OpEd

Pse thjeshtë, kur mundet komplikueshëm

Me gjysmën e gushtit tashmë të kaluar, po vjen viti i ri shkollor. Dhe përsëri, ministrja e Arsimit tha se edhe këtë vit prindërit që i blejnë librat do të rimbursohen po që se aplikojnë në portalin shtetëror e-Kosova. Megjithëqë kjo metodë e subvencionimit të librave vitin e kaluar u dëshmua si mënyrë joefikase dhe me plot të meta, ministrja e Arsimit paska vendosur që ta përsërisë edhe një herë këtë metodë, në vend që Qeveria t’i paguajë ata libra në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe që nxënësit e klasave I-IX t’i marrin falas në shkollë. Por, pse të bëhen gjërat thjeshtë kur mundet në mënyrë të komplikuar

Edhe një javë kaloi dhe ajo u dominua nga tema e hapjes së Urës së Ibrit. Temat e tjera ranë nën hijen e kësaj teme “të madhe,” që po e vendos Kosovën në thumb të kritikave ndërkombëtare e të reagimeve e kundërreagimeve nga qeveritarët e Kosovës. Duke qenë se është shkruar mjaft lidhur me këtë temë, duke përfshirë edhe në dy shkrimet e mia këta dy muajt e fundit, sot do t’iu rrekem temave të tjera të cilat janë po aq të rëndësishme për zhvillimet në Kosovë, por që, ja, nuk e kanë vëmendjen që e meritojnë, sepse në krahasim me Urën dhe reagimet e kundërreagimet, nuk janë aq interesante sa tema e hapjes së Urës së Ibrit.

Me gjysmën e gushtit tashmë të kaluar, po vjen viti i ri shkollor. Dhe përsëri, ministrja e Arsimit tha se edhe këtë vit prindërit që i blejnë librat do të rimbursohen po që se aplikojnë në portalin shtetëror e-Kosova. Megjithëqë kjo metodë e subvencionimit të librave vitin e kaluar u dëshmua si mënyrë joefikase dhe me plot të meta, ministrja e Arsimit paska vendosur që ta përsërisë edhe një herë këtë metodë; në vend që Qeveria t’i paguajë ata libra në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe që nxënësit e klasave I-IX t’i marrin falas në shkollë. Por pse të bëhen gjërat thjesht kur mundet në mënyrë të komplikuar. Ministria e Arsimit të vetmen gjë që e ka reformuar është mënyra e subvencionimit të librave dhe atë në mënyrë të gabuar. Asnjë politikë që përmirëson cilësinë e arsimit dhe kushtet e punës për punonjësit e arsimit dhe për nxënësit. Si duket, gjëja e vetme që ka përparuar në këtë ministri është burokracia. Edhe komunat po bëjnë më shumë përpjekje për të reformuar arsimin. Për shembull, ishte inkurajues një lajm në të cilin raportohej se Komuna e Prishtinës do të pilotojë mësimin tërëditor në pesë shkolla të kryeqytetit. Ministrisë së Arsimit nuk i kanë mjaftuar as katër vjet që ta bëjë një reformë domethënëse në sistemin arsimor të Kosovës.

Mirëpo, ta lëmë me kaq, sepse të flitet për dikasteret e Qeverisë së Kosovës mbase është herët, sepse ende nuk kemi hyrë në fushatë zgjedhore. Ndryshimi në mes të arsimit dhe dikastereve të tjera është se kjo ministri e fiton vëmendjen e shtuar me çdo fillim të vitit shkollor. 

Tema e zgjedhjeve sa u hap, disi u hesht. Kjo me gjasë për shkak të mospjesëmarrjes së liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në konsultimet me presidenten e Kosovës lidhur me datën e zgjedhjeve, të cilat, për herë të parë që prej pavarësisë, Kosova po i mban në afat të rregullt 4-vjeçar. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shprehur publikisht ende asnjë qëndrim lidhur me datën e zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit të vitit 2025. Në një prononcim për media, derisa po i shkruaj këta rreshta, presidentja Osmani tha që përmes një letre të liderit të LVV-së, Albin Kurti, kjo parti ia ka shprehur asaj preferencën e vet për datën e zgjedhjeve. LVV-ja i sheh këto zgjedhje si formalitet që do t’ia sigurojë kësaj partie edhe një mandat me shumicë parlamentare, sikurse në vitin 2021, por nuk janë të disponuar për një fillim të hershëm të fushatës zgjedhore, kur do të jenë në thumb të kritikës opozitare dhe jo vetëm. Sidoqoftë, presidentja e shtetit është brenda afatit kushtetues, sepse ka kohë deri në fund të shtatorit që të shpallë datën e zgjedhjeve. Atëherë pritet edhe një gjallërim i politikës së brendshme, e cila ka rënë nën hijen e problemeve të tjera. 

Sa për t’i informuar lexuesit, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ato nuk mbahen më herët se 60 ditë dhe më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës është konstituar më 22 mars 2021, që e bën datën e zgjedhjeve të jetë e mundshme përafërsisht prej 19 janarit deri më 16 shkurt. 

Përveç zgjedhjeve të Kosovës, në nëntor mbahen edhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Gjatë këtij viti, në cilësinë e liderit partiak, kryeministri i Kosovës ndërhyri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, në zgjedhjet parlamentare franceze, e kështu me radhë. Jam kureshtar ta di se a do ta bëjë të njëjtën ndërhyrje edhe në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke iu treguar votuesve me prejardhje shqiptare se për kë të votojnë. Nëse e bën këtë gabim përsëri, ai do të bëjë thirrje që votuesit shqiptaro-amerikanë të votojnë për Kamala Harrisin, sikurse iu bëri thirrje para katër vjetësh që të votojnë për Joe Bidenin. Megjithatë, çështja është se duke qenë që zgjedhjet në Kosovë mbahen vetëm 2-3 muaj pas zgjedhjeve amerikane, a do të rrezikojë Kurti kësaj radhe? 

Një ndërhyrje e tillë, jo vetëm që tregon mosrespekt për shtetin mik, do të mund të ishte edhe fatale për rezultatin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje nëse në krye të SHBA-së vjen përsëri Donald Trumpi. Si do t’i dukej Kurtit nëse politikanë të qendrës së djathtë, siç janë Sholtzi dhe Macroni apo ndonjë tjetër nga Bashkimi Evropian, të shprehin preferencat e tyre për partitë e caktuara në Kosovë? Apo që nga Shtëpia e Bardhë e nga Departamenti i Shtetit të vinin porosi për votuesit kosovarë se për kë të votojnë? 

Kjo është pyetje hipotetike, sepse ka pak gjasa që të ndodhë një gjë e tillë. Albin Kurti është njëri nga politikanët shumë të rrallë që i jep vetes të drejtën që të ndërhyjë në zgjedhjet e shteteve të tjera, por kjo mund t’i kthehet bumerang, dhe atë hiç më vonë se në fillim të vitit 2025, kur mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Në fund diçka për opozitën, e cila e ka rastin që gjatë fushatës zgjedhore të mobilizohet dhe të ashpërsojë kritikat e saj për qeverisjen Kurti në mënyrë të argumentuar. Partitë opozitare mund të hyjnë në zgjedhje si një bllok politik apo në mënyrë individuale. Me gjasë, edhe kësaj radhe, ato nuk do të hyjnë në koalicion parazgjedhor, por do të presin rezultatet e tyre individuale dhe të marrin vendimet për atë se a do të mbeten në opozitë apo do të hyjnë në koalicione paszgjedhore. 

Opozita në Kosovë është e fragmentuar. Partitë opozitare nuk kanë arritur të krijojnë një identitet të ri të vetin, edhe pse dalja e fuqishme në skenë e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2021 ua ka imponuar një gjë të tillë. Pa krijim të një identiteti të ri, as LDK, as PDK e as AAK nuk mund të presin rritje të votës nga qytetarët. Një mënyrë për të krijuar një identitet të vetin është edhe krijimi i një opozite të bashkuar, e cila do të ringjallte opozitarizmin dhe do të krijonte një front të përbashkët rreth të cilit do të mblidheshin qytetarët të cilët nuk e mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje. Por, sipas të gjitha gjasave, një proces i tillë i mundshëm nuk ka gjasa të ndodhë as kësaj radhe, edhe pse mund të jetë mënyra e vetme për të zvogëluar ndikimin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore.