Kosova nuk mund të jetë pjesë e narracionit të tifozërisë në konfliktin izraelito-palestinez
1.
U bë më shumë se një javë që lexoj porosi të ndryshme publike të njerëzve që njoh lidhur me konfliktet e ripërsëritura në Izrael e territore të pushtuara palestineze dhe shënova së paku tri narracione të ndryshme. I pari ishte thjeshtësimi, madje thjeshtësimi deri në banalitet, i cili mbase del në pah në kulturën e re të rrjeteve sociale që shumë shpejt kalojnë prej shprehjes së mendimit në taborre tifozërie. Me shpejtësi të madhe, Izraeli në aksionet e fundit bëhet “i miri” mbase sepse është shtet i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është aleati kryesor në regjion i shpëtimtarëve të Kosovës, SHBA-së, ndërsa palestinezët janë “të këqijtë”, sepse përfaqësuesit e tyre politikë e kanë përkrahur Serbinë në konfliktin me Kosovën.
Me po atë shpejtësi ndodhi edhe narracioni i dytë, ai i përshkallëzimit të polarizimit të skajshëm e të thjeshtësuar deri në banalitet që ndau opinionin në ata që duhet të mbrojnë Izraelin e kush nuk e bën këtë, është antiamerikan (që është ofendim i rëndë në Kosovë) dhe në ata që duhet ta mbrojnë kauzën palestineze dhe kush është kundër një qëndrimi të këtillë është islamofob (që po ashtu duhet të jetë një ofendim i rëndë në Kosovë).
Në rolin e pajtuesit pastaj doli narracioni i tretë, i cili pak a shumë formulonte me thjeshtësi e shpoti kritikën e vet: “Po, i kemi kryer punët tona në Kosovë – vaksinat, papunësia, varfëria-e vetëm na ka mbetë edhe Izraeli me Palestinën”.
2.
Ndoshta ky narracion i tretë tregon ende eksplorimin e kundërthënieve e të qenit rishtas shtet i pavarur. Kur ke kaq shumë telashe si Kosova, në top-listën e prioriteve të vendit, Izraeli e palestinezët duken të largët. Por, kur je shtet i pavarur, ke detyrim marrjeje të qëndrimit ndaj një konflikti të këtyre përmasave. Dhe, qëndrimi që mori zyrtarisht vendi përmblidhet me një fjali me diçka si “na vjen keq për viktimat, por Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga Hamasi dhe dy mijë raketat që i ka lansuar drejt qyteteve izraelite”. Formulimi i këtillë është, thënë më së buti, tautologji - pra është më se evidente që çdo shtet ka të drejtë të mbrohet prej sulmit edhe pa ia dhënë atë leje Kosova - e në rastin më të keq tifozëri e rrjeteve sociale. Në tifozëri, ne bëhemi zë i luftës sikur në rrjete sociale ku jeton narracioni, pa shpjegim konteksti, se Izraeli si palë e rrezikuar duhet të reagojë kundër raketave të Hamasit. Fundja, një raketë e drejtuar kundër cakut të padefinuar, pra civil, siç po ndodh me ato të krahut ushtarak të lëvizjes Hamas, është krim lufte. Por, mungon shpjegimi tjetër, se krim lufte është edhe predha izraelite që duke u drejtuar kah caku ushtarak në formë të vetëdijshme merr jetë civilësh. Çdo i katërti palestinez i vrarë në këtë rund luftimesh është fëmijë. Ky disbalans në viktima mes izraelitëve e palestinezëve nuk është i rastësishëm, është produkt i raportit mes shtetit okupues dhe të okupuarit.
Madje, po të zhytemi edhe më thellë në cinizmin e kësaj lufte, do të shohim se si dy palët, kryeministri i Izraelit dhe krahu ushtarak i Hamasit bëjnë të njëjtë gjë duke luftuar për pozicionet e tyre politike. Siç do të shkruajë njohësi i mirë i regjionit, T. Friedman i “The New York Times”, kryeministri Netanyahu me luftë kundër Hamasit po përpiqet të mbetet në pushtet dhe të mos ballafaqohet me burg për korrupsion, ndërsa Hamasi po përpiqet që me raketa nga Gaza të tregohet si forca e vetme mbrojtëse e palestinezëve, duke diskredituar edhe më autoritetin e Autoritetit palestinez, OÇP-së së moçme në Bregun Perëndimor.
3.
Qëndrimi i Kosovës me siguri nuk ka pasur nevojë të hyjë as në cinizmin e kësaj lufte e të japë shpjegime sikur Friedman, e as në tifozërinë e rrjeteve sociale për të treguar se sa pro-izraelitë (rrjedhimisht pro-amerikanë) jemi. Qëndrimi i Kosovës ka mundur të ndërtohet prej një kuptimi më të thelluar, por megjithatë, njëkohësisht të thjeshtë se kjo që po shohim sot në Izrael është një konflikt i papërfunduar dhe pjesë thelbësore e tij është spastrimi etnik dhe okupimi. Nga viti 1948, përderisa arabët në regjion shprehnin rezistencë ndaj idesë për themelimin e shteteve të Palestinës dhe Izraelit në territorin e administruar nga Britania e Madhe, “brenda nja 18 muajsh forcat Cioniste shporrën mbi 700 mijë individë, apo mbi gjysmën e popullatës arabe të Mandatit të Palestinës”. Kështu shkruan shkrimtari, gazetari dhe profesori Peter Breinart, i cili sikur gazetari Thomas Friedman është hebrej amerikan.
Procesi i dëbimit të arabëve (palestinezëve të sotëm) është pothuajse i njëjtë me atë që kanë përjetuar popuj të ndryshëm evropianë gjatë shekullit XX, ku viktima janë popuj të gjuhëve e të besimeve të ndryshme fetare. Ja një përshkrim i P.Beinart:
“Trupat izraelite hynë në fshatin Eilaboun të Galilesë, me shumicë katolike e ortodokse. Sipas regjisorit palestinez, Hisham Zreiq, që për të rikonstruktuar ngjarjen përdori historitë gojore, dokumente izraelite dhe një raport të një vëzhguesi të OKB-së, trupat u pritën nga priftërinjtë që mbanin flamur të bardhë. Ushtarët e brigadës Golan u përgjigjën duke mbledhur fshatarët në shesh. Ata detyruan shumicën e fshatarëve që të largohen nga fshati e të nisen në veri, duke shërbyer si mburoja të gjalla forcave izraelite që u shkonin nga pas në rast se rruga ishte e minuar. Pasi detyruan fshatarët që të ecin tërë ditën me pak ushqim e ujë, ushtarët ua vodhën gjërat e vlefshme i hypën në kamionë dhe i dorëzuan përtej kufirit libanez. Sipas një dëshmitari okular, 12 meshkuj që u ndalën në sheshin e fshatit, u ekzekutuan në grupe prej tre vetash”.
Një rrëfim i këtillë është lehtë i kuptueshëm për çdo qytetar të Kosovës. Dhe i kuptueshëm në reagim automatik është përfundimi se drejtësi e paqe janë momenti kur ata fshatarë të Eilabounit kthehen në fshatin e tyre. Por, kjo nuk ka ndodhur, jo vetëm për këta fshatarë, por për 700 mijë të tjerët të dëbuar dhe pasardhësit e tyre. Shteti i posalindur i Izraelit e përligji këtë spastrim etnik që në nëntor të vitit 1948, pasi bëri regjistrimin e popullsisë dhe votoi Ligjin për pronën e të munguarve. Me të, prona e atyre që nuk u regjistruan konsiderohet si e hequr dorë nga ata. Në bazë të këtij ligji, palestinezët, qoftë brenda Izraelit, territoreve të okupuara apo në mërgim, nuk kanë të drejtë të rimarrin pronën e tyre.
Këtë ngjarje palestinezët e quajnë Nakba, kujtesa për katastrofën palestineze. Në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, poeti kombëtar palestinez, Mahmoud Darwish, shkroi nga shtrati i tij i vdekjes: “Nakba nuk është kujtesë; është një dëbim i përhershëm që i bën palestinezët të jenë më të brengosur për ekzistencën e tyre. Nakba vazhdon, sepse okupimi vazhdon. Okupimi i vazhdueshëm do të thotë vazhdim i luftës”.
4.
Herën tjetër që shteti i Kosovës reagon, duhet të ketë pak më shumë ndjeshmëri të qytetarëve të saj.
Qytetarët e Kosovës kanë përjetuar edhe luftën, edhe dëbimin nga shtëpitë, edhe kthimin në to. Dinë poashtu vlerën e jashtëzakonshme të paqes, asaj që jo vetëm përfundoi luftën, por krijoi kushtet që të përpiqemi të rindërtojmë jetët tona pa frikë për ekzistencën tonë dhe të familjarëve tanë.
Këtë vlerë, që e morëm edhe si një dhuratë të jashtëzakonshme solidariteti botëror, duhet t’ua dëshirojmë njerëzve që sot jetojnë nën ankthin e raketave e predhave, nga cilado anë të vijnë. Dhe atyre që, në fjalët e Mahmoud Darwish, jetojnë në ankthin e burgosjes së ndërsjellë:
“Okupatori dhe unë - që të dytë pësojmë nga ekzili. Ai është në ekzil brenda meje e unë jam viktimë e ekzilit të tij”.