Viktima ishte grua. Dhe u vra pse ishte grua. U vra për shkak se, e deshëm ose jo, vazhdojmë të jemi shoqëri patriarkale. E këtë patriarkalizëm e ushqejmë duke refuzuar të zhvillohemi si shoqëri duke mos mundur t’i ikim mendësisë e cila na reflekton në familje e shkollë. Para se ta kërkojmë fajtorin tjetërkund, duhet parë veten, dhe të pyetemi: a ia vlen?
Nuk ma kishte marrë mendja që kolumna e javës së shkuar do ta kishte vazhdimin e menjëhershëm këtë javë. Nëse vrasja e javës së shkuar paraqiste aktin më makabër të përfundimit të një jete me sakicë në mes të natës, zor se do të mund të paramendonim se do të ndodhte një krim edhe më i rëndë, e edhe më i shëmtuar, po qe se njëmend do të mund të krahasoheshin.
Të mërkurën mbrëma u raportua për një vrasje në oborrin e QKUK-së, konkretisht para Klinikës së Gjinekologjisë. Rrufeshëm u tha: u vra një grua shtatzënë, në javën e 41-të të shtatzënësisë, nga bashkëshorti i saj. Nuk kaloi shumë dhe u tha se ky kishte qenë ish-bashkëshorti, ngase çifti ishte në proces të shkurorëzimit.
Në fund doli se gruaja ishte zyrtarisht nën mbrojtjen e shtetit, ngase burri me të cilin kishte bashkëjetuar apo edhe krijuar bashkësi martesore, ishte treguar i dhunshëm, dhe për këtë shkak, ishte lëshuar edhe urdhri i mbrojtjes, pra edhe detyrimi që ai të mos i afrohej viktimës.
Vrasja me paramendim
Sipas burimeve të KOHËS, u kuptua se viktima kishte dalë nga objekti i Klinikës për të blerë diçka. Derisa po qëndronte ulur para objektit të klinikës, është qëlluar me armë zjarri nga vrasësi. Është evidente se vrasësi e dinte se bashkëshorten e kishte në QKUK. Do të mund të spekulonim shumë për atë se si e ka imagjinuar kryerjen e këtij krimi - mbase brenda në Klinikë, mbase edhe në sallë të lindjes, kushedi, por fakti se ka ardhur i armatosur në qendrën spitalore, tregonte se vrasjen e paska pasur cak.
Tash po del se dalja e gruas jashtë klinikës vetëm ia paska lehtësuar punën. I shkrepi dy plumba. Me të rënë gruaja në tokë, ia shkrepi edhe të tretin. Pra tre plumba mbaruan me jetën e saj. Ajo që nuk dihet, e nuk do ta dimë kurrë, është po qe se foshnja ka pasur ende shans për të mbijetuar.
Vdekje nga neglizhenca
Është absolutisht e pakuptimtë se si është e mundur që ky njeri të ketë kryer krimin publikisht, e që askush mos ta ketë parë e as ndalur. Si bëhet që askush nuk i dëgjoi të shtënat (pos nëse revolen e ka pasur me shurdhues), por për më keq, si bëhet që askush nuk e ka parë gruan në tokë dhe nuk i është afruar për të parë a është gjallë apo jo.
Gruaja ka mbetur e shtrirë në vend për afro dy orë. Në mes të oborrit të spitalit, dhjetëra metra larg Klinikës Gjinekologjike dhe mbase po aq metra larg Klinikës Emergjente. Dhe nuk u gjet asnjë, ama asnjë punëtor shëndetësor që do të shkonte t’ia maste pulsin, a ta thërriste ndonjë ekip emergjence për të parë po qe se do të mund të shpëtohej foshnja.
Është absolutisht e pashpjegueshme se si u bë që ama askush të mos i afrohej. Betimi i Hipokratit detyron punëtorin shëndetësor të bëjë gjithçka për të shpëtuar jetë.
Ligji i heshtjes
Trupi i viktimës nuk u largua prej aty deri në çastin kur Policia e kreu hetimin në vendin e ngjarjes. Tashmë u konstatua se në këtë krim kishin humbur jetën nëna dhe foshnja e palindur. Rregullat e kërkojnë që në këto raste të kryhet obduksioni. Dhe gjasat janë që të jetë kryer, meqë varrimi ndodhi vetëm dje.
Ndërkohë, në pyetjen se a është tentuar të ndërmerret gjë për ta shpëtuar foshnjën, apo pse nuk është ndërmarrë asgjë për ta shpëtuar atë, nuk janë lejuar të japin përgjigje asnjë nga gjinekologët kujdestarë. Nuk është deklaruar as drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj. Nuk patën asnjë gjë për të thënë as ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, e as ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku. As tri ditë pas krimit të ndodhur në QKUK, nuk ka asnjë dorëheqje, qoftë edhe vetëm për shkaqe morale.
Dështimi institucional
Vrasësin e kishte paraqitur disa herë viktima për shkak të dhunës së ushtruar mbi të, si edhe për shkak të kanosjes. Në gusht 2022, prokurori e kishte udhëzuar viktimën që ta bënte kërkesën për marrjen e urdhrit mbrojtës nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Të nesërmen, prokurori kishte ngritur aktakuzë për kanosje, por nuk e kishte kërkuar paraburgimin e tij. Pse? Po ai vetë e kishte udhëzuar viktimën që të kërkonte urdhërmbrojtje!
