Ajo çfarë gjatë gjithë kësaj kohe është dashur të ndryshonte në PDK nuk janë qëllimet dhe politikat e tyre, por vlerat dhe karakteri i tyre. Bedriu është ai ndryshim. Vlera më e madhe e Bedriut nuk është rritja e pagave; vlera më e madhe e tij është karakteri i tij. Rrjedhimisht sfida kryesore që Bedriu tani ka para vetes është që të ndryshojë karakterin e PDK-së
Sporti i preferuar i shërbyesve civilë është të tallen me politikanët. Nuk e them se është mirë, por është fakt. Dhe kjo nuk është kështu vetëm tek ne. Holivudi ka fituar miliona nga ky fakt. Serialet që në epiqendër kanë gallatën me politikanë, sikur “Yes, Minister” dhe “Veep”, kanë rrëmbyer zemrat e miliona fansave në mbarë botën dhe kanë fituar statusin e kultit në kinematografinë perëndimore.
Shërbyesit civilë dhe politikanët janë të dënuar të bashkëjetojnë në një mjedis të tensionit të natyrshëm. Ky tension lind nga dy gjëra të ndërlidhura: qëllimet dhe shkathtësitë. Zakonisht qëllimet e politikanëve dhe të shërbyesve civilë dallojnë ose shpesh janë në kundërshtim.
Për shembull, përderisa politikanët kanë qëllimet afatshkurtra të lidhura me ciklet zgjedhore dhe politike, shërbyesit civilë mendojnë në terma më afatgjatë të cilët janë produkt i dinamikave strukturore dhe shtetndërtuese.
Të marrim shembull praktik këtu tek ne reformën e administratës publike apo vettingun. Ndonëse niveli politik thellësisht beson në vizionin e reformave të synuara në këto dy fusha, ekziston një konsensus i gjerë në shërbimin civil se ky vizion është i gabueshëm.
Se a ka të drejtë shërbimi civil të këtë qëndrime të kundërta prej politikanëve të cilëve iu shërbejnë është debat më vete, por fakt ngelet se një dinamikë e tillë ekziston. Përsëri jo vetëm tek ne, në SHBA kjo dinamikë i ka dhënë jetë fenomenit gjysmë-konspirativ të “deep state-it”. Dhe përtej dallimit në qëllime, politikanët dhe shërbyesit civilë dallojnë edhe në shkathtësitë.
Shërbyesit civilë zakonisht posedojnë shkathtësi të specializuara në fushat e tyre të cilat janë pasojë e dekadave të përvojës praktike. Ministrat nga ana tjetër shpesh kanë vetëm njohje bazike të fushës për të cilën janë përgjegjës. Ky hendek në dije në mes tyre shpesh inkurajon nënçmim jofisnik të shërbyesve civilë për politikanë.
E bëra këtë hyrje për të arritur tek protagonisti i kësaj kolumne: Bedri Hamza. Që nga dita e parë Bedriu ishte ndryshe. Ndryshe nga politikanët e tjerë të fiksuar pas imazhit publik dhe postimeve në rrjete sociale, Bedriu preferonte punën dhe qetësinë. Aty ku politikanë të tjerë ishin të buzëqeshur dhe të lumtur, ai ishte i brengosur dhe i ngrysur. Në një mjedis ku politikanët besonin se njohësitë dhe pazaret janë valuta kryesore për të avancuar në karrierë, Bedriu kishte kurriz dhe disiplinë. Në një jetë tjetër sigurisht do të kishte lindur holandez.
Brenda Qeverisë që nga ditët e para ai kishte fituar respektin e shërbyesve civilë jo vetëm duke çmuar sinqerisht punën e tyre, por duke përvjelë mëngët dhe duke shpenzuar krah për krah me ta orë dhe net të tëra në zgjidhjen e problemeve komplekse qeverisëse. Aty ku ministra të tjerë ngrinin kabinetet si togje politike, Bedriu preferonte shërbimin civil. Brenda shërbimit civil ai e fitoi nofkën “No bullshit guy”. Aq ishte ndryshe Bedriu nga politikanë të tjerë, saqë thellë më vete edhe ai ndante një mosdurim për shumicën e politikanëve.
Kjo është edhe arsyeja përse u gëzova nga lajmi për nominimin e tij për kryeministër nga PDK-ja. Ky është hapi i parë serioz i PDK-së për të na bindur se PDK-ja me të vërtetë po ndryshon. Këtë e them sepse ajo çfarë gjatë gjithë kësaj kohe është dashur të ndryshonte në PDK nuk janë qëllimet dhe politikat e tyre, por vlerat dhe karakteri i tyre. Bedriu është ai ndryshim. Vlera më e madhe e Bedriut nuk është rritja e pagave; vlera më e madhe e tij është karakteri i tij.
Rrjedhimisht sfida kryesore që Bedriu tani ka para vetes është të ndryshojë karakterin e PDK-së. Dhe kjo do të kërkojë minimalisht dy gjëra.
E para: komandantët. Me ose pa të drejtë, PDK-ja ka një hije të rëndë. Perceptimi publik është se “silovikët” kanë fuqi disproporcionale brenda partisë. Përpjekjet e deritanishme të PDK-së të krahut “reformator” për modernizim të partisë kanë pasur vetëm sukses të kufizuar. Perceptimi ngelet se “reformatorët” janë thjesht kukulla të cilat kontrollohen nga “silovikët”. Kjo dinamikë do të ndryshojë me nominimin e Bedriut. Bedriu ka dëshmuar se nuk është dikush që mund të kontrollohet me telekomandë.
Ai ka dëshmuar se ka kurriz të hekurt. Sfida që ngelet është që tani ai ta udhëheqë partinë drejt distancimit nga komandantët dhe hapjes së partisë për krahun reformator. Kjo nuk do të thotë që PDK-ja do të humbë trashëgiminë e saj të luftës. Përkundrazi, ajo duhet ta festojë atë. Por PDK-ja duhet përfundimisht të bëjë një ndarje të qartë në mes të festimit të trashëgimisë së luftës të vitit 1999 dhe krijimit të kapaciteteve moderne qeverisëse që kërkohen në vitin 2024.
Kur bisedoj me miqtë e mi kroatë për sekretin e suksesit të modernizmit të shtetit të tyre, ata shpesh më kthejnë në momentin kur gjenerali Ante Gotovina u kthye nga Haga. E gjithë paria e shtetit dhe mbi 100 mijë qytetarë kroatë ishin mbledhur për ta pritur heroin e luftës. Në adresimin e parë në sheshin plot “Bane Jelaçiq”, gjenerali Gotovina tha: “Lufta i takon së kaluarës, të kthehemi të gjithë së bashku drejt së ardhmes”. Dhe në këto momente gjenerali Gotovina mori një vendim, i cili do ta ndryshonte vendin përgjithmonë. Ai e refuzoi politikën. Përkundër se ishte njeriu larg më i dashur i popullit kroat - gjë që do t’i garantonte pushtet të paskajshëm politik - gjenerali Gotovina kuptoi që ka kohë për luftë dhe komandantët, dhe ka kohë për paqe dhe qeveri civile. Dhe kjo është ajo që duhet të them në rastin e PDK-së. Ka ardhur koha që edhe PDK-ja ta bëjë këtë ndarje. Bedriu është shansi i saj më i mirë për t’i ndihmuar në këtë rrugëtim.
E dyta: kërkimfalja. PDK-ja është pasuri e Kosovës. Ajo ka udhëhequr vendin drejt shpalljes së pavarësisë dhe vendosjes së themeleve të një shteti demokratik. Sidoqoftë, pas një dekade qeverisjeje ajo patjetër se ka bërë edhe shumë gabime. Është pjekuri e çdo partie politike për t’i njohur këto gabime dhe për t’iu dëshmuar qytetarëve se ka mësuar nga po të njëjtat. Në këtë drejtim, Bedriu duhet ta udhëheqë PDK-në drejt ballafaqimit me gabimet e saj. Kjo do të jetë garancia më e mirë për qytetarët se karakteri i PDK-së me të vërteët po ndryshon.
Dhe në fund fare, unë ngelem me dy pikëpyetje për të ardhmen e Bedriut. Të gjithë e dimë se Bedriu është shërbyes publik ekzemplar, por a është Bedriu kafshë politike? Jeta politike është jetë e vështirë, e egër dhe e pistë. Kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet. Rrjedhimisht, pyetja lind se a ka Bedriu apetit dhe staminë për këtë lloj jete? Përgjigjen nuk e di, por dua të besoj që është. Me sa më shumë Bedria në skenë politike, vendi ynë vetëm do të pasurohet.
E dyta, Kosova është në një kohë krize politike dhe të sigurisë. Sjellja agresive e Serbisë është duke e kërcënuar jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin. Dinamikat globale të sigurisë vetëm e fuqizojnë këtë ankth të qytetarëve. Në një sfond të këtillë vulnerabil qytetarët kanë nevojë për një figurë të liderit nacional, i cili do t’i mbrojë nga kërcënimet e jashtme. Dhe në këtë drejtim, ironikisht arma më e fortë e Bedriut është edhe thembra e tij e Akilit. Ai është një shërbyes i shkëlqyer publik në një kohë kur vendit i duhet një lider nacional.
Thënë ndryshe, në një kohë kur Serbia aktivisht mendon dhe vepron drejt destabilizimit të Kosovës, askush nuk ka interes të diskutojë reformimin e sistemit pensional. Prandaj pikëpyetja ngelet se në këtë sfond krize sigurie dhe tensioni politik a do të ndihen qytetarët komod me Bedriun? Sidoqoftë, kjo nuk është në dorën e Bedriut. Ai tashmë ia ka bërë vendit të vet nderin duke ofruar veten në shërbim të tij. Kjo është gjithçka që mund të bëjë. Pjesa tjetër u ngelet qytetarëve.