Mund të vijë koha për institutet “Vuk Karaxhiq” në Ballkan e Evropë, duke përfshirë edhe një në Prishtinë...
1.
Është një pjesë në “Vragat e jetës”, autobiografi e Vuk Drashkoviqit, shkrimtarit dhe liderit politik (kryesisht opozitar) serb, që më ka lënë përshtypje si fragment që e përmbledh bukur shumë kompleksitetin e problemit të Kosovës nga perspektiva e Serbisë dhe popullit serb në tërësi. Fragmenti përshkruan ritualin e përnatshëm të fëmijërisë së Drashkoviqit në Hercegovinën lindore, ku gratë me lahutë këndojnë këngët, të njëjta çdo natë, për betejën e Kosovës. Dhe ndonëse kjo ndodh çdo natë e për çdo gjeneratë para tij dhe të atyre që do të vijnë pas tij, këngëtarja me lahutë do të lëshojë pika loti, ndërsa nën përcjelljen e trishtësisë së lahutës përcjell vdekjen e Knez Llazarit në Betejën e Fushë-Kosovës nga dora e ushtrisë osmane.
Shikuar nga perspektiva e sotme, çdo natë, në vend të lajmeve të mbrëmjes, debateve politike, telenovelave, Netflixit apo ndeshjeve të kampionateve të futbollit, në odën ku do të mblidhej familja me komshinj e kushërinj e do të ndante atë pak bukë e djathë që kishte varfëria e Hercegovinës së asaj kohe, do të dëgjohej rrëfimi i njëjtë për humbjen e prijësit, të shtetit dhe rrezikimit të kombit. Çdo natë, me një tel lahute dhe mbamendje këngësh do të mbahej mbamendja kolektive për ndërlidhjen e Kosovës dhe qenies së popullit serb. Ky është Miti i Kosovës.
2.
Miti i Kosovës është një kënd i vështrimit për sjelljen kolektive të serbëve. Sipas mbrojtësve të këtij këndi, Miti i Kosovës është pak a shumë softueri i funksionimit të kombit serb. Pa të nuk është i mundur kombi serb.
Natyrisht, ky kënd i vështrimit është bosh nga dy aspekte thelbësore. Është bosh sepse Miti i Kosovës si çdo mit tjetër është rrëfim dhe rrëfimet nuk janë statike, çdo rrëfim rrëfehet ndryshe, i shtrohet e i hiqet atij dhe vazhdon të rirrëfehet me kohën. As librat që konsiderohen të shenjtë nga besimtarët, Bibla dhe Kurani, nuk janë shkruar në një çast dhe kanë mbetur të tillë përgjithnjë; tekstet që i kemi në duar janë prodhim i mbamendjes, bile në rastin e Biblës, mbamendjes së disa autorëve në së paku dyqind vjet. Dhe ky kënd i vështrimit është bosh sepse në të njëjtën fjali ku flitet se kombi serb nuk mund të ekzistojë pa Mitin e Kosovës jepet arsyetimi se përse Serbia duhet ta administrojë Kosovën si territor të vetin. Pra, nuk bëhet fjalë më për pasje apo mospasje të rrëfimit të ciklit të Mitit për Kosovën, por për pasje apo mospasje të një territori e popullate në të për administrim si territor e popullatë të veten.
Por, kjo nuk do të thotë se Miti i Kosovës nuk e ka rëndësinë e jashtëzakonshme për identitetin e kombit serb. E ka, por nga një kënd krejtësisht tjetër nga interpretimi i deritanishëm dhe shumë më afër rrëfimit të fëmijërisë së Vuk Drashkoviqit. Miti i Kosovës, në kushtet e pushtimit të Ballkanit nga Perandoritë Osmane (pjesërisht edhe austro-hungareze), ka shërbyer si instrument ruajtjeje dhe zhvillimi të gjuhës, pra të identitetit. Gratë që derdhnin lot natë pas nate me lahutë kanë qenë forma e vetme e ruajtjes së rrëfimit identitar historik serb në gjuhën serbe.
Dhe, këtë e kuptoi më së miri një Vuk tjetër, Vuk Stefanoviq Karaxhiq, i cili nga ndriçimi mendor i filologjisë, etnologjisë dhe antropologjisë vjeneze, në formë simbolike tregoi ndërlidhjen e Mitit të Kosovës dhe identitetit serb. Më 1814 ai botoi “Këngët popullore serbe” dhe “Gramatikën e gjuhës serbe”. Gjuhën e rrëfimeve popullore me lahutë e shndërroi në standard gjuhësor të serbishtes, duke vendosur kështu shtyllën kryesore të identitetit të kombit serb.
Miti, nga ky kënd, shërbeu për kthesën vendimtare të konsolidimit të kombit.
3.
Dhe, kjo nuk është gjë e re, siç na tregon një marinar portugez.
Luis de Camoes është sot një emër për nder të ditës së lindjes të të cilit Portugalia ka festë shtetërore. Kishte një jetë bohemi, e cila u bë e njohur me afera të ndryshme dashurie me pjesëtare të oborrit mbretëror, që i kushtuan aventura të reja dëbimi nga Portugalia, burgosje apo rekrutim në ushtri për t’u ikur burgosjes e dëbimeve. Diku mes dyluftimeve pas netëve të pijeve në mejhane dhe përndjekjes nga autoritetet për këtë gjë mori pjesë në luftimet e ushtrisë portugeze në veri të Afrikës dhe aty humbi syrin. Jeta e mëtejme aventurore do ta çonte si marinar në ishullin Goa të Indisë e tutje për në koloninë Makao (sot RP e Kinës) dhe kjo kolumne nuk ka vend së treguari ndodhitë e mëtejme të tij, pos njërës që është me rëndësi për këtë temë. Gjatë kësaj periudhe prej marinari perandorak portugez shkroi “Os Lusiadas” (Lusiadat), veprën që prej shekullit XVI e tutje vendosi standardin e ri të identitetit portugez.
Vepra, e cila përshkruan udhëtimet e Vasco Da Gamas, “zbuluesit” të rrugës së re nga Evropa për në Azi nëpër Kepin e Shpresës së Mirë, është frymëzuar në “Odisenë” dhe në “Eneidën” dhe vendos gjuhën portugeze në nivelin e shprehjes lirike e epike si të anglishtes, spanjishtes, frëngjishtes e italishtes- pra shënon momentin kthesë të identitetit bashkëkohor portugez, me themele të forta në Rilindjen e vonshme.
Dhe, vepra, e cila përshkruan aventurat e Vasco da Gamas, shërbeu për qindra vjet si Miti themelor portugez, ai i një fuqie të madhe botërore të bardhë e të krishterë që ka epërsi mbi popujt e tjerë të ngjyrave të ndryshme të lëkurës e të besimeve të ndryshme. Dhe, kështu, si mit i epërsisë jetoi, madje duke arritur majat gjatë diktaturës fashiste të Salazarit.
Rrëfimi për Camoes ka përfundim të mirë. Pas fitores së demokracisë në Portugali më 1974, Miti u shndërrua në respekt për gjuhën dhe kulturën portugeze dhe sot emri Camoes është emër instituti të gjuhës dhe kulturës portugeze nëpër vende të botës, sikur Instituti Goethe i Gjermanisë apo ai Cervantes i Spanjës.
4.
Në një intervistë në Beograd javën e kaluar shtrova një pyetje që më duket se prek dilemën e sotme të narracionit shumicë në Serbi. Pyetja shkon pak a shumë kështu: “Miti i Kosovës shërbeu për të mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën dhe identitetin serb në një periudhë të gjatë pushtimi. Këngët e lahutës me një tel ruajtën dhe zhvilluan gjuhën serbe deri sa ajo hyri në libra. E tash që është dyqind vjet në libra, që është bërë pjesë e letërsisë, e administratës, e televizionit dhe e internetit; pra tash kur kjo gjuhë ka të gjitha teknologjitë në dispozicion për t’u përhapur gjithandej në botë, a nuk është kthimi te teli i lahutës që po bëhet sot në Serbi me Mitin e Kosovës mohim i dyqind vjetëve të zhvillimit të hovshëm të gjuhës, kulturës dhe identitetit serb? “.
Për mua, përgjigjja është evidente: teli i lahutës nuk shërben për ta mbrojtur identitetin serb, por për ta vazhduar konfliktin me të tjerët. Por, kjo nuk është pyetja e cila u shtrohet të tjerëve, është pyetja që kërkon përgjigjen nga vetë populli serb.
Kur të gjendet, sikur e gjetën popujt e tjerë, një ditë do të shohim se si Vuk Karaxhiqi është shndërruar në emër institutesh të cilat Republika e Serbisë i hap në vendet e botës për të treguar gjuhën e kulturën e saj. Një të tillë do ta meritonte edhe Prishtina.