OpEd

Rrëfime të shkurtra nga Vjena

Për taksistin, boksierin dhe liberalizimin e vizave

“Në Austri po shkon a? Kom jetu aty nja 9 vjet, po u ktheva hatri i familjes”.

Kështu e filloi bisedën taksisti që po më dërgonte në aeroport, pasi i tregova se për ku isha nisur.

Njëzet minutat, sa zgjat zakonisht rruga për në aeroport, i mjaftuan për të ma rrëfyer një pjesë të historisë jetësore. Kishte punuar në Austri e Itali, si më tregoi. Kishte bërë edhe “gabime” gjatë jetës së tij në kurbet, për të cilat tha se është penduar. Por, edhe për punën që kishte bërë në ndërtimtari.

“Si 19-vjeç o pata dal, i ri”, më tha.

Pasi punoi për nëntë vjet në Austri, mendjen e kishte ndarë të kthehej në Kosovë. Ai thotë se e bëri këtë hatri i familjes. Kishte shpresuar se në Kosovë kushtet tashmë janë rregulluar. Por vërehej zhgënjimi tek ai.

Tregoi se si punon taksist për një rrogë “lëmoshë”, të cilën ia “tkurrin” edhe më tepër, në rast se ka ndonjë dëmtim të veturës, ndonëse thotë se të gjitha veturat kanë sigurim të plotë.

“S’ka kurrgja këtu. Po, pres edhe pak, edhe e kom njet me dal prapë”.

Zhgënjim të ngjashëm si ky taksist kanë qytetarë të shumtë në Kosovë, veçanërisht të rinj.

Dëgjon të rinj të shumtë duke treguar se si planifikojnë të largohen, me të hyrë në fuqi liberalizimi. Ndër arsyet i cekin kushtet jo të mira të punës apo telashet për të gjetur vend pune.

Ka edhe numër të konsiderueshëm që janë larguar apo mendojnë të largohen nga vendi, shkaku i gjendjes së mjerueshme të shëndetësisë në Kosovë. E një arsye tjetër që e përmendin është edhe gjendja e rëndë në arsim. Shpesh e mbështesin këtë arsye duke përmendur rezultatet e PISA-s, e në të cilat Kosova sërish është renditur nga fundi.

Taksisti po më tregonte se si i ri ishte larguar nga vendi, pasi nuk po gjente punë. Si djali më i madh donte të ndihmonte familjen. Me kursimet e bëra gjatë punës disavjeçare në Itali e Austri, ai e kishte ndërtuar një shtëpi në fshat. Synonte të riniste jetën në Kosovë. Por, vërehej zhgënjimi në sytë e tij, pasi nuk i kishin “dalë hesapet” qysh kishte menduar.

Para se të përshëndeteshim, më tregoi edhe disa vende në Vjenë që me “patjetër duhet t’i shohësh”.

***

Me të arritur në Vjenë, nikoqirët e mbrëmjes së boksit të cilët më ftuan, më dërguan që të pimë kafe te një vend që ishte shumë i frekuentuar nga turistët.

Kishte numër të madh të turistëve, marrë parasysh se ishte dhjetori. Po ashtu kishte rastisur të ishte një festë në Austri.

Pronar i kësaj kafeneje, në këtë zonë mjaft të frekuentuar, ishte Mario, nga Dukagjini. Ai tregoi se jeton mbi 19 vjet në Austri. Ishte një storie suksesi.

Kishte punuar me vjet në gastronomi, kishte blerë lokalin dhe kishte edhe dy apartamente në këtë zonë mjaft të shquar.

Po ashtu tregoi se kishte investuar edhe në Kosovë, në patundshmëri.

Storia e Marios dhe e taksistit që më solli në aeroport ndërlidheshin në një pikë. Që të dy ishin larguar të rinj nga Kosova, me synim për një jetë më të mirë.

Por, derisa Mario arriti të depërtonte dhe të stabilizohej në Austri, me shumë angazhim e punë. Një fat të tillë nuk e kishte pasur edhe taksisti.

Për çdo storie suksesi të mërgimtarëve ka dhjetëra që nuk kanë shkuar aq mirë. Është dëshmi se dalja nga vendi nuk të garanton suksesin dhe se duhet shumë angazhim e po ashtu fat për të arritur sukses.

Këtë e thotë edhe Mario, që ishte nga ata të cilët kishin punuar, por edhe që e përcolli fati.

***

Në Vjenë kisha udhëtuar me një boksier e trajner nga Gjakova. Ata do të merrnin pjesë në mbrëmjen e boksit që po organizohej nga vëllezërit Shpëtim e Shkëlqim Shala. Një storie tjetër suksesi i shqiptarëve në Austri.

Shpëtimi pasi zhvilloi me sukses karrierën si boksier profesionist në Austri, vendosi të formonte kompani promovuese të boksit, por edhe menaxhon sportistë.

Ai tregon se këtë punë e ka më tepër hobi, pasi me vëllain e tij kanë një firmë të njohur të ndërtimtarisë në Austri.

Ai rrëfen se sa tepër punë duhej për të organizuar një mbrëmje boksi. Kësaj radhe atë po e organizonte në periferi të Vjenës, te një shkollë e famshme sportive.

Përgatitjet për mbrëmjen që do të mbahej të nesërmen vazhduan deri në orët e vona. Në montimin e ringut e po ashtu bartjen e karrigeve dhe gjërave të tjera po e ndihmonin punonjës të kompanisë së tij të ndërtimit, të cilët ishin shqiptarë.

Edhe ata kishin dalë si të rinj nga Kosova dhe ishin stabilizuar tashmë në Austri.

***

Në mbrëmjen e boksit po boksonin disa boksierë të suksesshëm shqiptarë, kryesisht të tillë që jetojnë e zhvillojnë karrierën në Austri.

Palestra, ndonëse jo shumë e madhe, ishte e mbushur me tifozë.

“Shqipe, shqipe”, dëgjoheshin thirrjet sa herë që në ring po luftonte një boksier shqiptar.

Këto thirrje u dëgjuan edhe kur në ring u ngjit boksieri nga Gjakova, Venhari, që realisht ishte mysafir.

Ai me çdo goditje që ia jepte kundërshtarit të tij iranian, e që në letër ishte vendas, e kthente edhe më tepër tifozërinë për vete.

Kjo përkrahje e befasoi edhe boksierin vendas siç e befasonin grushtet.

Kur u konfirmua fitorja e Venharit me pikë, gëzimi në palestër ishte evident.

Një shqiptar nga Kosova, me dukshëm më pak kushte për punë, kishte arritur të ngadhënjente. Jeta e një boksieri profesionist nuk është e lehtë, veçanërisht nëse mungon përkrahja financiare.

Venhari kishte punuar si kuzhinier për të siguruar jetesën, pasi vetëm nga boksi profesionist nuk është se mund të mbahet. Ai tregon se si në boks profesionist zakonisht bokson si mysafir, e ku të arrish fitore është mjaft e vështirë. Kësaj radhe ia doli, ndërsa shihej se i kishte dhënë motiv për të vazhduar më tutje me sport.

Mori urime të shumta nga adhuruesit e pranishëm shqiptarë.

“Veç vazhdo ushtro”, ishin mesazhet që i drejtoheshin boksierit nga Gjakova.

Gjatë koktejit pas mbrëmjes më rastisi të takoheshim me disa shqiptarë të tjerë, që kishin ardhur ta shihnin mbrëmjen e boksit. Ata tregonin se si përfunduan studimet në Kosovë, por pasi nuk gjetën punë vendosën të largoheshin.

Në Austri kishin arritur të gjenin veten e të ndërtonin jetën. Por, i rëndonte malli për vendlindjen.