OpEd

Rrëfime me rrota

Tri histori kosovare dhe një doracak gjerman për sjelljen në hapësirat publike

“Rruga është zhvillim”, ishte baneri që vite më parë rrokte vëmendjen e udhëtarëve në njërin prej rrethrrotullimeve përgjatë magjistrales Ferizaj-Prishtinë. Rrethrrotulimet janë e përbashkëta e të gjitha qeverive, që asfaltin e kanë kryepremtim fushatash zgjedhore e rrugët i riparojmë vazhdimisht shkaku i dallavereve me tenderë. Bashkë me udhëtarët, përgjatë rrugëve makinat e autobusët bartin edhe kujtimet e tyre. Për shqiptarët, udhët më shumë ngjallin kujtime mërzie e mërgimi, megjithëse mbijetesa para luftës e zhvillimi i pasluftës është i lidhur pashkëputshëm me mërgatën. Perëndimi vazhdon të mbetet shpresa më e madhe për një shoqëri që qeveriset me mendësi lindore.

Pas arritjes në vendet evropiane, më së shumti në Gjermani, të mbi një milion emigrantëve nga Lindja e Mesme, në luftëra e trazira politike, më 2015 mediat ndërkombëtare menjëherë nisën të shkruanin për sfidat e shteteve perëndimore për integrimin e njerëzve që ishin rritur me një kulturë krejt të ndryshme prej asaj të nikoqirëve. Dhe derisa lexoja e përktheja për ato sprova, përfshirë edhe mënyrën e tyre të sjelljes në transport publik – ata kishin përshkuar edhe atë që do të njihej si “Rruga e Ballkanit” – para sysh po më shfaqeshin situata të ngjashme nëpër autobusët e Kosovës. Në doracakun e Gjermanisë thuhej se në këtë vend, “njerëzit çmojnë hapësirën personale dhe privatësinë, andaj nganjëherë mund të duken të ftohtë”. Doracaku ofronte edhe këtë shembull konkret: “Është goxha normale që të ulesh pranë një të panjohuri në tren për orë të tëra dhe mjafton t’i thuash tung ose lamtumirë. Shumicës së njerëzve iu pëlqen të ulen vetë në transport publik”. Në doracakun e ekonomisë më të madhe të Evropës, thuhet shprehimisht se “në publik, sidomos në transport publik, konsiderohet e pahijshme të bësh biseda të gjata dhe të zëshme. Bisedat dhe thirrjet telefonike zhvillohen me zë të ulët”.

Por kishte emigrantë të vendeve të ndryshme lindore që iu dukej e pazakonshme kjo mënyrë e sjelljes së ftohtë evropiane.

Këtë “ftohtësi” është goxha e vështirë ta ruash, edhe po të duash, në transport publik në Kosovë. Ama ata që ua prishin të tjerëve rehatinë, e bëjnë goxha me marifet. Tri histori të ndryshme shpërfaqin sfidat evropiane të kosovarëve. Emini ka shëtitur me timon nëpër Gjermani. Arbeni po punon në Kosovë, por s’e përjashton mundësinë e migrimit në Perëndim. Agnesa po studion që të bëhet mësimdhënëse. Ende beson se mirëqenia perëndimore mund të jetësohet në vendlindje. Më poshtë do të përmbledh vetëm tri rrëfime autobusi, që tregojnë se doracakët e ngjashëm janë më se të nevojshëm edhe në Kosovë.

***

Arbenit nuk i bën punë zilja e celularit. Çdo mëngjes, nëna kujdeset që ai të mos vonohet në punë. Pos urimit për ditë të mbarë, përherë ia përsërit frazën: “Ishalla ma frik po më gëzon me një nuse të mirë”.

Me këto fjalë në mendje, niset këmbë drejt stacionit të njërit prej fshatrave që shtrihen përgjatë magjistrales që zgjatet nga Ferizaj deri në Prishtinë. Aty, dimër e verë, pret autobusin.

Arbeni është agjent i shitjes në njërën prej kompanive më të mëdha tregtare në vend. Aso që mbishkrimit me shkronja të mëdha të emrit, poshtë ia shoqërojnë edhe fjalët “Export & Import”. Ama Arbeni nuk e kujton një rast të vetëm kur firma e tij të ketë eksportuar diçka jashtë Kosovës. Krejt veprimtaria bazohet në produkte të importuara nga shtetet evropiane e aziatike. Por t’i kthehemi ndryshimit të karakterit të Arbenit. Kur filloi punën, skuqej sa niste t’ua paraqiste dyqanxhinjve ofertat për biskota a ëmbëlsira. Edhe më të sikletshme e kishte para atyre dugajxhinjve që s’luajnë vendi prapa tezgës në marketet e tyre të vogla, ku gjithnjë ndonjë mik e badihavxhi, plak ditët bashkë me pronarin. Aty, Arbenin e prisnin gjithnjë edhe fjalët me kunja.

Megjithatë, përvoja dhe interesi financiar, ia kanë plasur marren. Pos rrogës fikse, realizimi i “targetit” – sikurse është mësuar t’i referohet pragut më të ulët të shitjes brenda muajit – ia mundëson të fitojë përqindje shtesë nga shitja e produkteve.

“Tash kur hy me ndonjë market të ri me ia paraqit ofertën, nuk e la me folë e nuk dalë pa ia ngjit gurabijat n’shpinë”, thotë me krenari Arbeni.

