Më 6 janar 2021, Donald Trumpi i nxiti militantët e tij ta përmbysin demokracinë amerikane. Ai ëndërronte manipulimin e zgjedhjeve, i pëlqente të ishte në krye të një puçi dhe ta varroste Kushtetutën e SHBA-së. Kur nervozohej, gjuante muret e Shtëpisë së Bardhë me keçap. Këtë e tregojnë hetimet dhe intervistat që janë duke u zhvilluar në Capitol Hill
Donald Trump është një njeri i veçantë. Dhe ky konstatim nuk është i menduar si kompliment. Nganjëherë sjellja e tij nuk dallon me atë të një fëmije 3 apo 4-vjeçar që gjuan me lodra, që shtyn fëmijët e tjerë dhe i rrëzon, që përlyen tavolinën dhe godet me grushte.
Nga mesi i dhjetorit 2020, pak më shumë se një muaj pas zgjedhjeve presidenciale amerikane, të cilat i kishte fituar Joe Biden, ministri i Drejtësisë në kabinetin e Trumpit, William Barr, njoftoi opinionin se, përkundër pretendimeve të presidentit Trump, nuk ka asnjë dëshmi, asnjë shenjë dhe asnjë indikacion se zgjedhjet presidenciale janë vjedhur apo manipuluar.
Kur Trump e dëgjoi këtë deklaratë të ministrit të tij, filloi të gjuajë me ushqimin e drekës, të cilën po e hante në dhomën e tij të ushqimit në Shtëpinë e Bardhë. Kështu ka treguar së fundi Cassidy Hutchinson, asistente e shefit të shtabit të Trumpit, gjatë dëgjimeve që po bëhen në Capitol Hill, në tempullin e demokracisë amerikane, të cilin më 6 janar 2021 e sulmuan militantët e Donald Trumpit - të nxitur nga presidenti. Cassidy Hutchinson tha se kishte parë copëza enësh të thyera në dysheme dhe i kishte ndihmuar kamerierit ta fshijë keçapin nga muri. Të paramendojmë këtë situatë: një president nuk pajtohet me rezultatin e zgjedhjeve demokratike dhe gjuan me salcë domatesh. Mund të ishte skenar i mirë për fabrikat e filmit në Hollywood, por s’është, sepse është realitet. Në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur që një president ta trajtojë vendin e tij si republikë bananesh, siç ka vepruar Trumpi me përkrahësit e tij të verbër.
Donald Trump ëndërronte manipulimin e zgjedhjeve, i pëlqente të ishte në krye të një puçi dhe ta varroste Kushtetutën e SHBA-së. Këtë e tregojnë hetimet dhe intervistat që janë duke u zhvilluar në Capitol Hill.
Në ekipin e Trumpit kishte zyrtarë që përpiqeshin të evitonin më të keqen. Pat Cipollone, shefi i shërbimit juridik në Shtëpinë e Bardhë, ishte njëri prej tyre. Javën që shkoi ai në dëshminë e tij tha: “Dikur duhet ta pranosh rezultatin zgjedhor dhe të mbyllësh gojën”. Ministri i Drejtësisë, William Barr, dhe ai i Punës, Eugene Scala, po ashtu tentuan ta pengojnë Trumpin në aventurën e tij. Pa sukses.
Më 18 dhjetor 2020, Trump pa dijen e bashkëpunëtorëve më të ngushtë i ftoi në një mbledhje në Shtëpinë e Bardhë disa përkrahës agresivë. Mbi stabilitetin e tyre mendor, moralin dhe etikën ka dyshime të mëdha. Sidney Powell, avokate nga Teksasi dhe nëna e të gjitha teorive konspirative, luftonte që të emërohej nga Trumpi si hetuese e “zgjedhjeve të manipuluara” (sipas saj). Michael Flynn në fillim të presidencës së Trumpit kishte qenë këshilltar për Siguri Nacionale. Pas dy muajsh në post, u detyrua të largohet sepse kishte gënjyer FBI-në mbi kontaktet e tij me “diplomatë rusë”. Në dhjetor 2020 Trump e amnistoi Flynnin dhe tani ai nga Oval Office në Shtëpinë e Bardhë po jepte këshilla për ta përmbysur rendin demokratik. Flynn ishte në kontakt të ngushtë me grupet radikale të së djathtës, të cilat më 6 janar 2021 do ta sulmonin Capitol Hillin. Marrëzia e Flynn shkoi aq larg, saqë i tha presidentit Trump se makinat elektorale në SHBA ishin manipuluar nga hakerët venezuelas. Një nga propozimet e çmendura të grupit të ithtarëve të Trumpit ishte konfiskimi i makinave elektorale. Pjesë e grupit ishte edhe Rudy Giuliani, avokat i Trumpit, i cili juristët që tentonin ta pengonin Trumpin në aventurën e tij i ofendoi si “bunch of pussies” (lexuesit kureshtarë mund t’i përkthejnë vetë këtë fjalë vulgare).
Sipas Cassidy Hutchinson, disa nga pjesëmarrësit e mbledhjes i kishte zënë dukshëm alkooli. Në komunikimet e saj në atë kohë, Hutchinson i quante pjesëmarrësit e mbledhjes “të çmendurit” (crazies).
Pas të gjitha këtyre akuzave, shumica të bëra nga zyrtarë republikanë, jo nga demokratët, mund të merret me mend se karriera politike e Trumpit ka marrë fund dhe se atë tani e presin prangat e drejtësisë. Por kjo është larg nga e vërteta. Trump ka arritur ta fusë brenda Partisë Republikane virusin e besimit në lajme të rrejshme. Andaj shumë republikanë ende besojnë se zgjedhjet e 3 nëntorit 2020 i ka fituar Donald Trumpi. Dhe Trump mund të jetë kandidat për zgjedhjet presidenciale në vitin 2024.
Stephen Ayres ishte njëri nga militantët e Trumpit që sulmoi Capitol Hillin. Tani gjatë dëshmisë së tij, ai tha: “E kam humbur vendin e punës dhe më është dashur ta shes shtëpinë. Ajo ditë e ka ndryshuar jetën time. Përfundimisht jo për të mirë”.
Stephen Ayres është ndër të paktit që mendon kështu. Shumë të tjerë s’janë penduar dhe duan ta shohin idhullin e tyre, D.T, prapë në Shtëpinë e Bardhë. Nëse ndodh kjo, ekziston rreziku që tirani i portokalltë ta kryejë misionin që e ka nisur: shkatërrimin e demokracisë amerikane.