OpEd

Shtigjet e biçikletave, vetëm dekor në rrugët tona

Në të kaluarën për ngasjen e biçikletave nuk ka pasur nevojë për infrastrukturë ligjore e as asaj rrugore. Sot është e pamundur që biçikletat të lëvizin në rrugë jashtë rregullave ligjore, por për lëvizje në rrugët tona nuk janë kushtet e volitshme. Së pari, nuk ka shirita të mjaftueshëm për biçikleta, bankinat janë të parregulluara me vegjetacion, lëvizja në rrugë duke shfrytëzuar një metër që i takon, është shumë e rrezikshme. Po ashtu edhe shiritat e biçikletave duhet të kenë sinjalizimin rrugor, kryqëzime dhe infrastrukturë tjetër të nevojshme

Si çdo mjet transporti, edhe biçikleta ka një histori të vetën. Në vitin 1790 në Paris ishte parë si një tra me dy rrota që niset me lëvizjen e këmbëve nëpër tokë. Pastaj zbulohet biçikleta “kangur” me një rrotë të madhe dhe një të vogël.

Biçikleta e parë me pedale është zbuluar rreth vitit 1880. Biçikleta e parë në Shkodër është paraqitur në vitin 1897, e në Gjakovë 1909. Biçikleta ka pësuar shumë evolucion. Sot kemi biçikleta që kushtojnë sa një veturë. Ka të tilla për ngjitje nëpër bjeshkë, për sporte, për transport të mallit, si mjet ushtarak e policor, si dhe për shumë dedikime të tjera. 

Përparësitë e ngasjes së biçikletës janë të shumta. Nuk mund të gjeni asnjë anë negative të përdorimit të biçikletës. Përparësitë janë nga aspekti shëndetësor, ekonomik, ruajtjes së ambientit e shumë përparësi të tjera.

Ndonëse biçikleta konsiderohet si një mjet i thjeshtë rrugor, duhet t’u përmbahet rregullave të trafikut rrugor të parapara me ligje dhe akte nënligjore. Në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor janë paraparë 10 paragrafë për biçikleta, triçikleta e trotinete. Çiklisti, gjatë drejtimit duhet ta shfrytëzoi shiritin për biçikleta ose shtegun e përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë. Kur nuk ekziston shtegu apo shiriti për biçikleta ose shtegu i përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë, çiklisti duhet ta shfrytëzojë bankinën dhe nëse kjo nuk është e mundshme, ta shfrytëzojë shiritin e djathtë, duke lëvizur sa ma afër skajit të djathtë në distancë deri në një (1) metër.

Në dispozita të këtij ligji përcaktohen rregulla siç janë: mosha e personit për drejtimin e biçikletës në rrugë, 12 vjeç në rrugët publike, 9 vjeç në zonën e qetë të trafikut, bartjen e helmetës, respektimi i shpejtësisë, përdorimi i dritave e sjellja ndaj pjesëmarrësve të tjerë në trafik, mbajtja e timonit, ndalimi i tërheqjes, lëvizja krah mjetit tjetër, bartja e personave apo ngarkesave, përdorimi i dëgjuese të pajisjeve audio, duke i vendosur në dy ose në një vesh, si dhe rregulla të tjera nga dispozitat e ligjit.
Për mosrespektimin e këtyre rregullave janë paraparë edhe dënime me të holla, respektivisht 13 lloje të kundërvajtjeve. Në të kaluarën për ngasjen e biçikletave nuk ka pasur nevojë për infrastrukturë ligjore e as asaj rrugore. Sot është e pamundur që biçikletat të lëvizin në rrugë jashtë rregullave ligjore, por për lëvizje në rrugët tona nuk janë kushtet e volitshme.

Së pari nuk ka shirita të mjaftueshëm për biçikleta, bankinat janë të pa rregulluara me vegjetacion, lëvizja në rrugë duke shfrytëzuar një metër që i takon, është shumë e rrezikshme. Po ashtu, edhe shiritat e biçikletave duhet të kenë sinjalizimin rrugor, kryqëzimet dhe infrastrukturë tjetër të nevojshme.

Në kohën e fundit në disa qytete tona, si dhe në periferi, janë ndërtuar shtigje për biçikleta, zakonisht me kubëza ngjyrë të kuqe, që duken shumë estetike, por do të ishte kënaqësi që në këto shtigje të shohim shumë çiklistë, fëmijë duke shkuar në shkollë me biçikleta, oborret e shkollave me korniza për vendosjen e biçikletave, prindër duke dërguar fëmijët në shkollë me biçikleta të posaçme, punëtorë duke shkuar në punë etj. 

Sa i përket posedimit të një biçiklete sot nuk është aq problem. Ka mjaft të tilla të përdorura, por në gjendje të mirë teknike, që kanë ardhur nga vendet e ndryshme të Perëndimit, por edhe të reja që, në krahasim me të kaluarën, nuk janë aq të shtrenjta.

Në të kaluarën ka qenë krenari që dikush ta ketë dhe ta ngasë një biçikletë. Sot ka të tillë që atë e trajtojnë me nënçmim. Nëse një pronar veture shihet duke ngarë biçikletën i thonë: “a rave në dy rrota a?” Kur një burrë shteti, një lider apo një pasanik i ndonjë shteti, shihet duke ngarë biçikletën, përmendet me respekt, e te ne me nënçmim, andaj përveç krijimit të kushteve për zhvillimin normal të biçikletave në rrugët tona, duhet zhvilluar fushatë për përdorimin sa më masiv të tyre.

(Autori është ekspert i trafikut)