OpEd

Rrëmujë e pritur në Ballkanin Perëndimor

Një gjëegjëzë për BE-në: Cili shtet shërben si spirancë negative, që pengon ecjen e regjionit? Ndihmë për përgjigje: ai që ka 750 mijë anëtarë të partisë në pushtet e 515 mijë nxënës të regjistruar në tetëvjeçare

1.

Bosnjë e Hercegovina po ballafaqohet me mundësinë reale të zhbërjes prej fundit e luftës e këtej, shkruan në raportin Këshillit të Sigurimit të OKB-së kujdestari i saj evropian, ish-ministri gjerman, Schmidt. Mali i Zi kalon ritualisht prej një krize në tjetrën prejse priftërinjtë e Kishës ortodokse serbe i prinë një revolucioni të suksesshëm rrugor e pastaj zgjedhor, që zhvendosi nga pushteti qeverisjen tridhjetëvjeçare të identifikuar me presidentin e vendit Milo Gjukanoviq. Në Maqedoninë e Veriut, e penguar nga Bullgaria për të hapur negociata e anëtarësimit në BE, kryeministri i vendit dha dorëheqje pas zgjedhjeve vendore në të cilat opozita VMRO-DPMNE qartazi dëshmoi epërsi në të gjitha qytetet kryesore (dhe jo kryesore).

Për shumëkënd që përcjell situatën në regjion në top-listën e shpjegimeve për këto ecuri ekziston një që zë vend parësor, madje një që është paralajmëruar prej kohësh. Fjala është për integrimin evropian, gjegjësisht mungesën e tij. Në mungesë të një procesi të qartë integrues evropian, është thënë dhe thuhet ritualisht, është vështirë të mbahet dinamika e stabilitetit demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe ja shembulli më eklatant: Mali i Zi, i cili dikur negocionte suksesshëm integrimin në BE, sot e ka të vështirë ta caktojë BE-në në dhjetë prioritetet e veta qeverisëse, madje të përcaktojë as a ka prioritete qeverisëse pos mirëmbajtjes (së pasuksesshme) të koalicionit në pushtet. Shembulli tjetër i paralajmëruar është Maqedonia e Veriut e cila, pasi mori MSA-në më 2001 u paralizua pothuaj njëzet vjet për çështjen e emrit dhe pasi që e zgjodhi këtë kontest me Greqinë, iu paraqit problemi tjetër identitar, ai me Bullgarinë.

2.

Argumenti “evropian” i çdo gjëje që nuk shkon në rregull në Ballkanin Perëndimor ka bazë dhe mund të zgjerohet edhe me shtetet e tjera. Kosova po vendqëndron në relacionin e vet me Serbinë pas mbi dhjetë vjetësh të negociatave të lehtësuar nga BE-ja. Serbia nuk është bërë as më demokratike e as më pak pro-ruse e pro-kineze prej se kanë filluar këto negociata, përkundrazi. Vendi i gjashtë i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, pa fajin e vet është zënë peng i konflikteve identitare maqedono-bullgare dhe nuk mund të fillojë procesin e vet negociator.

E, edhe po të fillonin që të gjithë proceset e veta negociatore nuk është se do të dinim ndonjë datë se kur ky regjion do të ishte në BE. Jean-Claude Juncker e filloi mandatin e tij si kryetar i Komisionit të BE-së me deklarimin se nuk do të ketë zgjerim gjatë mandatit të tij, pastaj u korrigjua dhe tha se Serbia e Mali i Zi mund të ishin më 2025 dhe pastaj u korrigjua prapë duke mos përmendur datë. Ursula Von Der Layen e filloi dhe vazhdon me sukses të mos përmend data dhe është fare lehtë e parashikueshme që kur t’i përfundojë mandati më 2024 asnjë prej shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë anëtar i BE-së. Me këtë ritëm çfarë po e përjeton regjioni sot, është po aq e lehtë e parashikueshme që kushdo që ta pasojë mandatin e Von der Layen do të mund të llogarisë që në fund të mandatit 2024-2029 të mos ketë anëtarë të rinj në BE.

3.

Por, “argumenti evropian” është dykahësh, dhe shembulli më eklatant është Bosnja e Hercegovina. Problemet në këtë shtet janë të asaj natyre - funksionaliteti bazik, mungesë vendimmarrje në nivel shteti - sa që nuk lejojnë të hapen negociatat për anëtarësim në BE. Një vend, që sipas të dërguarit evropian në këtë vend, është para çintegrimit nuk është se do bëhet shtet funksional edhe po t’i jepet një rrugë e shpejtuar negociatore për në BE. Në dilemën mes vezës dhe pulës - a duhet funksionalitet e pastaj integrim apo integrimi në BE mund të jetë shtytës i funksionalitetit - Bosnja e Hercegovina nuk e ka as vezën e as pulën.

Dhe e kësaj natyre është dilema në relacionin mes Kosovës e Serbisë. Si mund të shpejtohet integrimi i Serbisë në BE kur ajo e mban veten peng të dyfishtë të Kosovës? Serbia është shtet i cili ende pretendon pronësinë mbi Kosovën dhe Serbia është shtet i cili ende mban, sipas përshkrimit të Komisionit të BE-së, përkrahjen për kriminelët e dënuar të luftës, mu ata që duke pretenduar pronësinë mbi Kosovën qenë pjesë e një ndërmarrje të përbashkët kriminale kundër qytetarëve të Kosovës.

Dhe, në këtë vetëpengmarrje, e me ndihmë të pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Serbia po e mban peng integrimin e Kosovës në BE.

4.

Hapësira e sotme politike e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e BE-së, është ajo e perspektivës së qartë të mosanëtarësimit në BE përgjatë këtij dhjetëvjetëshi (e nëse vazhdohet kështu edhe të atij tjetrit) dhe e perspektivës së paqartë të mekanizmave të tjerë politikë e të sigurisë që BE-ja mund të ndërmarrë, në mënyrë që regjioni të përparojë, apo së paku të mos përkeqësohet, siç është rasti me Malin e Zi dhe BeH.

Ndërkohë, BE-ja ndoshta mund të bëjë një përllogaritje të thjeshtë se cili është vektori i pandryshuar politik i cili shërben si spirancë negative për tërë regjionin. Në këtë gjëegjëzë ndoshta mund të ndihmojë gjeografia, e cila tregon se Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova kanë një emërtues të përbashkët të ndërhyrjes nga një shtet fqinj.

Cili mund të jetë ai shtet fqinj?

Ai i cili përtej përshkrimeve e deklarimeve politike ka një statistikë krejtësisht të pazakontë, jo vetëm për Evropën, por edhe për botën. Partia e saj në pushtet, SNS (Partia përparimtare serbe me kryetar Aleksandër Vuçiqin) ka 750 mijë anëtarë me librezë anëtarësie, ndërkohë që vitin e kaluar në këtë shtet kanë vijuar mësimin fillor tetëvjeçar 515 mijë nxënës me librezë shkollore - duke përcaktuar kështu jo vetëm prioritetet e të sotmes, por edhe prioritetet e të ardhmes.