Nëse ka pra ndonjë analogji, sado e largët të jetë, do të ishte ajo e 1945-1948, kur tanket sovjetike “zgjodhën” qeveritë e vendeve lindore dhe kjo shpejtoi administratën amerikane që të ndihmojë bashkimin e Evropës Perëndimore nën një ombrellë sigurie (NATO) dhe një kornizë bashkëpunimi ekonomik që do të çojë në treg të përbashkët (BE). Problemi i kësaj analogjie është se jemi në 1945
1.
Dhashë dy intervista, në Mal të Zi e në Shqipëri, e në që të dyja u përpoqa të shpjegoja se lufta në Ukrainë e ka dimensionin e ndryshimit të madh historik, diçka që në peshën e vet e ka dimensionin e, për shembull, rënies së Murit të Berlinit. Tashmë, natyrisht, kahu është i kundërt, pra nuk kemi të bëjmë me zhvillimin e një hapësire më të madhe lirie, siç ishin ëndrra e rënies së Murit dhe përcaktimi i hapësirës evropiane si një e demokracisë, lirisë dhe të paqes më vete, siç e përshkroi presidenti Bushi plak. Kemi të bëjmë me kahun e kundërt historik, atë të kufizimit të hapësirës së lirisë, diçkaje që në kohën e Bashkimit Sovjetik quhej “sovranitet i kufizuar”. Pra, si në kohën e Bashkimit Sovjetik, ku me Stalinin u përcaktua se sa të lira mund të ishin shtetet në zonën sovjetike të interesit - dhe rrjedhimisht Polonia dhe Hungaria ishin shtete sovrane, por me kufizimin cilësor të përcaktuar nga Moska - ashtu edhe Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, dhe pse jo disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor mund të jenë të pavarura aq sa do të lejojë Moska. Këtë, prej një muajsh po e demonstron me tanke e raketa në territorin ukrainas Vladimir Vladimiroviq Putin.
2.
Njëri prej problemeve të këtij konstatimi është se ende ndjell reagimin instinktiv-individual e kolektiv, jo vetëm në të folurit shqip, por edhe gjithandej - të eksklamimit “Zot, bone andërr”; pra, ende ekziston nevoja që duke mos pranuar thellësinë e potencialit të ndryshimit historik të parandalohet disi ky realitet i zymtë.
Dhe andaj funksionimi në nivel shprese se lufta në Ukrainë disi do të përfundojë shpejt dhe se gjërat do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte lufta.
Problemi parësor i këtij besimi nuk është te kohëzgjatja e luftës. Ajo edhe mund të mos zgjasë shumë (ndonëse çdo ditë në luftë është më tepër se ç’duhej të ishte). Por, sikur të ndalej sot, mbjelljet dhe korrjet e drithërave në Ukrainë, për shembull, do të rrezikonin e dëmtonin seriozisht zinxhirin ushqimor botëror, duke goditur ata që goditen gjithnjë, më të varfrit (në veçanti të kontinentit afrikan) e duke krijuar krizën e urisë. Çeliku dhe plehu artificial janë që tani mallra që me rritje çmimesh të krijuara nga lufta do të ndikojnë që në kontinentin e pasur të Evropës të kemi shtrenjtim të ushqimit e të banimit. Dhe, të gjitha këto, pa përmendur fare energjinë, e cila në kohë lufte (pse jo dhe në paqe) është po aq armë sa tanket e raketat.
3.
Problemi, në fakt, te besimi se gjërat mund të kthehen aty ku ishin. Sepse ndonëse lëvizshmëria e çmimeve disi e gjen rrugën e drejtpeshimit, kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë nuk është e kapshme vetëm në sipërfaqësinë e çmimeve. Ajo është krizë që shkund themelet e sigurisë evropiane me konstatimin e thjeshtë e brutalisht të identifikuar në ekranet televizive, se një shtet mund të pushtojë një shtet evropian dhe se nuk ekziston gjë në rendin e marrëdhënieve ndërkombëtare që mund ta parandalojë një gjë të tillë. Natyrisht, shteti viktimë, ai i cili po pushtohet në këtë rast, nuk është në NATO, dhe me Evropën kthehet në kohën e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore, kur filloi Lufta e Ftohtë mes asaj që u quajt bota e lirë (bota euroatlantike) dhe bota e sovranitetit të kufizuar, kontrolluar nga Moska.
Nëse ka pra ndonjë analogji, sado e largët të jetë, do të ishte ajo e 1945-1948, kur tanket sovjetike “zgjodhën” qeveritë e vendeve lindore dhe kjo shpejtoi administratën amerikane që të ndihmojë bashkimin e Evropës Perëndimore nën një ombrellë sigurie (NATO) dhe një kornizë bashkëpunimi ekonomik që do të çonte në treg të përbashkët (BE).
4.
Halli i kësaj analogjie të identifikimit historik është se nuk jemi shumë afër vitit 1948, më afër jemi atij 1945, siç po e dëshmojnë tanket ruse në Ukrainë.
Halli tjetër mund të jetë se ende jetojmë qoftë individualisht a kolektivisht në “Zot, bane andërr”. Këtë konstatim e mbërritëm bashkë në Shqipëri me një mik timin, ekspert i sigurisë. Në një analizë të thjeshtë të sfidave me të cilat ballafaqohet cilido pushtetar që zgjohet në mëngjes, ja katër që s’duhet ta lënë rehat as ditën e as natën:
Siguria energjetike nuk mund të varet më nga hidrocentralet që i ka ndërtuar Enver Hoxha apo termocentralet e kohës së Titos. Kjo është e vërtetë edhe pa luftë, por lufta duhet të shkundë gjithkënd që e di se Shqipëria nuk ka ujë në diga e Kosova nuk i përmbush nevojat e veta me thëngjillin që ka sot.
Stabiliteti financiar i çdo shteti është vënë në dyshim: çdo gjë do të jetë më e shtrenjtë se ç’ishte, e posaçërisht blerja e sigurisë ushqimore, energjetike dhe fizike. Buxhetet e shumë shteteve që tani identifikohen se po zbrazen dramatikisht më shpejt se ç’është menduar dhe nuk do të mund të mbushen ashtu si është menduar.
Siguria fizike e Ballkanit Perëndimor është e lëkundur nga reflektimi i ndarjeve në Ukrainë, pra të mundësisë që Serbia të rezultojë si enklavë euroaziatike (së bashku me Republikën Serbe në BeH), ndërkohë që pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor të jetë apo të aspirojë të jetë pjesë e botës euroatlantike.
Ivan Krastev, një opinionist botëror bullgar dhe botëror, shkroi se Evropa e rënies së Murit të Berlinit dhe e bashkimit të Gjermanisë Perëndimore e asaj Lindore tash po zëvendësohet me Evropën e Ukrainës së ndarë në dysh, mes asaj Perëndimore dhe Lindore.
Ky është paralajmërimi i dimensionit të shkundjes së madhe.