Kosova ka nevojë për vendime dhe veprime që e orientojnë drejt së ardhmes, jo për vazhdimin e garës elektorale edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor. Duhet pasur parasysh se sistemi ynë politik dhe kushtetues është i karakterit konsensual – dhe vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohet një politikë nacionale funksionale. Kosova ka nevojë për kompromise të qëndrueshme, bashkëpunim konstruktiv dhe vendimmarrje të orientuar drejt së ardhmes – jo për konsum politik të brendshëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të përshpejtohet rruga drejt integrimit në sistemin ndërkombëtar dhe ndërtimit të një shteti funksional
Kosova ndodhet në një fazë të rëndësishme të zhvillimeve politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në qendër të vëmendjes qëndron formimi i qeverisë së re, e cila pritet të përballet me një sërë detyrash sfiduese. Në këtë drejtim mbetet thelbësore ruajtja e ligjshmërisë, e cila, në të vërtetë do të thoshte ruajtje e rendit kushtetues dhe institucioneve ekzistuese. Ishte pikërisht kjo ligjshmëri e ndjekur ndër vite që ruajti kushtetutshmërinë dhe kredibilitetin institucional, duke instaluar bindjen se vota është instrumenti i vetëm për tranzicionin qeveritar. Para së gjithash, qeverinë e ardhshme e pret një përgjegjësi e madhe: të udhëheqë vendin në një periudhë të ndërlikuar, të karakterizuar nga sfida të brendshme, polarizim politik dhe një kontekst kompleks gjeopolitik. Kosova nuk mund të mbetet peng i egove personale të politikanëve. Por, kush më pak e më shumë situata aktuale është refleks i një klime mosbesuese dhe konfliktuoze që nisi me ngërçin politik të verës së vitit 2013.
Pavarësisht interpretimeve skajshmërisht të kundërta midis pozitës dhe opozitës lidhur me çështjet juridike — pas të cilave shpesh fshihen interesa politike partiake — qeveria e vendit duhet të formohet pa pasur nevojë për asistencë ndërkombëtare. Kjo është e mundur, për sa kohë që interesi i vendit ruhet përmes mbrojtjes së ligjshmërisë dhe kushtetutës. Vetëm makutëria për pushtet triumfon mbi rezonin shtetëror, ngase për dikën nuk është vonë për asgjë. E vërteta e lashtë tregon se fuqia është gjithashtu një prej dobësive më të mëdha të qenieve njerëzore. I dashuruar pas pushtetit, individi gënjen jo vetëm veten, por edhe të tjerët. Ai flet për qëllime madhështore, por e ka si prioritet vetëm suksesin personal. Kjo qasje duhet të braktiset për të shmangur tradhtinë e premtimeve elektorale. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi më shumë se formimi pa vonesë i institucioneve të vendit. Kjo është e domosdoshme jo vetëm për interesin e qytetarëve të Kosovës, por edhe për imazhin e saj ndërkombëtar. Pra, është e rëndësishme të kemi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë solide dhe me ministra kompetentë, edhe pas një viti është i programuar ngërçi i radhës, që na përsëritet pas çdo palë zgjedhjeve, për gjetjen e kompromis për figurën e presidentit të vendit. Ujdi për qeverinë duhet të jetë e motivuar nga interesi shtetëror, si dhe nga nevoja e vendit për një qeveri stabile, edhe për momentin çdo kompromis duket thjesht i pamundur edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj prej kur populli i Kosovës votoi në zgjedhje. Nuk është lajm i mirë deklarimi i diplomatëve të huaj për nevojë e tejkalimit të kësaj situate, kur qytetari i vendit nuk e di se kush është engjëlli dhe kush djalli. Në deklaratën e tij ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargeaves, ka deklaruar se “Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të kërkojë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesat kombëtare.”
Sapo të formohet qeveria, çështja më e ndjeshme dhe më urgjente që qëndron si mjegull i e dendur mbi kokën e vendit është dialogu Kosovë–Serbi, ku palët vazhdojnë të kenë interesa dhe synime diametralisht të kundërta. Bashkimi Evropian sapo të kemi qeverinë e re do të nxitojë drejt rinisjen e kapitullit të ri të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi – një proces që, edhe pas trembëdhjetë vjetësh, nuk ka dhënë rezultate substanciale dhe as nuk ka përmbushur pritjet e palëve, as të Kosovës dhe as të BE-s dhe të Serbisë. Kjo, për sa kohë që Beogradi vazhdon të ndjekë një agjendë hegjemoniste territoriale, të shoqëruar me një diskurs agresiv dhe gjuhë përçmuese ndaj shqiptarëve të Kosovës – gjuhë që risjell kujtimet e retorikës nacionaliste serbe të viteve ’80.
Në anën tjetër, qëndrimi i Bashkimit Evropian duket i pabalancuar: ndërkohë që ndaj Kosovës zbaton masa ndëshkuese dhe e pengon në përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndaj Serbisë – një aktor destabilizues në rajon – mban një qasje të moderuar, në emër të ruajtjes së ndikimit perëndimor dhe frikës së rreshtimit të saj me Rusinë.
Migrimi, një çështje që duhet adresuar
Një prioritet i lartë për Qeverinë e Kosovës është adresimi i çështjes së largimit të popullatës së Kosovës drejt vendeve të zhvilluara të BE-së. Mosha e cila dominon përfaqëson kryesisht të rinjtë, të motivuar nga pritshmëritë për paga më të larta dhe kushte më të mira të punës në vendet e destinacionit. Në dhjetë vitet e fundit konsiderohet se janë larguar gjysmë milion kosovarë. Prandaj, adresimi adresimi i çështjes së emigrimit nga Kosova kërkon adresimin e një sërë faktorësh ekonomikë, politikë dhe socialë të cilët kontribuojnë në largimin e njerëzve nga vendi. Në vend të garave politike partiake në diasporë, duhet t’i kushtojnë rëndësi dhe kujdes nacional çështjes së ikjes së të rinjve. Në formë batute një mik e tha: nëse në vitet 90-ta në diasporë kishim qeverinë dhe popullatën brenda, tani në vend e kemi qeverinë, ndërsa popullatën në diasporë. Emergjente është përmirësimi i sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimor për të ngritur cilësinë e jetës për qytetarët. Miliona që shpenzohen për shërim në vendet e rajonit dhe të BE-së, do të mund të kanalizoheshin për ngritjen e infrastrukturës dhe shërbimeve më të mira mjekësore në vend. Planifikimin strategjik dhe zhvillimin e planeve afatgjata që adresojnë shkaqet rrënjësore të emigrimit dhe ofrojnë një udhërrëfyes për zhvillim të qëndrueshëm.
Për të kuptuar më mirë dhe më saktë shkaqet dhe motivet pse popullsia e Kosovës migron, Qeveria e re e Kosovës duhet të fokusohet në indikatorët kryesorë të gjendjes ekonomike dhe mirëqenies së popullsisë. Duhet ta pranojmë, për shkak të rrethanave nëpër të cilët ka rrugëtuar Kosovë edhe në ish-Jugosllavi dhe në procesin e vonuar të pavarësisë, ajo është vendi më i varfër i Evropës, me një PBB të ulët. Përfundimisht ka ardhur koha e bërjes “tallava” politikë me diasporën, sepse në fund kësaj forme të bërjes politikë nuk ja sheh hairin askush. Edhe me diasporën duhet ndryshuar mënyra e komunikimit, përtej remitencave dhe llafologjisë euforike nacionaliste. Thjeshtë, atyre duhet krijuar të gjitha mundësitë dhe instrumentet për të investuar në Kosovë, ku investimi i tyre është i garantuar dhe gjeneron profit për investitorin dhe punësim më të madh në sektorin privat.
Qartësimi i raporteve me BE-së
Pa dyshim, një nga sfidat më të mëdha për Kosovën në këtë moment është formimi i qeverisë së re pa vonesa artificiale. Qeveria e re, para së gjithash, duhet të ndërmarrë një proces të qartë dhe të vendosur për qartësimin e marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian. Ka një sërë çështjesh që kërkojnë përgjigje të shpejta dhe një angazhim serioz institucional – situata nuk mund të injorohet sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Në rend të parë, pos heqjes së masave ndëshkuese, vazhdimi i dialogut me Beogradin duhet të ketë një strukturë më të qartë tematike dhe një kornizë të përcaktuar kohore. Nëse Bashkimi Evropian është vërtet i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë duhet të ndryshojë qasjen e deritanishme. Fillimisht, duhet të ndodhë njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë. Vetëm pas kësaj mund të flitet për një proces të mirëfilltë të normalizimit. Ky është rendi logjik i gjërave dhe duhet të jetë lajtmotivi i të gjitha takimeve të zyrtarëve të Kosovës me përfaqësuesit e Brukselit.
Së dyti, nëse Serbia vazhdon të abuzojë me dialogun dhe njëkohësisht të kundërshtojë njohjet ndërkombëtare të Kosovës, vazhdimi i procesit të dialogut bëhet i pakuptimtë dhe i pabarabartë në çdo aspekt. Nëse nisemi nga parimi se siguria kombëtare nuk është çështje premtimi, atëherë duhet pranuar qartë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk mund të ndodhë pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, e cila përfshin një perspektivë të qartë të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO..
Në të njëjtën kohë, dialogu nuk mund të vazhdojë për aq kohë sa vendet mosnjohëse të BE-së i krijojnë Kosovës barriera administrative dhe diplomatike dhe në organizatat ndërkombëtare marrin anën e Rusisë dhe të vendeve tjera që vazhdojnë të mbajnë ta kontestojnë shtetësinë e Kosovës. Është e paimagjinueshme që kohën kur dhe Komisioni Evropian prej dy vjetësh kujdeset për mbajtjen në fuqi të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, vendet afrikane si Keni dhe Sudani e njohin shtetësinë e Kosovës. Kjo tingëllon edhe më naive dhe absurde kur prej shumë dekadash vazhdon të afishohet ideja se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të integrimit në BE.
Një absurd tjetër është, si ka mundësi që një Turqi e vetme të bëjë më shumë në procesin e njohjes së Kosovës dhe sa së bashku 22 vende anëtare të BE-së, aq më tepër kur Bruskeli dialogun Kosovë-Serbi e interpreton si instrument për përafrim të këtyre dy vendeve ballkanike me BE-në. Përveç kësaj, nëse në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë me 1990-të, kur Sllovenia dhe Kroacia u pavarësuan të parat, njohja e tyre kaloi përmes legjimimit juridik ndërkombëtar të opinioneve të Badinterit dhe parimet për njohjen e shteteve të reja në dhjetor 1991.
Ndërkohë, që për pavarësinë e Kosovës janë shprehur GJND-ja dhe institucione të tjera ndërkombëtare, vendet mosnjohëse të BE-së refuzojnë opinionin ligjor të një institucioni më kredibil si dhe faktin se Kosova kaherë ka përmbushur parimet për njohjen e shteteve të reja të dhjetorit 1991.
Në fakt, i gjithë relacioni i BE-së me Kosovën është reduktuar në përmbushjen e një kërkese serbe për formimin e një Asociacioni, të cilin Serbia e sheh si instrument për dobësimin e pushtetit qendror të Kosovës, një strategji të tillë të ndjekur edhe në Dayton në lidhje me Bosnjën dhe Hercegovinën. Pas përvojës së keqe në Bosnjë, është i habitshëm insistimi i BE-së, por edhe i SHBA-së, për formimin e një trupe të tillë brenda sistemit politik dhe juridik të Kosovës. Një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë, pra edhe Qeveria e Kosovës se edhe në rast formimit të këtij Asociacioni njëetnik raportet Kosovë-Serbi nuk do të normalizohen. Përkundrazi, këto raporte vetëm sa do të komplikohen, pasi Beogradi ndjek me këmbëngulje strategjinë e dobësimit të shtetit të Kosovës ndër vite.
Qëndrimi aktual i BE-së ndaj Kosovës duket i njëjtë me atë të viteve 1990 kur për shkak të lidhjeve historike që nga Lufta e Parë Botërore, duke u angazhuar për gjetjen e çfarëdo zgjidhje që nuk e përjashtonte sovranitetin e Beogradit mbi Kosovën. Është po kjo BE, e cila në prill të vitit 1996 e njohur Jugosllavinë e cunguar të Millosheviqit, që ishte një eufemizëm i Serbisë së Madhe, në kohën shqiptarët jetonin si në apartheid dhe pa asnjë të drejtë njerëzore, politike dhe kombëtare. BE-ja e kishte shpërblyer në mënyrë të konsiderueshme Millosheviqin për një punë të kryer më së miri në Dejaton.
Duke u nisur nga thënia e kryeministrit britanik Keir Starmer "Bota ashtu siç e njihnim ka ikur," Qeveria e re e Kosovës duhet ta ketë prioritet çështjen e diversifikimit të politikës së saj të jashtme që BE-në të mos e marrë aq seriozisht për aq koha sa Brukseli e injoron deri në përçmim shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, gjë që është dëshmi se qasja e BE-së ndaj Kosovës shkel vetë standardet evropiane. Pozicioni i BE-së duhet të matet edhe me mënyrën sesi Brukseli tregohet tepër i zellshëm dhe i pamëshirshëm për mbajtjen në fuqi të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, përderisa ndaj Serbisë, për shkak të aleancave të vjetra historike, qëndron duarkryq dhe skajshmërisht toleruese edhe atëherë kur Beogradi ndërmerr një sulm të armatosur si ai në Banjskë apo kur elita politike serbe ndjek kurs pro-rus dhe prokinez, me çka vihet në pikëpyetje synimi i BE-së për vendosjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Prioritetet e Qeverisë së re
Një prioritet tjetër për Qeverinë e Kosovës, e cila shpresohet të krijohet brenda pak javësh, duhet të ishte vendimmarrja strategjike, ku elita politike duhet jetë e vendosur të udhëheq popullin dhe jo të udhëhiqet prej tij. Ndërsa vendimet dhe projektet e qeverisë të orientohen drejt të ardhmes së republikës, e jo për krijimin e pozicioneve dhe avantazheve të partive politike. Në qendër të angazhimit politik duhet të qëndroj interesi i republikës. Çështja e parë nuk u zgjidh këtë të martë të 15 prillit, në çastin kur pritej konstituimi i Kuvendit, shpërtheu telenovela “juridike” rreth mënyrës së ligjshme të këtij procesi. Nëse çështja zvarritet dhe sërish shkon në kushtetuese si më 2013, atëherë ose faji qëndron te sistemi ynë politik dhe kushtetues, ose klasa politike e ka zëvendësuar çështjen e ndërtimit të republikës me agjendën partiake. Duket qartë se në qendër të kësaj gare politike nuk qëndron ndërtimi i një shteti të ri,
çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE, pasi në këtë mënyrë do të ritestohte pozicioni i Serbisë dhe i vendeve kryesore të BE-së. Nëse sërish pengohet Kosova që t’i bashkohet këtij institucioni panevropian, atëherë çështja e dialogut humb çdo kuptim, meqë dialogu nga një levë për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës po shndërrohet në një barrierë dhe një mjet frenues për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Para së gjithash, Kosova duhet të orientohet edhe për ngritjen e kapaciteteve të saj vetëmbrojtëse pasi mungesa e një balance ushtarake është handikap për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, në kohën kur kjo e fundit shpreh hapur qëllimet e saj hegjemoniste. Për këtë, krahas Turqisë, një adresën tjetër e Kosovës mbeten Britania e Madhe dhe SHBA, shtete këto edhe më meritore për intervenimin e NATO-s në luftën e Kosovës. Në të njëjtën kohë, çështja e lobimit për njohje diplomatike duhet të vazhdojë me intensitet të shtuar, pasi njohjet janë të rëndësishme në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Mbi të gjitha, çështjet kulturore dhe fetare, të cilat Serbia provon t’i rihap për akomodim të ri përtej Planit të Ahtisaarit, duhet të insistohet të adresohen në kuadër të organizatës ndërkombëtare UNESCO, ku në paketë do të duhej të hynte dhe çështja e anëtarësimit të Kosovës.
Vazhdimi i masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës: minues për suksesin e dialogut
Siç e përmendëm më lart, vazhdimi i mbetjes në fuqi të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, është një veprim i njëanshëm i Brukselit dhe tepër favorizues për Beogradin, i cili për dallim nga Kosova, ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës sillet në formën më diskriminuese përmes të ashtuquajturit proces i “pasivizimit” të adresave të banorëve shqiptar. Me një fjalë ky është një kolonizim klasik veç me instrumente të reja, ndërkohë që BE, edhe për shkak të heshtje së faktorit shqiptar, nuk tregohet qortuese ndaj lidershipit të Beogradit. Shikuar nga kjo perspektivë është naive për të mos thënë tepër ironike të shpresohet se me një qasje të tillë mund të normalizohen raportet Kosovë-Serbi. Për më tepër, ashtu si me Gjykatën Speciale, që duket qartë se u formua për të kënaqur egon e Serbisë për të krijuar simetri mbi të kaluarën, edhe me Asociacionin nuk mund të ecet drejt normalizimit, sepse rrugës Serbia do të parashtrojë kërkesa të reja, jo për të avancuar të drejtat e serbëve lokalë, por për ta dobësuar pushtetin qendror të Qeverisë së Kosovës dhe për ta prolonguar integrimin e saj në sistemin ndërkombëtar.
Nëse BE i bashkohet viktimizimit serb për shkak të shuarjes së strukturave paralele serbe, që janë mbetje kriminale të regjimit të Millosheviqit, atëherë Brukseli merr një rol të njëanshëm në dialogun Kosovë-Serbi, duke u nisur nga premisa e dallimeve kulturore dhe fetare. Nëse Gjermanisë i kërkohet edhe sot pas tetë dekadave të mbajë një qëndrim kritik ndaj trashëgimisë së Luftës së Dytë Botërore, në rastin e Serbisë qëndrimi symbyllur është më i preferuari, pasi 25 vjet pas përfundimit të luftës, në Serbi riciklohet në pushtet një elitë që dikur ishte pjesë e establishmentit dhe qeverisë së Millosheviqit. Nisur nga rasti i Serbisë, po të ndodhte një gjë i tillë edhe me Gjermaninës, atëherë i bie që me 1970 në pushtet të kishim jo Willy Brandt, por njërin nga bashkëpunëtorët apo ministrat e regjimit nazist. Pra, përse Serbia nuk e ka përjetuar denazifikimit, fajin duhet kërkuar në Perëndim, i cili përgjatë këtyre dekadave më ashpër është sjellë me viktimat sesa me agresorin e vërtetë, i cili përgjatë viteve ‘90 me krimet e bëra na solli ndërmend holokaustin dhe krimit tjera të regjimit nazist.
Dialogu Kosovë-Serbi: Njohja reciproke në qendër
Për 14 vjet me radhë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i nisur përmes Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nën ndërmjetësimin e BE-së, nuk ka përmbushur asnjërën nga objektivat fillestare. Në rend të parë BE-ja ka dështuar ose qëllimisht për çdo marrëveshje të arritur në Bruksel nuk e ka njohura AP të KB-së, i sponsorizuar nga ky institucion. Në këtë kuptim, as Marrëveshja e fundit e Brukselit dhe as Aneksi i Ohrit nuk u ndanë me AP, e para me qëllim të fuqizimit ndërkombëtar të marrëveshjes në fjalë dhe e dyta me qellim që t’i bëhej me dije sponsorizuesve të rezolutës se të dyja vendet kanë arritur një marrëveshje e cila do të duhej të ndiqej me njohje dhe pranim në organizata ndërkombëtare.
Ndoshta nivelit ku ndodhet sot dialogu Kosovë-Serbi, i përgjigjet një barsoletë në rrjetet sociale, sipas së cilës më mirë të mos kemi dialog dhe as qeveri të re në mënyrë që të ndodhin njohjet nga vendet e ndryshme të botës.
Pa dyshim, bazë më të mirë për njohje ndërkombëtare të Kosovës sesa opinioni i GJND-së dhe Plani i Ahtisaarit, që shkojnë përtej parimeve evropiane të dhjetorit 1991 për njohjen e shteteve të reja. Përveç kësaj, qeveria e re dhe negociatori i ri i Kosovës, që do të duhej të zëvendësonte zëvendëskryeministrin Bisnlimi, do të duhej të ishte rishikimi i Marrëveshjes së Ohrit, pasi një marrëveshje e qëndrueshme do të duhej jo vetëm të nënshkruhej nga liderë vizionarë për të ardhmen, por do të duhej ta parashihte njohjen e ndërsjellë. Por, nuk duhet të kemi iluzione se një gjë e tillë nuk reale të pritet që të ndodhë për aq kohë sa 5 vendet mosnjohëse janë autoret kryesore të minimit të politikës evropiane për krijimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë afatgjate në Ballkan. Nuk besoj se ka ndonjë zyrtar në Bruksel që të mos e ketë kuptuar se çelësi i stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në rajon mbeten të ndërlidhura ngushtë me çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Në të kundërtën. Për aq kohë sa dialogu i Brukselit synon normalizim pa njohje të ndërsjellë, kjo i bie që zyrtarët evropianë duan vetëm të blejnë kohë, të ruajnë status quo-në politike, e cila menaxhohet si një "teatër" për fshehjen e realitetit.
Shikuar në retrospektivë, gjendja e dialogut të Brukselit është më e keqe sesa në vitin 2013, kur u arrit Marrëveshja e Parë për normalizim. Dhe mbi të gjitha krijohet përshtypja se në Bruksel nuk po negociojnë dy palë të barabartë, por sikur Serbia përmes dialogu të Brukselit provon ta dekonstruktojë Planin e Ahtisaarit, i cili edhe ashtu ka krijuar shumë mekanizma frenues për shumicën shqiptare dhe qeverinë qendrore të Kosovë. Nëse vërtetë synohet të dilet nga kjo gjendje ngërçi ku ndodhet tani ndodhet dialogu, atëherë Brukseli duhet ta ndryshojë qasjen, respektivisht t’i rikthehet modelit të non paper-it britaniko-gjerman të gushtit 2013, sipas të cilit përfundimi i procesit të dialogut duhej të ndodhte me normalizim të plot ( “full normalisation”). Sipas këtij dokumenti, palëve, Kosovës dhe Serbisë, po ashtu, ju garantohej vazhdimi i rrugëtimit të tyre drejt BE-së, bashkë me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësit që kjo tërhiqte me vete. Veç tjerash, ky dokument parashihte si kushtëzim përmbyllës propozimin e mekanizmit detyrues që do të parandalonte Kosovën apo Serbinë ta bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën e BE-së dhe kjo propozohej të merrte formë ligjore brenda traktatit të aderimit të Serbisë. Për fat të keq, me kalimin e viteve dhe sidomos në pesë vitet e fundit, lidershipi politik në BE dhe në SHBA i ka zvogëluar pretendimet dhe kërkesat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese. Rrjedhimisht, tani më askush në Bruksel nuk flet për finalen e dialogut dhe për parime e një marrëveshje gjithëpërfshirëse –ligjërisht obliguese.
Për më tepër, vetëm pak kohë pas finalizimit të Aneksit të Ohrit në mars 2023, Serbia doli hapur kundër mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa deklarimi i Gjermanisë, Francës dhe Italisë kundër anëtarësimit të Kosovë në KiE, përkatësisht kushtëzimi i saj me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit në Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vetëm sa krijoi një favor të paimagjinueshëm Serbisë, pasi me një qëndrim të tillë ato faktikisht i njohën Serbisë pronësinë mbi të drejtën e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Nëse me 2007 ishin Rusia dhe Kina që e kundërshtonin Planin e Ahtisaarit, më 2024 ishin vendet e BE-së ato që e kundërshtuan anëtarësimin e Kosovë në KiE. Prandaj, ishin të kota përpjekjet palës kosovare për ta bindur Bashkimin Evropian se kjo qasje e Serbisë ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në KiE përbënte shkelje të Marrëveshjes s Ohrit. Ky moment, i cili dëshmoi se Serbia në fakt nuk ka asnjë detyrim për të zbatuar të gjitha pikat e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, e që përfshinte edhe mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Nisur nga kjo, Qeveria e re e Kosovës duhet ta ketë qartë gjeografinë e dialogut dhe ta gjykojë nëse ky është momenti i duhur kur përfaqësuesja e Lartë e Be-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, bashkë me përfaqësuesin e posaçëm në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta funksionalizuar dialogun e Brukselit.
