OpEd

Shpenzimet politike pa kusur

Në tregun politik, kemi pas edhe kemi individ të cilët nuk i kanë njohur kapacitetet e as limitet e tyre. Qartësisht paraqitet rruga e humbur e tyre në politik si zeje e hershme e njerëzimit, kur ua dëgjon reagimet e heshtura në treg dhe e kupton se sa të humbur mbetën në politik. Të tillë, janë fundi pa lavdi i politikanëve. Disa prej tyre më s'do jenë ministra as deputet, e as asgjë. Shoqëria si bashkësi duhet çliruar nga ta, dhe secili nga ata që largohet, do t'i mundësoj shoqërisë energji lirie, sepse tek një pjesë e atyre të ushqyer prej tyre, mbetet jehona e personifikimit të periudhave kohore politike, fatkeqësisht!. 

Emisarët e ardhur në Evropën Juglindore, ata më parë e këta tani, e në veçanti për dialogun Kosovë-Serbi, tinëzisht kanë hapëruar kundër paqes duke dëshmuar se fshehurazi kanë përbuzur parime qenësore përfshirë dhe të paanshmërisë, të orkestruar madje edhe si moralistë të rremë. Situata e sigurisë, shpërfaq një politikë të dështuar tashmë e bazuar tek narracioni Sovjetik "normalizim marrëdhëniesh", si prapambetje politike historike e ndodhur në fundvitet e 60-ta, në Çekosllovakinë e atëhershme, e prezantuar nga Brezhnjevi i BRSS-së. Emisarët, ata e këta, kërkuan nga ne të bënim shpenzime politike duke na drejtuar rrugëve me arsye të sëmura duke mos risjellë si kusur, drejtësinë historike për Shqiptarët e Kosovës. Emisarët, nuk mund të jenë mohues të diçkaje që nuk ka ndodhur deri më tash, ajo është paqja me Serbinë!, sepse sulmet e përsëritura të Serbisë kundër Kosovës, përkatësisht sulmet ndaj institucioneve të sigurisë e sovranitetit territorial janë argumente notore për mungesën e paqes së paarritur. 

Unioni Evropian si ndërmjetësues në një proces dialogimi që nga fillimi ishte i pabarabartë ndërmjet palëve, ka dështuar për ta rivënë drejtësinë apo arsyen e shëndoshë politike tek palët, dhe të vetmen gjë në të cilën ia kanë dalë ishte poshtërimi i të gjitha viktimave fatkeqe të luftës, dhe personave të pagjetur; duke lënë kështu plagë që rrjedhin dhimbje tek mijëra familje Shqiptare, e që është nevojë e domosdoshme, nëse të gjithë e dëshironin vërtet arritjen e paqes së përhershme. Unioni Evropian si organizatë supranacionale, ka dështuar vet në njohjen formale të shtetësisë së Kosovës, dhe në ndikimin që t'i inkurajonte vendet anëtare të saj si vende mosnjohëse të shtetësisë sonë, kështu duke dështuar edhe në jetësimin e opinionit ligjor të GjND-së, mbi statusin juridik-politik të Republikës së Kosovës. Prandaj dhe, Unioni Evropian, dhe emisarët e saj, kanë dështuar të arrijnë suksesin e dëshiruar sa nga paaftësia, joracionaliteti  po aq nga qëndrimet e dyshimta për paqen, dhe normalizimin e trumbetuar. Kërkesat insistuese, kushtëzuese  edhe kërcënuese politike për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe ("zajednica") nga disa emisarë, nuk do ta ndryshojnë aspak qasjen Serbe kundrejt Kosovës, për aq sa garnitura shtetërore Serbe nëpër kryeqendra Evropiane shiten si moralistë të rremë ndërkaq tek ne si kolonizatorë territoresh e asetesh ekonomike. Fatkeqësisht, ngazëllimi euforik i emisarëve në të shkruarit e disa pikave në dokumente të cilësuara si marrëveshje "ndërkombëtare" prej tyre disa të nënshkruara dhe të panënshkruara, është krejt çfarë duan si qëllime të tyre shterpe duke manifestuar në raste edhe sjellje publike histerie me kërkesa kundërkushtetuese për pabarazinë ndërmjet pakicave që jetojnë në vendin tonë. 

Të ftuar në këtë proces dialogimi më 2011, Prishtina zyrtare bëri shpenzime politike të shumta por mbetëm pa njohjet që s'na erdhën e anëtarësimet që s'na ndodhën, veç na tallen e kushtëzuan për vite me radhë siç qe rasti së fundmi me masat e vendosura kundër Republikës përkundër që Prishtina zyrtare në asnjë rast nuk ka cenuar të drejtat e njeriut, nuk ka cenuar shtetin e së drejtës, nuk ka cenuar demokracinë, nuk ka cenuar as paqen ekzistuese por çfarë na dhanë për kusur ishte mohimin e mundësisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. 

Përpjekja politike e Unionit Evropian për narracionin Sovjetik 'normalizim marrëdhëniesh' ka qenë një dështim strategjik, kështu duke e minimizuar në masë të madhe fuqinë e UE-së, mbi interesat dhe ndikimin e saj politik përgjatë viteve në vijim. Emisarët e rinj do ta kenë jo të lehtë për ta bërë të mundur kapërcimin e hendekut të krijuar që sërish ta bënin të besueshme një strategji të re nga ana e Unionit Evropian. Për ta evituar tërë këtë hendek, Unioni Evropian së bashku me ShBA-në, duhet gjithsesi të ndërtojnë jo vetëm një strategji të re por edhe një kuptim të përbashkët të kërcënimit që Serbia si agresion oportunist përbën për paqen dhe gjeostrategjinë e gjeopolitikën rajonale. 

Tek ne e mes nesh, duhen politikanë e zyrtarë shteti të cilët janë të pastër kombëtarisht e materialisht, vizionarë e me potencial që përfaqësojnë mundësi politike unike, që përmirësojnë mjedisin politik në të mirë të prosperimit dhe mbi parimin fundamental atë të mbrojtjes së interesave shtetërore të Republikës.

(Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare)