Rikthimi i Amerikës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) është i mundshëm. Por, derisa të plotësohen zbrazëtitë e krijuara nga tërheqja e shtetit momentalisht më të fortë në botë dhe të zëvendësohen me mënyra sikur që implementohet programi për HIV (lexoꓽ në gjuhën angleze PEPFAR), qasja në ujë të pijshëm apo në tableta për parandalimin e sëmundjeve të zemrës, për vendet si Afrika dhe jo vetëm, ka gjasë të ngadalësohet.
Shumë besonin që pasi Donald Trump po përballej me një sërë ngjarjesh e akuzash pas përfundimit të mandatit të parë, gjasat për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë do të ishin të vogla. Presidenti i tanishëm, ngjashëm sikurse ish-presidenti Ronald Regan, erdhi në politikë nga bota e showbiz, por sa i përket vëmendjes që po merrte për drejtimin e shtetit momentalisht më të fortë në botë, dallonte jo vetëm me paraardhësin e tij, po me gjithë ish presidentët që Amerika i ka pas deri tash. Vendimet që do t’i nënshkruante gjatë ditëve të para vetëm sa do ta vërtetonin këtë gjë!
Investimet që mbështesnin zgjedhjen e zonjës Kamala Harris për presidente, po ndërtonin ngadalë një përballje tjetër të vështirë për Trump, duke e influencuar tutje besimin për pamundësinë e tij për të iu rikthyer politikës. Mirëpo, përtej këtij besimi, Trump fitoi, dhe fitorja, në kontekstin e rrugëtimit të tij, menjëherë u përkthye në vendime për ndryshime të mëdha që nuk e karakterizojnë fare një person që e përkrah status quon. Madje, meqenëse rikthimi i tij ndryshon thellësisht me këto që i shohim në përditshmërinë tonë, do të bëhet imperativ për ndryshimin e stilit të jetesës për njerëzit nëpër botë.
Vazhdimi i procesit të filluar gjatë mandatit të parë, i ndërprerë përkohësisht nga ish-presidenti Joe Biden, e largon SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe, derisa po e merr vëmendjen e komunitetit shëndetësor, duket se veçse po trason rrugën për ndryshimin që do të ndodhë. Një ndryshimi të mëhershëm, të cilit Amerika së bashku me shumë shtete tjera të botës i kontribuuan duke themeluar OBSH-në, në gjykimin e administratës së tanishme, duket se i ka ardhur koha të përfundoj. Këtë herë, me vendimin për ta ndërprerë financimin dhe tërheqjen e të gjitha burimeve njerëzore nga ky institucion.
Për shumë vjet me radhë, SHBA-ja ka qenë ndër financuesit më të mëdhenj të këtij institucioni. Paralelisht ndihmës teknike dhe përkrahjes së vazhdueshme për reformim, të dhënat në dekadën e fundit për përkrahje financiare në baza vjetore kapin shumën nga 163 milionë dollar dhe 816 milionë dollarë. Këto të dhëna në buxhetin e OBSH-së ilustrojnë vetëm një pjesë të financimit që SHBA-ja i ka kontribuuar agjendës për çështjet e shëndetit nëpër botë sepse shuma e përkrahjes financiare llogaritet shumëfish më e madhe nëse i shtohet përkrahja financiare në baza vullnetare. Deri më tash, të ardhurat më të mëdha të OBSH-së janë siguruar në baza vullnetare (lexo: viti 2022-2023, 87%) dhe janë alokuar varësisht çështjeve të konsideruara prioritare.
Për më shumë, përpjekja e vazhdueshme për reformim dhe ndihmë teknike për OBSH-në është ofruar përmes stafit të punonjësve apo kontraktorëve të ndryshëm. Gjegjësisht, përgjatë gjithë këtyre viteve, stafi ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në qeverisjen e OBSH-së përmes aktiviteteve të përvitshme – jo vetëm për të përcaktuar çështjet shëndetësore me prioritet, për t’i kontribuar dialogut për marrëveshjen e pandemisë dhe marrëveshjen për rregullat ndërkombëtare të shëndetit. Përtej kësaj mënyre të përfshirjes në formësimin e politikës globale të shëndetësisë, çështjet shëndetësore të lidhura me sëmundjet kronike, kancerin, shëndetin në punë, nutricionin dhe përmirësimin e shëndetit në përgjithësi i përkasin fushave për të cilat ndihma teknike e SHBA-së nuk ka munguar.
Tërheqja e një shteti si SHBA-ja nga OBSH-ja natyrisht se do të ekspozojë mungesën në përkrahje për agjendën globale të shëndetësisë. Madje, pa vonuar shumë, zërave brenda këtij institucioni, megjithëse jo shprehimisht - i janë bashkuar shumë nga komuniteti shëndetësor duke ofruar perspektiva të shumta për impaktin që SHBA-ja do të ketë në këtë rrugëtim, qoftë për ndërprerjen e shumës financiare; numrin e të punësuarve nëpër projektet e lidhura me shëndetësi; dhënies së kontributit përmes hulumtimeve dhe ofrimit të ekspertëve; formësimit të politikës globale të shëndetësisë dhe diplomacisë shëndetësore. Prandaj presidenti Trump është ftuar ta rishikojë vendimin e nënshkruar më 20 janar 2025.
Mirëpo, derisa po shkruaj, Trump është i palëkundur sa i përket veprimit për t’u tërhequr dhe vështirë se do të ndodhë ndryshe, sepse, siç lexohet në vendim, menaxhimi jo i mirë i virusit COVID-19 gjatë pandemisë, krizat e tjera globale të shëndetësisë, dështimi për t’i bërë reformat e nevojshme dhe pamundësia për tu distancuar nga influenca politike, e arsyetojnë dhe forcojnë ndarjen e të dyja palëve. Me gjithë këtë veprim, ndikimi i SHBA-së në çështjet globale të shëndetësisë nuk do të përfundoj këtu por do të kanalizohet përmes mënyrave tjera – jashtë OBSH. Programet e iniciuara direkt nga Shtëpia e Bardhë, si për shembull, Plani Emergjent i Presidentit për Virusin HIV (PEPFAR), programet për sëmundjet ngjitëse dhe shumë projekte të tjera për çështje shëndetësore janë një opsion i mundshëm se si përkrahja mund të zëvendësohet.