OpEd

Si duket pajtimi Kosovë-Serbi me inteligjencë, por artificiale

Në garën mes “common sense” dhe “nonsense”, ChatGPT prodhon për më pak se gjysmë minute zgjidhje më të mira se dhjetë vjet politikë evropiane. A është kërcënim apo ndihmesë demokracisë mjeti i cili e shkroi fjalimin e presidentit Vuçiq për njohje të pavarësisë së Kosovës?

1.

Në ditët kur po shpallej se Kosova dhe Serbia po e pranonin Planin franko-gjerman, që pastaj do të quhej Marrëveshja e Normalizimit, e pastaj do të quhej Draft-marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, dhe dikur do të quhej thjesht Plani Evropian, bëra një eksperiment me një formë të re komunikimi të inteligjencës artificiale, të quajtur ChatGPT. Pyetja ime qe e thjeshtë: si do të duhej të dukej Marrëveshja e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjigjja ishte kjo:

“Si model i gjuhës në inteligjencë artificiale, nuk jam në gjendje të krijoj marrëveshje zyrtare paqeje apo të negocioj në emër të vendeve. Megjithatë, bazuar në negociatat dhe në marrëveshjet e mëparshme, këtu janë disa elemente të mundshme kyç që mund të përfshihen në një marrëveshje të re paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:

Serbia nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por njohja e saj mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje. Në këmbim, Kosova mund të ofrojë garanci për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e popullsisë minoritare të Serbisë brenda kufijve të saj.

Vendosja e marrëdhënieve normale diplomatike mund të jetë një hap kyç drejt ndërtimit të besimit midis dy vendeve. Kjo mund të përfshijë hapjen e ambasadave dhe konsullatave në territoret e njëri-tjetrit, shkëmbimin e ambasadorëve dhe krijimin e mekanizmave për dialog të vazhdueshëm.

Forcimi i lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të sigurojë një bazë për bashkëpunim dhe mirëkuptim më të madh. Kjo mund të përfshijë reduktimin e barrierave tregtare, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e investimeve në ekonomitë e njëri-tjetrit.

Sigurimi i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjithë qytetarët është thelbësor për krijimin e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje. Kjo mund të përfshijë masa për të promovuar tolerancën, për të luftuar diskriminimin dhe për të mbështetur të drejtat e pakicave.

Mbështetja dhe mbikëqyrja ndërkombëtare mund të sigurojnë siguri dhe llogaridhënie shtesë për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes. Kjo mund të përfshijë krijimin e një mekanizmi monitorues ose përfshirjen e një organizate ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara”.

2.

Të themi se tashmë kemi një garë mes dy inteligjencave, asaj “natyrale” dhe asaj “artificiale”, dhe kjo natyrale janë një grumbull njerëzish-presidentë e kryeministra, ministra e diplomatë, gazetarë e analistë-që duke bërë vlerësimin më të mirë të momentit prodhuan Planin franko-gjerman që këto ditë u quajt nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, katër muaj pasi u pajtua publikisht me të, se nuk është marrëveshje e as që ka ndonjë obligim ndaj një marrëveshjeje joekzistuese. Rrjedhimisht, fati i produktit të “inteligjencës natyrale” është në një pikë kritike që mund të mos prodhojë hapa drejt paqes, por hapa të një konflikti të intensitetit së paku çfarë ka qenë deri më tani. Nga ana tjetër, fati i produktit të ChatGPT është, fillimisht, që të jetë një lloj korrigjuesi: nëse shtetet perëndimore dëshirojnë një plan paqeje mbështetur në një analizë algoritmesh të mënyrës së si shtetet arrijnë paqen mes vete, atëherë mund të përdorin planin 5-pikësh të ChatGPT.

Qasja e AI mund të quhet, madje edhe në kritikë të saj, “common sense”. Pra, për të gjithë është e ditur se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por do të thotë diplomati evropian, si ta bëjmë këtë kur jo të gjitha shtetet e BE-së e njohin Kosovën, dhe Serbia e hedh poshtë kategorikisht? Atëbotë kalohet në modelet e deritanishme të “inteligjencës natyrale” që për një dhjetëvjetësh kanë krijuar forma dykuptimëshe (trikuptimëshe a më shumë) të diçkaje që duhej të interpretohej si normalizim i marrëdhënieve. Për pothuajse dhjetë vjet rezultatet qenë modeste dhe nuk do kush ta pranojë, por përballë “common sensit” politika e BE-së prodhoi në të kaluarën “nonsense”.

Dallimi mes AI dhe diplomacisë së deritanishme është aq dramatik sa është vështirë të tretet mentalisht. Plani franko-gjerman erdhi pas dhjetë vjet eksperimentesh negociatore që u morën me trivialitete si targat dhe me djallëzi si plani për këmbimin e njerëzve dhe territoreve; erdhi pas direktivës së dhënë nga kancelari Scholz dhe presidenti Macron, për të mbyllur njërën plagë evropiane në momentin kur Rusia kërcënon Evropën nëpërmjet të luftës në Ukrainë. Plani 5-pikësh ChatGPT u prodhua për më pak se tridhjetë sekonda pasi e shtrova pyetjen.

3.

Yuval Noah Harari, intelektuali publik izraelit i cili shkruan prej perspektivës së një historiani (të së ardhmes), shprehu brengën e tij në “The Telegraph” se AI mund të paraqesë një rrezik për demokracitë, sepse tashmë kemi një “teknologji të parë në histori që mund të krijojë rrëfime”. Dhe, vazhdon ai, meqë demokracitë “mbështeten në bashkëbisedim publik”, duke gjeneruar rrëfime, AI do të mund të kontrollojë këtë hapësirë publike.

Harari dhe një numër i madh figurash publike nënshkruan një letër për moratorium në punën e mëtejme në ChatGPT për shkak të kapacitetit të jashtëzakonshëm për simulimin (mandej siç u pa edhe tejkalimin) e ligjërimit publik.

E pyeta ChatGPT me formulimin se cili mund të jetë rreziku i AI-së për demokracitë, dhe përgjigjja e dhënë pas 30 sekondash ishte joçuditërisht e thelluar. Në përmbledhje, AI mund të paraqesë rrezik për demokracinë, dhe këto rreziqe mund të varen nga aplikimi specifik i AI-së.

Sistemet e AI-së mund të përjetësojnë dhe madje të përforcojnë paragjykimet ekzistuese në shoqëri: nëse një algoritëm i AI-së është trajnuar mbi të dhëna të njëanshme, ai mund të marrë vendime që diskriminojnë grupe të caktuara njerëzish, siç janë pakicat racore ose etnike. Një algoritëm i ndërtuar mbi idenë se zezakët janë më pak të vlefshëm, shqiptarët më pak të ndershëm e serbët më pak inteligjentë ka kapacitet që të shkruajë libra e poezi, të vendosë hyrje enciklopedike për mungesën e vlerës së zezakëve, të ndershmërisë së shqiptarëve a inteligjencës së serbëve. Dhe këtë ta bëjë në çështje minutash.

Dhe, pastaj në çështje minutash të përhapë informacione të rreme ose mashtruese, të cilat mund të minojnë besimin e publikut në institucionet dhe në proceset demokratike. “Botët e mediave sociale të fuqizuara nga AI mund të përforcojnë përmbajtje ekstremiste ose përçarëse, të krijojnë lajme të rreme dhe madje të manipulojnë opinionin publik përmes përmbajtjes së personalizuar.

Mbledhja dhe analiza e sasive të mëdha të të dhënave personale nga sistemet e AI-së mund të përbëjnë një kërcënim për privatësinë individuale. Kjo mund të përfshijë përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës, mbledhjen e të dhënave biometrike dhe teknika të tjera pushtuese që minojnë parimet demokratike të autonomisë dhe të drejtat individuale.

