Për zhvillim të qëndrueshëm dhe të përshpejtuar, fuqia e institucioneve është më e rëndësishme sesa marketingu politik. Në sektorin e mineraleve, Rregullatori funksional është jetik për mbikëqyrje të besueshme dhe efektive. Për tërheqje të kapitalit dhe komunikim ballëhapur me investitorët e huaj. E ardhmja e sektorit të ekonomisë dhe shtetit tonë nuk varet nga premtimet që bëjmë, por nga strukturat që ndërtojmë për t'i përmbushur ato!
Para pak ditësh, përfundoi vizita e delegacionit të Kosovës në Kanada, në konferencën më të madhe globale në sektorin e minierave dhe minerareve “Prospectors and Developers Association of Canada (PDAC)”. Anëtarë të delegacionit të gjerë të Kosovës konfirmuan se Kosova është vend atraktiv për investime dhe se mundësitë në sektorin minerar janë unike dhe të shkëlqyeshme. Duke lexuar deklaratat dhe duke parë glamurin e përfaqësimit të Kosovës, s’mund të mos e pyesja veten: Çka nëse njëri nga investitorët potencialë kërkon që t’i bashkohet delegacionit të Kosovës rrugës së kthimit për të kërkuar mënyra për investim në Kosovë? Do të gjente një mjedis të rrënuar rregullator ku organi rregullativ i minierave dhe mineraleve është jofunksional që nga viti 2022. S’mund të bëjë licencimin, s’mund të ushtrojë funksion të mirëfilltë mbikëqyrës dhe s’mund të kryejë shërbimet e nevojshme për palët e sektorit. Një gjendje që kërkon veprim të menjëhershëm!
Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM) luan një rol kyç në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbikëqyrjen e sektorit të minierave në Kosovë, siç përshkruhet në Ligjin për Minierat dhe Minerale. Me autoritet dhe përgjegjësi të gjerë në fushën e hulumtimit dhe shfrytëzimit të burimeve minerale në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Minierave, kompetencat e KPMM-së janë kritike për shfrytëzimin optimal të këtyre burimeve në të gjitha aktivitetet minerare. Fushëveprimi i tij rregullator përfshin lëshimin, transferimin, pezullimin dhe revokimin e licencave dhe lejeve minerare. Përveç kësaj, Ligji kërkon raportimin e menjëhershëm dhe të plotë të të gjitha aktiviteteve inspektuese dhe hetimore në lidhje me mbrojtjen dhe sigurinë e mjedisit tek Bordi i KPMM-së. Kështu, funksionaliteti i KPMM-së nuk është vetëm një kërkesë rregullative, por një gur themeli për avancimin e sektorit minerar të Kosovës. Është ai mekanizmi kritik që siguron se aktivitetet minerare janë të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe të përafruara me objektivat kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së mjedisit. Lënia jofunksionale e bordit të KPMM-së është së këndejmi edhe papërgjegjësi ndaj funksioneve shtetërore dhe detyrave rregullative që s’mund t’i kryej asnjë autoritet tjetër.
Për fat të keq, lënia e rregullatorëve dhe agjencive të pavarura pa borde nuk është problem i ri. Me vite të tëra, si shoqëri civile kemi kërkuar ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të bordeve në atë mënyrë që mandatet të jenë individuale dhe të mos skadojnë në të njëjtin vit: Të ndërtohet një sistem rotativ i plotësimit të vendeve vakante dhe të rishikohen e fuqizohen kriteret profesionale. Sidoqoftë, për shkak që, së paku nga perceptimi, bordet në diskursin tonë publik nuk shihen me sy të mirë, lënia e tyre jofunksionale nuk është që ngjall ndonjë urgjencë të theksuar. Përveç tek akterët e sektorit! Aty mungesa është e dhimbshme, e kushtueshme dhe me pasoja. Dëmet janë jo vetëm në mesazhin e keq që japim tek investitorët, por edhe te zhvillimi ekonomik kombëtar. Për shembull, gjatë vitit 2023, për shkak të mungesës së bordit janë:
Pezulluar gjithsejtë 141 licenca, prej të cilave:
Licenca për hulumtim: 17
Licenca për shfrytëzim: 50
Leje për aktivitete të veçanta: 74
308 aplikacione nuk janë shqyrtuar, prej të cilave:
Për hulumtim: 113
Për shfrytëzim: 55
Për aktivitete të veçanta: 140
69 ankesa kanë mbetur pa u shqyrtuar!
33 ndërmarrje/investitorë të huaj kanë ngelur pa përgjigje!
Këto shifra tregojnë qartë pasojat e boshllëqeve të qeverisjes brenda sektorit minerar të Kosovës për shkak të mungesës së bordit. Pezullimet e licencave e mosshqyrtimi i shumë të tjerave, shpërfaqin paralizën e shkaktuar në sektor. Gjithashtu, fakti që 69 ankesa mbetën të paadresuara dhe 33 sipërmarrje/investitorë të huaj mbetën pa përgjigje, është tregues që pasojat janë të prekshme dhe të kushtueshme. Pa rifunksionalizuar organin rregullator, potenciali i sektorit minerar për të kontribuuar në rritjen dhe zhvillimin ekonomik mbetet i parealizuar.
Për zhvillim të qëndrueshëm dhe të përshpejtuar, fuqia e institucioneve është më e rëndësishme sesa marketingu politik. Në sektorin e mineraleve, Rregullatori funksional është jetik për mbikëqyrje të besueshme dhe efektive. Për tërheqje të kapitalit dhe komunikim ballëhapur me investitorët e huaj. E ardhmja e sektorit të ekonomisë dhe shtetit tonë nuk varet nga premtimet që bëjmë, por nga strukturat që ndërtojmë për t'i përmbushur ato!
(Autori është drejtor i Programit dhe Hulumtues i Lartë në INDEP (Instituti për Politika Zhvillimore). Ky aktivitet, i paraprin implementimit të projektit CorrWatch: "Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës", mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e këtij punimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).