OpEd

Si do të përfundojë lufta në Ukrainë

Ekziston llogaria e thjeshtë, sipas së cilës lufta përfundon kur shpenzimet ushtarake të njërës palë barazohen me atë të palës tjetër. Prapa shifrave jetojnë rrëfimet, e prapa rrëfimeve pasojat për Ballkanin Perëndimor

1.

Çka ndodh kur dy popuj besojnë se duhet ta fitojnë luftën?

Kjo pyetje më doli përpara në një konferencë ku merrja pjesë, duke dëgjuar një sociologe ukrainase dhe një ekonomist rus.

Ukrainasja Maria Sorkina vjen nga regjioni lindor i vendit, aty ku Putini mendonte se popullata ishte rusofone apo proruse dhe do të priste ushtrinë ruse si çlirimtare. Ndodhi e kundërta dhe kjo popullatë që para një çerekshekulli kishte simpati të madhe për Rusinë u vu në mbrojtje të atdheut të vet. Putini me agresionin e vet forcoi më shumë identitetin ukrainas të qytetarëve të saj se që ka mundur ta bënte çfarëdo partie apo lëvizje nacionaliste në vend.

Dhe ky agresion bëri diçka që vështirë do ta mbërrinte cilado lëvizje politike: nxiti një përgjigje të përgjithshme kombëtare e lidership që shpjegon pse në anketa 90 për qind të popullatës deklaron besimin se duhet luftuar deri në fitore. Kur pyeten se çka është fitorja, 72 për qind të popullatës beson se fitorja definohet me çlirim të çdo cepi të territorit ukrainas, përfshirë edhe Krimenë. Ndërsa prej kësaj përqindjeje, 20 për qind besojnë se fitorja do të ndodhë jo vetëm kur të çlirohet Ukraina, por kur Rusia të shkatërrohet, madje të fillojë të çintegrohet nga brenda.

Përballë këtyre numrave janë ato të Rusisë. Ekonomisti rus, Andrei Ilarionov, thotë se përkrahja për luftën në Rusi ka rënë, por kjo rënie është prej 80 për qind në 70 për qind, që është deklarimi i njerëzve në përkrahje për agresionin e Putinit.

Si do të gjendet paqja atëherë?

2.

Paqja nuk do të vijë shpejt, thotë ekonomisti Ilarionov. Ai madje e di këtë punë nga disa kënde. Dikur ka qenë këshilltar i Putinit dhe i zhgënjyer prej politikës së tij prej kohësh jeton dhe punon në SHBA. Ai nuk ka kurrfarë iluzioni se gjërat do të ndryshojnë vetvetiu, se një ditë do të ndodhë paqja ngase njerëzit janë të lodhur prej luftës. Në fakt, hulumtimet e opinionit tregojnë për një përgatitje të dyfishtë të popullit rus: 60 për qind e njerëzve e përkrahin Putinin që lufta të përfundojë duke e marrë Kievin. Por, njëkohësisht, 73 për qind e njerëzve do ta përkrahnin po ta ndërpriste luftën tash.

Pra, Rusia nuk është ende e lodhur politikisht prej kësaj lufte. Sipas Ilirionovit, nuk është e lodhur as ekonomikisht aq sa ta kërkojë paqen. Gjatë tetë muajve të luftës Rusia ka humbur mes 10-25 për qind të pajisjes së vet ushtarake në Ukrainë dhe nga ky aspekt mund të luftojë edhe dy vjet.

Në fillim të kësaj lufte shteti rus ka qenë i gatshëm që ekonomikisht të përballojë katër vjet sanksione ekonomike. Në aspekt të likuiditetit financiar ka kapacitet edhe për 17-18 muaj lufte.

Por, ekonomisti rus nxjerr në pah një statistikë - atë të balancës së shpenzimit në ushtri - e cila mat se kur do të përfundojë lufta. Duke marrë parasysh analogjinë e Luftës së Dytë Botërore - se aleatët e mundën Gjermaninë naziste kur shpenzimet ushtarake të tyre tejkaluan ato të Hitlerit - Ilarionov thotë se Rusia do të mposhtet kur mposhtet investimi i saj në luftë. Sot, Rusia shpenzon 16 miliardë dollarë në muaj në luftë, ndërsa Ukraina, me gjithë ndihmën perëndimore, mbërrin në 6 miliardë. “Rusia ka sot 2.5 herë më shumë shpenzim ushtarak sesa Ukraina. Në momentin kur Perëndimi mbërrin ta barazojë këtë shpenzim në Ukrainë, lufta përfundon”, shpjegon ai dhe shton diçka që nuk dëgjohet rëndom e kaq haptas prej një personaliteti të këtillë:

- Ukraina po zhvillon luftë për ta mbrojtur lirinë e të gjithë neve.

3.

Deklarimi i shkencëtarit rus është edhe i guximshëm e edhe i moralshëm, por është pjesë e një emocioni pas një kalkulimi të ftohtë matematikor në të cilin pra, nëse Perëndimi nuk e mbërrin nivelin e shpenzimit ushtarak çfarë e ka Rusia në këtë luftë, ajo nuk do të ndalet.

Përmbushja e argumentit moral do të ishte që Perëndimi, i cili i ka kapacitetet ekonomike dhe ushtarake të investojë diçka afër 150 miliardë dollarë në shpenzime ushtarake në 12 muajt e ardhshëm dhe që lufta të përfundojë. Por, atëbotë do të shtrohet një argument politik, e ai është se çka do të thotë fundi i luftës? A do të thotë, siç u shprehën 72 për qind të ukrainasve, çlirim i çdo cepi të okupuar nga rusët, apo prej këtyre edhe ata 20 për qind që thanë se fundi i luftës është vetëm kur dëmtohet Rusia, gjegjësisht fillon të çintegrohet?

Pyetja nuk është abstraksion për të definuar fundet e luftërave në përgjithësi, por fundin e kësaj lufte konkretisht. Gjatë këtij dhe disa prej muajve të kaluar kam pyetur njerëz në qytete të ndryshme të botës e me përvoja të ndryshme jetësore – por gjithsesi të lidhura me krizat ballkanike - se si e shohin fundin e luftës dhe siç mund të pritej nga asnjë nuk mora ndonjë përcaktim saktësie, diçka si formula matematikore e dr. Ilarionovit. Në vend të saktësisë, dëgjova interpretime se si duhet të përfundojë disi, por me gjasë kjo nuk do të ndodhë si fitore e pastër ushtarake, sepse një gjë e tillë hap pyetjen se çka pastaj ndodh me Rusinë dhe stabilitetin e saj?

Dhe, ky është pak a shumë mendimi në shumë kryeqytete evropiane dhe Washington. Pra, Ukraina duhet ta fitojë luftën, por a do të thotë kjo fitore mposhtje e Rusisë është pyetje tjetër. Apo, në formulim tjetër, të cilin e dha edhe shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane gjenerali Milley para dhjetë ditësh: Ukraina nuk është në gjendje ta fitojë shpejt luftën, nëse kjo fitore e nënkupton çlirimin e Krimesë, por në pozitën ushtarake në të cilën është tash lufta mund të përfundojë me marrëveshje diplomatike.

4.

Konkluzionet për Ballkanin Perëndimor?

Nëse me gjasë lufta do të vazhdojë më 2023, me të do të vazhdojnë edhe pasojat në siguri energjetike, ushqimore dhe financiare. Me dy vjet COVID dhe vitin e dytë të luftës, pasojat për ekonomi do të jenë edhe më të mëdha.

Nëse lufta arrin fundin me marrëveshje diplomatike, pa çlirim të plotë ushtarak, do të jetë një luftë e papërfunduar ushtarakisht dhe do të lidhet me një territor tjetër evropian të luftërave të papërfunduara, Ballkani Perëndimor. Në sistemin e enëve të lidhura gjeopolitike, do të ravijëzohej një hapësirë konfliktesh të papërfunduara që fillon në Mostar në Perëndim, dhe mbërrin në Abkhazi në Gjeorgji, nga Ballkani në Kaukaz.

Nëse lufta përfundon me çlirim të plotë të Ukrainës, mund të ndodhë të ketë krizë të brendshme në Rusi, me gjasa të mëdha që pushtetin ta marrin qarqet konservatore të strukturave të sigurisë, një lloj junte. Në kësi rasti, Ballkani Perëndimor do të jetë aty ku është, me krizat e veta të pazgjidhura, dhe Rusia do të jetë aty ku është, si faktor që dëshiron të pengojë çfarëdo integrimi të Ballkanit Perëndimor në struktura euroatlantike.