Sot jemi në heshtje, që në kushte normale do të duhej të shërbente për reflektim - për të vendosur se nëse do të votojmë, dhe nëse votojmë, si do të votojmë. Ajo që do të shënojë dallimin nga hera e shkuar është se kësaj radhe do të futemi në vendvotime me maska e me dorëza gome dhe se do të detyrohemi t'i dezinfektojmë duart në hyrje dhe në dalje nga vendvotimi, me shpresën se do ta ruajmë shëndetin fizik. Për atë mendor, e besoj se moti e kemi në tetik - sepse jetojmë në Kosovën Republikë
Para 16 muajsh, një të shtune si kjo, i kishte ardhur radha zgafelles në kohë heshtjeje.
E rilexova shkrimin për të pasur një ide se çfarë kisha shkruar aty. Kuptova se shumë pak nga ato që i kisha renditur duhej ndryshuar. Pos një krize politike sui generis, nisjes së gjykimeve në Hagë dhe pandemisë, të gjitha të tjerat thuajse nuk kishin lëvizur vendit.
Fushata e fundit, e cila u zhvillua në kushtet kur Ligji kundër pandemisë është shkelur absolutisht nga të gjithë pjesëmarrësit, më në fund mbaroi.
Mbaroi, duke na e lënë ndrojtjen se numri i të infektuarve do të rritet në formë të pakontrollueshme pas nja një jave, dhe se do t'ia shihnim sherrin zgjedhjeve në kohë pandemie që i organizon një shtet i papjekur, ende i paformuar si duhet.
Sinqerisht, kësaj radhe nuk pata nerva të dëgjoja as debate e nuk pata rastin të lexoja as programet politike të partive që dolën në garë. Se këto thuajse nuk ekzistuan, thuajse partitë u zunë të papërgatitura për edhe një ndeshje në sportin, i cili na është bërë thuajse nacional - zgjedhjet.
Sikurse edhe në fushatën e shkuar, askush nuk na premtoi liberalizimin e famshëm të vizave, as punësimin e qindra mijëra vetave - na premtuan shumë para për skema sociale, dhe na premtuan vaksinim masiv të qytetarëve kundër COVID-it, bash në çastin kur po bëheshin shkaku i shpërndarjes së shpejtuar të tij.
Sipas shënimeve të IKSHKP-së, në Kosovë zyrtarisht ka 62.009 të infektuar dhe janë shënuar 1.520 vdekje që nga shpërthimi i pandemisë para 11 muajsh. Ende po flitet se vaksinat do të mbërrijnë në gjysmë të këtij muaji, porse sinqerisht jam duke e dyshuar shumë. Me mendtë tona dhe mënyrën se si i qasemi shtetit, do të jemi me fat po qe se vaksinat e para do të arrijnë në Kosovë nga mesi i vitit. Uroj ta kem gabim.
* * *
As kësaj radhe, fatmirësisht nuk pati incidente. Fushata shkoi si shkoi. Nisi shumë më herët seç do të duhej dhe u përcoll me një mori sondazhesh, që kësaj radhe, për dallim nga hera e kaluar, u bënë publike. Ambasadat e huaja nuk u prononcuan thuajse fare - mbase tashmë njerëzit e kanë kuptuar që nga ta do të dilte porosia se vota është obligim qytetar dhe se secili duhet të votojë sipas diktatit të ndërgjegjes e jo të partisë.
Dhe si me prononcimin e tyre dhe si pa të, ky mbase do të jetë rundi i zgjedhjeve që do ta regjistrojë daljen më masive të qytetarëve.
Nëse duhet mbështetur në shembullin që është duke e dhënë diaspora, e cila deri dje ka dërguar mbi 38 mijë pako me vota, që mund të përmbajnë më shumë vota brenda, atëherë edhe dalja në Kosovë do të jetë e madhe. Pavarësisht acarit që pritet të bëjë të dielën e votimeve.
Sot jemi në heshtje, që në kushte normale do të duhej të shërbente për reflektim - për të vendosur se nëse do të votojmë, dhe nëse votojmë, si do të votojmë. Ajo që do të shënojë dallimin nga hera e shkuar është se kësaj radhe do të futemi në vendvotime me maska e me dorëza gome dhe se do të detyrohemi t'i dezinfektojmë duart në hyrje dhe në dalje nga vendvotimi, me shpresën se do ta ruajmë shëndetin fizik. Për atë mendor, e besoj se moti e kemi në tetik - sepse jetojmë në Kosovën Republikë.
* * *
Heshtja do të mbarojë të dielën në orën 19:00 dhe të gjithë do ta kemi kokën e kthyer nga KQZ-ja dhe Qendra e numërimit të votave që do të na japin rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Nëse edhe kësaj radhe do të veprohet si më parë, atëherë certifikimi i votave do të zgjasë me javë, nëse jo me muaj - dhe kjo do të paraqesë problem shumë serioz, nëse për këtë shkak do të vonohet edhe konstituimi i institucioneve, në veçanti Kuvendi.
Do të ketë ankesa, për shkak se pa to nuk bën. Është bërë trade-mark yni zgjedhor. Porse ajo që do t'i nevojitej Kosovës në këtë moment është që rezultatet të pranoheshin nga të gjithë dhe që i gjithë procesi i certifikimit të kalojë sa më lehtë që të jetë e mundur. E ndoshta tashmë kemi mësuar nga ky proces - do të jetë i teti me radhë i këtij lloji. Do të duhej të dinim se sa më shumë vonesa që ka në proces, aq më keq për të gjithë neve.
Kushdo që do të vijë në pushtet do të ballafaqohet me problemet e përhershme e tashmë edhe më të thelluara, të cilat e kanë karakterizuar Kosovën e pasluftës. Çalimet në të gjithë sektorët dhe situata edhe më tepër e rënduar për shkak të pandemisë e kanë sjellë Kosovën në pikën më të ulët të zhvillimit të vet. Të mbijetosh me dinjitet në këtë vend po bëhet përherë e më rëndë. Për shkak se kanë një trashëgimi shumë të lashtë krimi, korrupsioni, analfabetizmi, ngecja ekonomike dhe në raportet ndërkombëtare ka mbetur larg asaj që është menduar se do të mund të ndodhte, po qe se kishim pasur pak më shumë mend dhe po të kishim vërtet vija të kuqe karshi Serbisë.
* * *
U bënë thuajse 22 vjet që nga çlirimi dhe sinqerisht kam ardhur në pikën kur mund të them se jam lodhur duke pritur që gjërat të përmirësohen. Jam thellësisht e zhgënjyer si qytetare e këtij vendi se kemi lejuar që të ngecim aq shumë krahasuar me fqinjët dhe se kemi dëshmuar se nuk kemi qenë të gatshëm për shtet. Dhe, se as pas 22 vjetësh, nuk u mësuam ta duam atë me sinqeritet, por vetëm me interes personal.
Por lodhja nuk do të thotë heqje dorë dhe prandaj, si përherë, them se do të dal të votoj edhe nesër. Nuk do t'ia lërë rastit që dikush për ndonjë arsye ose tjetrën të ma keqpërdorë votën. Për shkak se keqpërdorimet e këtilla nuk i kanë dhënë përherë rezultatet reale, por ato që dikujt në një kohë u kanë konvenuar.
Ende besoj se ky vend e ka një ardhmëri. Se mund të bëhet shtet ku sundon ligji; ku do të ketë drejtësi, të cilën nuk duhet pritur me vite, ku do të kujdesemi për shëndetin tonë, pa pasur nevojë të ikim jashtë, ku gjuhën shqipe do të mësojmë ta shkruajmë pa gabime gjuhësore; ku do të mësojmë se të lexosh libra është shumë më e dobishme sesa të lexosh statusa në fejsbuk; ku, kur do t'i mbush vitet për pensionim, do të mund të jetoj me dinjitet; ku nuk do të pres edhe nja 20 vjet derisa të gjendet lokacioni për një sallë opere; e ku do të mund të shoh se si lumenjtë kanë ujë e ku hapësirat e gjelbra përhapen, e betoni shkurtohet.
Besoj se ka edhe shumë të tjera që na mungojnë e që mund të plotësohen, dhe që na pengojnë, e që mund të mënjanohen.
Vetëm po qe se duam.