Rend për të folur nuk u lëshon as bashkudhëtarëve në autobus. Kur e ngacmojnë, menjëherë ua kthen: “Qe çka t’ban puna!” Plasin të qeshurat. Arbeni, dikur natyrë ngurruese, tani bën për vete, qoftë edhe vetëm gjatë udhëtimit, shumë njerëz. Të njohur e të panjohur.

Thotë se puna e ka mësuar si të komunikojë me vajzat. Me lehtësi të jashtëzakonshme, shpesh ia del – siç thotë gjithnjë – të dekodojë edhe studente masteri. Duke bërë dashamirësinë, ua mbush mendjen t’i tregojnë edhe histori të jetës familjare e personale, si të ishin miq të ngushtë që ia dinë hallet njëri-tjetrit. Ende nuk e ka takuar vajzën e ëndrrave. Pak pa zbritur, gjithnjë provon t’ua lëshojë në dorë kartëvizitën me numrin e telefonit. “Udhës kurrë nuk i dihet, e unë përditë udhëve jam”, u thotë ai justifikueshëm edhe kur refuzohet.

Kur pasagjerët e rregullt e ngacmojnë se kartëvizitën mund t’ia kenë pranuar sa për mirësjellje, Arbeni nxirret me humor: “Nëse dojnë martesë me çokollatë e keksa, qe ku jam!”.

***

Emini është shofer zotëri. Me timon në duar, ka parë goxha shtete evropiane.

Ende nuk arrin ta kuptojë se si u bë që Kosovës, ku Perëndimi pati rol vendimtar për ta bërë shtet, ende nuk i është hequr regjimi i vizave. Çuditërisht për të, shumë më të lehtë e kishte udhëtimin jashtë vendit dekada më parë kur porsa kishte nisur profesionin e shoferit. Mosha e dëshira që të jetë sa më shumë kohë afër familjes, e shtynë që t’u kthehej “vijave” – sikur iu referohen shoferët linjave – nëpër Kosovë. I mësuar me “vija të gjata” dhe me respektim të orareve të ndaljes së autobusëve vetëm në stacione, Emini fillimisht e pati zor me pasagjerët, përfshirë edhe mua, që gjithkund presim autobusin.

“Nalma te pumpa”, “Nalma te bicikllat”, “Nalma te kryqi”, “Nalma te banderi i bardhë” apo “Nalma te banderi i zi”, janë shprehje me të cilat tashmë i janë mësuar veshët.

“A p’e sheh me bacin, po duhet m’i mësu edhe ngjyrat e banderave”, nxjerr dufin Emini, por si gjithnjë, pa e humbur durimin që e karakterizon. Ama, edhe nëse nuk u bindet tekeve të pasagjerëve, mund të përballet me pasoja pasi mjafton një mesazh telefonik pronarit a firmës, dhe shoferët përballen me një leksion të gjatë që mund të kulmojë me largim nga puna. Andaj, shoferët e transportit publik, përnjëmend meritojnë respekt për durimin edhe pas orëve të gjata të punës e dhjetëra ndaljeve – vend e pa vend.

“Ferizaj-Prishtinë, 32 kilometra, ka ba vaki jam ndalë 37 herë”, thotë Braha, njëri prej shoferëve “me korrespodencë”. Ai kur lodhet nga puna në Kosovë, i kalon disa muaj në Gjermani në një punë krejt të ndryshme, por larg më të paguar. Braha e Emini, po të kishte sundim të ligjit, do ta kishin më të lehtë punën edhe në Kosovë.

“Kur përdorni transportin publik, duhet të paguani paraprakisht biletën”, është rregulla elementare që doracaku gjerman ua kujton emigrantëve, e që duhet kujtuar inspektorëve të transportit edhe në Kosovë për t’ua lehtësuar punën edhe Eminit e Brahës.

***

Para nja tri javësh në autobus, Agnesa, ulur pranë meje, nuk po e mbante dot veten. Filloi të dëneste derisa po shkonte një këngë për një dashuri me fund të hidhur. Për një moment, Agnesa iu lut përjavshëm shoferit që ta ndalte muzikën. Shoferi e respektoi kërkesën e saj, por e vuri në siklet duke i thënë: “S’kemi tjetër kangë në çip”. Kërkesa e pasagjeres dhe kunji i shoferit nxitën pëshpëritje në mesin e pasagjerëve përreth.

Në hyrje të doracakut gjerman për sjelljen në jetën publike thuhet se shumica e këshillave të këtushme nuk duhet të shihen si ligj ose rregull strikt. “Njerëzit në Gjermani nuk do të sillen gjithnjë sipas këtij doracaku. Megjithatë, pjesa më e madhe e sjelljes së përshkruar këtu është praktikë e zakonshme për shumicën e njerëzve, shumicën e kohës”.

Shumica e atyre që ëndërrojnë jetë të re jashtë Kosovës, Gjermaninë e shohin si mundësinë e parë e më të mirën. Shumë syresh jetojnë me mendjen në Perëndim e trupin në Kosovë. Këtu, ku pos doracakëve të shumtë institucionalë me të cilët Bashkimi Evropian po na kushtëzon rrugën e stërzgjatur të integrimit, na duhet edhe një doracak që as “nuk është ligj e as rregull strikte”, por “praktikë e zakonshme e sjelljes” në jetën publike në të gjitha fushat, sepse vetëm asfalti “nuk është zhvillim”.

* Falas