OpEd

Receta e “Tafelspitz” dhe Autonomia serbe

Zombi i Zajednicës (Bashkësisë së komunave serbe) rishfaqet ritualisht derisa të mos shfaqet më, përfundimisht. Si të arrihet aty?

1.

Më 2015 e fillova librin “Emri i autonomisë” me një recetë restoranti. Bëhej fjalë për “tafelspitz” pjatën e preferuar të perandorit austro-hungarez Franc Jozef. Këtë pjatë gjatë negociatave në procesin “Ahtisaari” më 2007 në Vjenë e zbuloi ekipi (i të deleguarve) negociatorë të Kosovës, që merrej ato ditë me çështjet e pushtetit vendor; disa prej tyre madje duke ruajtur në kujtesë a në fletëpaluesen e restorantit të njohur “Plachutta” se specialiteti bëhet me “dy kilogramë ramsteku të zier në 3.5 litra ujë përgjatë nja tri orësh, ndoshta edhe tri orë e gjysmë. Mishi hidhet në ujë pasi të ketë vluar; ndërsa vlon i shtohen dy gjysma të një qepe të skuqur më herët dhe 10-15 kokrra piperi. Njëzet minuta para se të jetë bërë gati, mishit që noton në ujë i shtohen edhe 250 gramë karota, karota të verdha, selino dhe rrënjë majdanozi e pastaj edhe gjysmë prasi. Kur të përfundojë zierja, mishi pritet në feta dhe mbi to spërkaten kripa dhe qepujkat. Shërbehet veçmas, me pjata shtesë spinaqi të zier, patateje të zier apo të fërguar”.

Anëtarët e këtij ekipi degustatorësh të mishit ishin njohës të mirë edhe të verës, birrës, xhinit apo të çfarëdo pijeje tjetër që paguhej, sikur edhe darka, nga buxheti i vendit.

Të nesërmen, kur u zhvilluan negociatat, ekipi i përbërë prej partive të pushtetit dhe opozitës nuk tregoi vëmendjen e duhur - krahasuar me atë mbresëlënëse për haje dhe pije - për propozimin që në Kosovë të vendoset rrafshi i tretë i pushtetit, në formën e Asociacionit (Bashkësisë) së komunave serbe në Kosovë. U kthyen në Prishtinë duke e pranuar atë. Dhe, pastaj, u deshën disa muaj negociata me ndërmjetësit ndërkombëtarë për ta hequr rrafshin e tretë të pushtetit prej propozimit të presidentit Ahtisaari.

2.

Propozimet e këqija në Ballkanin Perëndimor kanë fatin e “zombive”, të trupave të vdekur që ngjallen me magji shtrigash. Pra, ndonëse zyrtarisht i vdekur, pushteti i tretë apo autonomia serbe në Kosovë u ringjall në procesin negociator të Brukselit që nga viti 2011.

Negociatori i atëhershëm, Hashim Thaçi, duket se nuk tregoi vëmendje të njëjtë ndaj propozimit që i erdhi në tavolinën negociatore krahasuar me çështjet e tjera që mund të kenë pasur vëmendjen e tij të plotë - fati i ardhmërisë së tij politike, pasurore apo personale, përballë akuzave nga shumë anë për përfshirje apo dirigjim të krimeve të natyrave të ndryshme. Dhe, sikur ata që ende kishin shijen e “tafelspitzit” në buzë e që pranuan rrafshin e tretë të pushtetit, edhe H. Thaçi u kthye në Kosovë me pranimin se në Kosovë duhet të vendoset rrafshi i tretë i pushtetit, në formën e një autonomie territoriale politike serbe.

Me këtë marrëveshje të vitit 2013 pastaj u detyrua të negociojë dhe të arrijë marrëveshje negociatori i vitit 2015, Isa Mustafa.

Pas demonstratave në rrugë e gazit lotsjellës në Kuvend e në fund me verdikt të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, rrafshi i tretë i pushtetit në formën e autonomisë territoriale-politike serbe mbeti pa legalitet e legjitimitet.

