Lewis Caroll dhe Henry Kissinger përshkruajnë rrugëtimin e Serbisë dhe të tjerëve që janë pengje të saj
1.
Serbia mund të kuptohet në hapësirën mes dy thënieve.
Njëra është e autorit të “Lizës në botën e çudirave”, Lewis Caroll, i cili citohet të ketë thënë se “nëse nuk di për ku je nisur, të gjitha rrugët do të çojnë në cak”.
Nëse dëgjohet diskursi publik e zyrtar serb, Serbia po përpiqet të arrijë njëkohësisht tek organizata “Crna Ruka” e kolonelit Apis të fillimit të shekullit XX dhe tek ideja e Robet Schumannit të një Evrope të bashkuar, aplikuar në formën “Ballkani i hapur” tashmë në shekullin XXI. “Crna Ruka” ishte organizata themeltare e lëvizjeve çetnike në territoret e Turqisë otomane dhe Austro-Hungarisë, me qëllim që me akte terroriste dhe të tjera klandestine të arrihet bashkimi i “tokave serbe”. Koloneli Apis me veprimet e veta nxiti aktin terrorist, vrasjen e Franc Ferdinandit në Sarajevë, që u shfrytëzua si shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Në diskursin publik të Serbisë pakgjë duket ndryshe prej fillimit të shekullit XX. Shërbimi sekret serb, i themeluar për herë të parë nga koloneli Apis (Dragutin Dimitrijeviq), si dhe çdo institucion relevant i forcës e sigurisë në Serbi është në sinkron me idenë e bashkimit të “tokave serbe”, projekt i quajtur “bota serbe”. Ky projekt i sheh Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën e Kosovën (ndonjëherë shtuar Maqedoninë e Veriut) si zgjatje të natyrshme të shtetit e kombit serb. Dhe kjo zgjatje mban gjallë fërkimet me popujt e këtyre shteteve. Kështu, Mali i Zi sot duhet të luftojë për identitet të vetin, Bosnjë-Hercegovina për funksionalitetin shtetëror e Kosova për sovranitetin.
2.
Thënia e Lewis Carollit është e dukshme këtë javë në Mal të Zi. Kisha ortodokse serbe, pasi udhëhoqi lëvizjen për rrëzimin e liderit të pavarësisë e të integrimit perëndimor të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka ndërmend që më 5 shtator ta kurorëzojë mitropolitin e Malit të Zi e bregdetit, Joanikijen, në kryeqytetin historik të këtij vendi, Cetinë.
Kisha ka mundur të zgjedhë cilindo manastir e kishë në shtet, por Cetina u zgjodh si pjesë e konfliktit identitar, për të sfiduar ndjenjën e veçantisë kombëtare malazeze.
Të njëjtit Mal të Zi, që po i sfidohet njëri prej simboleve të identitetit kombëtar e shtetëror, njëkohësisht i ofrohet që të bëhet pjesë e iniciativave regjionale të bashkëpunimit, në kësi rasti projektit “Ballkan i hapur”.
Në njërën rrugë bashkëpunimi i medieve të pushtetit të Beogradit, shërbimeve sekrete serbe dhe Kishës ortodokse serbe – diçka e parë me Apisin - e në rrugën tjetër oferta që kufijtë mes shteteve të bëhen jorelevantë sikurse në Bashkimin Evropian. Vetëm se Bashkimi Evropian këtë e bëri në momentin kur përfundoi një projekt i bashkimit të “tokave kombëtare”, ai i Gjermanisë naziste.
T’i ofrosh Malit të Zi të jetë pjesë e “Ballkanit të hapur” ndërsa orkestron një lëvizje destabilizuese klandestine policore-kishtare për rrënimin e identitetit të vet shtetëror e kombëtar është të përpiqesh t’i kombinosh destinacionet e shekullit XIX me ato të shekullit XXI.
Është të definosh se nuk e ke të qartë se ku tamam je nisur, por je i kënaqur se mu për këtë arsye je duke mbërritur aty.
3.
Serbia në fakt është nisur në dy rrugë që janë identifikuar qartazi. Njëra është ajo e Apisit, të cilësimit e përdorimit të popullatës serbe jashtë Serbisë si njësite destabilizuese për vendet ku jetojnë - prej strukturave paralele në Kosovë, bllokimit të BeH nëpërmjet Dodikut e deri te lëvizja klero-nacionaliste në Mal të Zi. Dhe kjo rrugë e ngarkon jo vetëm popullatën shumicë në ato shtete, por e ngarkon me barrë të rëndë në radhë të parë popullatën serbe, e cila këtë rol e kishte përjetuar me Milosheviqin.
Rruga e dytë është ajo e shpopullimit. Pas rrëzimit të Milosheviqit, pra pas të gjitha luftërave të filluara e të humbura, Serbia kishte 7.5 milionë banorë e më 2020 përfundoi me 6.9 milionë banorë. Pra, për njëzet vjet jo që nuk u shtua, por humbi në substancë 600 mijë banorë, apo një qytet nga të mëdhenjtë. Regjione të tëra rurale po zhvishen prej njerëzve dhe po bëhet përqendrimi në Beograd e Novi-Sad.
Këtë gjë po e kuptojnë më së shumti të arsimuarit: dhjetë për qind e popullatës akademike e ka braktisur Serbinë, duke kërkuar vende ku rrëfimi i përditshëm politik e publik nuk është se si të kthehet koha e kolonelit Apis.
E tash kundërthënia për të cilën nuk flitet ende në Serbi: si është e mundur që të shkojnë bashkë dy procese paralele, njëri që përpiqet ta zgjerojë “hapësirën etnike” serbe dhe tjetri që humb njerëz për atë hapësirë?
Edhe po të arrihej kontrolli i Malit të Zi, BeH dhe Kosovës - Serbia të jetonte në botën e vet të çudirave - kush do të donte prej serbëve për të jetuar, e dominuar, në të? Ata që po e blejnë biletën për Munih, Malme e Milano? Ata që ende nuk kanë lindur apo, me natalitetin negativ që ka Serbia, nuk do të lindin? Njëzet për qind e popullatës së përgjithshme, e cila sot përfaqësohet nga 65-vjeçarët?
4.
Thënia e dytë me të cilën kuptohet Serbia është variacioni i thënies së Lewis Carollit se “nëse nuk di për ku je nisur, të gjitha rrugët do të çojnë në cak”. Henry Kissinger bëri lojën e vet: “Nëse nuk di për ku je nisur, të gjitha rrugët të çojnë askund”.
Për fat të keq, ky nuk është vetëm problem i Serbisë. E nisur për në askund, Serbia, si fuqi destabilizuese e rajonit, ka kohë që po e mban tërë rajonin peng për mungesën e drejtimit të destinacionit.
Këtë e dinë ata që votuan me këmbë: Kosova kishte 2.1 milionë banorë kur e shpalli Pavarësinë më 2008. Sot ka më pak se 1.7 milionë.