Nëse jubileun e artë të çlirimit mëtojmë që brezat e rinj ta përjetojnë me më shumë gëzim dhe kënaqësi për të arriturat, atëherë ndryshimin duhet nisur tash dhe pa vonesa. Dhe ndryshimi i parë i madh quhet arsim. Ky duhet të jetë stacioni i nisjes
Dhe e di se shumë njerëz nuk do të pajtohen me përsëritjen e asaj që e them që nga 1999: se Kosovën e çliroi NATO-ja. Nuk do të pajtohen, pavarësisht se ky është një fakt i pamohueshëm.
E është i pamohueshëm, sepse në kohën kur në Kosovë po futeshin trupat e NATO-s dhe po i shporrnin trupat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, gjysma e popullatës së Kosovës (800 mijë njerëz), ishte jashtë kufijve të saj.
Për shkak se NATO-ja, e jo përfaqësuesit civilë a ushtarakë të Kosovës, e negocioi marrëveshjen për fundin e luftës së Kosovës me gjeneralët serbë.
Për shkak se NATO-ja i neutralizoi forcat ruse që ishin futur më 11 qershor 1999 në Prishtinë e më pas në aeroportin e Sllatinës.
Për shkak se NATO-ja erdhi me 45 mijë trupa tokësore për të na dhënë siguri, kurse në pikun e rritjes së saj, UÇK-ja nuk i kishte pasur më shumë se 25 mijë ushtarë. Ama i pati 60 mijë veteranë.
Pra, faktet e renditura lart në asnjë mënyrë nuk e minimizojnë përpjekjen dhe luftën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që në një formë a tjetrën kontribuuan për ditën që e kremtojmë qe 25 vjet si ditën kur nisëm të marrim frymë lirshëm, ani që as pushim zyrtar nuk është.
E shtegu deri te çlirimi ka qenë shumë i gjatë, me shumë vuajtje e humbje. Dhe na pëlqyen protagonistët apo jo, të gjithë janë pjesë e historisë të cilën, e dëshmuam këtë çerek shekulli, as nuk kemi ditur ta shkruajmë, as ta përhapim, as ta ruajmë e as ta kultivojmë.
* * *
Pa dyshim se pjesa më e mirë e kremtes qe parada e Forcave të Sigurisë të Kosovës. Të rinj e të reja, u rreshtuan me disiplinë dhe stoikisht qëndruan me gjithë uniformat e rënda që i bartnin nën diellin përcëllues dhe në nxehtësinë që i kalonte 30 gradët e verës së hershme.
Pjesa më e shëmtuar që, sërish shfaqja e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, në sallën plenare të të cilit thuajse pati më shumë mysafirë sesa vetë deputetë. E për të vazhduar me shëmtinë qenë ngjarjet paralele që organizoheshin për shënimin e 25-vjetorit nga subjektet e ndryshme politike, në vende të ndryshme e mysafirë të nduarnduarshëm. Dhe, për të mos u befasuar, edhe një huqje e Ministrisë së Jashtme që nuk siguroi praninë e një numri më të madh krerësh shtetesh në kremte. Çerekshekulli i radhës do të vijë pas 25 vjetësh, e ndoshta ai brez i politikanëve kosovarë do të dijë ta organizojë festimin më ndryshe. Më mirë.
Pjesa tjetër e mirë e kremtes ishte shpalosja e talentit të brezit të ri, posaçërisht në muzikë. Fillimisht një koncert i mbajtur në rrugë, natyrisht, në mungesë të një salle koncertale, dhe një tjetër, absolutisht i paharrueshëm, i Filharmonisë së Kosovës me artistë të mirënjohur të muzikës elektronike, që të dyja në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë (u dogj në shkurt të vitit 2000), sërish në mungesë të sallës koncertale. (U mbajt edhe koncerti solemn për shënimin e gjysmë shekulli karriere të Shkurte Fejzës, por ajo i takon brezit tim, pra nuk rreshtohet te talentet e rinj 😊).
Mbase mu kjo hapësirë, kjo sallë dikur e dëmtuar seriozisht, tregon më së miri qasjen që treguam në këta 25 vjet ndaj gjërave që kanë rëndësi për një shoqëri. Me t’u djegur salla e madhe që dikur zinte madje 8 mijë shikues, ajo një kohë ndenji pa përkujdesje, e më pas iu rinovua kulmi, ndërkohë që brendia mbeti e shkatërruar, duke u shndërruar në parking i menaxhuar nga dikush që tregonte se kishte muskuj për t’i dëbuar që të gjithë të interesuarit për hapësirën.
Në një përpjekje për ta rikthyer në një hapësirë pak më normale sesa një parking, më 2023 u investuan shumë para për ta organizuar Festivalin e Këngës së RTK-së dhe pasi që ai përfundoi, sërish mbeti hapësirë e pashfrytëzuar. Deri në kremten e 25-vjetorit të Çlirimit.
Pra, do të thotë, se asnjë pushtet, as ai qendrori, e as ai komunali, nuk qenë në gjendje që për 24 vjet ta aftësonin sallën e madhe të sporteve.
Pra, 24 vjet, sportistëve por edhe publikut të gjerë, iu pamundësua shkuarja në një hapësirë të madhe, normale, të ndërtuar me parametra të duhur arkitektonikë dhe me një akustikë shumë më të mirë sesa të dalësh në rrugë – për shkak se askush nuk e pati as vizionin e as guximin për ta rregulluar atë. Apo thjesht nuk e shihte si prioritet.
