OpEd

Pse transparenca është rubineti ku ndalet korrupsioni te lejet ujore?

“Dielli është dezinfektuesi më i mirë; poçat elektrikë janë policët më të mirë”. Kështu e filloi artikullin e tij gjyqtari nga SHBA-ja, Louis Brandeis kur në vitin 1913 përpiqej të argumentonte se e vetmja mënyrë për t’i luftuar monopolet dhe praktikat korruptive të korporatave të mëdha ishte të kërkohej më shumë transparencë dhe më shumë hapje të informatave. Natyrisht, ky artikull citohet gjithandej nga studiuesit e shkencës politike për të theksuar rolin e transparencës në qeverisje dhe luftën kundër korrupsionit. Por, kur morëm lajmin për arrestimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Ujore dhe hetimet e prokurorisë, menjëherë na shkoi mendja: “ja pse s’hapen të dhënat!“

Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Ujore është organi kryesor përgjegjës për menaxhimin e burimeve ujore në nivel kombëtar, duke garantuar cilësinë dhe sasinë e ujërave të mjaftueshme për një përdorim të qëndrueshëm dhe të baraspeshuar. Ky institucion përmbush një mision jetik, jo vetëm në ruajtjen e burimeve ujore, por edhe në mbrojtjen e shëndetit publik dhe promovimin e zhvillimit social-ekonomik të Kosovës. Për të realizuar këtë vizion, Autoriteti ka kompetenca të gjera në planifikimin e menaxhimit të pellgjeve lumore, përcaktimin e zonave erozive dhe kufijve të pellgjeve, si dhe mbikëqyrjen e procedurave për dhënien e lejeve ujore dhe koncesioneve. Pra, transparenca në veprimtarinë e këtij institucioni është thelbësore, pasi mungesa e saj krijon hapësirë për keqpërdorim dhe dobëson besimin e publikut. E megjithatë, transparencë nuk ka!

Udhëzimi Administrativ 03/2018, i cili rregullon procedurat për lëshimin e lejeve ujore në Kosovë, përmban kërkesa të qarta mbi inspektimet në terren dhe përgatitjen e raporteve inspektuese si pjesë thelbësore e këtij procesi. Paragrafi 5 i nenit 15 specifikon se, krahas shqyrtimit të dokumentacionit, personi i autorizuar duhet të kryejë një inspektim në terren, përmes të cilit vlerësohet situata faktike në lidhje me përputhshmërinë me dokumentacionin e dorëzuar nga operatori. Sidoqoftë, këto raporte inspektimi që rezultojnë nga vizitat në vend nuk janë publike për qytetarët, duke krijuar një hendek të qartë të transparencës.

Në vitin 2023, janë lëshuar afro nëntëdhjetë leje ujore, një shifër domethënëse që flet për dinamikën dhe kërkesën e lartë për shfrytëzimin e resurseve ujore. Pavarësisht këtij numri, mungesa e publikimit të raporteve të inspektimit e bën të vështirë vlerësimin e përputhshmërisë së operatorëve me kriteret e përcaktuara. Për më tepër, kohëzgjatja e procesit për marrjen e lejes ujore është e ndryshme për çdo aplikues, me raste që variojnë nga një ditë deri në mbi 600 ditë për të njëjtën leje. Pra, për disa leja kryhet brenda pak orësh apo ditësh, e për disa kjo merr vite. Ky variacion në kohë pritjeje hedh dyshime mbi drejtësinë dhe konsistencën e procesit, dhe mungesa e një platforme të qasshme online për këto të dhëna e bën të vështirë për qytetarët apo organizatat të shohin rrjedhën e procesit, raportet e inspektimit, arsyetimet, kërkesat etj. 

Platforma Shtetërore për Menaxhimin e të Dhënave për Ujërat dhe Burimet Ujore Nacionale, e krijuar për të adresuar pikërisht këtë nevojë për transparencë, aktualisht mbetet e kufizuar në përmbajtje. Edhe pse në hartën interaktive janë shënuar zona të ndotjes dhe zonat ku janë lëshuar leje ujore, mungojnë detaje si kapacitetet ujore, rezultatet e inspektimeve, dhe raportet përkatëse që do të ofronin një pamje më të plotë dhe transparente të gjendjes. Publikimi i këtyre raporteve dhe sigurimi i qasjes së lehtë në to, jo vetëm që do të përforconte besimin dhe pjesëmarrjen e publikut, por do të kontribuonte edhe në rritjen e llogaridhënies së operatorëve. Në fund të fundit, pa ndriçimin e informacioneve të plota dhe të qasshme, sfidat në administrimin e lejeve ujore dhe mbrojtjen e resurseve ujore do të mbeten të vazhdueshme për sektorin. 

Transparenca ndihmon edhe në adresimin e problemit të resurseve humane. Krahas pak zyrtarëve me shumë përgjegjësi të tjera, në një mjedis transparent, i gjithë publiku përfshihet dhe kontribuon në identifikimin e mangësive dhe luftimin e keqpërdorimeve. Transparenca po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në çdo aspekt të qeverisjes dhe menaxhimit të resurseve. Ajo është shtyllë e kritereve të integrimit, e kritereve të reformës në administratë publike dhe bazë e luftimit të korrupcionit. Pa qasje të qartë dhe të plotë në informata, në dokumente dhe raporte të inspektimit dhe pa një platformë funksionale ku qytetarët dhe organizatat mund të monitorojnë përputhshmërinë dhe performancën e operatorëve, përpjekjet për një menaxhim të drejtë dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore mbeten të mangëta. 

Transparenca nuk është thjesht një term teknik; ajo përfaqëson mbrojtjen e interesit publik, parandalimin e abuzimeve, dhe një garanci për të ardhmen e resurseve të çmuara ujore të Kosovës. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e ligjshmërisë është destinimi. Hapja e të dhënave është rruga. Rruga që kërkon “drita të ndezura”!

Autori është drejtor i Programit dhe Hulumtues i Lartë në INDEP (Instituti për Politika Zhvillimore)

(Ky publikim, i paraprin implementimit të projektit CorrWatch: "Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës", mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e këtij punimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese)