Me përshkallëzimin e nacionalizmit serb në vitet 1987 filloi sulmi kundër pozitës kushtetuese të krahinave, dhe me këtë demontimi i Jugosllavisë çfarë ishte. Më 28 mars 1989, Kuvendi i Serbisë aprovoi ndryshime të Kushtetutës, duke marrë shumë kompetenca mbi dy krahinat, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë dhe kushtetutat e dy krahinave. Serbia filloi ta qeverisë Kosovën me masa të represionit shtetëror
Kur flasin për Kosovën, të gjithë në Beograd thonë se asgjë tjetër nuk kërkojnë përveçse të respektohet Kushtetuta e Serbisë. Bëhen se nuk e dinë, se Kosova aty është vendosur dhunshëm qysh në kohën e pushtetit të kriminelit të luftës, Milosheviq. Për ata që Kushtetuta është fjalë e shenjtë, e nuk e dinë realitetin, kjo mund të lërë përshtypje. Ne që jemi dëshmitarë të historisë së re të raporteve Kosovë-Serbi kemi obligim të përkujtojmë çfarë ishte pozita legale kushtetuese e Kosovës para se ajo dhunshëm të vendosej në Kushtetutën e Serbisë.
1. Jugosllavia (RSFJ) ishte shtet federativ që sipas Kushtetutës (Neni 1) e përbënin tetë njësi federale (gjashtë republika dhe dy krahina—Kosova e Vojvodina). Në institucionet federale ishin të gjitha të përfaqësuara drejtpërsëdrejti me të drejta të njëjta.
2. Kosova kishte Kushtetutën e vet të aprovuar në vitin 1974. Vojvodina, po ashtu. Kushtetutën mund ta ndryshonte vetëm Kuvendi i Kosovës sipas procedurës si e ka aprovuar. Sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova e Vojvodina kishin disa lidhje të ndërsjella me Serbinë, për disa çështje me interes të përbashkët, por me marrëveshje;
3. Me përshkallëzimin e nacionalizmit serb në vitet 1987 fillon sulmi kundër pozitës kushtetuese të krahinave. Në fakt, fillon demontimi i Jugosllavisë se çfarë ishte. Në vitin 1988 shkelet autonomia e Vojvodinës, por me pak pasoja, ngase atje jetonin mbi 70% serbë dhe pozita e tyre nuk cenohej shumë;
4. Në vazhdim sulmi u drejtua kundër pozitës kushtetuese të Kosovës. Shqiptarët, bashkë me udhëheqjen e Kosovës, përmes protestave masive e në mënyra të tjera kundërshtuan, ngase me shkeljen e autonomisë kushtetuese shkeleshin edhe të drejtat, po ashtu, dhe barazia nacionale që kishin arritur: Kryesia e Jugosllavisë, me presione nga Serbia e me shumicën e votave në përkrahje të saj, më 1 mars 1989 vendosi gjendje të shtetrrethimit në Kosovë kinse për t’i ndalur protestat;
5. Më 28 mars 1989, Kuvendi i Serbisë aprovoi ndryshime të Kushtetutës duke marrë me këtë rast shumë kompetenca mbi dy krahinat, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë dhe me kushtetutat e dy krahinave. Në vazhdim Serbia fillon ta qeverisë Kosovën me masa të represionit shtetëror. Faktikisht, mbi Kosovën vendosi regjim okupues. Në valën e masave represive në përmasa të gjëra u burgosën, u keqtrajtuan, u përjashtuan nga puna mijëra shqiptarë. Gjatë protestave të qeta u vranë 25 veta.
6. Më 28 shtator 1990, Kuvendi i Republikës Socialiste të Serbisë aprovoi Kushtetutën e Re. Me këtë kushtetutë Kosovës dhe Vojvodinës iu hoqën kushtetutat që kishin dhe u shndërruan në njësi territoriale-regjionale të Serbisë. E ndryshuan edhe emrin, e quajtën “Kosovo i Metohija”. Serbia shpalli veten pronare të ndërmarrjeve publike dhe të tokave që ishin prona shoqërore të Kosovës. Pikërisht kështu figuron në Kushtetutën e sotme të Serbisë.
7. Në qershor 1991, Jugosllavia u zhbë. Ish-njësitë federale u bënë shtete. Serbia dhe Mali Zi, me Kosovën e okupuar, mbetën bashkë në krijesën që e quajtën Republika Federale e Jugosllavisë.
9. Në prill 2006 Mali Zi përmes referendumit shpalli pavarësinë. Serbia prej vitit 1918 e deri në vitin 2006 nuk ishte shtet në vete sikur është sot. Shtetësinë e vet e kishte shkrirë në një tërësi më të gjerë (Mbretëria serbe-kroate-sllovene, Mbretëria e Jugosllavisë. RPFJ, RSFJ). Pra, Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë si shtet.
Intervenimi i NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 ka ndodhur sipas Kapitullit V të Kartës së OKB-së, ngase me veprimet e saj kundër shqiptarëve dhe Kosovës ishte rrezikuar paqja dhe një komunitet i tërë (shqiptarët) me përmasa gjenocidi, ngase u vranë më shumë se 13.000 dhe u ndoqën jashtë vendit më shumë se 800.000 shqiptarë. Si rezultat i çlirimit nga Serbia dhe duke u nisur nga fakti se ishte njësi federale e Jugosllavisë, e me mbështetje të faktorëve relevantë ndërkombëtarë, Kosova u shpall shtet në vitin 2008. Duke shqyrtuar ankesën e Serbisë kundër këtij akti, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2011 vlerësoi se me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare e as Rezoluta 1244 e KS të KB-së me të cilën në vitin 1999 është larguar pushteti i Serbisë. U vlerësua edhe fakti se para vitit 1989 Kosova ishte njësi federale e RSFJ-së. Prandaj, Kosova si shtet i pavarur e sovran është realitet legjitim. Ndërsa Kosova në Kushtetutën e Serbisë është fiksion, relikt i një politike dhe kohe të perënduar e të dështuar.
Nuk është se shumica në Serbi nuk e dinë këtë histori. Por e mbajnë gjallë pretendimin e Serbisë mbi Kosovën. Gjeneratat e reja serbe mendojnë se njëmend Kosova qenka pjesë e Serbisë, pasi që kështu shkruan në Kushtetutën e saj.
LEXO EDHE: