OpEd

Rashka dhe ndeshja e dy sistemeve

Pika e fërkimit nuk është vija ndarëse mes shqiptarëve e serbëve, por vija ndarëse mes demokracisë dhe autokracisë

1.

Më 13 tetor të këtij viti, ndërsa presidenti i Serbisë takohej me përfaqësuesit e serbëve të pjesës veriore të Kosovës në kazermën e ushtrisë serbe në Rashkë, kisha ndjenjën e njëjtë mbi paparashikueshmërinë e së ardhmes që më brofi në prill të vitit 1987, në Fushë-Kosovë. Atëbotë, një grup i organizuar i serbëve të Fushë-Kosovës, në koordinim me shërbimin sekret të Serbisë dhe akademikët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë organizuan një miting në të cilin ftuan Slobodan Milosheviqin, një figurë jo shumë e njohur deri atëherë, por që pas asaj nate të 24 prillit do të bëhej i njohur si prijësi i lëvizjes fashiste serbe (formalisht duke i prirë Lidhjes së Komunistëve të Serbisë), i lëvizjes që nxiti dhe zhvilloi okupimin e Kosovës si hap të parë drejt luftërave dhe zhbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë.

Në Rashkë, njëri folës pas tjetrit i thanë presidentit Vuçiq pak a shumë me fjalorin e njëjtë me të cilin i flitej edhe Milosheviqit - jemi të rrezikuar nga shqiptarët, ata na ndjekin pse jemi serbë, frikësohemi për fëmijët tanë, na jepni armë. Sikur edhe në Fushë-Kosovë, në Rashkë u dha alternativa e njëjtë: ose futeni ushtrinë (xhandarmerinë) në Kosovë, ose na jepni armë.

Në Fushë-Kosovë organizatorët fshiheshin prapa Lidhjes Socialiste e Lidhjes Komuniste; në Rashkë nuk morën mundin të fshiheshin, ngase presidenti Vuçiq i njihte si tifozë futbolli, bashkaktivistë të partisë së tij SNS, pjesëtarë të grupeve që ngrenë barrikada “spontane” çdoherë kur duhet organizuar spontanitetin e barrikadave. I njihte si Listë Serbe të dërguarit e tij në institucionet e Kosovës, prirë nga M. Radoiçiq, njeri i cili në mesin e serbëve dhe shqiptarëve njihet herë si prijës politik e herë si prijës i krimit të organizuar, duke mos krijuar ndonjë kufi më të hollë të mundshëm mes të dyja përshkrimeve.

Milosheviqi u tha të tubuarve se “nuk guxon kush t’ju rrahë” dhe dihet se si u zhvillua e përfundoi ajo karrierë e filluar me ato fjalë. Vuçiqi ishte i zënë me së paku tri versione të ndryshme të fjalëve që donte t’ua thoshte. Një herë u tha diçka si filloni ju të mbroheni e ne do t’ju rrimë pas, që është pak a shumë çka ndodh qe njëzet vjet. Pastaj iu tha se Serbia do t'i mbrojë serbët e Kosovës e në fund e dha versionin që duhej të kapte edhe ndjenjën e tij: “Do t’ju mbrojmë dhe do të fitojmë!”.

2.

Njëri prej problemeve të presidentit Vuçiq është të përcaktojë se çka është ajo që saktësisht do të mbrojë. Kosovën e mbron NATO-ja, në masë të madhe prej mundësisë teorike të ndërhyrjes së forcave të armatosura të Serbisë në territorin e Kosovës. Folësit në Rashkë, kur ishin më konkretë si dy të tillë nga Zubin-Potoku, shpreheshin se nuk do të lejonin që fëmijët e tyre të detyroheshin të mësonin në gjuhën shqipe, sikur ndonjëherë të ekzistonte qoftë edhe intenca për t’ua mësuar atyre shqipen (si gjuhë të dytë) e lëre më të arsimohen në atë gjuhë. Pra, as nga ky “rrezik” (inekzistent) nuk ka pse t’i mbrojë. Mbetet atëherë vetëm t’i mbrojë nga ajo që shumica quan “ndërhyrje e Policisë së Kosovës në veri”, që do të thotë shndërrim i pjesës mbi lumin Ibër të Kosovës në zonë ku nuk mund të hyjnë njësitet e Policisë së Kosovës apo të zhvillojnë operacion më domethënës sesa tërheqje e vërejtjes për gabim në parkim të veturave.

Në kësi rasti, me udhëheqjen e M. Radoiçiqit, i cili tha se “herën e ardhshme do të luftojmë deri në vdekje”, presidenti Vuçiq duhet ta mbrojë pjesën mbi lumin Ibër si zonë jashtë ligjit. Të vazhdojë pra, të mbrojë statu-quonë, të cilën si edhe sivjet Komisioni Evropian në Raportin e vet të progresit e përshkruan kështu: “Situata në veriun e Kosovës mbetet sfiduese, posaçërisht në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushtet e lirisë së shprehjes”.

3.

Ekziston një shpërputhje mes (së paku) dy qëndrimeve të politikës së jashtme të BE-së ndaj një problemi evident. Pra, nëse konstatohet se pjesa mbi lumin Ibër ka si veçanti mossundimin e ligjit, por, sipas J. Borellit që i prin politikës së jashtme të BE-së, korrupsioni, krimi i organizuar dhe liria e shprehjes zgjidhen mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, atëherë u jepet negociatorëve detyra e pamundur që të jenë policë, prokurorë, gjykatës, autoritet antikorrupsion dhe mbrojtës të gazetarëve. Gjegjësisht, ekziston mungesa e plotë e njohurive bazike për problemin.

E, njëra prej njohurive themelore mund të kërkohet prej një lidhjeje të thjeshtë kauzale mes dy raporteve. Nëse Raporti i progresit për Kosovën thekson se zona mbi lumin Ibër është e spikatur në saje të korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirisë së shprehjes, dhe raporti monitorues i europarlamentarëve për zgjedhjet e sapozhvilluara vendore përcakton se pjesa e spikatur e Kosovës ku nuk pati zgjedhje të lira ishte pjesa mbi lumin Ibër, atëherë mund të thuhet se gjetjet e këtyre dy raporteve ushqejnë njëra-tjetrën. Pra, gjendja me demokraci dhe sundim të ligjit në pjesën veriore të vendit prodhon deformim të lirisë së votës dhe anasjelltas, deformimi i lirisë së votës mban gjendjen çfarë është në pjesën veriore.

4.

Presidenti Vuçiq është treguar shumë më i fortë dhe i zhdërvjellët se S. Milosheviqi. Ky i fundit në Fushë-Kosovë nisi ngritjen e lëvizjes së tij fashiste, por nuk arriti ndonjëherë të mos ketë opozitë. Presidenti Vuçiq është në krye të një lëvizjeje e cila kontrollon jo vetëm tërë jetën politike në Serbi, por ka arritur të ketë ndikim vendimtar në pjesën serbe të BeH-së, në një pjesë të opinionit serb në Mal të Zi dhe në zgjatjen e organizatës së tij në mesin e serbëve të Kosovës, me hatër a dhunë.

Mes Kosovës e Serbisë gjatë njëzet vjetëve të këtij shekulli është ravijëzuar një dimension i konfliktit, i cili tashmë ka marrë formën e vet të plotë të ndeshjes, jo të të dy popujve, serbëve e shqiptarëve, por të dy sistemeve politike. Njëri personifikohet me presidentin Vuçiq. Ai dhe partia e tij fituan 188 vende, prej 250 sa i ka Parlamenti i Serbisë. Kur u organizuan zgjedhjet vendore raportuesit rrëfyen për gjashtë komuna, prej 168 komunave e qyteteve të Serbisë, të cilat NUK i fitoi partia SNS e presidentit Vuçiq, duke qenë njëra prej tyre Bujanoci, fituar nga partitë shqiptare.

Në zgjedhjet vendore në Kosovë, lëvizja politike e cila në zgjedhjet republikane fitoi shumicën mbi 50 për qind nuk arriti që në raundin e parë të zgjedhjeve të siguronte kontrollin e asnjë komune të Kosovës. Mund të jepen interpretime të ndryshme e të shumtën sipërfaqësore për një zhvillim të tillë, por emërtuesi ombrellë për këtë zhvillim është demokracia liberale funksionale. Në të, brenda një debati të lirë, të mediave të lira e fushatave të lira, partitë politike të opozitës kanë zërin e tyre legjitim për të kërkuar dhe për të marrë vota.

Një gjë e këtillë nuk njihet prej shumë kohësh në Serbi dhe më shumë se çdo gjë tjetër, tubimi surrealist në Rashkë (në një kazermë ushtarake, me ministra të rendit e të mbrojtjes) shpërfaqi mungesë përgjigjeje bazike ndaj këtij fenomeni të panjohur, demokracisë.