OpEd

Prioritizimi i investimeve pas zgjedhjeve!

Sapo të mbyllet procesi i numërimit të votave dhe Qeveria e re për udhëheqjen e vendit të formohet, secili do ta ketë të mundur që premtimet e fushatës t’i ndiejë më së miri në lëkurën e vetë. Qeveria që do të formohej, premtimet e fushatës zgjedhoreꓽ ndërtimin e rrugëve, rritjen e numrit të çerdheve, ngritjen e mirëqenies, dhe përmirësimin e qasjes në shërbime shëndetësore, do të mund t’i përkthejë në realitet, ndonëse këto që do të realizoheshin nuk do të ndiheshin dhe përdoreshin njëjtë nga publiku.

Një rrugë që do të shtrohej (një nga premtimet e shumta gjatë fushatës), do të përdorej më shumë nga një pjesë e caktuar e qytetarëve sesa nga një pjesë tjetër. Këta të fundit që do të përdornin një rrugë alternative, ndërtimin e një rruge tjetër nuk do ta kenë aspak të nevojshme. Ndërsa secili që do të donte çerdhe të reja dhe do të shihte nëse spitalet e premtuara janë realizuar, jo vetëm mund ta ketë mundësinë të vërejë nëse ajo që është premtuar po realizohet, por edhe si po i ndikon jetët e tyre – për të mirë apo për të keq!

Nuk ka aspak rëndësi se kush do ta udhëhiqte administratën e ardhshme pasi që, kushdo të udhëheq, do të mbahej përgjegjës për premtimet e dhëna para zgjedhjeve. Kështu pak a shumë e lexova edhe deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që thoshte se me rëndësi është formimi i një qeverie stabile. E në politikë, stabiliteti arrihet duke i përafruar programet politike dhe duke gjetur pajtueshmëri në atë se si duhej lëvizur tutje. Pastaj i mbetet votuesit që sipas mënyrës të vet të shohë nëse rroga i siguron më shumë blerje (duke supozuar se inflacioni është zvogëluar ose rrogat janë rritur); sepse tashmë ekziston çerdhe në lagje - prandaj paratë për kujdesin e fëmijëve mund t’i kursejë apo harxhojë në diçka tjetër; ose meqenëse ka një spital të ndërtuar në komunën e vet – nuk e ka fare të nevojshme të udhëtoj - ta zëmë për në Prishtinë!

Duke e parë se secili projekt që do të realizohej ndryshon për mënyrën dhe në shkallën si ndikon mbi jetët tona, renditja në listën e prioriteteve nuk do të duhej të ishte e njëjtë. Në kontekstin e kësaj, gjetja e mekanizmave për të vepruar sa më shpejtë në zvogëlimin apo mbajtjen e inflacionit nën kontroll - do duhej klasifikuar si një projekt me rëndësi të veçantë. Pozita së bashku me opozitën do të duhej që këtë gjë ta synonin me intensitetin e njëjtë sepse emëruesi i përbashkët për të dyja palët është rritja e rrogave dhe, nëse këtë rritje, nuk do të mund ta realizonin në të ardhme të shpejtë, rritjen e vlerës së rrogave të tanishme mund ta synonin duke u munduar të ndikonin në uljen e çmimeve - gjë që e propozova më lartë!

Për mbajtjen e çmimeve në nivel të dëshirueshëm gjykoj se është më lehtë të flitet se të përkthehet në realitet, pasi që çmimet ndikohen si nga faktorë të jashtëm ashtu edhe të brendshëm. Por, gjithsesi është e mundshme në qoftë se ndiqen mësimet që ekzistojnë me shumicë, prandaj, për këdo me njohuri fillestare të ekonomisë kuptohet se çmimet e larta e favorizojnë në parim prodhuesin apo ofruesin e produkteve. Dhe, për ta ilustruar këtë që u prezantua deri më tani, do ta përdorë çmimin e kafes (si fans i espressos!).

Çmimi i kafes në bursat e huaja ka shënuar rritje rekord përgjatë viteve të fundit dhe natyrisht se kjo rritje është reflektuar në çmimin e kafes në këtë vend. Kjo konfirmohet edhe në të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës, ku çmimi mesatar nga vitet e më hershme në vitin 2025 - për një kilogram të kafes - arrin vlerën e 14,21€. Në këtë kuadër, kur kafja në lokalet e qytetit kushtonte 50 centë apo 80 centë, në ditët e sotshme kushton nga 1€ deri në 1.30€. Dikush pra që i ka pirë 2 apo 3 kafe në ditë, kur çmimi i kafes ka qenë 50 apo 80 cent ka paguar mesatarisht 593€ në vit, ndërsa, për të njëjtin konsum të kafes në vitin 2025, pas 365 ditëve, do të duhej të paguaj 1,049€. Personi i njëjtë pra, në kontekstin e kësaj llogarie, do t’i ketë përafërsisht 500€ më pak për t’i kursyer apo harxhuar në diçka tjetër për shkak se çmimi i kafes është rritur thuajse për 100% përgjatë këtyre viteve.

Mund të flitet gjerë e gjatë se cilët janë faktorët që kanë çuar në rritjen e çmimeve, jo vetëm të kafesë, por të produkteve që nuk janë luks në përgjithësi. Madje për mosveprim për ta mbajtur inflacionin e ultë, një administratë mund të fajësohet më shumë sesa një tjetër që do të vije. Por ajo që është e vërtet sot na thotë se për shkak të rritjes së çmimeve dhe mosindeksimit të rrogave me inflacionin në rritje, ka bërë që personi i cili i konsumon 2 ose 3 kafe në ditë, në fund të vitit 2025, t’i ketë përafërsisht 500€ më pak për t’i çuar fëmijët e vetë në çerdhe më të mira, apo t’i kursej këto para në bankë. Ndërtimi i spitaleve dhe rrugëve padyshim se e ka rëndësinë e vetë, mirëpo, investimet do të duhej prioritizuar duke u bazuar në mënyrën dhe në shkallën si ndikojnë mbi jetët tona. Sepse po e vërejmë se në këtë mënyrë rrogat e tanishme po zhvlerësohen, ndërsa, ta zëmë, nga ndërtimet po fiton vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë.