OpEd

Shkrimi e rishkrimi i historisë

E gjitha kjo që po ndodh në Hagë dhe rreth Hagës në fakt e dëshmon edhe një herë, në formën e vet më të vrazhdë, dështimin monumental të të gjithë shoqërisë kosovare që nuk bëri thuajse asnjë gjë për t’i mbledhur faktet e për ta konsoliduar një histori të veten për luftën në Kosovë, pa nevojë për mitizime, pa nevojë për të gënjyer për çfarëdo qoftë, edhe nëse bëhet fjalë për mungesë njerëzish që do të rreshtoheshin në luftë, për shkak se lufta në Kosovë ka qenë shumë e rëndë dhe e shëmtuar – punë që në formën më të dhimbshme të mundshme e dëshmojnë të gjitha ato masakra që kanë ndodhur për më pak se 18 muaj

Ligji për pagën minimale që kaloi javën e shkuar në seancën e vonshme të Kuvendit, në të cilën morën pjesë vetëm deputetët e pushtetit përfundoi, siç e do zakoni, në Kushtetuese. Ishte AAK-ja ajo e cila e ngriti çështjen para Kushtetueses, thuajse brenda javës qëkur u miratua dhe qëkur u mbajt një protestë e vogël, e qetë, por pa koncept, në të cilën dihej se po merrte pjesë OVL-ja, por që nuk dihej se kush e kishte organizuar njëmend.

Shqyrtimi i këtij ligji do të mund të merrte deri në 60 ditë për t’u zgjidhur, që e bën të sigurt se deri në hyrjen në fuqi të tij, ende do të jetë në fuqi ligji i para 13 vjetësh me rrogë minimale përtej absurdit. Ndërkohë, Osmani, pasi i takoi përfaqësuesit e veteranëve, dje e bëri të ditur se nuk do të merrej me këtë ligj derisa të vendoste Gjykata Kushtetuese.

* * *

Por kapitulli i veteranëve assesi të mbyllet. Dhe nuk do të mbyllet derisa në listë ende të figurojnë 40 e kusur mijë veteranët që marrin pensione, prej atyre 60 mijë që janë paraqitur për ta marrë këtë status. Sërish, një problem i cili na përcjell qysh moti është ai i mungesës së faktografisë, të cilën përpiqemi ta arnojmë me mbledhjen e copëzave të kujtimeve e intervistave nëpër mediume ndërkombëtare.

Kur kishte përfunduar lufta dhe u arrit marrëveshja për demilitarizimin e UÇK-së, atë marrëveshje, që nuk mbaj mend ta kemi parë të tërën, e kishin nënshkruar Thaçi, Çeku e gjenerali Jackson. Aty me siguri duhet të ketë figuruar shifra e atyre që duheshin dorëzuar armët. Tjetër kishte qenë marrëveshja e shndërrimit të UÇK-së në TMK. Kjo e fundit nuk mund të numëronte më shumë se 5.000 pjesëtarë aktivë dhe 3.000 rezervë, pra një pjesë e ushtarëve duheshin orientuar në Polici apo të demobilizoheshin krejtësisht.

Pra lista kurrë nuk u publikua, me emra e mbiemra, porse me vite qarkullonin raportet, kryesisht nëpër mediume, se numri i pjesëtarëve të UÇK-së kishte përafërsisht këtë zbërthim: Shtabi i Përgjithshëm me 39 anëtarë; Zona e Drenicës 2.611 ushtarë; Zona e Pashtrikut 1.715; Zona e Dukagjinit 1.537; Zona e Shalës 1.253; Zona e Llapit 4.532; Zona e Nerodimes 1.253 dhe Zona e Karadakut 347 ushtarë. Këta numra së bashku bëjnë 13.287 ushtarë. Të supozojmë se ky numër mund ta mbërrinte 15-mijëshin, që e kishte thënë edhe vetë Thaçi disa herë, apo qe edhe 20-mijëshin. Shikimi sipërfaqësor i shënimeve që mban ASK-ja tregon një pasqyrë krejt tjetër.

Po të hyni në faqen e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (kur punon), atëherë do të zbulonit se hë për hë, komunat që i takojnë Zonës së Dukagjinit (Deçan, Pejë, Gjakovë) i kanë madje mbi 11.000 veteranë që marrin pensione; Skenderaj e Gllogovci, pra Drenica, i ka rreth 4 mijë; vetëm Gjilani (si pjesë e Karadakut) 2.000, Pashtriku (Prizreni, Malisheva, Suhareka, Rahoveci) nja 5.50, e Prishtina mbi 2.500.

Shumëkush po rren këtu.

Dhe më e keqja është heshtja e veteranëve të vërtetë. Fryrja e numrit nuk i bën nder as komandantëve e aq më pak UÇK-së.

* * *

Një tjetër rishkrim i historisë po ndodh në Hagë.

Pas dëshmisë së Rrustem Mustafës, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, në gjykimin kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, sipas fjalëve të tij, po del se:

UÇK-ja ka bërë luftë propaganduese e jo operative;

se pjesëtarët e shtabit qendror më shumë kanë ndenjur jashtë sesa që kanë luftuar;

se secili e ka emëruar veten komandant ashtu siç ia ka marrë mendja;

se nuk e ka ditur kush se kë e ka komandantin kryesor të UÇK-së;

se komunikatat e shtabit qendror paskan qenë këshilla e jo urdhra;

që ka pasur të arrestuar e të ndaluar, pa ndonjë dallim a shqiptarë a serbë, që kanë qenë bashkëpunëtorë të regjimit dhe,

se UÇK-ja, së paku në zonën e Llapit nuk paska kontrolluar asnjë copë territori, por paska synuar të kontrollonte pjesën perëndimore.

Kjo që u arrit të dëgjohej nga deklaratat e Remit e japin një pasqyrë krejt tjetër nga ajo që na është rrëfyer me vite – e që në rastin e kryeqytetit kulmoi me “çlirimin” e Prishtinës më 11 qershor 1999, natën kur rusët e kishin okupuar qytetin dhe e kishin ndezur edhe më shumë urrejtjen e serbëve të armatosur që vranë disa civilë po atë natë.

E gjitha kjo që po ndodh në Hagë dhe rreth Hagës në fakt e dëshmon edhe një herë, në formën e vet më të vrazhdë, dështimin monumental të të gjithë shoqërisë kosovare që nuk bëri thuajse asnjë gjë për t’i mbledhur faktet e për ta konsoliduar një histori të veten për luftën në Kosovë, pa nevojë për mitizime, pa nevojë për të gënjyer për çfarëdo qoftë, edhe nëse bëhet fjalë për mungesë njerëzish që do të rreshtoheshin në luftë, për shkak se lufta në Kosovë ka qenë shumë e rëndë dhe e shëmtuar – punë që në formën më të dhimbshme të mundshme e dëshmojnë të gjitha ato masakra që kanë ndodhur për më pak se 18 muaj.

* * *

Se sa të pakujdesshëm dhe indolentë u treguam dhe vazhdojmë të tregohemi e dëshmon Prekazi. 25 vjet pas, kompleksi vazhdon të qëndrojë me një mbrojtje minimale, të përkohshme. Për më tepër, në Kuvendin e Kosovës është dëgjuar të thuhet se madje varrezat e Jasharëve janë rregulluar nga një donator turk, e jo nga qeveritë e Kosovës, gjë e cila nuk u demantua kurrë nga asnjëra qeveri. Dhe nëse kjo është e vërtetë, kjo është për vajtim.

Nga ana tjetër, para disa ditësh, në fshatin Korenicë të Gjakovës, u zhvendos një shkëmb/gur. Shkëmbi nuk kishte pasur as mbishkrim as asnjë gjë, po njerëzit e asaj treve e dinin se bëhej fjalë për vendin ku para 20 vjetësh u vetëflijua Pashke Markaj. Kjo kishte ndodhur në ditën e varrimit të mbetjeve të të bijve që ia kishin marrë, vrarë e djegur. Pashka kishte vendosur që më nuk kishte motiv për të jetuar dhe i kishte dhënë fund jetës së saj, duke e djegur veten në fushë, andej kah kishin kaluar djemtë e saj drejt vdekjes.

Shkëmbin në atë vend e kishin vendosur familjarët e Pashkës. Kishin kërkuar të merreshin vesh me pronarin e tokës që ose të këmbenin tokë, ose ta kompensonin hapësirën e zënë nga shkëmbi-gur. Fqinji mysliman kishte refuzuar. U kishte thënë se kjo ishte më e pakta që mund të bënte për të.

Dhe kështu qëndroi 20 vjet, deri para tri ditësh.

Pronari i hyri me ekskavator dhe e zhvendosi gurin. I pari reagoi shkrimtari Ag Apolloni në FB – me foto të ekskavatorit dhe të gurit. Dhe shkroi: “Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngrihet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngrihet asnjë kishë aty) dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqyer që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gur themel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare”.

Siç e thotë Agu, njëmend ky do të duhej të ishte vend pelegrinazhi dhe jo vetëm i kryeministrave, por i të gjithë neve pa asnjë dallim. Sepse vetëflijimi i zonjës Pashke e tejkalon familjen e saj të ngushtë. Shkëmbi i saj është përkujtuesi i heshtur i tragjedisë nëpër të cilën kemi kaluar para thuajse çerekshekulli, prej së cilës mbi 10 mijë njerëz nuk dolën gjallë. Për më tepër, për pasojë të së cilës ende mungojnë mbi 1.600 veta.

Pronari i tokës e ka të drejtën e disponimit të pronës së vet ashtu siç ia merr mendja, porse shkëmbi i nënës Pashke nuk e ka merituar të zhvendoset me ekskavator si të ishte një copë pengese që nuk e lejon fqinjin të frymojë.

Ai shkëmb ka peshë shumë më të madhe sesa thjesht pesha e tij fizike.

Është simbol dhe është pjesë e historisë. Asaj historie, nga e cila me aq shumë lehtësi jemi të gatshëm të çojmë duar. Historinë që mund ta shkatërrojmë me një ekskavator, për shkak se ende nuk e kuptojmë se historia nuk duhet të shkruhet e rishkruhet sipas tekeve, qejfeve, apo interesit.

E për shkak se ende nuk e kemi kuptuar këtë, vazhdojmë të prodhojmë mite e zbukurime pa u lodhur për t’i mbledhur e ruajtur faktet.

Pikëlluese!

[email protected]