Shpresa për ndihmën e SHBA-së në dialog
Duke pasur parasysh që Kosova ishte pikë kulmore ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë në periudhën post-Luftës së Ftohtë, ndërsa Grupi i Kontaktit ishte mekanizmi joformal koordinues për adresimin e luftërave në Bosnjë dhe në Kosovë, nuk duhet përjashtuar mundësinë që nëse zgjidhet çështja e luftës së Ukrainës, dialogu Kosovë-Serbi të zhvendoset në Washington, si pala më e paanshme në të gjitha krizat në ish-Jugosllavi. Për dallim nga evropianët që historikisht kanë klientelat e tyre në Ballkan, Washingtoni në tri dekadat e fundit nuk ishte ndihma e një pale të caktuar, por vendosja e stabilitetit në Evropën Juglindore. Ky pozicion amerikan bëri të mundur të ruante unitetin e shumicës së vendeve të BE-së për mbështetjen e edhe të propozimit të Ahtisaaarit për pavarësinë e Kosovës, edhe pse nga 2007-ta pesë vende të BE-së kanë dalë kundër këtij pozicioni dhe kanë ndjekur pozicionin rus dhe serb kundrejt pavarësisë së Kosovës. Pa diskutimi, fundi i luftës në Ukrainë mund të shënojë një afrim midis SHBA-së dhe Rusisë, gjë e cila nuk do të jetë vetëm si kundërpeshë ndaj Kinës, por edhe mund të shënojë përfshirjen në bord edhe të Rusisë, ngjashëm si në Rambuje dhe në procesin e Vjenës, për arritjen e një ujdie mes Kosovës dhe Serbisë. Marrë në tërësi, SHBA-të mund të ofrojnë shteteve të reja të Ballkanit mundësinë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme në karakterin e tyre shumëkulturor dhe shumetnik të shoqërive të tyre, për të krijuar një të ardhme bashkëkohore demokratike dhe për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Nëse përfshihen thelbësisht Shtetet e Bashkuara në gjetjen e një zgjidhjeje reale midis dy shteteve të vogla ballkanike, Kosovës dhe Serbisë, ato mund të bëhen katalizatorë të integrimit rajonal dhe shembuj të zgjidhjeve probleme politike. Njëkohësisht, zgjidhja e kontekstit Kosovë-Serbi mund të shërbejnë si shtytje për suksesin e Perëndimit në rajon dhe njëkohësisht ky sukses mund të shërbejë si kundërpeshë e influencën ruse dhe kineze në rajon. Në këtë kuptim, kjo imponojë nevojë që edhe politika e jashtme dhe e sigurisë e BE-së të jetë më kohezive dhe në përputhje me këto synime, në të kundërtën vetë vendet evropiane bëhen minuese të suksesit të Perëndimit në rajon, ose thënë ndryshe, BE-ja bëhet rrezik për rajonin, sepse nuk është e mjaftueshme të konsumosh vetëm retorikën se Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane.
Përfundim
Kosova ndodhet në një periudhë vendimtare për të ardhmen e saj, prandaj mënyra e përbërjes së qeverisë dhe prioritetet që ajo do të ndjekë do të jenë përcaktuese për ritmin e lëvizjes në drejtim të integrimeve euroatlantike. Në këtë kontekst, elita politike e vendit, në vend që të peshojë patriotizmin e këtij apo atij subjekti politik, duhet të fokusohet në linjat programore dhe në performancën e politikanëve që do të marrin përgjegjësinë për drejtimin e institucioneve ekzekutive.
Ajo që ka rëndësi nuk është se nga cili subjekt vjen një drejtues apo kush e ka votuar atë, por cilat janë objektivat dhe kapacitetet e tij për të drejtuar me kompetencë një dikaster të caktuar. Vendimmarrësit e Republikës duhet të kenë përpara objektiva strategjikë të kohës dhe të jenë të vendosur për të udhëhequr vendin – jo të udhëhiqen prej impulsit të opinionit publik apo nga interesat e momentit.
Kosova ka nevojë për vendime dhe veprime që e orientojnë drejt së ardhmes, jo për vazhdimin e garës elektorale edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor. Duhet pasur parasysh se sistemi ynë politik dhe kushtetues është i karakterit konsensual – dhe vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohet një politikë nacionale funksionale. Kosova ka nevojë për kompromise të qëndrueshme, bashkëpunim konstruktiv dhe vendimmarrje të orientuar drejt së ardhmes – jo për konsum politik të brendshëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të përshpejtohet rruga drejt integrimit në sistemin ndërkombëtar dhe ndërtimit të një shteti funksional.