OpEd

Sherif al Alkavi, simbol i qëndresës

Lufta e përgjakshme që filloi më 13 prill 1975, kur forcat falangiste vranë 22 palestinezë në një autobus në Bejrut dhe zgjati gjer më 1990, për të vazhduar edhe më vonë me intervale të shkurtra pushimi, ende nuk ka përfunduar. Po bëhen dy vjet gati nga lufta e fundit izraelite me Hezbollahun libanez pro iranian dhe ende nuk shihet fundi. Fundi iu dihet mbi 250 të vrarëve, të zhdukurve dhe të plagosurve. Ky tekst është insert i shkëputur nga libri “Hotel Bejruti”, Botimet KOHA, 2014, për këtë luftë, i autorit Nehat Islami, korrespondent i gazetës “Rilindja” në Lindjen e Mesme, me seli në Bejrut, dëshmitar i atyre kohëve mbi përpjekjet e njerëzve për ta ndalur atë të keqe, njëri prej të cilëve ishte edhe Sherif al Alkavi

Sherif Akhavi, reporteri i Radio Libanit, i cili u ngrit me shpejtësi meteori në profesionin e tij, gjer para dy muajsh ishte nëpunës i rëndomtë i Ministrisë së Informatave. E konsideronin intelektual të ngritur, por të heshtur. E urdhëruan të bëhej spiker pasi në Radio Liban të Bejrutit ndihej mungesa e folësve. Shumë gazetarë dhe spikerë të rregullt kishin ngelur të mbyllur nëpër shtëpitë e veta, ngase rrugët ishin plot me barrikada, të pasigurta me javë të tëra. 

Sherif al Akhavi filloi të lexonte lajme dhe raporte, të cilave nuk u besonte fare, pasi e njihte një të vërtetë tjetër për Libanin. Kjo e mundonte, mirëpo shefat dëshironin ta jepnin të vërtetën e tyre për Libanin, kështu që Sherif Akhavi vazhdoi ta dezinformonte opinionin e uritur për të vërtetat e Libanit. Mendonte ta linte punën dhe të mbyllej në shtëpi, por si ta mbante familjen, kur nuk kishte asnjë zeje tjetër!

Një ditë munguan në punë të gjithë gazetarët dhe redaktorët. Pra, të gjithë ata që shkruajnë dhe informojnë. Rrugët e Bejrutit u mbyllën nga qindra barrikada dhe milicë privatë, andaj i vetmi njeri i gjallë në radio ngeli Sherif al Akhavi, falë rastësisë që banonte aty afër. 

“Lajmëro dhe gjendu si të dish e si të mundesh”, - i urdhëruan shefat me anë të telefonit. Emisionet informative lypset të emetohen. Muzika ecën vetë. Në ato çaste, Sherifit filloi t’i ecte ora e profesionistit. 

Ai iu drejtua dëgjuesve që ta informonin me telefon se ç’po ndodhte në qytet dhe shumë shpejt, për herë të parë pas tridhjetë vjetësh libanezët dëgjuan një pjesë të të vërtetave, pa “frigorifer”, pa censurë të zakonshme të pronarëve feudalë. Atë ditë Sherifi komunikoi me libanezët tetëmbëdhjetë orë pa ndërprerë. Pastaj fqinjët filluan t’i sillnin edhe ushqim e lëngje. Dikur nga mëngjesi e kishte zënë gjumi pranë tavolinës së mikrofonave. 

Të nesërmen nuk pati nevojë që Sherif al Akhavi t’i thërriste dëgjuesit. Ata paraqiteshin vetë nga çdo anë e Bejrutit dhe e Libanit me informata nga “dora e parë”, me anekse, me rrëfime e dëshmi mbi luftimet, krimet dhe pikëpamjet e tyre se si do të mund të ndalej kjo luftë e përgatitur edhe nga të tjerët. Brenda një dite, Sherifi me syze të dioptrisë së lartë, ndryshoi si nata me ditën. Nga një njeri i heshtur që ishte, u shndërrua në një vullkan energjish, idesh e gjetjesh profesioniste, madje edhe duke këshilluar nga të lëviznin e nga të mos lëviznin njerëzit. Ai përsëriste paraqitjet e njerëzve që thërrisnin për bashkimin e kombit, derisa liderët partiakë kishin ikur nga opinioni. 

