OpEd

"One Scotch, One Bourbon, One Beer"

Do të flas sigurisht pak edhe për uiski dhe birrë, por pak më poshtë. Fillimisht për tokën, ajrin, ujin, hapësirën dhe hapësirën kibernetike që janë dimensionet ku po zhvillohen tashmë luftërat.

Siç po shihet, dominues tash e tutje do të jetë dimensioni kibernetik. Vendet e zhvilluara veçse kanë “batalione” të dedikuara për këtë dimension lufte.

Nga sulmet e fundit u pa edhe që grupe të ndryshme sponsorizohen nga shtetet për të arritur qëllime të caktuara. U pa edhe se sa e brishtë është siguria. U pa edhe se sa e nevojshme është mbrojtja që nga nivelet më të ulëta e deri ato më të lartat.

Përveç mbrojtjes në nivel organizatash, institucionesh e vendi, një rol kyç në tërë zinxhirin e mbrojtjes e luan faktori njeri. Mund të keni sistemin më të sofistikuar për mbrojtje, por nëse faktori njeri dështon atëherë ka dështuar edhe hallka më e rëndësishme e tërë sistemit të mbrojtjes.

Firewallët janë pajisje dhe software që mbrojnë nga rreziqet kibernetike, por firewalli-njeri megjithatë është faktori kyç. E në këtë faktor kyç, sidomos tek ne, investohet fare pak, në kuptimin e vetëdijesimit dhe edukimit lidhur me rreziqet kibernetike dhe mënyrën e sjelljes në situata të caktuara.

Fjala firewall, për ta demistifikuar, vjen nga rasti i djegies së Londrës nga zjarri i madh në të kaluarën, kur autoritetet e panë që shtëpitë e ngjitura njëra me tjetrën bënë që zjarri të mos mund të izolohet dhe të ndalet, dhe më pas mblodhën mend dhe mënyra e re e ndërtimit ishte që shtëpitë të kishin në mes një hapësirë dhe një mur ndarës mes tyre që u quajt firewall apo muri mbrojtës nga zjarri.

Më pas kur u zhvillua teknologjia dikush u kujtua që këtë emërtim ta adaptojë edhe për mbrojtjen e ambienteve të rrjeteve apo sistemeve kompjuterike nga rreziqet e jashtme. Por, muri mbrojtës nuk mund të na mbrojë nga zjarri, nëse ne e ndezim zjarrin brenda shtëpisë, apo nëse ndihmojmë që të shpërthejë zjarri brenda shtëpisë, apo nëse lëmë ndezur pajisje ngrohëse apo të tjera. Njëjtë, pra, ndodh edhe me rreziqet kibernetike. Firewalli-njeri e ka pikërisht këtë kuptim. Ndjesë për shpjegimin por nga përvoja mund të them që përgjithësisht është më se i nevojshëm. Alarmi nuk na mbron nga hajnat nëse ne ia hapim vetë derën apo dritaren.

Kohë më parë grupi iranian publikoi listat e të ardhurave të të gjithë shtetasve të Shqipërisë, më pas dolën edhe të gjitha të dhënat e tyre personale. Tani po dalin edhe të dhënat e policisë. Pati një ngarendje të jashtëzakonshme për t’i downloaduar dhe parë këto lista. E meqë po flasim për faktorin njeri, teorikisht të gjithë ata që i kanë downloaduar këta fajlla potencialisht mund të jenë hakuar edhe ata. Sepse dihet fare mirë që brenda formateve PDF dhe Excel mund të futet dhe maskohet fare lehtë kodi malinj.

Hakerët iranianë kishin pasur qasje për 14 muaj pa u hetuar fare, pra, e njëjta gjë mund të jetë duke ndodhur edhe me individët e hakuar përmes hapjes së këtyre fajllave (po e përsëris: teorikisht). Dhe këtu bëhet fjalë edhe për zyrtarë e edhe për njerëz të thjeshtë. Pra, është e nënkuptueshme që nevojitet një vetëdijesim dhe edukim për sigurinë digjitale.

Tek institucionet dhe shteti po se po, sepse edhe natyra e punës së tyre është më e ndjeshme. Por ka nevojë që edhe qytetarët e thjeshtë të pajisen me njohuri bazike për llojet e rreziqeve kibernetike, mënyrën se si shfaqen dhe kërcënojnë, si dhe njohjen e tyre për të mos u bërë viktima. Sepse, ky mund të jetë vetëm fillimi. Mund të pasojnë sulme të tjera të drejtuara drejt kompanive e organizatave, sidmos ato ransomware për të kërkuar haraç, ku ato që nuk i kanë marrë masat me kohë, ato që nuk kanë investuar në mbrojtje adekuate si dhe në vetëdijesimin dhe edukimin e të punësuarve do të kenë edhe më së shumti probleme. Kjo gjë më nuk mund të neglizhohet si deri më tani. Shpresoj që kjo të kuptohet nga drejtuesit e tyre para se të jetë vonë.

Një vetëdijesim dhe edukim për këto rreziqe duhet të bëhet edhe qysh herët nëpër shkolla, kur arsimtarët e TIK-ut duhet të trajnohen që t’i shpjegojnë këto dhe jo të dinë më pak se nxënësit e tyre e, qe besa, shpesh edhe të jenë viktimë e tyre pikërisht nga naiviteti dhe mosnjohja e aspekteve të sigurisë.

Bota qysh moti ka nisur investimet te faktori njeri. Është koha që edhe ne t’u bashkohemi.

Uh dhe mos të harroj, tani pak edhe për uiskin dhe birrën. Nëse keni arritur deri këtu me siguri e keni vërejtur që shkrimi s’ka fare të bëjë me këtë, por thjesht më duhej një titull për t’ju joshur që të lexoni shkarravitjen time :-).

E kam huazuar nga kënga e njohur blues e Amos Milburn dhe analogjia ka të bëjë më shumë me maninë që kanë shumica e njerëzve që sapo ulen në kafene apo restorant, apo edhe në plazh e gjetiu, gjëja e parë që kërkojnë sapo afrohet kamerieri është passwordi i wirelessit dhe më pas porosisin si me ritual, pra një password, një kafe, një ujë. Për sigurinë tonë, duhet të angazhohemi të gjithë dhe të japim kontributin tonë. Kontributi im modest do të jetë që përmes kësaj hapësirë (sa herë të më vijë radha për të shkruar) të mundohem t’jua shpjegoj disa prej rreziqeve.

[email protected]