Nuk e kam idenë se sa mund të kushtojë rregullimi i sallës së madhe, por jam e bindur se do të kushtonte më pak sesa 12 milionët për Arkitektin e qytetit në Prishtinë.
* * *
Se a frymohet më lehtë tash sesa para 25 vjetësh?
Pa asnjë dyshim të vetëm. Janë situata absolutisht të pakrahasueshme. Atëherë ishte një aparat i tërë shtetëror i kthyer me dhunë kundër një populli, megjithatë paqësor, dhe të paarmatosur. E ky aparat i kishte të gjitha lejet e të vepruarit. Madje edhe lejen për të vrarë, e që për atë vrasje të mos jepte asnjë përgjegjësi të vetme.
Vetë largimi i uniformave të kaltra me mbishkrime në cirilikë nga territori i Kosovës bëri që të nisnim të merrnim frymë më normalisht. Frymëmarrje që e stabilizonin ata thuajse 50 mijë ushtarë të NATO-s që ishin larguar nga shtetet e tyre për të na shërbyer neve – një populli të vogël e të një rëndësie minore për shtetet nga vinin. Por një popull që dashurinë ndaj NATO-s dhe vlerave perëndimore e kishte açik të gjithë popujve të tjerë në rajon.
E mbi të gjitha, shumë më lehtë frymohej sa herë e pickonim veten për t’ia rikujtuar vetes se tash ishim të lirë. Të lirë për të vendosur për veten.
Megjithatë, liria e zbuluar me të përfunduar lufta doli të keqkuptohej nga shumë të tillë që i kishin vënë çmim angazhimit të tyre në luftë. Aktiv apo pasiv, nuk ishte me rëndësi. Me rëndësi ishte të ziheshin pozicionet e pronat, e që të shndërroheshin në milionerë brenda natës.
Një rrëfim që ka mundur të ishte shumë më i suksesshëm sesa kemi arritur të jemi, u prish nga ambicia e shfrenuar dhe jo përherë e shëndoshë e të verbërve pas pushtetit.
* * *
Se a kemi mundur më mirë në këta 25 vjet?
Natyrisht se po, ngase, thonë, e mira nuk ka skaj.
E patëm shansin për t’ia nisur mbarë edhe shkollave, edhe spitaleve, edhe punës e edhe fushës. Por në secilën nga to gjetëm hapësirë për të vjedhur. Dhe sa më shumë vidhej, aq më pak energji kishte për të bërë ndryshime. E nga ana tjetër, ndryshimet nuk mund të ndodhnin kur resorët e rëndësishëm udhëhiqeshin dhe ende udhëhiqen nga diletantë. Më e keqja te këta diletantët është se besojnë se janë të gjithëdijshëm dhe për pasojë janë arrogantë. Dhe super arrogantë kur pajisen me pushtet.
Për 25 vjet nuk mësuam të pranojmë se nuk është marre të thuash “nuk di” kur nuk di. Nuk mësuam se është më mirë të mos merren përgjegjësi për të cilat nuk kemi kaçik për t’i realizuar a shtyrë përpara. Nuk u mësuam se kur është interesi i shtetit dhe i popullit në pyetje, nuk duhet pasur dallime. Për shkak se nuk mësuam të dallojmë interesin e shtetit dhe të popullit nga interesat personale.
Nuk e kuptuam se përgjegjësia e të shkruarit të një libri që dikujt dikur mund t’i bjerë në dorë, nënkupton argumentimin e përmbajtjes me fakte e jo me përralla e zbukurime. Apo edhe me të vërteta të cilat më pas shikon si t’i mohosh, sepse mund të të bëjnë dëm personalisht.
Kosova kishte pasur shkrimtarë edhe në të shkuarën, por kurrë aq shumë sa pas përfundimit të luftës. Të botosh libra në Kosovë, deri vonë edhe me ndihmën e majme të shtetit, nuk kishte qenë problem. Fundja letra duron gjithçka.
Por askujt nuk i kishte shkuar në mendje se këto do të ishin copëza historie, të shpikura ose jo, që do të shërbenin për t’i akuzuar njerëzit për krime lufte.
Për shkak se me gjithë qindra doktorët e magjistrit e historisë, Kosova kurrë nuk diti ta shkruante një histori të vetën të kohës së represionit dhe të luftës. Duke e dëshmuar se sidomos në këta 25 vjetët e fundit ka dështuar pikërisht në pikën më nevralgjike të një shoqërie: në arsim.
* * *
Brezi im nuk ka se si të mos i gëzohet këtij çerekshekulli të jetuar në liri, për shkak se i jetoi dhe i mbijetoi edhe fazën e represionit e edhe atë të luftës. Gjithsesi po del që arsimimin ta ketë pasur shumë më të mirë sesa e kanë tash këta breza të rinj me gjithë këtë teknologji të avancuar.
Nëse jubileun e artë të çlirimit mëtojmë që brezat e rinj ta përjetojnë me më shumë gëzim dhe kënaqësi për të arriturat, atëherë ndryshimin duhet nisur tash dhe pa vonesa.
Dhe ndryshimi i parë i madh quhet arsim.
Ky duhet të jetë stacioni i nisjes.