Por, a di për këtë punë “Zombi” i “Zajednicës”, siç quhej Bashkësia e komunave serbe në demonstratat e vitit 2015?

Jo dhe për këtë ka pasur ndihmë të madhe të Kuvendit të Kosovës. Më 2013 dy të tretat e numrit të përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës në Parlament ratifikuan marrëveshjen me të cilën Rrafshi i tretë i pushtetit duhet të integrohet në sistemin juridik të Kosovës. Duke e ratifikuar këtë akt juridik si marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës e ngriti nevojën për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe mbi sistemin kushtetues-juridik të Kosovës. Nga ky kënd Kosovës i mbetet obligim që ta themelojë dosido Bashkësinë e komunave serbe.

3.

Gjendja sot është një ndeshje mes dy narracioneve legjitime. Në formë rituale, ka disa vjet, vijnë diplomatë evropianë (e tash edhe amerikanë) e u thonë kosovarëve se ata vetë kanë marrë obligim që ta themelojnë Bashkësinë e Komunave Serbe dhe fundja le ta bëjnë me udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në formë rituale, me Qeverinë (dhe qeverisjen) e re, narracioni në Kosovë është se vendi nuk mund të themelojë Bashkësi të komunave serbe sepse, në thelb, kjo gjë ndalohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës (e cila me të drejtë e trajton njëetnitetin e pushtetit si sulm ndaj parimit kushtetues të barazisë).

Zombi, kështu, vazhdon të jetojë, duke marrë oksigjenin e debatit politik e diplomatik. Dhe do të vazhdojë të jetojë përderisa t’i jepet oksigjen (a magji), gjegjësisht derisa të mos ketë më jetë.

Dhe, kjo gjë mund të ndodhë.

Ndoshta hapi i parë dhe themelor në këtë drejtim është zhveshja e “zombit” prej “magjisë” së vet juridike. Ja formula e thjeshtë: Kuvendi i Kosovës e ratifikoi Marrëveshjen e vitit 2013 si marrëveshje ndërkombëtare, pra një që ka epërsi mbi sistemin vendor juridik, por Kuvendi i Serbisë nuk e bëri këtë.

Për më tepër, Gjykata Kushtetuese e Serbisë vlerësoi se “Marrëveshja e parë” nuk “i përmbush kushtet e parapara nga konventat ndërkombëtare të përcaktuara dhe ligjeve ekzistuese të Republikës së Serbisë për t’u trajtuar si marrëveshje ndërkombëtare...”

Meqë të dyja palët nuk janë dakord mbi natyrën e marrëveshjes, ajo marrëveshje nuk konsiderohet e vlefshme. Ratifikimi i një marrëveshjeje të pavlefshme nuk e bën të vlefshme, e bën thjesht një marrëveshje të pavlefshme, që ka marrë votat e dy të tretave të një Kuvendi shkurtpamës të Kosovës.

4.

Por, “Zombi” ndonëse mund të mbetet pa magjinë juridike do ta ketë ende atë politike. Dhe për këtë nuk do të mjaftojë shpjegimi se negociatorët kanë qenë të hutuar me “tafelspitz”, se H. Thaçi ka qenë i hutuar me Dick Martyn a ndonjë aferë tjetër apo se Kuvendi i Kosovës mezi ka pritur të miratojë çfarëdo qoftë që të shkojë në pushim veror. As s’do të mjaftojë vendosmëria për të përsëritur “jo” ndaj çdo kërkese diplomatike për ta trajtuar këtë temë.

“Zombi” mund të mbetet pa magji me thjeshtësinë e një pyetjeje: çka është e pamjaftueshme në sistemin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve serbë në Republikën e Kosovës dhe si mund të bëhen përmirësime në të?

E dalë nga mjegulla dhe terri i spekulimeve, çështja e nevojave të qytetarëve të një grupi joshumicë të Republikës së Kosovës kalon prej formës së “zombit” në një debat racional reformash eventuale.