OpEd

Shtet i parrumbullakuar

Nuk është turp të pranohet mosdija. Nuk është turp që ajo edhe të sanksionohet me shkarkime dhe zëvendësime me njerëz të tjerë që mbase dinë më mirë. Sepse problemi vetëm sa shkon e trashet sa më shumë që rri palëvizur. Turp është ta injorosh faktin se gjërat nuk ecin mirë në shumë sektorë dhe se duhen ndërmarrë masa urgjente për të dalë nga lëmshi

Dje para 15 vjetësh, agoi një ditë me diell, por moti ishte megjithatë, i acartë. Kishte shumë ditë që spekulohej për ditën se kur do të shpallej pavarësia. E se do të shpallej, tashmë nuk kishte asnjë dyshim. Disa ditë më herët, KOHA Ditore e kishte informuar publikun se momenti historik do të ndodhte të dielën, më 17 shkurt, vetëm se ende nuk e kishim të qartë orën se kur do të mblidhej Kuvendi.

Qyteti që nga mëngjesi, pavarësisht të ftohtit, vlonte nga njerëzit që donin të ishin dëshmitarë të realizimit të ëndrrës shekullore – shpalljes se Kosovës Republikë të pavarur. Ngazëllimi, lumturia që ta shtrëngonte fytin sa për të t’i nxitur lotët e gëzimit dhe euforia ishin armët e vetme të mbetura pos palltove, kapelave, shalleve e dorëzave për ta përballuar minus dhjetëshin që e përcolli gjithë ditën.

Ia vlejtën edhe ngrirja edhe këmbët e shkelura edhe të shtyrat. Qe dhe mbeti ditë absolutisht e paharrueshme. Ne që e jetuam dhe mund të flasim sot për të, ishim me fat.

* * *

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, mëngjesi agoi me diell, por kësaj radhe ishte fillimi i një dite pranverore që premtonte festim të qetë e të bukur të një date kaq të rëndësishme për të gjithë ne. Deri nga ora dhjetë e mëngjesit nuk kishte shumë njerëz në qarkullim. Mbushja e qytetit ishte lënë për bile një orë para paradës së paralajmëruar të të gjitha forcave të sigurisë të Kosovës që duhej të niste në mesditë.

Dhe që nga ngjarja e parë e paraparë me programin shtetëror të kremtimit të 15-vjetorit, u pa se do të kishte vonesa dhe shkarje nga oraret e parashikuara. Ngritja e vonuar e flamurit shkaktoi vonesat zinxhirore që kulmuan me vonesën mbi një orësh e gjysmë të paradës së aq pritur nga mijëra njerëzit e mbledhur në rrugë.

Kësaj radhe, seanca solemne e Kuvendit ishte më e gjata që të jetë mbajtur ndonjëherë që nga shpallja e pavarësisë, dhe nëse nuk gabohem, ishte hera e parë që në të mbajtën fjalime edhe liderët apo përfaqësuesit e opozitës. Duke e shikuar protokollin e gjithë kremtes, mbledhja solemne nuk është dashur të zgjaste më shumë se një orë e gjysmë, përfshirë ekzekutimin e Filharmonisë. Por u stërzgjat, sepse u bënë shumë folës, ta merr mendja është seancë e rregullt parlamentare.

Fjalimet ishin pak a shumë krejt në frymën e njëjtë, secili me pak ngjyrim patetike, diku më pak e diku më shumë, por që disi, mes rreshtash përçonin njëfarë mesazhi për nevojën e unitetit, pavarësisht ideologjisë, rreth një fronti për ta çuar përpara republikën. Po uroj që kjo të ketë qenë kështu siç e kam kuptuar, e të mos më dalë se paskam pasur qejf që ta kuptoja kështu.

Pasi u mbyll seanca, të gjithë, këmbë, shkuan te Zahiri ku ishte vendosur podiumi i zyrtarëve dhe mysafirëve dhe marshi më në fund përfundoi. Qyteti, edhe tri orë pas marshimit, ende vlonte me njerëz. Qetë, dinjitetshëm, me shumë fëmijë e të rinj, kremtimi në Prishtinë kaloi pa incidente. Bukur, pavarësisht vonesave.

* * *

E vonesat dhe shkelja e disiplinës mbase më së miri shpërfaqin ritmin e zhvillimit të shtetit të Kosovës në këta 15 vjet.

Pra, nëse dikush vetë e bën një plan e më pas vetë e shkel po atë plan, për shkak se mundet, sepse kalon pa sanksion, kjo tregon një dozë të madhe papërgjegjësie për detyrën e marrë dhe papërgjegjësi ndaj popullit për të cilin ligjërisht është i fuqizuar të punojë.

Natyrisht se të jetosh i lirë dhe pa represion serb përmbi shpinë e kokë është kënaqësi që nuk ka çmim, porse është edhe fakt se 15 vjetët e shkuar kanë mundur të ishin shumë më të mirë po të kishim qenë më të përgjegjshëm, por edhe po të kishim ditur më mirë.

E fakti është se 15-vjetori na zë me problemin e pazgjidhur të veriut, me presion tepër të madh për të themeluar një diçka që mund ta defunksionalizojë shtetin plotësisht dhe me dhjetë vjet negociatash të cilat nuk kemi ditur t’i zhvillojmë. Dhe këtu qëllimisht po flas në shumës – sepse përderisa negociatat i ka bërë kryesisht një njeri, i padijshëm për këtë punë (gjë që u pa me nënshkrimin e vet në marrëveshjen “historike”), faj kemi edhe gjithë të tjerët që nuk ia ndalëm hovin. Përkundrazi. U mjaftuam me ankesa që shkuan në veshë të shurdhër.

Për ta bërë punën më keq, dy segmente që vetëm sa shkuan duke u dërmuar me vite, na kanë sjellë numrin më të madh të analfabetëve funksionalë në rajon e Evropë gjithsesi, e madje edhe në botë. Krahas kësaj, na kanë sjellë një sistem shëndetësor të keq dhe të korruptuar, dhe miliona shpenzime për shërim jashtë vendit, për shkak se nuk kemi ditur, apo nuk kemi dashur, të ndërtojmë kapacitete të mjaftueshme brenda për të qenë plotësisht të mëvetësishëm.

E për ta bërë gjendjen edhe më të rëndë, u përkujdesëm që ta ngecim ekonominë. Fillimisht me privatizimin e aseteve me vlerë për shumë pak para, e që shkuan në duar të grupeve të caktuara të interesit, e më pas duke e fuqizuar ekonominë e importit. Kosova nuk u bë me qëndrueshmëri ekonomike, me rritje ekonomike të vogël, me shkallë të madhe të varfërisë dhe të papunësisë – që u zbut falë diasporës, e cila në 15 vjetët e fundit i ka kontribuuar vendit me madje 10 miliardë euro kontribute.

Dy misione të shtrenjta ndërkombëtare dhe një sistem i dështuar i drejtësisë, ku drejtësia mbase nuk vjen kurrë, janë goditja më e madhe për jetesën në Kosovë. Aty ku nuk ke siguri juridike, ku nuk ke shpresë se mund ta fitosh një kontest që merr vite deri sa të zgjidhet, nuk ke as vullnet e as guxim për të ndërmarrë çfarëdo për të ecur para.

Ky sistem nuk ia doli as t’i zërë “peshqit e mëdhenj” e as peshqit brenda vetes, që po e kalbin substancën e tij. Dështimi më i madh i këtij sistemi, i shtetit dhe i vetë shoqërisë është mossjellja para drejtësisë e atyre që kryen krime të luftës. Dështim ishte edhe fakti se vetë ne ia votuam vetes një Gjykatë Speciale për krime lufte (natyrisht nën trysninë masive ndërkombëtare), për shkak se refuzonim që madje të pranonim mundësinë që krimet e luftës mund t’i kenë kryer edhe të tjerët pos serbëve.

U treguam të papjekur për të udhëhequr shtet. Kjo na ka kushtuar shumë deri tash. Nuk e kemi luksin që të vuajmë ende për shkak se sporti më i dashur i politikanëve që duhen t’i mbrojnë interesat e një populli të tërë është “lënia e këmbëve të arushës”. Sedrat personale duhen mbajtur për vete. Ne kemi nevojë për njerëz të dijshëm dhe të vendosur për t’i çuar proceset përpara. E në këtë çast, kemi nevojë për bashkimin e forcave politike për ta arritur qëllimin të cilin krejt e përsërisin se duhet arritur. Por i cili me deklamime kot nuk arrihet.

* * *

Në këtë 15 vjetor, kjo qeveri hyn në vitin e tretë të qeverisjes. Këta dy vjet e shpërfaqën defektin më të madh të shumicës së 51 përqindëshit: se është krijuar duke mbledhur vota nga kandidatët me interesa e ideologji apo dogma që nuk përkojnë me shtetin e emancipuar dhe më të avancuar. Është, do të thotë, një koalicion që nuk ka pasur program tjetër pos ndërrimit të pushtetit dhe eliminimit të korrupsionit. Nuk ka pasur, dhe vazhdon të mos ketë programe sektoriale dhe vazhdon të mos ketë ide se si t’u qaset problemeve dhe reformave në së paku dy sektorë esencialë: arsim e shëndetësi.

Improvizimet, politika e copëtimit të buxhetit për subvencione të vogla që nuk krijojnë as mirëqenie e as punësim, mungesa e investimeve kapitale që krijojnë bile punë të përkohshme, por edhe e kthejnë paranë në treg, nuk tregojnë se e kemi një qeveri të shëndoshë që e di se nga jemi nisur.

Nuk është turp të pranohet mosdija. Nuk është turp që ajo edhe të sanksionohet me shkarkime dhe zëvendësime me njerëz të tjerë që mbase dinë më mirë. Sepse problemi vetëm sa shkon e trashet sa më shumë që rri palëvizur. Turp është ta injorosh faktin se gjërat nuk ecin mirë në shumë sektorë dhe se duhen ndërmarrë masa urgjente për të dalë nga lëmshi.

* * *

Gëzimin e para pesëmbëdhjetë vjetësh përjetë nuk do ta harroj. Atë të djeshmin me siguri se do ta harroj nesër. Jemi 15 vjet më të moshuar dhe do të duhej të ishim 15 vjet më të pjekur për vendimmarrje. Eksperimentet duhen ndalur tash. Në të kundërtën, do ta rrezikojmë skajshmërisht këtë shtet të cilin ende nuk e rrumbullakuam.

[email protected]