Janë dy çështje me të cilat Qeveria synon ta përcaktojë narracionin e vitit të ardhshëm. Hesapet i bën me sigurinë, për të cilën flet. Dhe me arsimin, për të cilin hesht. Është viti i shpalljes së zgjedhjeve
Në njërin prej adresimeve të Qeverisë në fundvit kuptuam se rreziku nga Serbia do të jetë tema me të cilën do të merremi vitin e ardhshëm. U shtruan tri pika: pushteti i Beogradit po trajnon terroristë për sulme të mundshme; aleatët ndërkombëtarë nuk e prishin partneritetin me presidentin serb, por edhe i përkrahin forcat kosovare të sigurisë në rrezikun që ai paraqet, dhe e treta, që Prokuroria e Kosovës po i shpërfill dëshmitë rreth Banjskës, rrjedhimisht në mënyrën e vet edhe strategjinë politike që synon Qeveria.
Në një konferencë vikendi, kryeministri e ministri i Brendshëm dhanë hollësi për manovra në Serbi, emra, harta e dokumente si dëshmi të cilat thanë se i kanë ndarë edhe me aleatët. Por më shumë se këto dhe më shumë se transmetim i diçkaje të re, ishin porosi për adresa të ndryshme. Dhe më shumë se porosi për ato adresa ishin tregues se për çfarë agjende e narrative është përcaktuar Qeveria që ta ketë Kosova vitin e ardhshëm.
Nga këndi i qytetarit të thjeshtë, krahas rrezikut nga sulmet e jashtme, i frikshëm është abstrahimi i problemeve të brendshme.
Pra, janë dy çështje këtu.
Një rrezik real, bazuar jo veç në infot e nxjerra nga Qeveria, por më shumë në kontekstin e konfrontimit gjeostrategjik të fuqive të mëdha ku lufta është pranuar si mjet. Parvjet shpërtheu një, vjet u ringjall e dyta. E treta nuk ka nevojë të thyejë akullin.
Dhe çështja e dytë, rreziku real, bazuar jo veç në rezultatet e PISA-s, por më shumë në kontekstin e potencialit çdo herë e më të vogël njerëzor për punë, përgjegjësi, kualitet e vizion në Kosovë. Kjo, jo vetëm sepse masa që e prodhon sistemi arsimor nuk di të lexojë, por edhe se shumë nga ata që veçohen ikin. Parvjet e vjet dhjetëra mijëra kosovarëve iu lëshuan leje pune. Më 2024 liberalizohen vizat, që për potencialin e mbetur nënkupton edhe mundësi.
Dhe, dy hesape.
Një narrativë për luftën, për terrorizmin e për heroizmin. Sepse si mund të mos jetë siguria preokupimi kryesor, mundësisht i vetmi, i Qeverisë e i qytetarëve. Pra, më 2024 do të flasim për këtë, në shtëpi, në debate, në kafe.
Një sulm ndodhi në shtator dhe aty Kosova fitoi jo veç në terrenin e Banjskës, por edhe në atë të raporteve me bashkësinë ndërkombëtare, duke arritur të bëjë një ripozicionim të lehtë pas ftohjes së raporteve nga vendimi i targave. Fitoren, kryeministri e rrjedhimisht edhe partia në pushtet e kapitalizuan politikisht, gjë që përveç në perceptim reflektoi edhe në sondazhe. Më 2024, pra, do të flasim për sigurinë e qytetarëve, për heroizmin dhe shporrjen e terroristëve. Kah shtatori pastaj do të shpallen zgjedhjet, e disa muaj pas ato do të mbahen.