Ditën e dytë, Sherifit iu bashkua edhe një teknik. Ai kishte arritur të depërtonte në selinë e Radio Libanit me njëqind rreziqe. Kjo ia lehtësoi punën reporterit 24-orësh. Libanezët dhe e tërë bota arabe dëgjonin vetëm Sherifin. Radiostacionet e vendeve arabe ishin lidhur drejtpërdrejt me valët e Radio Libanit për të dëgjuar Sherifin dhe dëgjuesit e tij, dëshmitarë të luftës së përgjakshme libaneze. 
“Libanezët nuk janë më fëmijë. Duan ta transformojnë shoqërinë në bashkësi të barazisë ndërmjet njerëzve, konfesioneve. Ka ardhur koha të thuhet e vërteta”, – mori guximin reporteri. 

Sherif al Akhavi u bë njeriu i parë i Libanit, të cilit i drejtohej gjithkush. Nëpërmjet mikrofonit të tij filluan aksione humane, paraqiteshin hallexhinjtë dhe lajmëroheshin ata që donin t’iu ndihmonin. Studioja e tij u shndërrua në “vatër rrëfimesh” dhe në tribunë idesh për fytyrën e re të Libanit që e ëndërronin. Ndërkaq, qeveria, parlamenti dhe kryetari i republikës ngelën në plan të dytë. 

Spikeri i rëndomtë u bë reporter i gjindshëm dhe informues i shpejtë për çdo gjë në Bejrut, pasi shumë shpejt fitoi simpatitë e të gjithë dëgjuesve. Ata thuajse bënin gara se cili do ta lajmëronte me telefon sa më shpejt reporterin e vet për situatën e vërtetë në lagjen dhe në bllokun e vet. Sherif al Akhavi u bë temë diskutimi në qeveri, parlament. Pro et contra. Mbisundoi shumica për pro dhe e shpërblyen. 

Posa u qetësua pak gjendja, shefat u kthyen në Radio Liban. Pas tri ditësh, shefi i shtetit urdhëroi që Sherifin ta përjashtonin nga puna. Këtë vendim e arsyetoi me faktin se “Sherifi ishte formalisht nëpunës shteti dhe, nga ana tjetër, kishte keqpërdorur mikrofonin”. Dy orë më vonë, në Bejrut u ngritën i madh e i vogël për ta mbrojtur Sherifin “me dylbi të gjata”. U kërcënuan edhe me demonstrata dhe kushedi me çka tjetër. 

Në mbrëmje shteti tërhoqi urdhrin, Sherif al Akhavi përsëri mori mikrofonin e vet në dorë. 

Në momentet më të vështira për Bejrutin, reporteri arriti të nxjerrë në rrugë mbi 50 mijë qytetarë të bashkuar të të gjitha religjioneve. Ata të entuziazmuar nga fjalët e reporterit hynë edhe midis dy taborëve të zjarrtë dhe i ndalën të shtënat. Manifestimet e tilla morën përmasa të gjera, mirëpo forcat konservatore të armatosura deri në dhëmbë i shpërndanë manifestuesit dhe vazhduan planin e tyre.

Reporteri, i dëshpëruar pas kthimit të “skemës së vjetër programore”, kërkoi nga kryetari i republikës që së paku një herë brenda 6 muajve t’i drejtohej popullsisë së Libanit me një fjalë, me një ekspoze se ç’po ndodh vërtet në Liban dhe u largua duke dënesur. Atëherë qanë të gjithë dëgjuesit, sepse e humbën njeriun e fundit që ishte me ta. 

Nuk e di ku gjendet tani ai. Më nuk dëgjohet askund. Dikush më tha se ka ikur nga Libani, sepse nuk ka më shpresë.