Susie Wiles si shefe e parë grua e stafit e Shtëpisë së Bardhë ka para vetes një detyrë, të cilën asnjë paraardhës i saj nuk ka arritur ta përmbushë – ta disiplinojë Trumpin. Suksesi apo dështimi i saj do ta çimentojë fatin e Presidencës së dytë të Trumpit
Me 7 nëntor, përveçse Trumpi bëri histori me fitoren e tij unike, ai bëri edhe një histori tjetër. Vendimi i tij i parë si president i zgjedhur ishte që të emërojë znj. Susie Wiles për Shefen e Stafit të Shtëpisë së Bardhë. Ky ishte vendim historik, sepse ishte hera e parë që një grua emërohet në këtë pozitë.
Vendimi i Trumpit që çështja e parë që duhet zgjidhur është kush do të jetë shef i Stafit të Shtëpisë së Bardhë është në përputhje me traditën e gjatë të presidentëve amerikanë. Historikisht, gjëja e parë që presidentët e zgjedhur duhet të vendosin është se kush do ta okupojë pozitën e shefit të stafit. Ky fakt edhe nënvizon rëndësinë e kësaj pozite brenda sistemit institucional amerikan.
Që nga koha e Washingtonit, presidentët kanë qenë të varur nga këshillat e personave të tyre të afërt, por themeluesit e shtetit amerikan asnjëherë nuk kanë paraparë pozitën e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë. Ajo formalisht lindi në kohën e presidencës së Eisenhowerit si pasojë e nevojës praktike të koordinimit të agjencive të ndryshme amerikane dhe asistimit të Presidentit në marrjen e vendimeve të informuara.
Që nga ajo kohë, pozita e Shefit të Stafit të Shtëpisë së Bardhë është shndërruar në pozitën e dytë më të rëndësishme në Washington. Personi i zgjedhur në atë pozitë ka qenë tradicionalisht personi i cili ka pasur qasje dhe ndikim më të madh te presidenti amerikan. Ai përcakton kush e takon presidentin amerikan dhe kush nuk e takon. Ai përcakton çfarë dokumenti vendoset para syve të presidentit e çfarë jo. Siç edhe mban titullin libri i autorit Chris Whipple për historinë e pozitës së shefit të stafit, ata me të vërtetë janë “gardianët” e Shtëpisë së Bardhë.
Por, njëkohësisht, pozita e shefit të stafit është pozitë jashtëzakonisht e vështirë. Historikisht, koha mesatare e “mbijetesës” në këtë pozitë është tetëmbëdhjetë muaj. Ajo kërkon besim personal të presidentit amerikan, njohje të thellë të Senatit dhe Kongresit, skenës mediatike amerikane dhe burokracisë amerikane. Pozita në vetvete kërkon edhe karakter të hekurt për t’u përballur dhe për të menaxhuar personalitetet jashtëzakonisht të fuqishme që rrethojnë presidentin amerikan në baza ditore, siç janë sekretar i Mbrojtës, sekretar i Jashtëm, sekretar i Thesarit, shef i CIA-s, e kështu me radhë. Whipple nuk ka ekzagjeruar kur e ka cilësuar pozitën e Shefit të Stafit si “puna më e vështirë në Uashington”. Shtoja këtu që vendimet që merren nga presidenti amerikan dhe vendimet, të cilat duhet të koordinojë në baza ditore shefi i stafit janë të peshës dhe rëndësisë së jashtëzakonshme. Në fjalët e shefit të stafit të Obamës, Rahm Emanuel “nëse flasim për vendime të lehta dhe të mira, ato veçse merren diku në kuadër të Qeverisë amerikane, por ato vendime, të cilat arrijnë në tavolinën e presidentit janë vendime ku duhet të zgjedhësh mes dy të këqijave”. Dhe është pikërisht detyra e Shefit të Stafit të Shtëpisë së Bardhë ta përgatitë presidentin për marrjen e këtyre vendimeve.
Kësisoj, shefat e Stafit të Shtëpisë së Bardhë kanë qenë njëri nga faktorët kyçë për suksesin apo dështimin e presidencave amerikane. Kur një presidencë amerikane tregohet efektive, kjo është zakonisht sepse ajo udhëhiqet nga një shef i stafit, i cili kupton natyrën e pushtetit ekzekutiv amerikan dhe i cili me shkathëtësi arrin t’i navigojë korridoret e pushtetit amerikan, duke bashkuar politikën dhe politikëbërjen në kuadër të një qeverisjeje gjithëpërfshirëse. Në fjalët e ish-sekretarit të Punës së kohës së Clintonit, Robert Reich, “pa një shef të shkëlqyer stafi, presidenti amerikan nuk ka asnjë ide çfarë është duke bërë”. Dhe këtë e provoi edhe koha. James Baker shërbeu për katër vjet si shef i Stafit të Reaganit, duke qenë kështu instrumental në jetësimin e revolucionit të Raeganit. Leon Panneta, si shefi i stafit të Clintonit solli disiplinë dhe rregull brenda kaosit fillestar të presidencës së Clintonit, duke shtruar rrugë kështu për mandatin e tij të dytë.
Po njëkohësisht kur presidentët amerikanë nuk e kanë njohur rëndësinë e pozitës së shefit të stafit ajo i ka kushtuar jashtëzakonisht shumë. Carteri fillimisht nuk pranoi ta emërojë askënd në pozitën e Shefit të Stafit, mirëpo pas dy vitesh ai u dorëzua – u dorëzua, por mori vendim të gabuar. Ai nuk zgjodhi dikë që e njeh Uashingtonin, siç ishte tradita e kësaj pozite, por zgjodhi mikun e tij të vjetër Hamilton Jordan. Jordani – i rritur në Gjeorgji – erdhi në Uashington me misionin e ngjashëm me Trumpin sot për të shkatërruar deep state-in e Uashingtonit. E vetmja gjë që u shkatërrua ishte presidenca e Carterit dhe mundësia e tij për t’u rizgjedhur.
