OpEd

Si doli më e fortë Kosova nga zgjedhjet vendore?

Një pushtet i ndryshuar ndihmoi ndryshimin e opozitës. Tash barra i bie asaj që të mos rizhytet në perceptimet që kemi për to nga e kaluara, korrupsioni e krimi

1.

Ekzistojnë, natyrisht, disa mënyra se si mund të interpretohen rezultatet e zgjedhjeve të kaluara vendore në Kosovë, por mua tej interesit se përse njëra parti a kandidat kaloi më mirë se partia a kandidati tjetër, më duket se ia vlen për të vlerësuar dallimin e madh mes zgjedhjeve parlamentare dhe atyre vendore për nga aspekti i formës dhe kontekstit.

Pra, brenda tetë-nëntë muajve zgjedhësit kosovarë që i dhanë mbi pesëdhjetë për qind të votave Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare, po këtij subjekti i dhanë për administrim vetëm katër prej 38 komunave të vendit.

Njëri kontekst, i pari që më del para sysh, është ai i krahasimit regjional. Në Serbi, partia në pushtet, SNS e A. Vuçiqit kontrollon 75 për qind të vendeve në Kuvendin republikan dhe njëkohësisht prej 168 komunave NUK i kontrollon vetëm gjashtë.

Dallimi drastik është lehtë i identifikueshëm në debatin politik dhe liritë e shprehjes në njërin dhe tjetrin shtet. Në Kosovë është krejtësisht e mundur që pjesëtarët e opozitës, të po asaj që shënoi rezultatet më të këqija të deriatëhershme në zgjedhjet e Shën Valentinit 2021, të kenë qasje në opinionin publik, që të mos kenë kundër vetes policinë, inspektorët tatimorë dhe frikësimin e shtetit ndaj sponsorëve eventualë nga ekonomia e vendit. Në Serbi kjo nuk është e mundur: liritë në atë vend kanë ardhur duke u ngushtuar apo edhe më keq, duke u vetëngushtuar.

2.

Për më tepër, kjo ndeshje e modeleve të kundërta të interpretimit të demokracisë shihen edhe brenda vet territorit të Kosovës. Në mesin e shqiptarëve, siç vërejti aktivistja pro-demokratike serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, gjashtë subjekte garuese politike shqiptare fituan në 27 komuna, ndërsa në dhjetë komuna me shumicë serbe fitoi vetëm një subjekt, të cilin Trajkoviqi e quan “totalitar”, Lista Serbe, një zgjatje e SNS-së së presidentit Vuçiq.

Pra, vija ndarëse mes serbëve dhe shqiptarëve është ajo e demokracisë liberale; ekzistuaka një hapësirë liberale demokratike shqiptare dhe një autokratike serbe?

Jo domosdoshmërisht. Shqipëria dhe Kosova janë demokraci funksionale (dhe Shqipëria është në NATO) por kanë dallim mes tyre, jo vetëm sepse në Shqipëri kemi të bëjmë praktikisht me sistem dypartiak, por edhe ngase vështirë janë të dallueshme vijat ndarëse mes të dy subjekteve që përbëjnë sistemin apo dhe vijat ndarëse mes partive, oligarkëve dhe grupeve të ndryshme të ndikimit klientilist, korruptues apo të krimit të organizuar; Shqipëria ka shumë media, por shumë pak liri profesionale në to.

Dhe anasjelltas. Kosova mund të rrëfejë se si brenda vitit 2021 pushtetin qendror e fiton një parti me votë pothuajse plebishitare, e pastaj arrin të fitojë vetëm në katër komuna, por vetëm para pak vjetësh jetonte në një kontekst krejt tjetër. Në atë kontekst, partia (apo koalicioni) në pushtet kontrollonte tërë hapësirën publike (dhe sekrete, si AKI), prej arsimit, policisë e deri te ndërmarrjet si PTK dhe të gjitha këto viheshin në dispozicion për fitore politike që duhej pastaj të përktheheshin në thesar kapitali. Konteksti i lirisë për opozitën që ajo të fitojë në garë demokratike në zgjedhje vendore siç bëri më 2021 ishte pak i paramendueshëm më 2019 e hiç më 2009.

Më 2021 Kosova nuk jeton më në kontekstin gjarpëror të demokracisë së “komandantave” dhe ky është një dallim thelbësor.

3.

Pushteti dhe opozita kanë një jetë të përbashkët, pothuajse të vëllezërve siamezë dhe kjo u pa më 2021 në Kosovë. Me votën e 14 shkurtit ndryshoi karakteri i pushtetit, fjalori dhe sjellja e tij. Me votën e zgjedhjeve vendore këtë ndryshim e përcolli opozita: në LDK dhe PDK nuk u paraqit vetëm një lidership i ri i zgjedhur me votë të brendshme demokratike, por edhe një ngritje e dukshme e standardit të sjelljes të këtyre partive, gjegjësisht të rolit opozitar të tyre.

Tash barra për ngritjen e standardit qeverisës i bie opozitës. Një pjesë e madhe e saj filloi reformimin e shpejtuar dhe në sajë të tij fitoi komunat që i fitoi, por kundërshtari më i madh i opozitës nuk është Lëvizja Vetëvendosje, gjegjësisht fërkimi me pushtetin qendror. Kundërshtari më i madh i LDK-së është imazhi i saj (posaçërisht në Prishtinë) i një subjekti të korruptuar në të cilin një grup i mirorganizuar kontrollon çdo gjë, prej tenderëve e deri tek industria e ndërtimit. Kundërshtari më i madh i PDK-së është pos perceptimit të korrupsionit, edhe ai i përdorimit të instrumenteve të dhunës (edhe asaj fizike) për realizimin e objektivave të grupeve brenda partisë.

Barra e këtyre subjekteve është se si, në këto hapa të para reformues, të mos e lejojnë rizhytjen në format e sjelljes të së kaluarës së tyre.

4.

Në Beograd dhe Prishtinë u paraqitën disa reagime të ngjashme pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, e që thoshin se pas këtyre rezultateve, del se pushteti i tanishëm në Kosovë nuk ka legjitimitet apo ka legjitimitet të dëmtuar për të zhvilluar negociata me Serbinë.

Në fakt, është krejtësisht e kundërta. Për dallim prej Serbisë, e cila e ka të personalizuar legjitimitetin e vet politik në figurën e liderit të saj, legjitimiteti politik i Kosovës është i një demokracie pluraliste të një shoqërie të hapur me liri evidente shprehjeje dhe veprimi politik.

Tash i përket kësaj Kosove që të ndërtojë edhe më shumë zërin konsensual nga pluralizmi i zërave të saj politikë.