Është përfolur se njëra nga çështjet që mund të diskutohet gjatë samitit dyditor mund të jetë edhe ajo mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Unë disi mbetem skeptik në këtë pikë, pasi që ajo gjë veçse është dashur që të bëhet vite më parë. Evropa e premtoi shpesh, por nuk e realizoi asnjëherë. Gjithmonë është përdorur si karrem për politikanët dhe pranimin e marrëveshjeve të ndryshme, të cilat jodomosdo ishin në interes apo favor të Kosovës. Sidoqoftë, pavarësisht vendimeve të tyre gjatë këtyre dy ditëve, ne do të vazhdojmë me afishimin e fotove tona në rrjetet sociale nga pushimet, ahengjet, dasmat, piknikët etj. Plas moj Evropë!
Se kjo botë në të cilën jetojmë ka marrë një kah të ri me shumë variabla e që epilogun nuk ia di asnjeri, tashmë dëshmitarë jemi që të gjithë. Shtrenjtimi i derivateve të naftës, i cili po ndodh pothuajse në baza ditore ndikon edhe në ngritjen e çmimeve të të gjithë artikujve të tjerë bazikë në treg. Jeta me këtë temp shumë shpejt do të bëhet e papërballueshme për një pjesë të madhe të popullatës. Lufta në Ukrainë dhe bllokimi i drithit ukrainas nëpër hambarë do të shkaktojnë edhe në shumë shtete të varura nga importi i këtij gruri uri me përmasa të paimagjinueshme. E kur njeriu i uritur mbështetet për muri me të vetmin opsion për të mbijetuar dhe për të sjellë bukën në tryezë për vartësit e tij – familjarët – atëherë do ta shohim në veprim "Mbijetesën e më të fortit", e cila është një frazë që e ka origjinën nga teoria e evolucionit darvinian si një mënyrë për të përshkruar mekanizmin e përzgjedhjes natyrore. Koncepti biologjik i "të fortit" përkufizohet si sukses i riprodhimit të tij.
Ne mund ta maskojmë përditshmërinë e jetës me fotot tona ditore të afishuara nëpër rrjetet sociale nga pushimet tona, ahengjet e ndryshme, netët argëtuese, piknikët dhe shëtitë e ndryshme, por secili prej aktiviteteve të tilla tashmë e ka koston veçse më të lartë për ta përjetuar. E përderisa barku nuk afektohet, gjërave të tjera edhe iu gjendet zgjidhja.
Kur uria të kaplon, atëherë normat ligjore apo shoqërore të shkrihen para syve. Larg mendsh që edhe sjelljet njerëzore humane të bien përtokë. Sigurisht se skena të tilla keni mundur të shihni në shumë filma të ndryshëm apokaliptikë, ose dëshmitarët e kampeve të Stankovecit a Bllacës sigurisht se do të kishin se çfarë të shtonin në këtë pikë.
E di se ky tekst filloi në tone shumë të zymta dhe morbide, porse e gjithë kjo nuk është fort lart nga realiteti i maskuar në petkun "jeta po vazhdon, business as usual". Unë pata rastin që ditën e hënë t’i vizitoja një mori fshatrash angleze. Në regjionin e quajtur Cotswolds shkova me tren, por më vete kisha biçikletën time, në mënyrë që atje të shëtisja dhe të shihja sa më shumë që do të ishte e mundshme. Duke e ngarë biçikletën nëpër rrugët rajonale në të cilat kalonin edhe veturat e rastit, duke e parë gjithë atë natyrë të bukur e të blertë, të punuar e të krehur më shumë zell, më shumë më ngjasonte në disa fshatra piktoreske zvicerane sesa në pamjet ditore të cilat isha mësuar t’i shihja në përditshmërinë time në Angli.
Në ato momente qetësie, mund të dëgjoja vetëm zhurmën e pedalimit tim, zhurmën e herëpashershme të shkaktuar nga era që frynte nga pak dhe po lëkundte gjethet dhe kurorat e drunjve përreth, po ashtu edhe tingujt e cicërimave të zogjve të ndryshëm që jetojnë në atë habitat. Por shqisat e dëgjimit tim nuk po i dëgjonin ato zhurmat urbane me të cilat jetoj 24/7. Gumëzhitjen e fëmijëve, zhurmat e shkaktuara nga trafiku urban, trenat e nëntokës apo mbitokës, sirenat e ndryshme të veturave të policisë, ndihmës së shpejtë apo zjarrfikësve, të cilat kur jeton në qendër të një metropoli, siç është Londra, bëhen pjesë e përditshmërisë edhe në nëndije.
Sigurisht se para 30 vjetësh të gjitha këto më dukeshin sfiduese dhe gjeja një lloj satisfaksioni që e kam fatin të jetoj në një metropol kaq dinamike. Me kalimin e viteve i çmoj më shumë qetësinë, natyrën dhe të gjitha që ajo i ofron. Ashtu duke e ngarë biçikletën nuk kisha se si të mos ia bëja vetes pyetjen se çfarë do të ndodhte sikur p.sh. me këto fshatra të bukura njeriu të pushonte së ekzistuari?
Para fytyrës më dolën të parafytyruara pamje piramidash nga Amerika Latine, të kapluara nga vegjetacioni dhe të fshehura në xhunglat e ndryshme. E parafytyrova se edhe në këto fshatra vegjetacioni do të rritej jashtë kontrollit dhe oborret e punuara dhe krasitura me aq shije sigurisht se do të mbuloheshin nga shkurret dhe drunjtë e barishtet e rritura jashtë kontrollit. Së paku jashtë "kontrollit" të shkaktuar nga faktori njeri. Tashmë kontrollin do ta kishte në duart e veta vetë natyra dhe ajo me kalimin e kohës do të përpinte gjithçka rreth saj. Po me kafshët shtëpiake çfarë do të ndodhte?
Këtu tashmë përveç skenave që mund t’i rikujtoja nga filmat e ndryshëm apokaliptikë, mund t’i parafytyroja ca edhe nga imagjinata ime.
Po parafytyroja dele që kishte vite pa u qethur dhe që ashtu në tufa të shkapërderdhura mund t’i shihja në bregoret e kapluara nga bari i rritur. Ca nga to i shihje edhe të shtrira buzë rrugës, të ngordhura. Si duket ato mund t’i ketë zënë ndonjë shi i rrëmbyeshëm ashtu jashtë në natyrë dhe pesha e shkaktuar nga sasia e ujit mbi leshin e tyre të paqethur ndër vite i kishte bërë që ato të rrëzoheshin dhe që pas një kohe edhe të ngordhnin në pamundësi të lëvizjes.
Qentë dikur të domestikuar, tashmë me gjenerata ishin shndërruar dhe kthyer në instinktet e tyre të para të të qenit predatorë dhe sulmojnë secilën kafshë të pambrojtur në mënyrë që të mbijetojnë vetë. Macet gjithashtu dikur të domestikuara, tani të shndërruara në predatorë të rinj në hallkën ushqimore dhe që sulmojnë kafshët më të vogla e më të dobëta se ato. Pulat dhe shpezët e tjerë ka kohë që nuk mund t’i shohësh gjëkundi, sepse ato ishin hallka e dobët në zinxhirin ushqimor të natyrës në të cilën predatorët u shtuan dhe u shumuan shumë e ato ishin në pamundësi për t’u mbrojtur dhe për t’i mbijetuar ferrit të ri të shkaktuar mbi tokë.
Lopët vështirë të shiheshin gjëkundi përderisa kuajt tashmë të egërsuar mund t’i shihje duke vrapuar dhe kullotur të lirë nëpër fushat e shumta me barin e rritur.
Natyra e ka mënyrën e saj të vazhdimësisë së jetës edhe pa njeriun në të. Natyrisht, ato specie që do t’u përshtateshin kushteve dhe kërkesave të reja që do t’i impononte jeta do të mbijetonin e ato që nuk do të mund të përshtateshin me kalimin e kohës do të zhdukeshin nga faqja e dheut.
Shkenca veçse e ka të evidentuar dhe të shënuar zhdukjen e shumë specieve të ndryshme në këtë planet, si pasojë e ndryshimeve rapide të klimës globale apo kataklizmave të ndryshëm natyrorë. Mirëpo tashmë, përveç rreziqeve nga ndryshimet klimatike dhe kataklizmave që nuk mund të përjashtohen assesi se një ditë do të mund të ndodhnin, edhe faktori njeri paraqet një rrezik potencial të ndonjë kataklizme të shkaktuar nga vetë ai. E tillë do të ishte një luftë e mundshme bërthamore. Qytete të tëra e metropole botërore mund të shkatërroheshin brenda pak minutash, me miliona jetë njerëzish të avulloheshin brenda pak sekondash pas eksplodimit të armëve bërthamore. Pasojat e rrezatimit do të barteshin ndër shekuj e edhe mijëra vjet.
Flora dhe fauna do të pësonin gjithashtu ndryshime dhe humbje drastike. Një dimër arktik i shkaktuar nga retë radioaktive do te shënonte një rënie drastike të temperaturës në planet dhe fillimin e një mini-epoke të akullt. Kjo do të kishte pasoja të pariparueshme për jetën se si e njohim në këtë planet.
Por natyra do të vazhdonte me luftën e saj për vazhdimësinë e jetës. Natyrisht se nuk do të ishte më ajo që ne e njihnim dikur. Do ta merrte një formë tjetër. Por jeta në planet do të vazhdonte, ani se kushtet për mbijetesën do të ndërronin rrënjësisht dhe do të vështirësoheshin.
E bota me polaritetet e shkaktuara që nga fillimi i aventurave të Putinit me invazionin në Ukrainë asnjëherë nuk ka qenë më afër kësaj çmendurie, e cila do të mund të çonte deri te një luftë bërthamore e superfuqive të botës. Të gjitha sanksionet ndaj Rusisë të vendosura nga bota demokratike perëndimore një ditë do ta shtyjnë Rusinë që të mbështetet për muri e si adut të vetëm hakmarrës do të ishte ndërprerja e furnizimit me gazin natyror dhe me naftë ndaj Evropës. E në një dimër që po vjen kjo do të mund të shkaktonte trazira sociale nëpër qendrat evropiane e për Putinin edhe do të ishte gjë e mirëseardhur në përmbushjen e qëllimeve e kërkesave të tija në Ukrainë. Zinxhiri i këtyre krizave të shkaktuara do të mund të vazhdonte me përplasjen ushtarake të superfuqive ndërmjet vete. E kjo përplasje ushtarake nuk do të përjashtonte edhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, atyre bërthamore. E pasojat i diskutuam më lart.
Për ta përmbyllur këtë ditar me tone pak më optimiste, sot edhe nesër mbahet samiti i radhës i Bashkimit Evropian. Është përfolur se njëra nga çështjet që mund të diskutohen gjatë samitit dyditor mund të jetë edhe ajo mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Unë disi mbetem skeptik në këtë pikë, pasi që ajo gjë veçse është dashur që të bëhet vite më parë. Evropa e premtoi shpesh, por nuk e realizoi asnjëherë. Gjithmonë është përdorur si karrem për politikanët dhe pranimin e marrëveshjeve të ndryshme, të cilat jodoemos ishin në interes apo favor të Kosovës!
Sidoqoftë, pavarësisht vendimeve të tyre gjatë këtyre dy ditëve, ne do të vazhdojmë me afishimin e fotove tona në rrjetet sociale nga pushimet, ahengjet, dasmat, piknikët etj. Plas moj Evropë!