OpEd

"Pse s'po më thirrni?"

S'do mend se do të kenë kujtuar se po tallesha me ta – të tillë e patën shikimin. Porse ua shpjegova çfarë mendoja: se me të nisur vaksinimi masiv, do të duhej ftuar ata që tashmë ishin regjistruar në sistem prej kohësh dhe që mund të jenë potencialisht më të rrezikuar. Para vetes e kishin një ithtare të flaktë të vaksinimit, ani që këtë nuk kishin pse as ta dinin

"Shyqyr që e more vaksinën, tash ndoshta e ndërron temën", më kishte komentuar një mik në FB, pasi e bëra publike se e mora dozën e parë të vaksinës.

Duke u mbështetur mbi deklaratën e ministrit të Shëndetësisë se me datën 15 do të niste vaksinimi masiv i popullatës, kishte tri-katër ditë qëkur kisha paralajmëruar në llogarinë time në FB se e prisja thirrjen nga Ministria për vaksinim, duke pasur parasysh se isha regjistruar në portalin eKosova qysh më 5 prill.

Përcillja shpalljet e Ministrisë ku shpjegohej se si duhej vepruar dhe prisja që dikush nga shërbimi që e menaxhon platformën të ma kthejë bile një përgjigje: se terminin ma kishin caktuar në cilëndo ditë në qershor, korrik a gusht a kurdo, qoftë me telefon, me sms apo edhe me e-mail, siç e ka përcaktuar vetë Ministria.

Përditë e postoja një pyetje, në kërkim të përgjigjes. Sepse derisa e kisha shumë të qartë që prioriteti ishte te stafi mjekësor, te policët, zjarrfikësit e arsimtarët (çuditërisht jo edhe gazetarët dhe punëtorët medialë), e madje e kisha të qartë edhe përparësinë e dhënë rasteve me sëmurje kronike, nuk e kisha fare të qartë se si bëhej se të tillët që nuk binin në asnjërën kategori, megjithatë, vaksinoheshin.

Më së shumti më linte përshtypje fakti se numri i atyre që paraqiteshin me sëmurje kronike ishte aq i larmishëm saqë i përfshinte të gjitha moshat. Natyrisht se dua të besoj se ky numër i të paraqiturve është fals dhe se ata që kanë gënjyer për gjendjen e tyre shëndetësore në të vërtetë janë shëndosh e mirë.

Mirëpo, nuk kam se si mos ta shpreh irritimin me faktin se shumë njerëz shkuan në qendër të vaksinimit si të sëmurë kronikë e që askush t'u mos ketë kërkuar dëshmitë për këtë. Pra, pos që kanë gënjyer e mashtruar, ua kanë zënë rendin e atyre që përnjëmend kanë nevojë për vaksinim, e të cilët vaksinimin nuk e kanë për punë udhëtimi jashtë vendi për qejf.

* * *

Sidoqoftë, as thirrja telefonike, as sms-i e as e-maili nuk më erdhën. Më sugjeruan që ta shënoja se vuaj nga një lëngim kronik, e këtë thjesht e refuzova, për shkak se nuk kam. Prandaj, dje, kur e përcolla nënën për ta marrë dozën e dytë, iu afrova ekipit që punonte tek evidencimi i qytetarëve për vaksinim dhe e shtrova një pyetje: "Pse s'po më thirrni për vaksinim?"

S'do mend se do të kenë kujtuar se po tallesha me ta - të tillë e patën shikimin. Porse ua shpjegova çfarë mendoja: se me t'u proklamuar vaksinimi masiv, do të duhej ftuar ata që tashmë ishin regjistruar në sistem prej kohësh dhe që mund të jenë potencialisht më të rrezikuar. Para vetes e kishin një ithtare të flaktë të vaksinimit, ani që këtë nuk kishin pse as ta dinin.

Porse, nga ana tjetër, nuk kishin argument për të thënë se ende nuk na kishte ardhur radha neve nën 65 vjeç, për shkak se salla mbante po aq pleq mbi 65 vjeç sa edhe të rinj nën 40 vjeç që prisnin në rend. Nuk e kishin as argumentin "nuk je në sistem" – sepse isha aty prej kohësh. Madje, në atë sistem është edhe një foto imja tepër e kotë me letërnjoftimin në dorë: si njëfarë gogoli të cilit duhet shkruar numrat në bluzë... Nejse, ata që regjistrohen tash i kanë shpëtuar kësaj kërkese, së cilës nuk ia gjej kuptimin.

M'u caktua termini dhe e mora vaksinën. Tash, teksa po e shkruaj këtë kolumne, kam dhimbje krahu dhe nga pak ethe, porse jo aq të bezdisshme sa për të mos e mbaruar këtë rrëfim për vaksinimin.

Po ndihem e lumtur që arrita ta marr vaksinën pasi ia dola ta shmangia virusin këta 15 muajt e fundit. Të gjithë ata që e kanë marrë në Perëndim më thonë se maskën duhet mbajtur vazhdimisht edhe pas marrjes së vaksinës. Sado bezdisëse që di të bëhet, megjithatë tash më është bërë pjesë e "uniformës" dhe e besoj se do të vazhdoj ta mbaj për aq sa të jetë e domosdoshme.

* * *

Mbase kjo do të jetë ndër të rrallat kolumne që nuk do të merret me ngjarjet e javës. Sepse, prej shumë muajsh, çështja e shëndetit të popullsisë dhe të efekteve të pandemisë është, për mua, brengë më e madhe se të gjitha të tjerat në këtë çast.

Jemi shteti i fundit në Evropë që nisëm vaksinimin, në prill. Dhe mbase jemi shteti i fundit në Evropë që i bleu vaksinat nga “Pfizeri”, kurse vaksinimin deri tash e kemi realizuar me vaksinat e falura. Gati 126 mijë doza janë administruar, kurse afro 17 mijë njerëz e kanë marrë edhe dozën e dytë. Janë pak krahasuar me numrin e synuar, porse nëse vaksinat njëmend vijnë në fund të këtij muaji, edhe ka gjasa që të arrihet qëllimi që të vaksinohen rreth 15 mijë njerëz në ditë.

Megjithatë, çka nuk po funksionon si duhet është sistemi elektronik i regjistrimit. Qëkur startoi në mars (kur edhe fillimisht e kisha bërë regjistrimin, e m'u desh ta plotësoja me të famshmen selfie me letërnjoftimin në dorë), sistemi i ka pësuar disa ndryshime që është dashur ta thjeshtësonin punën. Porse në fakt e komplikuan paksa për ata që u regjistruan më herët. Ajo që duket se po ndodh është se i fundit që regjistrohet, i pari e merr shërbimin dhe kjo duhet të ndryshojë urgjentisht.

Nuk e di se kush e ka ndërtuar portalin, porse që në fillim ka pasur oferta pro bono nga kompani serioze vendore që të ndërtohet një sistem efikas, që kryesisht hasën në vesh të shurdhër. Me gjasë planet e Qeverisë do të kenë qenë tjera. Mbase do ta kishim tash një sistem edhe më të avancuar. Po shnosh, se tash është vonë për të bërë ende eksperimente. E di që ngarkesa e atyre që janë angazhuar në këtë punë është e madhe, porse qytetari që i qaset këtij sistemi më e pakta që mund të presë është që ta marrë një përgjigje, cilado qoftë ajo. Assesi nuk do të duhej të ndodhte që thjesht të injorohej e të udhëzohej që të çojë shkresa e të bëjë thirrje telefonike, për shkak se "gabimet mund të ndodhin". E, për më keq, të bëjë thirrje telefonike në 03820080880 e të mos marrë përgjigje as aty.

* * *

Komunikimi me publikun është edhe një gjë që po çalon në këtë proces. Po ta merrja përvojën e shteteve perëndimore, Spanjës për shembull, aty për çdo ditë është ministrja e Shëndetësisë që u drejtohet gazetarëve me të gjitha informatat në lidhje me procesin e vaksinimit dhe masat që po ndërmerren nga shteti në këtë proces. Kur nuk është ministrja, atëherë është kryepidemiologu ai që shpjegon se çfarë po ndodh, e në rastin e fundit edhe zëdhënësi, qoftë i Qeverisë, qoftë i Ministrisë.

Në rastin e Kosovës, informatat dalin të shkruara në faqen e FB të Ministrisë, porse rrallëherë mbahet konferencë për shtyp nga ministri, apo zëdhënësi i Ministrisë. Kryesisht na drejtohet koordinatori i Qendrës së vaksinimit, me deklarata të shkurtra dhe jo gjithherë të qarta.

Pavarësisht faktit se portalet lexohen si lexohen në Kosovë, megjithatë janë televizionet dhe radiot ato që më efektshëm e tërheqin vëmendjen e publikut dhe bëjnë që informatat të regjistrohen si duhet. Edhe kjo është punë që përmirësohet dhe duhet të bëhet që në çastin kur të arrijnë qindra-mijëra dozat e blera. Qytetarëve duhet t'u paraqitet një plan i qartë i vaksinimit dhe duhet bërë ftesë që vaksinat të merren, sepse megjithatë do të dalin jo pak njerëz që rezistojnë ta marrin atë, për një arsye ose tjetrën. Dhe qytetarëve duhet ofruar edhe shënime për vaksinimet e kryera sipas moshave të të vaksinuarve – ngase edhe kjo do të duhej të ishte indikator për të treguar nëse vërtet kemi aq njerëz që vuajnë nga sëmurjet kronike siç e thonë. Në fakt, për shkak të faktit se jetojmë në Kosovë, të gjithë do të duhej të kishim problem me shtypjen e lartë të gjakut që na e shkakton politika, por as këtë me gjasë nuk e kemi kronike.

Është evidente se jemi vonë me vaksinimin, porse megjithatë tash jemi para një situate që mund ta kthejë peshoren nga ana "e mirë", ashtu që të arrihet vaksinimi i plotë i 60% të popullatës së planifikuar deri në fund të vitit.

Sa më pak "raste kronike" që nuk janë dhe transparencë maksimale do ta lehtësojë arritjen e qëllimit: të çlirohemi më nga pandemia që ia doli të na tjetërsojë heshtur dhe padukshëm.

[email protected]