Duhet sinqerisht dhe hapur të flitet edhe për përgjegjësinë e BE-së në dështimin e deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Më shumë se interes për të arritur normalizimin e plotë, BE-ja ka dëshmuar se preferon status quon. Përveç kërkesave të përsëritura ndaj Kosovës që “sa më shpejt” apo “pa vonesa të tjera” të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për asnjë gjë tjetër nga dialogu, BE-së nuk i ngutet. Dhe në këtë mënyrë kemi ardhur në situatën e çuditshme ku euroja konsiderohet si “presion për spastrim etnik”, ndërsa kërkesat për hapjen e një ure si “veprim i njëanshëm që çon kah destabilizimi i situatës”.
Nuk mund të pretendojmë se i dimë të gjitha gjërat, por gjasat janë që ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë të jetë e vetmja urë në një qytet në Evropë që ndan e jo që bashkon dy pjesë të një qyteti. Për shumë vjet, ajo urë vazhdon të simbolizojë ndarjen e një qyteti, por edhe të një shteti. Krejt kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Ka ndodhur me plane të Serbisë dhe të strukturave që ajo i kontrollon në Kosovë me qëllim që të mbajë një pozicion më të mirë në dialog, që do të duhej të ishte për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por Serbia e sheh si dialog për “çështjen e Kosovës”. Se përmes kontrollit të pjesës veriore të Kosovës, Serbia dëshiron ndarjen e Kosovës këtë nuk e ka fshehur asnjëherë Beogradi. I janë qasur këtij projekti duke menduar se do t’u hyjë në punë ajo që e quajnë “formula e shqiptarëve”.
Kjo “formulë e shqiptarëve” sipas tyre është përvoja se si shqiptarët e Kosovës, duke refuzuar që të jetojnë nën administrimin e Serbisë, fituan pavarësinë. Kështu menduan se duke refuzuar që të jetojnë në administrimin e “Prishtinës”, serbët në veri do të fitojnë një shkallë të lartë të autonomisë territoriale ose të jenë pjesë e Serbisë. Prandaj prej përfundimit të luftës e deri më sot, Serbia dhe strukturat e saj në Kosovë qëllimisht flasin për “okupimin e veriut”, për “dhunën dhe terrorin ndaj serbëve”, për “jetën në kushte të padurueshme”, ndërsa veprimet e Policisë së Kosovës në veri i paraqesin sikur të ishin invazion në territorin e një shteti tjetër. Nga kjo rrjedhin edhe krahasimet e asaj që regjimi i Millosheviqit i bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës me atë që sot kinse Kosova ua bënë serbëve. Krahasime të tilla janë, thënë thjesht, të pasakta ndonëse duhet kuptuar se serbët e Kosovës janë në një pozitë shumë të vështirë. Por nga ana tjetër nuk mund të fajësohet për këtë vetëm Prishtina. Serbët e dinë se një pjesë e madhe e dhunës ndaj tyre, sidomos ndaj atyre që kanë dashur të integrohen dhe normalizojnë raportet me fqinjët e tyre shqiptarë, ka ardhur nga strukturat serbe, përmes djegieve të veturave, shtëpive e deri te keqtrajtimi nga shërbimet e Serbisë kur e kanë kaluar kufirin.
Ministri i tashëm i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, që ka qenë edhe ministër i Jashtëm, edhe kryeministër, edhe shumë gjëra të tjera në Serbi, fliste para disa vitesh për “dy realitete në Kosovë”. Ai thoshte se “realiteti i parë është se Beogradi nuk e kontrollon pjesën më të madhe të Kosovës”, ndërsa realiteti i dytë se “Prishtina nuk e kontrollin veriun e Kosovës”. Prandaj, sipas tij, duhet të pranohen të dyja këto realitete.
Nuk ka pasur rezistencë të madhe nga bashkësia ndërkombëtare ndaj tentimeve të Serbisë për ndarje të Kosovës. Ndërsa Kosova, pa mbështetje të prerë ndërkombëtare, nuk ka pasur as fuqi që ta luftojë këtë sa duhet. Kosova prandaj ka bërë gabime duke kërkuar zgjidhje që do të akomodonte qasjen e Serbisë për “dy realitete” apo atë se “duhet një zgjidhje ku të dyja palët humbin diçka e asnjëra nuk fiton gjithçka”. Kjo për shkak se në Serbi është kuptuar se pavarësia e Kosovës sipas Ahtisaarit, është epilog në të cilin “shqiptarët kanë fituar gjithçka e serbët kanë humbur gjithçka”. Ata nuk merren fare me kompromiset që Kosova është dashur t’i bëjë për të fituar mbështetjen për pavarësi, ndonëse edhe këtu Kosova dhe Ahtisaari u tradhtuan nga BE-ja, e cila në fund nuk mbështeti Pakon e Ahtisaarit. Dhe si rrjedhojë nuk e mbështet sot as pavarësinë e Kosovës.
