Se simptomat kolektive të humbjes së estetikës janë të kahershme, u dëshmua në vitin e errët. Çuditshëm njëlloj ndjenje lehtësie më jep secila sorollatje me mendje, në kohë, vende, ngjarje që s’lidhen fare. Dhe refuzoj t’ua gjej të përbashkëtat siç bëj edhe me çdo mundësi që me del përpara për të menduar kthjellët në kohën kur njeriu ka frikë nga njeriu. Njësoj bëj edhe me të kërkuarit e estetikës
Bardhësia e borës që ra gati në fund të dhjetorit nuk reflektonte aq sa për ta zdritur një grimë vitin e errët. Qentë endacakë që kanë rrethuar Bibliotekën s’i lehin njeri-tjetrit, por u pengon prania e njeriut. Tërbohen edhe më, sapo ndez dritat e makinës. S’më bien më ndër mend besëtytnitë se përçartja e tyre mund të jetë ndonjë soj ogurzeze. Kam pasur boll kohë, mjaftueshëm e tepër, për t’u bindur se e ardhmja është e paparashikueshme, jo rrallë e frikshme. Disi ishte shndërruar në rëndomësi çdo dështim për determinimin e rrjedhës. Nuk ma kujtonte as të kaluarën, as marsin, kur e panjohura më shumë sesa frika, përmbysi botën që njihja siç bën ndonjë pijanec kur, krejt në fund, fajronin në kafehane e finalizon jo me pagesë fature, por me rrapëllimë të çdo gjëje që gjen mbi tavolinë.
Është vonë, tepër vonë për të kapërthyer çfarëdo arsyeje në kërkim të kuptimit. Qyteti është i zbrazët, tek-tuk ndonjë taksi dhe po – djaloshi te semaforët që në këmbim të një monedhe centësh gjithherë të humbur nëpër xhepa të shpuar, ofron fshirjen e xhamit të parë. S’i jap shenjë, edhe pse e di se nuk do t’ia dalë të ma kthjellojë pamjen – ishte mjegulluar nga brenda – e as s’më intereson se çfarë e nxjerr në rrugë në orë të vona, krejt i vetëm, e as çfarë leje ka për të lëvizur. Si antagonizëm më vjen një dokument që duhet mbajtur gjithherë me vete, mundësisht në vend të dukshëm, për të mos u përballur me pyetje shabllon policësh dhe përgjigje dyfish të tilla. Pastaj me prek një ndjenjë lakmie ndaj atij që provon të ma kthjellojë pamjen e që s’i bëhet vonë nëse thyen rregulla për të lëvizur ngado e kurdo, pa pyetur kënd. Në fakt, më shumë sesa ai, është leja në një copë letër që ma përçudnon lirinë e lëvizjes. Bën pikërisht të kundërtën: dëshmon lehtësinë e kufizimit të saj, brishtësinë. E bën të cenueshme bashkë me esencën e qenies njerëzore. S’ka të bëjë me autoritetet që detyrimisht kërkojnë shpëtimin në këso lloj masash.
E di, rruga deri në shtëpi nuk zgjat dhe mundësisë për një lloj orvatjeje për racionalitet në monologun e brendshëm, si kundërpërgjigje i del diçka përtej iracionalitetit. S’e mbaja dot në mend se kur kisha vendosur jo fort bindshëm që në situatë të panjohur, e cila lulëzoi bashkë me pranverën, të mos shtroja shumë pyetje. S’e mbaj në mend as përgjigjen e cila s’u pasua nga ndonjë pyetje – se e pakuptimshmja ishte shndërruar në normalitet. Duhet të ketë qenë diku nga mesi i përpjekjeve të shkencëtarëve për ta deshifruar një grimcë të padukshme, e cila, më vonë, kur iu dha edhe forma e një ilustrimi artistik – u bë disi më pak e frikshme, e në vend të saj, ajo që frikësonte më fort ishte mutacioni i budallallëkut kolektiv. Si reagim në vetëmbrojtje, shtegu më i shkurtër do të ishte zgjidhja – se në kohë jonormale ka vetëm gjykime në mjegull.
* * *
Xhami i makinës tashmë ishte kthjellur bashkë me rrëqethjen se bluarja në kokë do të niste nga e para si mundim në kërkim të arsyes. Ktheva maskën, e me të edhe detyrimin për ta rithithur frymën e vetvetes. Ndjeva lehtësinë e rikthimit në iracionalitet, se kaosi i jashtëm më lehtë përballohet me kaos të brendshëm. Se shpëtimi është refuzimi për të dalë prej tij.
Më shumë sesa kërkim i ndonjë melodie të pranueshme, kapërcimi i frekuencave të radios qe disi shmangie prej këngëve që paarsyeshëm i këndojnë dashurisë, e në variantin edhe më të keq lumturisë, dhe atë me tekste krejt palidhje. Zorshëm radioja e makinës kap një radiostacion, por mjaftueshëm sa për ta dëgjuar refrenin e “Living in a Ghost Town” të “The Rolling Stones”, në top-listën e grupeve të mia të preferuara. Pashpjegueshëm fika radion. Vrullshëm më ndizej një lloj makthi. S’kisha lexuar a dëgjuar kund se grimca e padukshme prek shijen estetike. Ngushëllimin mbi refuzimin për ta dëgjuar, lehtas e gjej tek refuzimi i dyfishtë për ta pëlqyer të kënduarit për qytetin-fantazmë bashkë me njeriun si të tillë, si një tentim për të mos e pranuar shndërrimin e jonormalitetit në normalitet.
Por në fakt, simptomat kolektive të humbjes së estetikës – jo si disiplinë filozofike, por si qasje ndaj së bukurës – janë të kahershme.
* * *
Është e shtunë, 28 Nëntor dhe fytyra pa maska mbrojtëse, por me të tjera po, defilojnë gjithandej. Në Qytetin Historik – kur duhet edhe kryeqytet kulturor, heroik e të tjera epitete që i kërkon konsumi – zbarkojnë tufa që kaherë jonormalitetin e kanë shndërruar në normalitet. Në ekranin e televizorit shoh kur shtatores së Skënderbeut ia heqin vellon – nuk qe flamur kuqezi, ose shqipoja u fsheh në palë – tek zbuluan turpin kolektiv. Humbja e estetikës s’është veç simptomë, tash merr përmasat e sëmundjes kronike dhe rasti i radhës konfirmohet ca metra më tutje. Skenari i njëjtë: ia heqin pecen e kuqe dhe askush s’kujtohet t’ia kthejë atë, qoftë edhe për ta mbuluar turpin e radhës, por kësaj here me shtatoren e Adem Jasharit, modeluar me beton e çkado tjetër. S’është veç humbje e shijes estetike, por shndërrim vlerash kur një vepër e tillë i besohet berberit. Harrohet se arti s’është punë vullneti a qejfi.
Si fatamorgan më behet skena te berberi i lagjes, ca muaj më herët, tek prisja qethjen e tim biri. Në gjashtë karrige, po aq veta rruajnë kokat dhe vullnetshëm kërkojnë të duken si hajdutë a belaxhi. Berberët s’dinë tjetër stil flokësh, se kështu është moda. Opsion e arsyetim kanë modelin që mbajnë filan politikanë.
Mundohem të gjej arsyetim se simptomat i kemi sherri i dyndjes së popujve të tjerë, se na ka prekur diku një shqisë, furishëm mendja më fluturon në Vendlindje, ku një grup pravosllavësh të rinj janë dehur nga nacionalizmi që ta ngrehin kishën maje Kalaje, se aty paskësh qenë dikur. Si për t’u qetësuar kujtova dikë të me ketë thënë se është punë euforie, do të zbehet. Një tjetër shembull s’më bind dot, se të tillë si këta a të njëjtët e kishin çuar në maje të malit të Rumisë, me helikopter ushtarak, një kishë llamarine, e më vonë e mbështollën edhe me mure prej guri. Është ende aty, s’do të hiqet, sepse e sotmja i ngjan mesjetës.
* * *
Çuditshëm njëlloj ndjenje lehtësie më jep secila sorollatje me mendje, në kohë, vende, ngjarje që s’lidhen fare. Dhe refuzoj t’ua gjej të përbashkëtat siç bëj edhe me çdo mundësi që me del për të menduar kthjellët në kohën kur njeriu ka frikë nga njeriu. Njësoj bëj edhe me të kërkuarit e estetikës, qoftë edhe në shkrim. Sepse për të dalë nga kaosi i brendshëm na duhet zgjidhja për kaosin e jashtëm. Të atij, që si kolonë zanore do të kishte “Simphony of Destruction” të “Megadeth”.
Me një grimë shprese, atë do ta kundroja jo si të tashme a gjendje fillestare e gjithësisë. Por si një thirrje për një të ardhme të re.
Gëzuar për një vit në të cilin kaosi nuk bëhet normalitet dhe për ditë më estetike!