Një kalendar për njerëz të lirë
1.
Këtë 21 dhjetorin e kaluar ishte dita më e shkurtër e vitit dhe prej datës 22 filloi zgjatja e ditës, zgjatja e kohës me dritë. Nuk ka pasur gjë të jashtëzakonshme këtë 21 dhjetor krahasuar me ndonjë vit tjetër. Kjo ngjarje ndodh çdo vit e megjithatë ndonëse ndodh kështu, i përkujtojmë vetes çdo vit se ekziston një kufi mes natës më të gjatë dhe momentit kur fillojmë të kalojmë në ditët me më shumë dritë. Është një moment i veçantë, solstici dimëror, aq i veçantë sa e shënojmë në letër e mendje. Është aq i veçantë sa bën pjesë në inspirimin për metaforën kolektive për dritën dhe terrin.
Kultura dhe shoqëri të ndryshme, gjuhë dhe religjione e kanë ndërtuar tërë një sistem vlerash që terrin e identifikon me ndrydhje shpirtërore e fizike, me të panjohurën, me pushtim e me mungesë lirie. Dhe në këtë sistem vlerash, drita është liri, krijim, jetë.
Dhe, kështu, kalimi prej datës 21 në atë 22 fiton cilësinë transformuese, kalimin prej njërës në gjendjen tjetër.
2.
Kjo ndarje mes territ dhe dritës ka mbërritur në religjionet monoteiste. Në Bibël, nga Mateu përshkruhet dalja e Zotit me përshkrimin ku “populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe nën hijen e vdekjes, doli drita”.
Në Kuran: “Allahu është drita e qiejve dhe tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjan një kamareje në të cilën gjendet një llambë. Llamba, e cila ndodhet brenda një qelqi që duket sikur të ishte një yll i ndritshëm, ndizet me vajin e një peme të bekuar ulliri”.
Por, kjo ndarje mes dritës dhe errësirës ishte fascinante edhe për një njeri që njihej si jobesimtar, Johan Wolfgang von Goethe, i cili pos letërsisë u përqendrua edhe në analizën shkencore. Më 1810 ,i inspiruar me efektet e dritës, botoi atë që ai konsideroi kryeveprën e tij, Teorinë e Ngjyrave. Dhe në kulturën evropiane e perëndimore Goethe do të hyjë, pos me letërsi, me fjalët e tij të fundit, në shtratin e vdekjes, me kërkesën që ka hyrë si një klithmë e iluminizmit: Mehr Licht! Më shumë dritë.
Me vite e shekuj kjo klithmë është marrë si shembull i thirrjes që në botë të ketë më shumë arsim e dije, më pak paragjykime e injorancë. Por në fakt, më pak e ditur është se kjo klithmë e Goethes përshkruan jo pak nevojën dhe aftësinë tonë kolektive, evropiane të mitizimit, sepse fjalët e tij të sakta në shtratin e vdekjes qenë: Hape pak atë roletë që të hyjë drita!
Siç shihet, edhe citatet apo ato që ne i konsiderojmë si citate kanë nevojë për më shumë dritë. Mehr licht!
3.
Dy sisteme të ndryshme mendimi -një i Greqisë antike dhe një i Kinës antike- ndonëse pa korrespondencë mes vete, kanë mbërritur përfundimin e njëjtë. Në filozofinë antike kineze yin (terri) dhe yang (drita) përbëjnë të njëjtën tërësi. Pra, dhe simbolizuar me një rreth ku gjenden yin dhe yang, tërësia është e pamundur pa të dyja.
Apo, shpjeguar në fjalët e Pitagorës, të shekullit VI para erës sonë “Nëse ka dritë, atëherë ka errësirë; nëse ftohtë, nxehtësi; nëse vrazhdësi atëherë lëmim; nëse qetësi, stuhi; nëse prosperitet, vobektësi; nëse jetë, vdekje”.
Tërësia përbëhet prej kundërtive, të atyre që bashkëjetojnë dhe për të gjithë ne është e freskët se nëse jeton në okupim ekziston edhe liria. Se brenda okupimit duhet ta duash, dëshirosh dhe të përpiqesh për lirinë, atë që jeton brenda teje dhe atë që do ta mbërrish, individualisht e kolektivisht.
Tash jetojmë në kohë COVID-i dhe brenda kësaj jete kemi përpjekjen për shëndet. Në fjalët e Pitagoras, ku ka sëmundje, ka shërim- ja ku e kemi vaksinën. (Natyrisht e kemi edhe të kundërtën: ku kemi shërimin, e kemi pra vaksinën, por njëkohësisht kemi edhe lëvizje njerëzish që janë kundër shërimit, vaksinës)
Dhe kjo është e vërtetë për shëndetin e demokracisë sonë. Ajo ka lënguar nga kapja e shtetit, krimi politik, uzurpimi i sferës publike. E, megjithatë, brenda asaj sëmundjeje ka bashkëjetuar edhe dëshira për demokraci. Kosova është vendi ekzemplar në regjion duke mbajtur zgjedhje të lira parlamentare, ku një fuqi politike transformuese fiton mbi gjysmën e përkrahjes elektorale, ndërsa opozita fiton në zgjedhjet vendore, në një atmosferë debati të plotë demokratik dhe respekti për paprekshmërinë e votës.
Dhe kjo duhet të jetë e vërtetë për gjendjen e shëndetit të planetit tonë e të ambientit tonë në veçanti. Në fjalët e Pitagoras, ku ka qymyr, ka edhe ide për energji diellore e të erës, ka ide për shfrytëzimin e resurseve ujore kudo në fqinjësi.
4.
Dhe, po, këtu në këtë vend, në Kosovë, ka edhe mërzi.
Ka mërzi për vite të tëra të kaluara prej një krize në tjetrën. U bënë katërdhjetë vjet prej vendosjes së njërës masë të jashtëzakonshme për t’u pasuar me tjetrën e të tretën e luftën e pasluftën.
Ka mërzi me tërë atë konsum historie që nuk po tretet në mendje e të folmen publike.
Ka mërzi me pritshmëri e ëndrra të papërmbushura të lirisë, ndoshta të papërmbushura se ishin shumë më të mëdha se ç’mund t’i mbushte përmbajtja e trupave dhe mendjeve tona.
Ka mërzi me konflikte të papërfunduara dhe ikje të pandërprerë të të rinjve.
Ka mërzi me shterpësinë e debateve në sferën publike që do të pasohen me shterpësi të tjera.
Por, aty ku ka mërzi, ka gëzim, thotë Pitagora. Aty ku ka mërzi, ka gëzim, se mërzia mund të tejkalohet. Siç u tejkalua okupimi, siç luftohet sëmundja e COVID e siç luftohet kapja e shtetit dhe sundimi i krimit.
Ndoshta ia vlen të kujtojmë se në ciklet tona jetësore këto vite të lirisë janë ato të kthesës së solsticit dimëror, ku sikur nga sot, ditët mbushen me më shumë dritë. Më shumë dritë, edhe pa e hapur atë roletë, siç do të kërkonte Gëte.
Kur të kalojë data 31 dhjetor dhe të bëhet 1 janari mund ta shikojmë si ndërrim vitesh. Por ndoshta edhe si një ditë me më shumë dritë në kalendarin tonë e të qenit të lirë.
Gëzuar!