Më 2013 Kuvendi i Kosovës ratifikoi “Marrëveshjen e parë” si traktat ndërkombëtar që e vë në pozitë sipërore karshi ligjeve të vendit. Kjo marrëveshje nuk do ta kalonte testin e Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut, rrjedhimisht as atë të Kushtetutës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese, megjithatë, e obligon Kosovën që të zbatojë një marrëveshje që është e ndërtuar mbi diskriminim, pra si shkelje e të drejtave të njeriut, pra si shkelje kushtetuese. Ky është rrethi vicioz prej të cilit do gjetur daljen
1.
Në diskursin publik tashmë me të madhe bisedohet për një çështje që nuk po largohet nga skena, e ajo është Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe. Së fundmi, kjo çështje u lidh edhe me iniciativën diplomatike më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, të planit euro-amerikan për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, rihapja e çështjes së Asociacionit/Bashkësisë u përcoll edhe me një draft-statut (përgatitur nga organizata prestigjioze FES, zyra në Prishtinë) dhe me debatin e filluar në Ambasadën amerikane në Prishtinë lidhur me idetë për të vazhduar tutje punën rreth Asociacionit/Bashkësisë.
Në një shkrim prej disa vazhdimesh do të përpiqem të sqaroj disa prej, sipas mendimit tim, paqartësive që dalin në diskursin publik, rrethin vicioz që krijojnë dhe si të dilet nga kjo gjendje.
Premisa fillestare e projektstatutit të FES-it (dhe të gjitha iniciativave të kësaj natyre, përfshirë edhe ato diplomatike) është pika e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që thotë se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe “do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës”.
Kjo premisë mbështetet mbi “pact sunt servanda”, pra obligimin që marrëveshja (kontrata, traktati) e arritur duhet të zbatohet. Kështu, Asociimi (që në thelb është e drejtë, pra liri e asociimit, e garantuar me Kushtetutë dhe ligje të veçanta) shndërrohet në obligim.
2.
Obligimi është vetobligim. Ky vetobligim është i ndërtuar mbi shndërrimin e “Marrëveshjes së parë të Brukselit (2013)” në një traktat ndërshtetëror që u ratifikua si i tillë në Kuvendin e Kosovës po më 2013-n, duke krijuar epërsi mbi ligjet vendore. Duke u shndërruar në traktat ndërshtetëror, Gjykata Kushtetuese e Kosovës refuzoi ta trajtojë Marrëveshjen e parë duke konsideruar (gabimisht) se ajo u bë e pakontestueshme. Rrjedhimisht, përmbajtja e saj u bë e imponueshme ndaj sistemit juridik të vendit, madje duke rrezikuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Premisa fillestare, pra, është imponim i një obligimi e jo realizim i një lirie. Për më tepër, obligimi përpiqet të zbatohet duke u mbivendosur ndaj rendit kushtetues dhe ligjor të vendit, mu të atij rendi i cili është garantues i lirive. Rrjedhimisht, obligimi ka kapacitet të kufizojë liri po aq sa pretendon se ofron garantim lirish.
Kufizimi i lirive në formë diskriminimi gjendet jo vetëm në formën, por edhe në përmbajtjen e Marrëveshjes së parë (2013), madje jashtë pikave që përshkruajnë drejtpërdrejt Asociacionin. Në pikën 9 të kësaj marrëveshjeje përcaktohet shprehimisht se “komandanti regjional i policisë i katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës duhet të jetë serb”. Ndërsa në pikën 10 të kësaj marrëveshjeje përcaktohet se ”Gjykata e Apelit në Prishtinë do të themelojë një panel të përbërë me shumicë serbe të Kosovës për të gjykuar të gjitha rastet e komunave me shumicë serbe”. Dy pikat e kësaj marrëveshjeje të parë nuk do ta kalonin testin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 14 rreth diskriminimit). Këto dy pika nuk do ta kalonin rrjedhimisht as testin e Kushtetutës së Kosovës. Që të dy pikat janë diskriminuese ndaj qytetarëve të përkatësive të tjera kombëtare në Kosovë.
3.
Që të dy pikat diskriminuese duhet parë si tërësi e të integruara në obligimin për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si në përmbajtje ashtu edhe në frymë. Pra, vendosja e obligimit që një serb të jetë në krye të policisë në një regjion të përbërë prej katër komunave dhe që një panel i përbërë në shumicë serbësh të gjykojë rastet e serbëve (të komunave me shumicë serbe) është parim i etnifikimit të sigurisë dhe gjyqësisë. Këto parime, si përmbajtje e frymë, lehtë mund të kalonin në kompetenca të tjera (për shembull, mjek serbë për pacientë serbë, etj.). Pra, diskriminimi përligjet brenda Marrëveshjes së parë dhe Asociacionit në të ardhmen.
Marrëveshja e parë (2013), pra, përmban në disa pjesë të saj udhëzime diskriminuese që çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut. Rrjedhimisht, premisa fillestare është se Kosova ka obligim që të veprojë sipas një dokumenti i cili është shprehimisht diskriminues, pra të shkelë të drejtat e njeriut.
Meqë Kosova e ka ratifikuar Marrëveshjen e parë si traktat ndërkombëtar, e ka pamundësuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që ta vlerësojë kushtetutshmërinë e saj. Për më tepër, me ratifikimin e vet, Kuvendi i Kosovës e ka vënë Marrëveshjen në epërsi ndaj ligjeve vendore, rrjedhimisht edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës është vënë në pozitë që t’i obligojë institucionet e Kosovës që të veprojnë sipas detyrimeve të Marrëveshjes së parë. Gjykata Kushtetuese kështu është vënë në pozitë t’i obligojë institucionet e Kosovës që me veprim të tyre të ushtrojnë diskriminim, e kështu ta shkelin Kushtetutën e vendit.
4.
Ndërkohë që Kosova e ka ratifikuar Marrëveshjen e parë si marrëveshje ndërkombëtare, rrjedhimisht e konsideron si obligim, Serbia nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e parë. Gjykata e saj Kushtetuese, më 10.12.2014, ka vlerësuar se “Marrëveshja e parë e kontestuar nuk i përmbush kushtet e parapara me konventat e përcaktuara ndërkombëtare dhe të ligjeve në fuqi të Republikës së Serbisë që të mund të trajtohet si marrëveshje ndërkombëtare”.
Gjendja ku njëra palë e trajton marrëveshjen si të mirëqenë, ndërsa pala tjetër nuk e konsideron të tillë mund të duket asimetri në politikë, por në të drejtën ndërkombëtare i jep të drejtë palës që nuk e njeh marrëveshjen. Pra, në kuptimin e Konventës së Vjenës për Traktate Ndërkombëtare (1969) kjo nuk është marrëveshje ndërkombëtare nëse njëra palë nuk e konsideron të tillë.
Neni 26 i Konventës së Vjenës, që citohet më së shumti nga diplomatët ndërkombëtarë “Pacta sunt servanda” për të arsyetuar obligimin e Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmban qartësi që mund të ndihmojë në rastin e Marrëveshjes së parë: “Çdo traktat në fuqi është obligues për palët nënshkruese dhe duhet të zbatohet në mirëbesim”. Meqë Serbia nuk e konsideron traktat, ai nuk është traktat në fuqi, pra nuk ka validitet as “Pacta sunt servanda”. Serbia nuk e ka obligimin zbatimi Marrëveshjen e parë si marrëveshje që qëndron mbi ligjet e Serbisë. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Kosovën, sepse Kosova nuk mund të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare me veten, por e ka nënshkruar me një shtet tjetër, Serbinë.
Nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare, Kosova nuk ka obligim të zbatimit të Marrëveshjes së parë si marrëveshje ndërkombëtare, meqë ajo nuk trajtohet si e tillë nga njëra palë nënshkruese. Megjithatë, mu në saje të trajtimit të gabueshëm të një traktati të paqenë (në të drejtën ndërkombëtare) Kosova i ka dhënë përparësi Marrëveshjes së parë karshi ligjeve të veta, e këtë e ka vulosur pastaj si obligim Gjykata Kushtetuese e Kosovës, madje si një obligim i cili duhet të ushtrojë diskriminim, pra shkelje të të drejtave të njeriut. Ky është rrethi i tanishëm vicioz.
(Nesër: Rrëshqitja në rrafshin e tretë të pushtetit)