Cili është qëllimi i urdhërmbrojtjes nëse nuk ka kush e zbaton? Cili është qëllimi i ekzistimit, që nga 2015-a, të Ligjit për mbikëqyrje elektronike, kur një pajisje për të cilën thuhet se kushton më pak se 100 euro, nuk është blerë kurrë, për rastet sikur te ky vrasës. Madje ligji i lejon autoritetet policisë që t’ia lidhin pajisjen personit që ka urdhër për mos t’iu afruar viktimës edhe pa pëlqimin e tij.
Në shtator 2022, vrasësi është shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje. Është dënuar me gjobë!
Pra njeriu që tashmë ka urdhër që të mos i afrohet viktimës dhe që është në procedurë gjyqësore në bazë të aktakuzës për kanosje, dënohet me gjobë për armëmbajtje pa leje. Thuajse nuk ekziston regjistër elektronik i rasteve që trajtohen në nivel të një gjykate në veçanti dhe të të gjitha gjykatave në përgjithësi.
Vetëvrasja e paralajmëruar
Iku nga vendi i ngjarjes, dhe askush nuk e ndali. Të nesërmen iu gjet vetura në Shtime. Policia e shoqëroi babanë e vrasësit dhe e kthyen veturën në Davidovc, në fshatin ku jeton familja e tij. Policia nuk e dha asnjë sqarim se përse u kthye vetura në shtëpi e nuk u çua kudo që duhet të çohet kur konfiskohet. Policia nuk e bastisi shtëpinë e familjes së vrasësit. Pse?
Dje, derisa po mbahej varrimi i të dy viktimave, ministri Sveçla, nëpërmjet FB-së informoi se vrasësi ishte gjetur. Pas përpjekjeve për ta shtyrë që të dorëzohej, vrasësi e vrau veten. Ky ishte një skenar tashmë i paralajmëruar nga jo pak njerëz nëpër rrjete sociale - sikur të ishte një skriptë e shkruar keq. Vetëvrasja ndodhi në shtëpinë familjare të vrasësit.
S’ka sqarime. S’ka shpjegime. Hetimet vazhdojnë.
Patetika në FB
Pas ngjarjes tragjike, nisën të vlonin postimet në FB. Me mbase serinë më të keqe statusesh, kampion na doli kryeministri Kurti. As kryetarja Osmani nuk mbeti shumë prapa. Bërthamën e statuseve të tyre e bënte patetika.
Kurti e titulloi postimin e parë “Dy engjëj në qiellin e pistë” – s’pati shumëkush ta kuptonte çfarë ka dashur të thoshte – qielli supozohet është i pastër, e jo ferr. Se ferri, për gruan e vrarë, qe toka.
I thuri katër rreshta patetikë dhe më pas tha: “...Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte”. Nga kush do të duhej ta mbronte kryeministër? Pse duhet mbrojtur gruan, a për shkak se konsideroni se është përherë në rrezik, apo si?
Dhe më pas e përfundon: “...Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë”. Fillimisht janë dy qenie njerëzore më pak, dhe nëse bash duhet thënë, për hir të armikut, dy qytetarE të Kosovës më pak dhe dy shqiptarE më pak (edhe kjo fjali tregon mjaft për sensin e barazisë gjinore që mbretëron në Kosovë).
E esenca, kryeministër, që armiqtë më të mëdhenj të vetes sonë jemi vetë ne.
Thuajse nuk i doli boll kjo, të nesërmen iu hodh krejt shoqërisë: “...Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme...”
E pabesueshme, por këto janë fjalët e kryeministrit, pra njeriut që e ka pushtetin ekzekutiv në dorë dhe një pjesë e të cilit pushtet që ashiqare dështoi në rastin e gruas së vrarë para Gjinekologjisë. E, kur një zgjim i shkurtët shoqëror ngjau, dy aktiviste u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje 48 orë.
Patetik dhe irritues. Nuk e di po qe se këto statuse i ka shkruar vetë. Nëse po, shumë keq. Në vend se të merret me statuse në FB, do të duhej të merrej me masa energjike për t’i shkarkuar të gjithë ata që kanë dështuar në këtë rast, e që bien nën kompetencën e tij. E të tillë duket se nuk janë pak, nisur nga mjekët e deri te policët.
Osmani nga ana tjetër u kap sërish për gruan si nënë. Po kryetarja duhet ta dijë se nuk janë krejt gratë nëna. Për më tepër, do të duhej të kishte shumë kujdes sa herë i qaset këtij sentimenti, se mbase ka gra që nuk mund të bëhen nëna, e mbase ka të tilla që nuk bëhen nëna, sepse ashtu kanë vendosur.
E për ta bërë krejt këtë situatë edhe më neveritëse, u përkujdes opozita - po ajo e cila ka mbajtur pushtetin mbi dy dekada dhe që është përgjegjëse shumë e madhe për situatën në të cilën jemi. Fakti se përse tash nga opozita e kanë luksin e kritikës, nuk i amniston për problemet në shëndetësi, polici e gjyqësi – hallkat që kanë dështuar në rastin e viktimës.
Viktima ishte grua. Dhe u vra pse ishte grua.
U vra për shkak se, e deshëm ose jo, vazhdojmë të jemi shoqëri patriarkale. E këtë patriarkalizëm e ushqejmë duke refuzuar të zhvillohemi si shoqëri duke mos mundur t’i ikim mendësisë e cila na reflekton në familje e shkollë. Para se ta kërkojmë fajtorin tjetërkund, duhet parë veten, dhe të pyetemi: a ia vlen?