Skandalet më të mëdha në historinë e Shtëpisë së Bardhë kanë ardhur si pasojë e dështimit të shefit të Stafit për ta bërë punën e vet. Në thelb, shefi i Stafit ka dy detyra: (1) ta disiplinojë vetë presidentin amerikan, duke i thënë sinqerisht gjërat që askush tjetër nuk guxon t’i thotë dhe (2) ta ruajë rigorozitetin e procesit vendimmarrës brenda Shtëpisë së Bardhë, duke siguruar kështu që presidentit në çdo moment i ofrohen opsionet më të mira vendimmarrëse. Skandali Watergate, Iran-Contra, lufta në Irak – të gjitha këto ishin episodet kur shefi i Stafit i Shtëpisë së Bardhë nuk ka arritur t’i thotë “JO” presidentit amerikan apo të sigurojë një proces efektiv vendimmarrës brenda sistemit, i cili ishte dizajnuar për t’i parandaluar katastrofat e këtij lloji.
Rëndësia e shefit të Stafit të Shtëpisë së Bardhë tregohet bukur edhe në kuadër të një fakti pak të njohur historik. “Z. Gorbachev, shembeni këtë mur” është fjalimi më i njohur i Reaganit, por pakkush e di kontekstin e këtij fjalimi dhe rolin qenësor që ka pasur shefi i Stafit i Reaganit, Ken Duberstein. Para udhëtimit dhjetëditor të Reaganit në Evropë dhe vizitës së tij në Berlin, Duberstein kishte dërguar Peter Robinsonin, këshilltarin përgjegjës për fjalime të Reaganit, në Berlin për t’i bërë hulumtimet e nevojshme me qëllim të përgatitjes së fjalimit.
Kishte pritje të madhe nga fjalimi i Reaganit pasi njëzet vite më herët, nga po i njëjti vend, Kennedy kishte bërë histori me fjalimin “Ich bin ein Berliner”. Gjatë misionit të tij përgatitor, Robinsoni takoi të gjithë diplomatët amerikanë dhe mesazhi ishte unison – fjalimi i Presidentit nuk duhet t’i trazojë ujërat, sepse marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik janë në një stad fragjil dhe të paparashikueshëm, rrjedhimisht Reagani duhet të përmbahet nga çfarëdo fjalori provokativ. Po ashtu, ata insistonin se gjermanët ishin mësuar me murin dhe rrjedhimisht nuk duhet marrë me murin shumë. Nga e gjithë kjo, Robinsoni nuk arriti të marrë asnjë frymëzim për fjalimin. Por fati e deshi që Robinsoni pranoi një ftesë për darkë nga një familje e zakonshme gjermane. Biseda gjatë darkës ishte shumë më ndryshe nga ajo me diplomatët. Nikoqirët e tij gjermanë folën me emocione për ndarjen mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore. Ata rrëfyen storie dhe tragjedi të pafundta personale të gjermanëve që ishin ndarë nga muri i Berlinit. Në një pikë të darkës, Robinsoni i pyeti nikoqirët e tij “A është e vërtetë që ju jeni mësuar tanimë me ekzistencën e murit?” Zonja e shtëpisë u skuq në fytyrë dhe e zemëruar u përgjigj “Nëse ky njeriu (Gorbachev) është serioz me gjithë këto fjalë për glasnost dhe perestroika, ai e ka shumë lehtë ta vërtetojë atë. Mund ta shembë atë mur!” Në atë moment, Robinsoni kuptoi se kjo do të jetë epiqendra e fjalimit të Reaganit. Pasi kishte përfunduar fjalimin, fjalimi kaloi nëpër procedurën e zakonshme të konsultimit brenda institucioneve amerikane dhe në fund përfundoi në tavolinën e shefit të Stafit të Reaganit, Ken Duberstein. Por kishte një problem. Sekretari i Shtetit, George Shultz, dhe Departamenti i Shtetit kishin ngritur kundërshtimet pikërisht për paragrafin e fjalimit për shembjen e murit. Ata kërkuan që të hiqet nga fjalimi. Kësisoj, Duberstein vendosi që t’ia prezantojë Reaganit fjalimin në tërësi të tij, por edhe ta njoftojë për kundërshtimet e Departamentit të Shtetit. Në atë moment, Reagani pyeti shefin e tij të stafit se çfarë mendon ai personalisht. Dubersteini u përgjigj: “Mendoj se është një super fjalim dhe një super paragraf. Por, ju jeni president, ju vendosni”. Disa javë më vonë në Berlin, Raegani dhe Dubersteini ishin ulur në veturë rrugës për në Portën e Brandenburgut dhe në një moment Raegani u kthye nga shefi i tij i Stafit dhe i tha “Do të çmend djemtë në Departamentin e Shtetit, por paragrafi i murit mbetet”. Dhe kështu u shkrua historia e fjalimit të famshëm të murit të Berlinit.
Episod si ky tregojnë rëndësinë kyçe që shefat e stafit të Shtëpisë së Bardhë kanë për vetë Amerikën dhe për botën. Ata mund të jenë bekim i një presidenti amerikan, por edhe mallkim i tij. Dhe duke iu kthyer Susie Wiles si shefe e parë grua e Stafit të Shtëpisë së Bardhë, ajo tani ka para vetës një detyrë, të cilën asnjë paraardhës i saj nuk ka arritur ta përmbushë – ta disiplinojë Trumpin. Suksesi apo dështimi i saj do ta çimentojë fatin e Presidencës së dytë të Trumpit.