Parlamenti i Serbisë diskutoi dy ditë për Kosovën. Çfarë u pa dhe u dëgjua aty, ishte pasqyrë e një pseudoelite politike të etur për vrasje, të fokusuar në të kaluarën e errët, të zhytur në teori konspirative
1.
Javën që shkoi në Parlamentin e Serbisë për dy ditë me radhë u fol për Kosovën dhe për “planin gjermano-francez”. Më së shumti u fol për të kaluarën. Presidenti Aleksandar Vuçiq tregoi se është krenar që ka qenë në mesin e politikanëve serbë të sanksionuar nga Perëndimi më 1999. Me përjashtim të ndonjë deputeti të partive të majta dhe të gjelbra, shumica e deputetëve me asnjë fjalë nuk përmendi krimet e policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë. Dita e parë kaloi me shumë skena teatrale ku opozitarët e djathtë dhe shovinistë iu vërsulën Vuçiqit për shkak se nuk po respektohej rendi i ditës.
Presidenti Vuçiq qëndronte i ulur para kryetarit të Parlamentit. U dëgjuan sharje të ndërsjella nga arsenali i begatshëm i gjuhës serbe për sharje. Para Aleksandër Vuçiqit gjendej një filxhan me portretin e ujkut. Një deputet opozitar e akuzoi Vuçiqin se ujku ka qenë logo e bandës kriminale të Milorad Ulemek Legijës, njërit prej organizatorëve të vrasjes së kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq. Në fillim të janarit Vuçiq postoi në Instagram një mesazh: “Ujqit nuk tremben nga mendimi i deleve“.
Në tribunën e Parlamentit serb si mysafir nderi ishte, sipas opozitës serbe, edhe Milan Radojçiqi, i dyshuar për veprime të shumta kriminale, i afërt me Vuçiqin dhe i vendosur në “listën e zezë“ të SHBA-së.
Tensionet në Parlamentin e Serbisë dukeshin të inskenuara, në mënyrë që t'i forcohej pozicioni negociator Aleksandar Vuçiqit ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Asnjë deputet serb nuk foli për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Opozita serbe ishte po aq e zëshme me kërkesa për themelimin e “asociacionit të komunave serbe“ në Kosovë sa edhe pushteti që gjendet në duart e Vuçiqit.
Pothuaj asnjë shprehje keqardhjeje për krimet e forcave serbe në Kosovë. Përkundrazi: pushteti (dhe sidomos Vuçiqi) e akuzoi opozitën e tanishme serbe se kur ka qenë në pushtet i ka liruar nga burgu “1800 terroristë shqiptarë“. Mesazhi i kësaj porosie ishte se Vuçiqi dhe banda e tij më me dëshirë do t'i kishin vrarë edhe këta 1800 shqiptarë siç i kanë groposur gati 1000 shqiptarë në poligonin e policisë në Batajnicë afër Beogradit, ku asgjë nuk e përkujton këtë krim monstruoz të regjimit serb.
Debati në Parlamentin serb, megjithatë, ishte interesant për të parë degradimin etik, moral, politik të një shoqërie dhe “elite” bixhozçinjsh që njëri-tjetrin e akuzojnë për mizoritë dhe barbaritë më të mëdha. Vuçiqi, për shembull, u akuzua për lidhjet me Velko Belivukun, një kriminel i rangut të lartë, i cili i ka bluar me sharrë rivalët e nëntokës, për lidhje me Predrag Koluvinë, pronar i plantacionit me gjasë më të madh të drogës në Evropë, për lidhje me tregtarin e armëve Slobodan Teshiq.
Në ditën e parë të debatit, pak para orës 18:00, Vuçiq, i rrethuar nga deputetët e partisë së tij, të gjithë statistë duartrokitës, u “përbetua“ se është kundër hyrjes së Kosovës në OKB dhe se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Më parë e mbrojti partnerin e tij jo vetëm politik, Milan Radojçiq. Dhe vazhdoi fjalimin me akuza për plaçkitjet e opozitës kur ka qenë në pushtet.
Gjendjen e Serbisë mbase më së miri e ka përshkruar shkrimtari Danilo Kish. Sipas tij, Serbia edhe i frikësohet, edhe e urren Evropën. Rrjedhimisht, është e dënuar të mbesë në duar të elitave politike mendjehallakatura. Më 12 mars 2023 bëhen 20 vjet nga vrasja e kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq. Më 11 qershor 2023 bëhen 120 vjet nga vrasja e mbretit Aleksandër Obrenoviq. Edhe ky properëndimor. Më 25 gusht 2023 bëhen 23 vjet nga vrasja e kryetarit të Serbisë, Ivan Stamboliq. Më 28 qershor 2023 bëhen 22 vjet nga ekstradimi i Slobodan Milosheviqit në Hagë. Njëqind vjet histori serbe: një mbret i vrarë, një kryeministër i vrarë, një ish-president i vrarë dhe një president i akuzuar për krime të luftës dhe i vdekur në burg.
2.
Në fund të ditës së parë të debatit, pas gati 11 orë cirku politik, në Parlamentin e Republikës së Serbisë e mori fjalën Snezhana Paunoviq, deputete e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS). Kjo është partia e Slobodan Milosheviqit. Snezhana Paunoviq është nga Peja, e lindur në këtë qytet më 1975. Ajo foli e foli, gënjeu e gënjeu, numëroi (sipas saj) “vuajtjet” e serbëve në Kosovë nga Lufta e Dytë Botërore e tutje dhe - me një rast - si shembull të “vuajtjeve” të mëdha të pakicës serbe përmendi “rastin e Gjorgje Martinoviqit”.
Gjorgje Martinoviqi ka qenë punëtor në Shtëpinë e Armatës në Gjilan. Më 4 maj 1985, gazeta “Politika” e Beogradit njoftoi se më 1 maj 1985, në një fshat afër Gjilanit dy persona të paidentifikuar paskëshin “masakruar” Gjorgje Martinoviqin. Thuhej se ky serb ishte sulmuar ndërsa po mbillte fasule. Gjorgje Martinoviqi tregoi se e paskëshin sulmuar dy persona që flisnin shqip. Çfarë i bënë ata? E paskëshin lënduar rëndë duke ia futur një shishe në anus.
Martinoviq u dërgua në spital në Gjilan, pastaj u transferua në Prishtinë. Policët hetues (atëherë quheshin milicë) pas shikimit të vendit të ngjarjes arritën në përfundimin se Gjorgje Martinoviqi nuk ishte lënduar nga persona të tjerë. Në përfundim të njëjtë arritën edhe mjekët në Gjilan. U mobilizuan mediat serbe, mjekët serbë, politikanët serbë, ushtria jugosllave e dominuar nga serbët, shërbimet sekrete, të gjithë u mobilizuan për të “dëshmuar” se Gjorgje Martinoviqin e paskëshin sulmuar shqiptarët. Duke ia futur në prapanicë një shishe të thyer! Pastaj, tha Martinoviqi, kishte humbur vetëdijen.
U mblodh partia për të diskutuar për ngjarjen. Edhe mjekët në Prishtinë njoftuan se dyshojnë që Martinoviqi kishte lënduar veten, pra nuk ishte lënduar nga persona të tjerë. Më 5 maj me Gjorgje Martinoviqin zhvilluan një bisedë komandanti i Garnizonit të Gjilanit, Novak Ivanoviq, dhe një oficer i Shërbimit Sekret ushtarak. Martinoviqi më vonë tha se ata i kishin bërë presion të pranonte se e kishte lënduar veten.
Më 7 maj 1985, Sekretariati i Punëve të Brendshme i Kosovës dhe Gjykata e Qarkut në Gjilan njoftuan se Martinoviqi e kishte lënduar veten si pasojë e tentimeve për vetëkënaqësi. Në gazetën “Vjesnik” të Zagrebit, gazetarja Nadira Avdiq - Vllasi, bashkëshortja e funksionarit të atëhershëm komunist Azem Vllasi, e akuzoi Martinoviqin se kishte kryer vetë një vepër të turpshme për t’i akuzuar shqiptarët. Më 7 maj 1985, Gjorgje Martinoviqi u transferua në Spitalin Ushtarak në Beograd. Tani e tutje mediat e Beogradit të shkretin Gjorgje Martinoviq e shndërruan në simbol të “vuajtjes së serbëve në Kosovë”.
Në Spitalin Ushtarak në Beograd, Martinoviqi mbikëqyrej 24 orë nga ushtria. Familja e Martinoviqit kontaktoi Dobrica Qosiqin, një shkrimtar ultranacionalist serb, i cili ndërmjetësoi kontaktin me një avokat të Beogradit. Martinoviqi tha se ishte shtyrë nga prokurori Gradimir Popoviq dhe nga gjykatësi hetues Vukashin Trumpiq nga Gjilani të pranojë se kishte lënduar veten. Sidoqoftë, Martinoviqi vazhdoi të përdorej edhe më tutje nga propaganda serbe për të acaruar situatën dhe ndezur urrejtjen antishqiptare. Në Gjilan nuk u kthye më. Vdiq në Serbi në vitin 2000. U varros pa shishen me të cilën kishte lozur në arat e një fshati të Gjilanit...
Deputetja serbe Snezhana Paunoviq u përpoq ta ringjallë në Parlamentin e Beogradit. I keqpërdorur si i gjallë dhe i keqpërdorur si i vdekur. Kjo është, pak a shumë, biografia e Gjorgje Martinoviqit. Ngjashëm si një pjesë e madhe e historisë serbe që keqpërdoret vazhdimisht ose për të arsyetuar krimet ose për të “legjitimuar” krimet e reja. Këtë e tregoi edhe dita e dytë e debateve në Parlamentin e Serbisë.