Këtë prill, në një sallë modeste gjyqi në Beograd të Serbisë, u ofrua pamje e një debati botëror mbi drejtësinë për krime mizore. Rasti kishte të bënte me vrasjet masive në Kosovë, të kryera 25 vjet më parë, por tema ka rëndësi edhe për Sudanin, Ukrainën, Izraelin/Palestinën dhe konfliktet tjera.
Në dhomën me ndriçim të zbehtë, pas xhamit antiplumb, ishin ulur nëntë ish-ushtarë jugosllavë, tani me flokë të thinjur ja kokë tullacë. Ata dëgjuan në heshtje, teksa gjyqtari i dënoi me zë monoton me burgim për mizoritë që kishin kryer në Kosovë. Në një fshat, ata kishin vendosur grupe burrash në tri shtëpi të ndara dhe i kishin vrarë, para se t’u vinin flakën shtëpive. Në një fshat afër, ata mblodhën burrat në shesh, i qëlluan dhe i hodhën trupat në varreza masive. Për dy ditë, rreth 120 shqiptarë u vranë dhe mijëra u dëbuan.
Komandanti i njësisë u dënua me 20 vjet burgim dhe gjashtë nga vartësit e tij me nga 2 deri 13 vjet. Dy të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Duke i parë nga galeria, ndjemë një lehtësim çasti. I kishim mbuluar këto krime në rrënjë, si hulumtues të të drejtave të njeriut dhe gazetarë dhe ndjenja e mbylljes ishte njëfarë kënaqësie. Por procesi kishte zgjatur jashtëzakonisht shumë dhe të mbijetuarit nuk merrnin pjesë më. Dënimet janë të buta dhe ata mund t’i apelojnë.
Ne e dimë gjithashtu kontekstin më të gjerë të vendimit. Të gjithë që u dënuan ishin peshq të vegjël – ushtarë të nivelit të ulët që kryen akte të shëmtuara në katër fshatra të Kosovës në pranverën e 1999-s. Qeveria e Serbisë ka refuzuar t’i ndjekë komandantët e nivelit më të lartë që dhanë urdhër ose të paktën toleruan mizoritë në ato fshatra dhe në shumë të tjerë në gjithë Kosovën në një fushatë të koordinuar.
Mizoritë e luftës në Kosovë janë ndër më të dokumentuarat në luftërat bashkëkohore. Në të gjithë krahinën, forcat e Ushtrisë Jugosllave zakonisht rrethonin një fshat dhe më pas hynin me polici, duke plaçkitur e djegur prona të civilëve. Rregullisht vritnin burra civilë – jo ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dhe, në disa raste edhe gra e fëmijë po ashtu. Në shumë raste ata kryen edhe përdhunime e sulme seksuale.
Për t’i fshehur krimet e tyre, Ministria e Brendshme e Serbisë nisi një operacion në fund të luftës për t’i transferuar të paktën 1000 trupa të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi, duke i hedhur në qendra të trajnimit të policisë dhe vende të tjera, ende të panjohura.
Periudha e pasluftës solli gjykime për krime lufte për burrat që ishin në krye. Gjykata Penale Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë (ICTY) ka gjykuar presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqin, dhe gjashtë zyrtarë të tjerë të lartë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë. Millosheviqi vdiq gjatë gjykimit dhe pesë nga gjashtë u dënuan. Shumica, pos dy jo, tani janë liruar pasi kryen dy të tretat e dënimit.
Midis zyrtarëve të lartë dhe këmbësorisë në atë sallë gjyqi të Beogradit këtë prill, mbizotëron pandëshkueshmëria.
Që nga themelimi i një dhome lokale për krimet e luftës në fillim të viteve të 2000-a, gjykatat serbe kanë dëgjuar më pak se 20 raste lidhur me luftën e Kosovës – numër i vogël duke marrë parasysh që trupat serbe dhe jugosllave vranë 10 mijë njerëz dhe dëbuan 800 mijë vetëm në tre muajt e 1999-s. Gjatë dekadës së shkuar, gjykata e krimeve të luftës nuk ngriti as edhe një rast të ri që përfshin abuzime nga forcat serbe në Kosovë.
Mosndëshkimi s’është befasi duke pasur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për keqbërjet në Kosovë, Bosnja dhe pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë. Të dënuarit nga ICTY-ja për mizoritë në Kosovë dhe tani të liruar, përshëndeten si heronj në Serbi. Këtë maj, Vuçiqi udhëtoi për në New York në një përpjekje për të rrëzuar një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e njeh gjenocidin e 1999-s në Srebrenicë (Rezoluta u miratua).
Çështja ende e pazgjidhur e statusit të Kosovës, tani e njohur nga më shumë se 110 shtete, përbën pjesë thelbësore të retorikës dhe fushatave politike të Vuçiqit: Mos e dorëzoni kurrë këtë tokë të shenjtë.
Më e papritura është heshtja e thirrjeve për drejtësi nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët tjerë të aleancës së NATO-s, që kishin nisur 78 ditët e sulmeve ajrore në Serbi më 1999, sikur për të parandaluar mizoritë në Kosovë. Duke folur nga Zyra Ovale atë mars për të lajmëruar fushatën, presidenti Bill Clinton pati theksuar “imperativin moral” për ta ndalur abuzimin.