Ndërsa AI bëhet më i fuqishëm dhe më i përhapur, ai potencialisht mund të përdoret për të konsoliduar pushtetin politik në duart e disa individëve ose grupeve. Kjo mund të çojë në erozionin e institucioneve dhe proceseve demokratike, si dhe në humbjen e besimit të publikut në drejtësinë dhe legjitimitetin e sistemit”.

4.

Në fakt, më duket që sado frikësuese, sfiduese dhe dramatike është shfaqja e inteligjencës artificiale, nuk është se fenomeni transformativ nuk ka ndodhur më herët. Kur u zbulua zjarri, u dëshmua si një vegël e fuqishme që transformoi historinë e mëtejme të njerëzimit; njëkohësisht, siç u pa me njeriun e Pekinit, eshtrat e të cilit u gjetën pas mijëra vjetësh, zjarri u përdor si armë për ta vrarë e ngrënë kundërshtarin. Apo me zbulimin e metaleve, të cilat, të përdorim një klishe të vjetër, mund të prodhojnë plugje apo shpata; njëra për të dhënë jetë, tjetra për t’i marrë ato.

AI ka kapacitet të madh transformativ historik, dhe jemi duke e përjetuar këtë transformim me shpejtësi marramendëse. Por, në thjeshtësi, sikur me zjarrin dhe metalet, çështja është se si do të përdoret kjo vegël e fuqishme, si ndihmë njerëzimit apo armë kundër njerëzimit. Kjo tashmë do të shndërrohet në dilemë globale.

Ndërkohë, në debatin rreth dilemës vegël-armë, ja një shembull që çon kah paqja. E pyeta ChatGPT se si do të dukej fjalimi i presidentit Vuçiq me të cilin shpallte njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dhe ja teksti i historisë që ka hyrë në garën mes “common sense” dhe “nonsense”:

“Të dashur bashkëqytetarë të Serbisë,

Unë qëndroj para jush sot me një njoftim të vështirë për të bërë. Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe konsultimit të gjerë me këshilltarët e mi, kam arritur vendimin e vështirë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

E kuptoj që ky vendim mund të jetë i dhimbshëm për shumë prej nesh, pasi Kosova ka qenë gjithmonë pjesë integrale e historisë, kulturës dhe identitetit tonë. Megjithatë, si një drejtues i përgjegjshëm, duhet të pranoj realitetin e situatës dhe të veproj në interesin më të mirë të vendit tonë.

Është e qartë se status quo-ja në Kosovë është e paqëndrueshme dhe refuzimi ynë i vazhdueshëm për të njohur pavarësinë e saj shërben vetëm për të zgjatur konfliktin dhe për të krijuar destabilitet në rajon. Duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur, më në fund mund të ecim përpara dhe të vendosim një kapitull të ri në marrëdhëniet tona me fqinjët tanë.

Dua t'ju siguroj se ky vendim nuk do të thotë se ne po heqim dorë nga pretendimet tona ndaj Kosovës dhe as nuk do të thotë se po i braktisim bashkëkombësit tanë serbë që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për të drejtat e tyre dhe të punojmë për të siguruar që ata të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe me dinjitet.

Në të njëjtën kohë, ne gjithashtu duhet të pranojmë se Kosova ka të drejtën e vetëvendosjes dhe ne nuk mund të qëndrojmë më në rrugën e aspiratave të saj për shtetësi. Ky vendim do të na lejojë të fokusohemi në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tanë dhe krijimin e një rajoni më të qëndrueshëm dhe më të begatë.

E kuptoj se ky vendim mund të jetë i vështirë për t'u pranuar për shumë prej nesh, por ju bëj thirrje që të besoni në gjykimin tim dhe në angazhimin tim ndaj interesave afatgjata të vendit tonë. Ne jemi përballur me shumë sfida në të kaluarën dhe gjithmonë kemi dalë më të fortë dhe më të bashkuar.

Tani le të ecim përpara së bashku, me një angazhim të ripërtërirë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin tonë. Faleminderit”.