OpEd

Pse Ukraina po i refuzon aleatët e saj natyrorë?

Tani që Lukashenko po e përgatit mobilizimin e fshehtë dhe po e lejon Rusinë t’i përdorë bazat e saj ushtarake dhe fushat ajrore për të nisur sulmet ndaj Ukrainës, Qeveria Zelenskyy duhet të konsiderojë përfundimin e marrëdhënieve diplomatike me të dhe ta njohë qeverinë e formuar së fundmi të Tikhanovskayas në mërgim. Ky do të ishte shembull për qeveritë e tjera dhe do t'i jepte goditje të madhe Lukashenkos

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, intelektuali polak i mërguar në Paris, Jerzy Giedroyc, (me origjinë nga Lituania, i lindur në Minsk) e shpiku frazën që do ta përcaktonte politikën e jashtme të Polonisë karshi fqinjëve të saj lindorë: “Nuk do të ketë Poloni të pavarur pa Bjellorusi, Lituani dhe Ukrainë të pavarura”.

Që nga rënia e komunizmit ka qenë një përcaktim i besimit diplomatik në Varshavë. Patriotët ukrainas, të cilët frymëzuan politikat aktuale të Ukrainës, kanë menduar në mënyrë të ngjashme. Edhe nëse Ukraina i çliron plotësisht territoret e saj të pushtuara nga Rusia, polakët dhe ukrainasit nuk do të ndihen përnjëmend të sigurt për sa kohë që diktatori i vjetër i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, e vazhdon keqqeverisjen e tij. Prandaj, aleanca midis administratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe opozitës bjelloruse duket e natyrshme. Fatkeqësisht, asgjë e tillë nuk është shfaqur.

Në vend të kësaj, disa liderë ukrainas kanë refuzuar partnerët e mundshëm. Mendoni për reagimin e Mykhailo Podolyakut, këshilltar i rëndësishëm i Zelenskyyt, pas lajmit se Çmimi Nobel i Paqes i këtij viti do të ndahej mes mbrojtësit bjellorus të të drejtave të njeriut, Ales Bialiatski, nga organizata ruse “Memorial” dhe Qendrës Ukrainase për Liritë Civile. Ai shkroi në Twitter: “Komiteti Nobel ka një kuptim interesant të fjalës ‘paqe’ nëse përfaqësuesit e dy vendeve që sulmuan një të tretë marrin Çmimin Nobel së bashku. As organizatat ruse dhe as ato bjelloruse nuk ishin në gjendje ta organizonin rezistencën ndaj luftës.

Një marrëzi e këtillë vetëm mund ta dëmtojë kauzën e Ukrainës. Larg nga të qenët “përfaqësues” i Rusisë së Putinit, organizata “Memorial” - e cila u themelua për t’i zbuluar krimet e epokës komuniste - u mbyll nga Kremlini vitin e kaluar. Dhe organizata e Bialiatskit, “Viasna”, ka luftuar kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut të diktaturës Lukashenko për më shumë se dy dekada. Vetë Bialiatski ka qenë i mbyllur në një burg bjellorus për më shumë se një vit. A duhej ta kishte organizuar bllokun e qelive për ta kundërshtuar pushtimin e Rusisë?

Deklarata përçarëse e Podolyakut e ilustron fenomenin më të gjerë që mund të ketë pasoja të gjera: tensionet në rritje midis ukrainasve dhe bjellorusëve, dy popuj që i janë nënshtruar prej kohësh shtypjes ruse. Çështja është ndjenja në rritje e epërsisë së ukrainasve. Teksa ukrainasit rrëzuan një president të rreshtuar nga Rusia në vitin 2014, bjellorusët nuk arritën ta rrëzonin Lukashenkon pas zgjedhjeve të dyshimta në vitin 2020; dhe protestat në fillim të luftës u shtypën shpejt nga forcat e sigurisë.

Mirëpo kjo kritikë është e padrejtë. Ndryshe prej Ukrainës, opozita bjelloruse nuk e ka pasur kurrë gjysmën e vendit në duart e saj, as ndonjë lloj kontrolli mbi qeveritë lokale apo Parlamentin. Demokracia bjelloruse ka qenë mashtrim për më shumë se një çerekshekulli. Lukashenko ka ndërtuar shtet totalitar në vend të tij. Ishte mrekulli që bjellorusët arritën të organizonin protesta masive në vitin 2020.

