaj Kosovës të lëshojë urdhër-kërkesa.
Paralajmërimi i Vuçiqit për krijimin e një prokurorie speciale, e cila do ta bënte ndjekjen penale të kosovarëve të cilët “i shkelin të drejtat e serbëve”, është një kërcënim dhe agresion brutal, si dhe e ka për qëllim frikësimin edhe të serbëve, të cilët e pranojnë integrimin në institucionet e Kosovës, por edhe të zyrtarëve të tjerë kosovarë, të cilët krijojnë politika dhe i zbatojnë ato. Është një politikë agresive, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë paraqet agresion ndaj pavarësisë së Kosovës. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë ndaj këtij agresioni, sepse i minon në mënyrën më brutale të mundshme paqen dhe stabilitetin në rajon. Një agresioni të tillë, të padëgjuar dhe në kundërshtim me të gjitha dokumentet ndërkombëtare, në të cilat thirret Serbia, i mungon vetëm edhe agresioni ushtarak. Për të gjitha këto, ishte dashur të reagonte edhe Bashkimi Evropian e edhe QUINT-i.
Fjalimi dramatik i Vuçiqit dhe ultimatumet e tij e largojnë procesin politik nga dialogu dhe e vënë atë në binarët e njëanshmërisë. Në kontekstin e ngjarjeve në Banjskë në vitin e kaluar, ky fjalim e tregon vazhdimësinë e një politike hegjemoniste dhe agresive ndaj Kosovës. Kur i bën këto ultimatume dhe veprime, të cilat së buti mund të quhen “të njëanshme,” Vuçiqi llogarit në potencialin e shtetit të tij që ta destabilizojë rajonin. Me fjalimin e tij, ai tregoi se jo vetëm që e ka këtë potencial, por e ka edhe dëshirën që ta bëjë këtë destabilizim. Afërsia e tij me Putinin vetëm sa e ushqen këtë dëshirë të Serbisë, e cila, në politikën e saj dyfytyrëshe, është duke e mashtruar Perëndimin se gjoja Serbia është për integrim evropian. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet rreziku kryesor për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.