... dhe kur e pse është vështirë të ketë përkulje para viktimave?
1.
Lufta mes Serbisë dhe Kosovës tashmë është botërore.
Kjo fjali është frikësuese më vete - a janë Kosova dhe Serbia në luftë mes vete? A nuk përfundoi e tëra më 1999? Si është e mundur të flitet për luftë botërore, ndërsa një gjë e tillë flitet për atë në Ukrainë? - dhe është mirë që është frikësuese. Çdo përmendje e luftës duhet të frikësojë e jo të ngazëllejë, duhet të nxisë mendim e jo fotografim me kallashnikovë, autoblinda e mjete të tjera që tregojnë sigurinë e shkatërrimit të kundërshtarit, të atij nga ana e tjetër; nga ana e tjetër e urës, kufirit apo etnisë.
Fjalia më doli nga një natë futbolli. Kampionati botëror në futboll është një arenë gare sportive. Në të vijnë kombe, kultura e raca të ndryshme për të parë se kush mund ta flasë më mirë gjuhën e asaj gare, të futbollit. Garat sportive, që prej kohës së lojërave olimpike në Greqinë antike ishin një lloj i zëvendësimit për luftën: pse duhet të tregohesh i fortë me shtizë të cilën ia hedh gjoksit të kundërshtarit, kur mund ta hedhësh në distancë dhe kështu të dëshmosh epërsinë tënde e të ruash njëkohësisht një jetë (mbase edhe tënden)? Por në kampionatin e Katarit, për një pjesë të mendësisë që mbështetet në kulturën e luftës e shndërroi një ndeshje futbolli në një luftë, një zgjatje kohore dhe hapësinore lufte.
Pashë dhe ia lexova buzët trajnerit të kombëtares së Serbisë, Dragan Stojkoviq - Piksi duke bërë kapërcimin në një hapësirë kohore e gjeografike të luftës që ka në kokën e tij. Skuadra e tij shënoi gol kundër skuadrës së Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës, dy shqiptarëve, dhe ai tërë gëzimin që duhej ta kishte e shndërroi duke ia sharë nënën shqiptare Zvicrës. Ngadalë, Zvicrës? Ç’punë ka Zvicra, shtet sinonim i paqes, me hidhërimin e Piksit? Dhe, nëse detyrimisht duhej të shante e kështu të manifestonte gëzimin, përse nuk t’ua shante “nënën e çokollatës” apo “lopën e nënës” apo diçka ngjashëm që duhej të shprehte hidhërimin e tij me Zvicrën?
Sepse ai nuk ka gjë me Zvicrën. Ka punë me dy zviceranë që me lindje janë shqiptarë, madje, shqiptarë të Kosovës. Për trajnerin Piksi, Shaqiri dhe Xhaka janë kundërshtarët e një lufte të papërfunduar mes shtetit ku kanë lindur dhe shtetit të cilin ai e përfaqëson. Dhe, kjo gjuhë e luftës me këto simbole që duhej të ishin të kuptueshme për Piksin, Shaqirin e Xhakën tash iu ofrua krejt botës.
Dhe, atë natë, kjo u kuptua prej disa qytetarëve austriakë, banorë të Vjenës. Shumica të rinj, disa të lindur e të gjithë të rritur me përfitimin estetik, ekonomik e social të kryeqytetit të ish Perandorisë, dolën pas ndeshjes së Katarit për të brohoritur në gjuhën e tyre amtare serbe njërën prej parullave që brohoritet në futboll e zbatohej në praktikë nga njësitet paramilitare dhe të tjera të vdekjes: “Vrit, prej, që shqiptarit të mos rrojë!”.
Kështu, lufta mes Kosovës dhe Serbisë u bart në rrugët e Vjenës.
2.
Lehtësia me të cilën mosdurimi dhe urrejtja dalin në sipërfaqe, në këtë rast do të ketë befasuar shikuesit e botërorit gjithandej. Çka është kjo urrejtje që del jashtë kornizave të skutave ballkanike dhe bën që lojtarët e ligës italiane, asaj britanike, spanjolle e ku ta di unë të zihet për fyti G. Xhaka në momentin kur këta lojtarë shndërrohen në serbë dhe shqiptarë të Kosovës?
Një shprehje të ngjashme befasie, e në formë dhe kontekst të ndryshëm, ma bëri një diplomat sipëror perëndimor të cilin e takova në Zagreb, në një konferencë të ftuar nga Natasha Kandiq, institucion më vete i të drejtave të njeriut në ish-Jugosllavi. Pas një karriere çerekshekullore, të filluar në ish-Jugosllavi, dhe largimit për në vende e sfida të tjera diplomatike, u emërtua ambasador në Zagreb dhe nuk mund t’u besonte syve dhe veshëve: dëgjonte gjuhën, lamentin dhe problemet e njëjta që i kishte lënë kaherë.
Kjo ndjenjë e gjërave të përjetuara që nuk gjejnë fund, e një deja-vu që nuk është deja-vu, më përsëritet deri sa shoh një përzgjedhje fotografish të botuara nëpër disa portale shqipe në Kosovë, të policëve kosovarë që janë me detyrë në pjesën veriore të vendit. Fotografitë tregojnë meshkuj të njësiteve që i afrohen më shumë atyre të xhandarmerisë (diku mes policisë e ushtrisë), me armë të sofistikuara dhe me poza fotografike që spikasin gatishmërinë luftarake.
Pozat janë të njëjta me ato të fillimit të fotografimit të guerilëve të UÇK-së (jo të fillimit fare me maska, por të fazës kur kallashnikovi mbahej me tytën lartë e mbështetur për brezi). Dhe, të vendosura në rrjete sociale, ato marrin dimensionin e shumëzuar të një shpirti kolektiv të gatshëm për luftë.
Lufta mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon gjithandej në botë ku të depërtojë Facebook-u. Një javë me shqiponja në duart e futbollistëve apo lexim buzësh të trajnerit, javën tjetër me fotografi kamionësh të parkuar si barrikada, ish-policësh të Kosovës duke u rikthyer në Roja të maskuar të urës apo fotografi të policëve të Kosovës që postohen me dëshirën e postuesve për të treguar nevojën e papërjetuar e të pasurit Rambo në mesin tonë.
3.
Një ditë do të jemi në Bashkim Evropian dhe e tëra kjo do të jetë e kaluar. Kështu përsëritet prej të huajve që vizitojnë Serbinë e Kosovën, kështu besojmë intimisht dhe fshehtas, duke mos pasur ndonjë përgjigje tjetër për një luftë që nuk po e gjen fundit e vet; kështu tregojmë se në vend të arsyes mbështetemi te shpresa.
Por, nuk do të jetë e kaluar. Ja, Zagrebi, kryeqyteti i një shteti evropian, prej 1 janarit në zonën Schengen dhe Zonën Euro, ka rritur një gjeneratë të re njerëzish të cilët tash bëhen në moshë për të marrë qëndrim ndaj luftës së kaluar. Një hulumtim i thelluar sociologjik në mesin e të rinjve kroatë tregon një qëndrim që ende në shumë fusha ka hamendje. Kur të rinjtë pyeten se a duhet të dënohen krimet e luftës 84 për qind përgjigjen me po të fortë, por kjo “po” mbërrin në 60 kur pyetja riformulohet me a duhet të dënohen krimet e luftës ndaj serbëve të Kroacisë. Dhe, pyetja e cila jep më shumë dritë në qëndrimin e hamendur është ai kur pyetja formulohet me se “a duhet të dënohen për krime lufte ata që zhvilluan luftë për mbrojtje të Kroacisë?”. Në këtë përgjigje, 58 për qind e të rinjve besojnë se të luftosh për Kroacinë arsyeton edhe krimet kundër njerëzimit.
Kjo tregon se sa është e vështirë të kalohet në fazën tjetër, atë të ballafaqimit me të kaluarën, e pastaj edhe në pajtim.
Dhe, sado të vegjël e të rëndësishëm, edhe në një demokraci evropiane, janë gjestet sikur ai që ndodhi në fillim të këtij muaji në Zagreb. Në një përkujtim për një familje të vrarë të Zagrebit, një buqetë e luleve ishte nga kryebashkiaku i Zagrebit. Familja ishte familja serbe, Zec, simboli i fillimit të luftës në Kroaci. Mishshitësi i njohur, Mihajlo Zec, u vra në prag të shtëpisë nga një njësit i policisë speciale kroate, e më pas nga shtëpia e morën gruan dhe vajzën e tij gjashtëvjeçare, i dërguan në një pyll afër dhe i ekzekutuan. Kjo vrasje u shndërrua në simbol të përndjekjes institucionale të serbëve në Kroaci.
Më 7 dhjetor të këtij viti, Tomislav Tomasheviq, kryetar i Bashkisë së Zagrebit vuri lule në vendin përkujtimor të vrasjes dhe premtoi një pllakë përkujtimore për komemoracionin e vitit të ardhshëm. Ky qe simbol i përpjekjes së një shoqërie për ballafaqim me të kaluarën.
4.
Prej ditës së vrasjes të familjes Zec kanë kaluar 31 vjet. Dhe kur akti i përkuljes së kryebashkiakut të Zagrebit ndodhi pas kaq kohësh, sa duhet të kalojë në vendet e tjera, që për demokraci e zhvillim nuk i afrohen Kroacisë? Sa do t’u nevojitet Kosovës dhe Serbisë që të përkulen para viktimave civile që u vranë e u dërguan me kamion-frigoriferë sepse ishin shqiptarë, apo sepse u dogjën për së gjalli me fishekzjarrë në gojë sepse ishin serbë?
Përgjigjen jo shumë optimiste e gjej te shkrimtari malazias, Ognjen Spahiq i cili hedh poshtë pritshmëritë e një akti si i Vili Brandtit në geton e Varshavës më 1970, kur u gjunjëzua para memorialit si shenjë pendese kolektive të një Gjermanie të re për krimet e kaluara. Akti i gjunjëzimit, thotë ai, vjen vetëm pasi Gjermania është marrë me një proces të thellë spastrimi nga e keqja, ballafaqimi me të kaluarën e vet.
Përkuljet pa proces nuk kryejnë gjë.