Nuk është problem rritja e partive populiste dhe ekstremiste në BE në prag të zgjedhjeve evropiane. Problem më i madh është largimi i partive tradicionale, të qendrës së majtë e të djathtë dhe atyre liberale, nga vlerat për të cilat janë angazhuar deri tash. Rreziku më i madh është heqja dorë nga parimet e partive të qendrës. Sa i përket Parlamentit Evropian, edhe në përbërjen e ardhshme do të ketë shumicë të mjaftueshme për partitë kryesore tradicionale, proevropiane. Dhe do të mbetet mbështetja për zgjerimin e BE-së, për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën po ashtu
Kanë mbetur më pak se 100 ditë deri te zhvillimi i zgjedhjeve evropiane, ku në 27 vende anëtare do të zgjidhen deputetët e Parlamentit Evropian. Partitë politike, në nivel kombëtar, por edhe në atë evropian, tashmë janë duke shtuar fushatën në prag të këtyre zgjedhjeve. Ato po miratojnë manifestet e tyre zgjedhore, po zgjedhin kandidatët udhëheqës edhe për postin e presidentit apo presidentes së Komisionit Evropian. Por suksesi i grupeve politike në Parlamentin Evropian varet krejtësisht nga suksesi në nivel të vendeve anëtare. Sepse 720 vendet në Parlamentin Evropian janë të ndara dhe të rezervuara për secilin vend anëtar, e jo për partitë politike. Numri i deputetëve për secilin vend anëtar merr parasysh numrin e banorëve, me një diskriminim pozitiv për vendet e vogla. Kështu, asnjë vend nuk mund të ketë më pak se 6 deputetë në Parlamentin Evropian, sa kanë Qiproja, Luksemburgu dhe Malta e askush më shumë se 96, sa ka Gjermania. Ky është diskriminim pozitiv në favor të vendeve më të vogla. Kështu në Gjermani një deputet del të jetë në 850.000 banorë, ndërsa në Maltë 1 deputet në 83.000 banorë. Zgjedhjet quhen evropiane sepse në to zgjidhen deputetët për Parlamentin Evropian dhe ato zhvillohen në afatin e njëjtë kohor në të gjitha 27 vendet anëtare, pra kësaj radhe prej 6 deri më 9 qershor. Në praktikë ato janë një kombinim i zgjedhjeve nacionale, sepse secili vend i zhvillon ato në bazë të ligjeve të brendshme për zgjedhjet. Por kur të marrin postet e tyre në Parlamentin Evropian atëherë deputetët rreshtohen nëpër grupe politike. Pjesëmarrja në këto grupe sjell edhe përfitime të caktuara. Ato përfitime kanë të bëjnë me mundësinë më të madhe për të folur në seanca, për të pasur raportues dhe kryesues të komisioneve dhe delegacioneve, më shumë mjete financiare për veprimtarinë e grupit dhe shumë të tjera.
Tradicionalisht në Parlamentin Evropian kanë dominuar dy parti. Partia Popullore Evropiane (EPP), që pozicionohet në qendrën e djathtë. Ajo në disa përbërjet e fundit është grupimi më i madh në Parlamentin Evropian. Në vendin e dytë, e më parë ka qenë edhe e para, është grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve nga qendra e majtë. Këto dy parti kanë shumë dallime në ideologjinë e tyre, por në Parlamentin Evropian kanë qenë tradicionalisht partnerë në temat kryesore për funksionimin e BE-së. Sepse të dyja këto parti kanë qasje pro-BE-së. Por kohëve të fundit të dyja këto kanë shënuar rënie dhe për të çuar përpara projektet e zhvillimit të BE-së u është dashur shpesh edhe mbështetja e dy grupeve të tjera, që janë proevropiane. Këtë rol e kanë bërë Liberalët dhe të Gjelbrit. Me këto katër parti deri diku përfundon numri i grupimeve proevropiane. Ata e kanë së bashku shumicën dhe do ta kenë edhe në përbërjen e ardhshme, ndonëse pritet të kenë rënie. Deri diku në disa raste mund të llogarisin në disa vota edhe nga Partia Konservatore dhe Reformiste. Pak a shumë kjo është parti e krijuar nga fraksionet që kanë dalë nga EPP-ja, sepse nuk janë pajtuar me mbështetjen e tyre për thellimin e integrimeve në BE dhe rritjen e rolit të BE-së në dëm të kompetencave të vendeve anëtare. Në çështjet e tjera, si ato të migracionit, vlerave tradicionale e identitetit, ky grupim është i afërt me EPP-në. Gabim është që ajo të quhet “radikale” apo ekstreme, por mund t’i përshtatet epiteti “euro skeptike”.