Ura mbi lumin Ibër është vetëm një simbol i vazhdimit të politikës për ndarjen e Kosovës. Simbol tjetër është pranimi i Kosovës që përtej asaj ure nuk do të dërgojë forcat e FSK-së pa pëlqimin paraprak të NATO-s. Tjetër simbol ka qenë përdorimi i valutës së dinarit, pastaj deri vonë edhe targat e veturave, funksionimi i shërbimeve të shtetit të Serbisë. Autoritetet e Kosovës kanë bërë veprime me të cilat kjo ka ndryshuar. Por në anën tjetër, Kosova ka pasur pasoja të mëdha për këto veprime. Sepse edhe BE-ja edhe SHBA-ja i kanë parë këto veprime si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”. Kosova si pasojë, ka sanksione nga ana e BE-së, të cilat as pas një viti nuk janë hequr edhe pse thuhej se janë “të kufizuara dhe të përkohshme”. Serbia ka bërë disa veprime destabilizuese po ashtu, por ajo nuk është sanksionuar. Sepse në Bruksel kanë vlerësuar se veprimet e Serbisë kanë qenë më shumë “reagim ndaj veprimeve të Kosovës”.
Autoritetet e Kosovës nuk do të kishin pasur nevojë t’i bëjnë veprimet që i kanë bërë sikur BE-ja të ishte më insistuese që të zbatohen obligimet nga marrëveshjet e dialogut. Sepse zbatimi i atyre marrëveshjeve, e sidomos i asaj të arritur në fillim të vitit 2023 që në fund mori emrin “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit” do t’i hiqte nga rendi i ditës të gjitha problemet teknike që nga përdorimi i valutës, hapjes së urës e deri tek integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Por BE-ja ka preferuar që të mos bëhet asgjë, në mënyrë që të mos prishet status quoja. Dhe për këtë ka fajësuar dhe vazhdon ta fajësojë Kosovën, sepse e konsideron kundërshtimin e themelimit të Asociacionit si shkaktar të të gjitha problemeve të tjera. Dhe përderisa Kosova të mos bëjë këtë hap për themelimin e Asociacionit nuk duhet pritur që BE-ja do të insistojë që Serbia të respektojë pjesët tjera të marrëveshjes.
Këtë e di Serbia, e ndoshta edhe i është thënë në kontakte direkte nga BE-ja, prandaj jo vetëm që kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por e bën këtë më shumë se kurdoherë më parë, edhe pse kjo është shkelje e qartë e marrëveshjes.
Duhet sinqerisht dhe hapur të flitet edhe për përgjegjësinë e BE-së në dështimin e deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Më shumë se interes për të arritur normalizimin e plotë, BE-ja ka dëshmuar se preferon status quon. Përveç kërkesave të përsëritura ndaj Kosovës që “sa më shpejt” apo “pa vonesa të tjera” të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për asnjë gjë tjetër nga dialogu BE-së nuk i ngutet. Dhe në këtë mënyrë kemi ardhur në situatën e çuditshme ku euroja konsiderohet si “presion për spastrim etnikë”, ndërsa kërkesat për hapjen e një ure si “veprim i njëanshëm që qon kah destabilizimi i situatës”.
Është vërtetë bizare se si BE-ja, e tash edhe SHBA-ja, ashpër qortojnë e madje edhe sanksionojnë Kosovën për veprimet për të cilat vet thonë se nuk i vënë në dyshim dhe se Kosova ka të drejtë legjitime t’i ndërmarrë. Por ja, nuk u pëlqen momenti, e as mënyra. Sipas tyre, nuk mund të bëhet asgjë pa koordinim, e ky koordinim nënkupton që të pyetet edhe Beogradi. Tash kemi situatën ku Beogradi do të duhej të jepte edhe lejen për hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, edhe për përdorimin e Euros si valutë në Kosovë, edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe gjërat tjera. Nuk ka sjellje më shumë evropiane sesa hapja për qarkullim e një ure, sesa sigurimi i lirisë së lëvizjes. Të gjitha këto janë vlera evropiane. Por ja se në Kosovë BE-ja nuk i preferon, dëshiron të mbahet një status quo. Kështu ura mbi Ibër është bërë simbol i dështimit të BE-së në Kosovë dhe në dialog. E praktikisht ajo nuk ka më aq shumë pasoja. Ajo, siç tha një politikan lokal, është vetëm beton ndërsa problemi është në kokat e njerëzve. Sepse disa qindra metra më larg veturat mund të kalojnë nga njëra anë e qytetit në tjetrën. Më së paku kjo urë e cila është e mbyllur për qarkullim i shkon për nderë BE-së, e cila ka harxhuar edhe miliona euro për kinse “revitalizimin e saj” dhe nuk ka bërë asgjë për 8 vjet që ajo të hapet. Por ka pranuar që hapja të konsiderohet sikur një “diversion i rrezikshëm”. E nëse BE-ja nuk është në gjendje të hapë një urë për tetë vjet, çfarë mund të pritet nga ajo në zgjidhjen e problemit madhor, e ai është normalizimi i vërtetë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë moment, ato raporte janë më pak normale sesa që ishin para se të thuhej se është arritur Marrëveshja. E për këtë duhet folur hapur edhe për përgjegjësinë që mban BE-ja.