Në vend që ta nderojnë atë moment të guximshëm dhe t'i motivojnë bjellorusët të mbijetojnë dhe të ngrihen përsëri, kur rrethanat bëhen më të favorshme, disa ukrainas, si Podolyaku, i akuzojnë ata si mashtrues ose konformistë. Jashtë vendit, refugjatët nga Bjellorusia po trajtohen si rusë, gjë që përbën një shtypje të të shtypurve.

Përbuzja e tillë për bjellorusët nuk është vetëm imorale; është marrëzi politikisht. Ukrainasit, polakët dhe të tjerët në të gjithë rajonin duhet të qëndrojnë në krah të opozitës bjelloruse dhe ta mbrojnë çlirimin e vendit.

Siç thekson politikani i opozitës bjelloruse, Pavel Latushka, tri regjimente vullnetarësh bjellorusë kanë luftuar kundër rusëve në Ukrainë dhe disa kanë vdekur atje. Bjellorusët gjithashtu kanë sabotuar linjat hekurudhore të vendit të tyre për t’i penguar dërgesat e furnizimit me ushtrinë ruse. Kur kapen, ata marrin dënime deri në 16 vjet burg. Pse t'i largoni këta aleatë?

Para pushtimit të Rusisë, Qeveria ukrainase nuk donte ta irritonte Lukashenkon, sepse Bjellorusia ende nuk i kishte njohur “republikat popullore” separatiste të Donetskut dhe Luhanskut, të mbështetura nga Kremlini. Kjo ishte arsyeja pse Ukraina nuk iu bashkua sanksioneve të vendosura ndaj regjimit të Lukashenkos, pasi rrëmbeu aeroplanin e udhëtarëve për ta arrestuar gazetarin Roman Protasevich.

Asnjë vend nuk donte armiqësi të hapur. Por ato ditë kanë kaluar me kohë dhe duhet pyetur pse ekipi i Zelenskyyt nuk e ka ftuar fituesen e vërtetë të zgjedhjeve bjelloruse të vitit 2020, Svetlana Tikhanovskaya, për t'u solidarizuar me ta në Kiev.

Tani që Lukashenko po e përgatit mobilizimin e fshehtë dhe po e lejon Rusinë t’i përdorë bazat e saj ushtarake dhe fushat ajrore për t’i nisur sulmet ndaj Ukrainës, Qeveria Zelenskyy duhet të konsiderojë përfundimin e marrëdhënieve diplomatike me të dhe ta njohë qeverinë e formuar së fundmi të Tikhanovskayas në mërgim. Ky do të ishte shembull për qeveritë e tjera dhe do t'i jepte goditje të madhe Lukashenkos, i cili në fakt po e fillon luftën e tij të plotë me Ukrainën. Zelenskyy dëshiron që pjesa tjetër e botës ta shpallë Rusinë shtet terrorist; ai duhet të kërkojë të njëjtën gjë për diktaturën e Lukashenkos. Nëse Lukashenko dërgon trupa në Ukrainë, lutjet e opozitës bjelloruse për t'u dorëzuar do të jenë shumë të rëndësishme.

Për fat të mirë, zërat në shtypin ukrainas po shtyjnë që Qeveria ukrainase ta ndryshojë pozicionin e saj të pakuptueshëm.

“A do të fillojë Kievi të komunikojë me Svetlana Tikhanovskaya të paktën ndonjëherë?”, pyet një editorial i European Pravda. “Ajo është bërë simbol i opozitës bjelloruse ndaj të gjithë botës dhe Kievi e injoron në mënyrë të dukshme”.

Në mënyrë të ngjashme, Bohdan Yaremenko, deputet ukrainas, shkruan: “Përpara nesh është një dritare mundësie për ta mbrojtur veten dhe për të ndihmuar në rivendosjen e lirisë së popullit tonë vëlla, përfaqësuesit e të cilit mbrojnë vullnetin ukrainas në të njëjtin rend beteje si ukrainasit”.

Ndoshta fjalët e padrejta të Podolyakut do ta tronditin dikë në Qeverinë e Zelenskyyt për ta njohur dëmin që i bëhet kauzës së Ukrainës, duke përçmuar opozitën bjelloruse. Për sa kohë që Bjellorusia mbetet e nënshtruar ndaj Rusisë, Ukraina do të jetë në rrezik, edhe nëse ia del t’i dëbojë rusët nga territori i saj. Duke e refuzuar Tikhanovskayan, Qeveria e Zelenskyyt rrezikon që t’i dëmtojë marrëdhëniet e Ukrainës me Bjellorusinë e lirë në të ardhmen. Askush nuk ka nevojë për ndarje të tilla midis aleatëve natyrorë – përveç Kremlinit, natyrisht.

(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).