OpEd

Pse po na ndjek e kaluara?

Zhurma e gjeneratorëve, baneri “Liria ka emër”, “Zajednica” dhe humbja e kujtesës së Gabriel Garcia Marquezit

1.

Çdo ditë në Kosovë është aq e mbushur me vështrim nga e kaluara, saqë duket si një orë kolektive historie.

Në rrugët e qyteteve tash dëgjohen gjeneratorët dhe kjo menjëherë nxjerr jo vetëm përkujtimin e ditëve të errëta menjëherë pas luftës, por edhe debatin historik se kush dhe kur ka mundur ta zgjidhë krizën energjetike, por nuk e bëri këtë.

Në ndërtesën e Radio Prishtinës (po e përdor në këtë kontekst rikujtimi edhe emrin historik të godinës) valon baneri “Liria ka emër”, një pjesë e fushatës dedikuar mbrojtjes së komandantëve të UÇK-së, të akuzuar nga Gjykata Speciale.

Në lajme përsëritet nga zyrtarë e diplomatë evropianë një frazë latine “Pacta sunt servanda”, që duhet të përkujtojë zyrtarët kosovarë se kanë obligim ta themelojnë Bashkësinë e komunave serbe, ashtu siç janë zotuar në Marrëveshjen e Brukselit më 2013 (dhe me ratifikimin e dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës).

Në sferën publike tashmë kemi në formë të thjeshtësuar një debat i cili po bartet me vite e dhjetëvjetësh, një debat i cili do të korrigjojë apo jo luftën dhe pasluftën; një debat i cili po na tregon se “po të ishim dëgjuar para 15 vjetësh, sot do të kishim rrymë”, se “pastërtinë e luftës së UÇK-së nuk mund ta njollosë kush” dhe se “çdo gjë që kemi nënshkruar ka qenë në përputhje me Kushtetutën”.

2.

Diskursi publik për të kaluarën ka meritën e vet. Në rastin e krizës energjetike është indikator i një kontinuiteti jokompetence, korrupsioni dhe mungese vizioni - të ndara veç e veç apo të bëra bashkë. Që nga qeveria e parë e Kosovës deri më sot ka munguar plani strategjik për sigurinë energjetike e në mungesë të planit, ka pasur projekte ad-hoc. Njërin prej këtyre projekteve arriti të ma shpjegonte një ministër i Qeverisë së Kosovës i cili nga një diplomat amerikan, më përshkruhej si “i vetmi zyrtar në karrierën time me të cilin pasi të takohem, kontrolloj se a e kam në xhep kuletën”. Një projekt tjetër, i mbushur me klauzola korruptive e të dëmit strukturor financuar ndaj Kosovës, u paraqit nga Qeveria Haradinaj dhe për fat të mirë, nuk eci tutje. Një projekt tjetër iu ofrua Kosovës nga kancelarja gjermane, Merkel, dhe nuk u bë kush i gjallë nga Qeveria e atëhershme Mustafa për ta përqafuar si një zgjidhje që do të shfrytëzonte infrastrukturën e tanishme të termocentraleve dhe më 2022 ta bënte vendin të gatshëm, jo vetëm të ketë energji të mjaftueshme, por të përgatitet në kushtet e sigurisë energjetike për dekarbonizim dhe për burime të ripërtëritshme.

Në vend të projekteve zhvillimore, Qeveria e Thaçit zgjodhi që në një proces që kundërmon me korrupsion t’ua shesë KEDS-in investitorëve nga Turqia. Sot, kjo kompani nuk arrin të përmbushë obligimin e vet kontraktual me shtetin, t’i furnizojë qytetarët me energji.

3.

Jo, debati që kthen kokën prapa nuk do të sigurojë energji elektrike.

Gjegjësisht, do të krijojë aq energji elektrike, sa do të ndryshojë gjendjen e të akuzuarve në Hagë baneri në Radio Prishtinë me emblemën e UÇK e me fjalët “Liria ka emër”. Të konstatosh se korrupsioni dhe mungesa e vizionit prodhuan gjendjen e tanishme me energji mund të jetë pjesërisht e vërtetë apo tërësisht e vërtetë, por nuk do të gjenerojë asnjë kilovat/orë më shumë. Të konstatosh se pjesëtarët e UÇK-së të akuzuar në Hagë kishin mision lirinë e Kosovës nuk është argument i mjaftueshëm që do t’i lirojë nga akuza se kanë përdorur dhunën për të dominuar skenën ushtarake-politike kundrejt forcave të tjera politike a të armatosura shqiptare në Kosovë.

Dhe, të konstatosh se papërgjegjësia e politikës së dhjetëvjetëshit të kaluar krijoi një obligim që godet thellë sistemin kushtetues të vendit nuk e liron politikën e sotme që të merret me të.

Atëherë, pse kjo vëmendje nga e kaluara? Për shkak se beteja për të kaluarën është në fakt betejë për të sotmen dhe nesërmen.

E kaluara nuk do të prodhojë asnjë kilovat/orë, por pa e konstatuar se korrupsioni, mungesa e vizionit dhe jokompetenca prodhuan pasigurinë energjetike të tanishme të Kosovës nuk do të jetë e mundur kthesa, e cila duhet të krijojë siguri energjetike nëpërmjet vizionit të qartë, kompetencës operative dhe duarve të pastra në projektim e prokurim publik.

Përsëritja e frazës se “lufta e UÇK-së ishte e pastër” nuk do t’i lirojë komandantët e akuzuar në Hagë. Por, ajo që do të jetë e nevojshme për të ruajtur pastërtinë e emrit të UÇK-së është dëshmia se nuk ka ekzistuar një projekt politik a urdhër që të ketë angazhuar ushtarët e UÇK-së si palë kundërshtare ndaj forcave politike e ushtarake të tjera shqiptare të Kosovës. Dhe, se edhe po të ketë pasur përpjekje të këtillë, kjo nuk mund t’i përvishet UÇK-së si organizatë e në tërësi.

Dhe të konstatosh se H. Thaçi bëri gabim të rëndë në negociata më 2013 nuk e liron Kosovën nga pasojat e këtij gabimi. Por, pa e konstatuar thellësinë e gabimit, me të cilin u solidarizuan dy të tretat e parlamentit të Kosovës, nuk mund të tejkalohet pasoja. Gjegjësisht, nuk mund të ndërtohet një konsensus i ri brenda Kosovës se si të tejkalohen pasojat e gabimit.

4.

Po, edhe unë jam ithtar që të mendohet tej fajësimeve dhe mësimeve nga e kaluara; pra të mendohet për të tanishmen dhe natyrisht të ardhmen.

Por, sa për rikujtim për peshën e së kaluarës, më ra në dorë libri i kujtimeve të të birit të Gabriel Garcia Marquezit, Rodrigos, i cili kur u pyet nga një mike se si po e kalonte i ati me humbjen e kujtesës (G.G. Marquez qe i sëmurë nga dementia për disa vjet) i tha se “ai jeton në mënyrë strikte në të tanishmen, i pangarkuar nga e kaluara, i papenguar nga pritshmëritë për të ardhmen”. Dhe shtoi fjalët që si ato më parë mund t’i hyjnë në punë Kosovës: “Parashikimi në bazë të përvojës paraprake, që besohet të ketë domethënie evolucionare (...) nuk loz më rol në jetën e tij”.