OpEd

Simbolikat e kahes evropiane të Kosovës

Në garën e Ballkanit Perëndimor - a të bëhesh pjesë e BE-së duke emigruar në të apo si pjesë e shtetit tënd - tashmë është futur formalisht edhe Kosova. Por, aplikimi i saj për vulat identitare evropiane ka peshë të veçantë të momentit gjeopolitik

1.

Brenda një viti Kosova u përqendrua në tri caqe të identitetit të vet evropian. U përqendrua te liberalizimi i vizave të zonës Schengen për qytetarët e saj, si pjesë e lirisë së lëvizjes që e gëzon pjesa më e madhe e kontinentit evropian. U përqendrua tek aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, një lloj vule të rregullimit të unifikuar demokratik të kontinentit. Dhe u përqendrua në aplikim për status të shtetit kandidat për anëtarësim në BE, një konkretizim i një formulimi të dhënë që më 2003 në Samitin e Selanikut për “perspektivën evropiane” të regjionit.

Koha duhet të jetë mbreti i simbolikave të këtyre veprimeve.

Simbolika e parë e dalë nga një përqendrim i këtillë është ajo kohore, pra thjesht fakti se të tria këto bëhen brenda këtij viti dhe ekziston një shpjegim i thjeshtë mekanik për këtë gjë: janë punë të pakryera që duhet të kryhen. Por, rrjedhimisht ka edhe më shumë simbol kohe në të, pra fakti se këto aplikime identitare tashmë janë kryer nga shtetet fqinje të Kosovës, pak a shumë para njëzet vjetësh. Rrjedhimisht, del simboli i mëtejmë: fakti që shtetet fqinje të Kosovës kanë kaluar nëpër këtë proces-disa prej tyre si Maqedonia e Veriut që nga viti 2005, nuk është se e ka afruar këtë regjion në formë dramatike të përkatësisë së vet politike evropiane. Gazetari gjerman Michael Martens përllogariti, duke marrë kapitujt e mbyllur të procesit negociator të Malit të Zi me BE-në se ky shtet do të jetë i gatshëm për anëtarësim pas 112 vjetësh, pra në janar të vitit 2134. Nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbajnë të njëjtin ritëm si Mali i Zi dhe fillojnë negociatat sot, anëtarësimi i pret pas 122.5 vjetësh, ndërsa Serbia, me ritmin e vet të negociatave do ta tejkalonte dukshëm afatin e Malit të Zi.

2.

Pra, aplikimi i Kosovës për vulat e veta identitare nuk do ta bëjë transformimin e madh. Këtë pak a shumë e tha në thatësinë e vet standarde burokratike gjuha e BE-së e përdorur në Samitin e Tiranës, më 6 dhjetor; një rekomandim që të shpejtohet integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, por pak a shumë me mekanizmat ekzistues.

E, megjithatë, njëra prej vulave identitare që është edhe më e prekshme, ajo e liberalizimit të vizave që ka edhe afatin e vet të arritjes (janar 2024) mund ta vendosë Kosovën brenda garës së madhe të Ballkanit Perëndimor. Në janar të vitit 2024, qytetarët e Kosovës do t’u bashkohen fqinjëve të vet me mundësinë për të lëvizur lirshëm në hapësirën Schengen, pra edhe me mundësinë që më lirë dhe më shpejt t’ia krijojnë vetes kushtet (të studimeve, punësimit, bashkimit familjar) për t’u larguar prej Kosovës. Kështu, do të hyjnë në garën që tashmë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor: a do të bëhen qytetarët e këtyre vendeve me përkatësi politike evropiane (BE) më shpejt duke shkuar për të jetuar në BE apo duke qëndruar në shtetet ku kanë lindur?

Gara është qartazi në avantazh të atyre që largohen. Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina kanë një të tretën e popullatës së vet në diasporë e Kosova edhe pa liberalizim të vizave u afrohet atyre.

3.

Por, ekziston një moment kohor i cili nuk matet me kategoritë utilitare të përdorura më sipër. Pra, jo, Kosova nuk do të jetë vend shembullor i sundimit të ligjit pse ka aplikuar për Këshill të Evropës, dhe jo, Kosova nuk do të jetë as për së afërmi e gatshme për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE. Edhe po të mos ishte konflikti i papërfunduar me Serbinë, vendi është zhytur për jetesë të një shteti të kapur e të keqmenaxhuar (shprehur më së buti) sa do të ketë nevojë të sanojë këmbët dhe krahët e thyer të foshnjës së quajtur shtet, që tashmë hyn në adoleshencën e vet të pavarësisë.

Por, momenti kur Kosova ndjek të tria caqet identitare evropiane duke dëshiruar ta përmbushë me ndërlidhje institucionale përkatësinë e saj, është viti ku lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka sfiduar Evropën demokratike dhe njëkohësisht nxjerr në pah nevojën e forcimit të saj.

Në këtë kontekst, Kosova po përfiton liberalizimin e vizave kur janë konsumuar të gjitha arsyetimet e deritanishme teknike e politike të pengimit. Është e pambrojtshme gjendja e mbajtjes nën izolim të Kosovës në kohën kur shtrirja gjeopolitike e lirisë së lëvizjes ka shkuar në Lindje tej Ukrainës e Moldavisë dhe ka arritur në Kaukaz, Gjeorgji.

Në këtë kontekst, në Këshillin e Evropës nuk banon Rusia e vetëpërjashtuar, një shtet që masakron qytetarët e Ukrainës, por në sallën e saj u dëgjua fjalimi i nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, e një të mbijetuare të masakrës në Kosovë.

Në këtë kontekst, kur ideja e shtrirjes gjeografike të kufijve të Evropës dhe BE-së përputhen, dhe kur kufiri i ardhshëm mes Evropës e Euroazisë do të jetë ai mes Ukrainës dhe Rusisë, është krejtësisht e natyrshme që vendi me besimin më të madh në BE në kontinentin evropian, Kosova, të aplikojë për anëtarësim.

4.

Po, përditshmëria është ndryshe.

Ka barrikada, sërish, në një pjesë të vendit. Dhe, ka e do të ketë negociata mes Kosovës e Serbisë, një proces i lodhshëm i filluar më 2011, atëbotë me jo shumë parime, largpamësi dhe rrjedhimisht me jo shumë rezultate. Dhe, ka gjyqësi që është larg funksionimit normal, ka funksione shtetërore që lënë për të dëshiruar, dhe mbisundim të retorikës në pjesë të qeverisjes në stilin “jemi duke analizuar, do të analizojmë, pasi të kemi analizat do të analizojmë se çka mbeti pa u analizuar”.

Por, Kosova foli, besoj me zë të përbashkuar për kahen strategjike të ecjes së saj. Dhe, ky përcaktim evropian, kur ideja e Evropës po sfidohet nga Rusia e forca e saj magnetike po humbet në hapat prapakthyes të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor e Evropës Qendrore, fiton vlerë të shtuar historike.