Dhe hesapi i dytë, çdo vit rreth 22 mijë fëmijë tru-freskët hyjnë në sistemin arsimor të Kosovës, që për herë të tretë me radhë merr njësh në PISA. Në shkolla me tre a katër ndërrime, në klasa me nga 40 nxënës, me mësimdhënës aq krenarë sa testimin e shohin nënçmim, e që rrogat u rriten sipas inflacionit. Në sistem arsimor ku tekstet shkollore më shumë përcaktohen nga përfitimet individuale e biznesore sesa nga konsistenca në përzgjedhje, ku për shkak të dyshimeve për keqpërdorime viti nis pa libra, ku qasja ndaj leximit të lektyrave e detyrave të shtëpisë është e ngurtë, aq se ua gërdit aktivitetin që do të duhej t’u ngjallte interesim. Një sistem komandantësh, qoftë ai mësimdhënës apo nxënës. Një sistem ku cigaret elektronike konsumohen nëpër klasa, ku shfaqet dukuria e haraçit nga më të fortët e fëmijëve. Ku mësimdhënësit, për të hapur diskutime injorantësh, postojnë në rrjete sociale ese të nxënësve, të cilët ua çelin zemrën me dyshime nëse duhet jetuar. Pra, 22 mijë fëmijë hyjnë në një sistem arsimor për t’u bërë viktima të tij.
Gjendja e këtij sistemi nuk është asgjë e re, ashtu siç nuk është as trendi i degradimit. Është nota e dobët e secilës qeveri të pasluftës. Është nota e dobët edhe e kësaj qeverie, e cila, për më keq, sikur mësimdhënësit, është aq krenare sa nuk pranon që diçka nuk është në rregull me të. Por, këtë e di, andaj edhe nuk e fut në narracionin e vitit 2024, kah shtatori i të cilit duhet të shpallen zgjedhjet e disa muaj më pas edhe të mbahen.
***
Është ky rikthimi më serioz që nga paslufta i rrezikut për sigurinë, por pak është në dorë të Kosovës, ndonëse manovrimet politike të saj kanë rol së paku në pashitje. Viti që ne po e lëmë pas, po i lë pas marrëveshjet për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë dhe po vulos dështimin e diplomacisë evropiane në këtë proces. Viti 2024 sjell një dimension të ri, ku marrëveshjet nuk ka më kuptim të pretendohet se janë mes Kosovës e Serbisë. Ku BE-ja do të pranonte se nuk ia ka dalë t’i vërë dy shtetet në një letër dhe obligimet e dala nga procesi, nëse vërtet i ka menduar, t’i akomodojë në raportet e veta me to. Njëra prej adresave ku Qeveria tentoi në konferencën e fundvitit të çojë porosi ishte bashkësia ndërkombëtare. Jo për ta njoftuar me infot e inteligjencës së vet, sepse shërbimet e huaja kanë edhe më shumë të tilla, por për ta bërë publik adresimin. Viti 2024 sjell një dimension të ri edhe për diplomacinë e ngathët të Kosovës, e cila duhet të trokasë në dyer të aleatëve për t’ua ndërruar mendjen rrymave që shohin mundësi partneriteti me pushtetin e Beogradit. Ashtu si më 1999. Në pikëpamje pozicionimi, jo bombash.
Po kaq serioze është jo ikja e trurit, sa mosshfrytëzimi i duhur i potencialit njerëzor, për të mos thënë prishja e trurit. Pa reformim rrënjësor të sistemit s’ka shpëtim. Por shpresë për këtë nuk ka përderisa në një ditë si 5 dhjetori, kur u shpallën rezultatet e PISA-s, nuk do të mblidhen krerët e shtetit, prej presidentes e teposhtë, në një takim urgjent për të ardhmen e shtetit. Nëse kjo do të ndodhte tash, efekti do të vërehej pasi të kenë kaluar dy dekada. Dhe kjo nuk sjell vota. Kur populli zgjedh, kërkon rezultate që do të mund t’i ndiente menjëherë, por kur pushteti bëhet, vizioni do të duhej t’i shkonte më larg. Në luftë kemi shkuar nëpër shkolla. Brezat e shtëpive-shkolla kanë prodhuar kuadro ndër më të fortat. Në shëndetësinë kryesisht vullnetare të asaj kohe Betimi i Hipokratit ka pasur kuptim. I vetmi sektor ku sot, krahasuar me atëherë, vërehet dora e shtetit është mirëqenia sociale. Ndihmat atëherë i shpërndanin organizatat bamirëse, sot këtë e bën Qeveria.
Do të dëshiroja që të mos hynim më në një vit të ri me mesazhe rrezikimi të sigurisë dhe as me ehon qeveritare “të gjallit i bëhet çare”. Uroj të bëhemi më kërkues!