Krejt grupimet e tjera janë ekstreme, të djathta apo të majta. Dhe ato pritet të kenë rritje të konsiderueshme. Anketat tregojnë se këto parti po përfitojnë nga shqetësimi i qytetarëve të BE-së rreth sigurisë dhe imigrimit ilegal. Ekstremi i majtë është pak a shumë komunist, që shpesh ka qëndrime pro-Rusisë e Kinës, e shpesh kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk është e rrallë kur edhe në seancat e Parlamentit Evropian deputetë nga partitë e ekstremit të majtë të flasin për “imperializmin amerikan”, një mit i njohur nga koha e komunizmit.
Por në BE po ekzagjerohet rreziku nga këto parti, edhe pse është reale që ato të kenë rritje. Nuk është problem rritja e partive populiste dhe ekstremiste në BE në prag të zgjedhjeve evropiane. Problem më i madh është largimi i partive tradicionale, të qendrës së majtë dhe të djathtë dhe atyre liberale, nga vlerat për të cilat janë angazhuar deri tash. Rreziku më i madh është heqja dorë nga parimet e partive të qendrës. Sa i përket Parlamentit Evropian edhe në përbërjen e ardhshme do të ketë shumicë të mjaftueshme për partitë kryesore tradicionale, proevropiane. Dhe do të mbetet mbështetja për zgjerimin e BE-së, për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën po ashtu.
Rrezik më të madh, paritë e ekstremit të djathtë mund ta paraqesin nëse rrisin ndikimin, apo marrin pjesë në pushtet në vendet anëtare. Në Holandë kjo nuk është shumë larg, pasi Gert Wilders, udhëheqës i partisë ekstremiste ka fituar zgjedhjet dhe po tenton të formojë qeverinë. A do të jetë ai në pushtet apo jo do të varet nga partitë e tjera që mund t’i japin mbështetjen. Holanda po shikohet me vëmendje, sepse partitë tradicionale kanë pasur një të ashtuquajtur “kordon sanitar” dhe nuk kanë hyrë në qeveri me partitë ekstremiste. Nëse kjo kalon në Holandë mund të ndodhë më vonë edhe në Belgjikë, ku një parti e ngjashme mund të jetë fituese relative e zgjedhjeve. E nëse bashkëpunojnë në nivel shtetëror, atëherë partitë tradicionale të qendrës mund të bashkëpunojnë me partitë e ekstremit të djathtë edhe në nivel të BE-së. Dhe kjo pastaj bëhet e rrezikshme. Pra, ndikimi i të djathtës ekstreme nuk do të varet nga forca e tyre në Parlamentin Evropian, por nga hapësira që do t’ua japin partitë e tjera. Ndikimi i tyre në nivel të BE-së nuk mund të jetë i madh edhe për shkak se ato dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Dallojnë në qëndrimet rreth të drejtave të komunitetit LGBT. Nga e djathta ekstreme nga vendet e Evropës Lindore ka shumë homofobi. Ndërsa kjo nuk ndodh me ato nga Evropa Perëndimore. Për shembull, lideri i partisë ekstremiste në Holandë është vetë homoseksual i deklaruar. Dallojnë shumë edhe në qëndrimet ndaj Rusisë. Disa parti të ekstremit të djathtë kanë qenë dhe janë në disa raste proruse, si në Francë, Austri dhe Gjermani, ndërsa disa të tjera në vendet e tjera, janë antiruse, si në Poloni e Çeki. Pra, ata të përbashkët kanë qëndrimin populist se për gjithçka duhet fajësuar të huajt dhe Brukselin, shpesh janë edhe anti-islamiste, ndërsa nuk janë dhe nuk mund të jenë grup homogjen. Dhe suksesi i tyre është tash më i madh për shkak të fenomenit të lajmeve të rreme dhe fushatave të dezinformimit nga të cilat përfitojnë paritë e tilla. Gjithsesi edhe pse mund të rritet zëri i tyre në përbërjen e ardhshme të Parlamentit Evropian, ata vetvetiu nuk do të paraqesin ndonjë rrezik për BE-në. Rrezik është kur të tjerët pranojnë agjendën dhe retorikën e tyre. Dhe kjo po ndodh në disa vende të BE-së ku po zvogëlohet dallimi në qëndrime mes ekstremit të djathtë dhe qendrës së djathtë. E në disa të tjera ideologjia politike më nuk luan rol, sepse për vota, për ardhje në pushtet apo përfitime të tjera, ndodhin edhe koalicione joparimore.