Çerekshekulli më vonë, statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur dhe marrëdhëniet me Beogradin janë të tensionuara. BE-ja dhe SHBA-ja po përpiqen të ndërmjetësojnë, por argumentet morale mbi mizoritë shpesh hidhen poshtë.
As SHBA-ja e as shtetet evropiane nuk kanë dërguar vëzhgues në gjykatën e Beogradit në prill ose nuk kanë komentuar vendimin, megjithëse gjyqet për krime lufte dhe drejtësia përbëjnë pjesë thelbësore të bisedimeve të pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Në anën tjetër, BE-ja dhe SHBA-ja po e mbështesin një gjykatë speciale në Hagë që po gjykon ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për abuzime të kohës së luftës dhe pasluftës.
Pozicioni gjeografik dhe politik i Serbisë, midis Lindjes dhe Perëndimit, luan rol. Presidenti Vuçiq, ministër i Qeverisë së Millosheviqit në kohën e luftës, ka ecur me shkathtësi në vijën mes SHBA-së dhe BE-së në njërën anë dhe Rusisë e Kinës në tjetrën. Në këtë lojë, fuqitë perëndimore anashkalojnë mizoritë e kaluara për përfitime strategjike.
Kjo qasje mbart shumë rreziqe. Së pari, më shumë se 1600 njerëz mbesin të zhdukur nga lufta e Kosovës, rreth dy të tretat e tyre shqiptarë dhe një e treta romë dhe serbë. Është e vështirë të sigurohet paqe e qëndrueshme mbi mosmarrëveshjet e vazhdueshme për statusin e Kosovës pa e zgjidhur fatin e tyre. Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët në vitin 2023 për personat e zhdukur, por ka pasur pak përparim që nga ajo kohë. Herën e fundit kur u gjetën mbetje të njerëzve nga lufta e Kosovës ishte në vitin 2020 kur autoritetet zbuluan një varrezë të re masive në jug të Serbisë.
Së dyti, mosndëshkimi në Serbi mbron një grup të të dënuarve dhe kriminelëve të dyshuar të luftës, disa prej të cilëve janë aktivë në jetën politike dhe publike. Ata promovojnë gënjeshtra për luftën, inkurajojnë mohimin e mizorive dhe dëmtojnë përpjekjet për pajtim. Disa prej tyre që me sa duket kanë kryer mizori, ende punojnë në institucionet qeverisëse të Serbisë, ushtrinë dhe policinë. Ata i pengojnë proceset gjyqësore dhe i frikësojnë dëshmitarët.
Për më shumë, politika “e të kaluarës së keqe” e vendos pragmatizmin mbi parimin në mënyra që e ndihmojnë Serbinë të shkelë të drejtën ndërkombëtare, gjegjësisht detyrimin për t’i hetuar pretendimet e besueshme për krime lufte dhe për t’i para përgjegjësisë kryerësit.
Ajo që është në rrezik është kredibiliteti i BE-së dhe SHBA-së, tashmë nën tendosje për heshtje mbi krimet e luftës në Sudan dhe Gaza, teksa i dënon ato me forcë në Ukrainë. Parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut duken si slogane që përdoren sipas dëshirës.
Për të qëndruar konsistente, SHBA-ja dhe shtetet evropiane duhet të bëjnë presion mbi Serbinë për të ndihmuar zgjidhjen e çështjes së fatit të të pagjeturve, siç është zotuar Vuçiqi. Kjo përfshin zbulimin e vendndodhjeve të rreth 1000 mbetjeve njerëzore që forcat serbe i transferuan nga Kosova në Serbi. Shqipëria dhe Kosova mund të kundërpërgjigjen duke ndihmuar në gjetjen e 500 trupave të serbëve, romëve dhe të tjerëve që besohet se ndodhen në territoret e tyre.
BE-ja duhet të qëndrojë e vendosur në kërkesat për drejtësi për anëtarësim, dhe SHBA-ja mund t’i afrohet Serbisë bazuar në parimet e demokracisë, drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të lëvizë me nevojën për llogaridhënie për krimet e luftës në top-listë të prioriteteve.
Gjetja e mënyrave për bashkëpunimin e organeve gjyqësore të Kosovës dhe Serbisë është pjesë kyçe. Misionet e OKB-së dhe BE-së në Kosovë ndihmonin në këmbimin e provave dhe informacioneve për krimet e luftës, por kjo është ndalur pasi mandatet e tyre u tkurrën. Aktualisht, gjyqet e pakta që po zhvillohen janë dëmtuar nga vonesat, pjesëmarrja e paktë e viktimave dhe standardet e dyshimta të gjykimit të drejtë. Gjykimi në mungesë është bërë më i zakonshëm pasi të dyja palët bllokojnë qasjen e viktimave dhe autorëve të dyshuar.
Fushata e NATO-s në Jugosllavi, e quajtur edhe si ndërhyrje humanitare për t’i parandaluar vuajtjet, mori fund 25 vjet më parë këtë javë. Tani SHBA-ja dhe shtetet evropiane duhet të punojnë për të siguruar që ata që urdhëruan vuajtjet, të mbahen përgjegjës. Kjo do të përbënte ndërhyrje humanitare që promovon vlerat demokratike në Ballkan dhe mbrojtjen civile në mbarë botën.
Fred Abrahams ka mbuluar luftën e Kosovës për “Human Rights Watch”. Marija Ristiq ka mbuluar gjykimet për krime lufte të serbëve si gazetare për media lokale e ndërkombëtare.