Protestat studentore në Serbi filluan më 22 nëntor 2024, të nxitura nga sulmi ndaj studentëve të Fakultetit të Arteve Dramatike gjatë 15 minutave të heshtjes në nderim të 15 personave që humbën jetën tragjikisht nga shembja e çatisë së stacionit të trenit në Novi- Sad. Ky stacion ishte restauruar vetëm një muaj më parë dhe kolapsi i tij shkaktoi një tragjedi që tronditi opinionin publik.
Fillimisht nisur si protesta studentore, ato shpejt u zgjeruan me përfshirjen e popullsisë më të gjerë. Pasojat politike të protestave çuan në dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë dhe kryetarit të Novi-Sadit, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndalur lëvizjen protestuese.
Kërkesat kryesore të protestuesve përqendrohen te llogaridhënia politike dhe reformat sistemike. Ata kërkojnë dorëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe arrestimin e përgjegjësve për dështimet infrastrukturore. Po ashtu protestuesit kërkojnë transparencë të plotë për kontratat e lidhura me restaurimin e stacionit të trenit në Novi-Sad dhe mbajtjen përgjegjëse të autoriteteve përkatëse. Një tjetër kërkesë kyç është rritja e buxhetit për arsimin në 20%.
Megjithëse protestuesit kanë kërkesa të mirëpërcaktuara, ata veprojnë pa një figurë udhëheqëse të qartë. Kjo qasje duket se është një përpjekje e qëllimshme për t’u distancuar nga modeli aktual i qeverisjes, i cili është i përqendruar te një individ. Në vend të kësaj, ata synojnë të promovojnë një formë qeverisjeje të bazuar në pluralitet dhe vendimmarrje kolektive.
Protestat në Beograd kundër pushtetit të Vuçiqit pasqyrojnë një akumulim të tensioneve të trashëguara nga epoka e Milosheviqit. Serbia ende mbetet nën hijen e atyre narrativave dhe një çlirim i vërtetë politik dhe shoqëror nuk është arritur.
Kritikat ndaj disa protestuesve për qëndrime të ashpra ndaj çështjes së Kosovës pasqyrojnë po ashtu ndikimin e një sistemi opresiv që ka monopolizuar narrativën politike dhe ka kufizuar diversitetin e mendimit.
Megjithatë, ekziston një segment progresiv brenda shoqërisë që, nëse arrin të marrë pushtetin, mund të hapë rrugën për një proces të vërtetë të demokratizimit të Serbisë. Sidoqoftë, ndryshimi i një shoqërie që për dekada është mbështetur në refuzimin për t’u përballur me të kaluarën mbetet një sfidë e gjatë dhe e vështirë.
Në këtë kontekst është e rëndësishme të kujtohen protestat e viteve ’90 të "Women in Black" në Serbi, të cilat, në mes të luftërave në Jugosllavi, dolën në rrugë dhe rezistuan kundër regjimit të Milosheviqit, duke kërkuar përfundimin e luftërave në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Orli Fridman ka analizuar refuzimin e "Women in Black" për t’iu bashkuar protestave të Otpor-it (Rezistenca), lëvizjes studentore kundër Milosheviqit, duke argumentuar se, megjithëse ato kundërshtonin regjimin e tij, nuk ndanin të njëjtin qëndrim kritik ndaj luftërave që Serbia kishte nisur në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Ky dallim tregon se jo të gjitha protestat në Beograd gjatë viteve ’90 kishin të njëjtin pozicion ndaj përgjegjësisë së Serbisë në luftëra—disa fokusoheshin thjesht në rrëzimin e regjimit, ndërsa të tjerat kërkonin një përballje më të thellë me politikën nacionaliste dhe krimet e luftës të shtetit serb. Në kuadër të protestave të sotme në Beograd, ky dallim mbetet ende relevant.
Pushteti i Vuçiqit po plasaritet
Protestat në Beograd, të cilat tani kanë hyrë në muajin e tyre të katërt, kulmuan të shtunën e kaluar me pjesëmarrjen më të madhe të regjistruar ndonjëherë në Serbi. Autoritetet vlerësuan numrin e protestuesve ndërmjet 88.000 dhe 107.000, ndërsa Arkivi i Mbledhjeve Publike, një organizatë joformale, e vlerësoi pjesëmarrjen ndërmjet 275.000 dhe 325.000.
Vëzhguesit e huaj kanë shprehur shqetësim për dhunën ndaj demonstruesve, veçanërisht pas rasteve ku protestuesit u goditën nga makina, duke rezultuar në disa të lënduar dhe të shtruar në spital.
Kjo situatë tregon se pushteti tashmë ka kaluar te protestuesit, në përputhje me analizën e filozofes politike Hannah Arendt mbi dallimin midis pushtetit dhe dhunës, të cilat shpesh ngatërrohen. Sipas Arendt, kur një regjim mbështetet te dhuna për të ruajtur kontrollin, kjo tregon se ai e ka humbur pushtetin e tij real.
Pushteti i vërtetë nuk mbahet me dhunë, por përmes mbështetjes popullore. Megjithatë, aparati shtetëror do të vazhdojë të përpiqet të tregojë se ende e kontrollon situatën, duke mobilizuar forca të tjera për të legjitimuar pushtetin e tij përmes tyre.
Thyerja e rezistencës së protestuesve po tentohet të realizohet përmes dekurajimit dhe frikësimit, shpesh duke u maskuar si veprim i aktorëve të tjerë dhe jo i vetë shtetit. Kjo strategji, e fshehur nën pretekstin e "mbrojtjes së qytetarëve," synon jo vetëm të shpërndajë protestat, por edhe të rilegjitimojë pushtetin në sytë e publikut.
Për më tepër, Vuçiqi po përpiqet të përdorë një narrativë të ngjashme me atë të Rusisë, duke pretenduar se protestat janë të nxitura nga jashtë dhe kanë për qëllim shkatërrimin e Serbisë.
Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet rezistenca qytetare dhe nëse do të arrijë të krijojë një identitet kolektiv të qëndrueshëm, i cili mund të shndërrohet në një forcë politike të konsoliduar. Nëse ky transformim ndodh, ndikimi i tij nuk do të kufizohet vetëm në shoqërinë serbe, por do të ketë një efekt më të gjerë. Kjo mund të hapë rrugën për një përballje më të hapur me trashëgiminë e luftërave të viteve ’90 dhe të nxisë një proces më të thellë të shërimit shoqëror.
Një gjë është e sigurt: protestat nuk do të ndalen dhe protestuesit tashmë kanë konfirmuar vazhdimin e tyre.