OpEd

Populli bëhet, populli edhe zhbëhet

Mbi nevojën e pashmangshme dhe ekzistencialiste të revidimit të ADN-së shtetërore

Në librin e tyre “Pse dështojnë kombet” (Why nations fail), autorët Daren Acemoglu dhe James A. Robinson bëjnë një rishikim të historisë së kombeve, duke tentuar që t’i japin një përgjigje pikërisht kësaj pyetjeje: pse dështojnë kombet? Pse disa zgjerohen, forcohen dhe madje bëhen perandori me jetëgjatësi qindravjeçare, ndërsa shumë të tjera lëngojnë për shekuj me radhë nën okupim, apo edhe zhduken fare? 

Pse, pastaj, në një moment të historisë vjen deri te shembja e këtyre perandorive? Më tej, pse disa kombe janë të pasura, ekonomikisht të forta, ndërsa të tjerat përpëliten në zgrip të mbijetesës dhe të tilla mbesin për dekada e ndoshta shekuj me radhë? 

Është e pamundur që në një artikull të shkurtër si ky të përmblidhen të gjitha argumentet shkollare të ofruara, por për hir të ilustrimit po bëjmë një përmbledhje me sa vijon. Argumenti gjeografi – ekzistojnë teori që pretendojnë se shkaku i dobësisë ekonomike, politike etj. të një shteti duhet kërkuar te pozita gjeografike e tij. Mungesa e ujit të pijshëm, toka jopjellore, kushtet e pavolitshme klimaterike, e kështu me radhë. Shembuj ka shumë, si Afganistani, Bangladeshi, apo shtetet saharike të Afrikës. Por kjo teori rrëzohet lehtë kur të kujtohet se shtete si Izraeli, Japonia, Botsuana etj. përballen me sfida të shumta klimaterike e gjeografike, por kanë arritur të shënojnë progres ekonomik përkundër tyre. 

Argumenti kulturë - sipas kësaj teorie, shtetet kryesisht të krishtera, veri-perëndimore, përgjatë shekujsh kanë arritur të kultivojnë një kulturë demokratike që ua mundëson atyre të jenë gjithherë disa hapa përpara kulturave të tjera të cilat, për krahasim, janë më pak të hapura, tolerante etj. 

Përveçse përkon me mentalitet racist dhe kolonialist, kjo teori nuk mbështetet aspak në realitetin e sotëm, pasi që sistemi demokratik dhe progresi ekonomik nuk mbesin më të izoluara në domenin ekskluziv të shteteve veri-perëndimore. Në të vërtetë, mund të thuhet se demokracia dhe ekonomia liberale siç e njohim sot është duke u testuar më së shumti pikërisht në sferën veri-perëndimore të botës. Pasi t’i kenë dekonstruktuar këto dy teori (siç bëmë edhe ne në mënyrën më koncize të mundshme), autorët Acemoglu dhe Robinson e prezantojnë teorinë institucionaliste, apo teorinë mbi institucionet. 

Sipas kësaj teorie, është natyra, qasja dhe përcaktimi i institucioneve të shtetit ato që kanë rol determinues mbi të ardhmen e shoqërisë dhe rrjedhimisht mbi kahen që do të marrin ekonomia dhe politika e vendit. Institucionet dhe liderët që udhëheqin me to përcaktojnë se çfarë sistemi politik do të ndërtohet në vend. Nëse është demokraci, sa do të jetë e hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse kjo demokraci? Nëse është sistem autoritar, apo monist, si do të mbahet në këmbë një sistem i tillë, dhe cila është arsyeja e ngritjes së këtij sistemi në rend të parë? 

E njëjta vlen për ekonominë: a do të ndërtohet një sistem neoliberal me treg të hapur dhe plotësisht të privatizuar, apo do të insistohet në përfshirjen e shtetit në ekonomitë e mëdha? Siç thamë, përcaktimi vjen nga institucionet dhe liderët e tyre. Pastaj, përcaktimi i liderëve determinon natyrën dhe qasjen e institucioneve ndaj popullit dhe shtetit në tërësi. 

Dhe këtu, në këtë përcaktim, vendosen themelet që e bëjnë një shtet viabël dhe të fortë ekonomikisht, apo e katandisin atë në mjerim dhe theqafje për dekada e ndoshta shekuj me radhë. Në shikim të parë, zgjidhja është e qartë dhe më se e thjeshtë. Historia tregon se diktaturat janë të determinuara që herët a vonë të dështojnë, apo jo? Për të mbështetur këtë supozim mund të hedhim shikimin vetëm tri dekada mbrapa për të parë se si u shemb perandoria komuniste. 

Rezulton, atëherë, se deri më sot demokracia mbetet sistemi më i mirë i mundshëm, nga e cila burojnë barazia, të drejtat fondamentale të njeriut dhe liritë e tjera. Pra, një sistem që garanton mirëqenie maksimale për numrin më të madh të njerëzve është më i miri i mundshmi. 

Natyrisht se një sistem autoritar nuk e ofron këtë, prandaj si mund të përcaktohemi për të kur zgjidhja është e qartë? Mirëpo, kështu mund të mendojmë ne, lexuesit, apo kushdo që rezonon me një logjikë të thjeshtë njerëzore. Por në botën makiaveliane të politikës, kështu nuk mendon politikani që udhëheq me institucione. Prandaj, ka ende shtete si Venezuela që udhëhiqen nga autokratë hipokritë si Maduro që mbajnë kontroll të rreptë mbi institucionet, me gjithë mjerimin social e urisë që ka kapluar masat. 

Apo liderë autoritarë nëpër ish-republikat sovjetike të cilët kanë krijuar aleanca të fuqishme me oligarkë, kundrejt të cilëve presioni popullor duket shumë i mekët. Pse, atëherë, ka liderë që përcaktohen për centralizim të pushtetit, për autoritarizëm? Pse ka të tillë që e nëpërkëmbin sistemin e hapur dhe demokratik nëse e dimë se një sistem i tillë është më i miri i mundshmi? Një gjë është e qartë: këta liderë, nuk është se nuk dinë të bëjnë përcaktimin e duhur. 

Ata e dinë se ç’do të thotë e mira e përgjithshme, llogaridhënia, transparenca. Por ata po ashtu e dinë se një sistem demokratik nënkupton edhe kontroll dhe mbikëqyrje të pushtetit, që do të thotë pushtet i kufizuar për liderin dhe klikën e tij. Autoritarizmi, në anën tjetër, është sistem më i thjeshtësuar pasi që ai nuk çan kokën për proceset e koklavitura e frustruese të llogaridhënies dhe, për më shumë, i ofron pushtet më të madh liderit dhe klikës së tij. Shkatërrimi kreativ i institucioneve Brendapërbrenda këtyre dy ekstremeve të sistemit politik – një demokracie të konsoliduar në njërën anë dhe një diktature të izoluar në anën tjetër – ekziston një gamë e larmishme sistemesh në të cilat institucionet me politikat e tyre determinojnë nivelin e mirëqenies ekonomike dhe natyrën politike të shtetit. 

Me fjalë të tjera, ato institucione dhe ata liderë e kanë në dorën e tyre që të përcaktojnë instalimin e një demokracie që ka, për shembull, ngjyrime klienteliste apo provincialiste, ose të vendosin bazamentin e një sistemi që qëllimisht është i dizajnuar të jetë i verbër ndaj këtyre fenomeneve. Paradoksalisht, edhe në një sistem relativisht demokratik ekzistojnë institucione të cilat vendnumërojnë në të gjithë indikatorët e demokracisë, gjë që e bën sistemin politik të çalojë apo edhe të shënojë regres. 

Institucionet që janë ndërtuar në Kosovë funksionojnë brenda një sistemi relativisht demokratik, në të cilin ekziston një ndarje e qartë e pushteteve, të paktën në teori. Sipas teorisë institucionaliste, këto institucione bartin përgjegjësinë kryesore për të dizajnuar të ardhmen e këtij vendi – a do të jetë kjo një demokraci e vërtetë që do t’i bëjë ballë testit kohor, apo do të zvetënohet në sistem taborësh të ndarë sipas përkatësisë krahinore, ideologjike apo të interesit të ngushtë personal? 

A do të jetë ky një sistem që do të fuqizojë ekonominë prodhuese vendore, apo ekonomia e vendit do të bazohet kryekëput në fuqinë blerëse të parasë së gatshme të qytetarit-konsumator, siç është trendi i gjertanishëm? Dhe sa është i qëndrueshëm një sistem i tillë? Për më shumë, institucionet në këtë vend janë të projektuara që të akomodojnë pjesëtarë partish politike që rezultojnë prej koalicioneve e kalkulimeve të tyre ndërpartiake. Institucionet janë në shërbim të partisë apo partive, interesave të ngushta shoqërore e familjare dhe jo e kundërta. 

Institucioni, në përgjithësi, nuk kundrohet si vegël që ndihmon të shpjerë përpara vizionin politik të vendit, në shërbim të të cilit duhet të jemi të gjithë ne. Në fjalët e Acemoglut dhe Robinsonit, kjo e bën institucionin tonë zhvatës dhe grabitës, ndaj të cilit besimi i qytetarit është i ulët dhe skeptik. Një institucion zhvatës është ndihmesë e madhe për përfitime imediate për një rreth të ngushtë njerëzish, mirëpo efekti i tij për të mirën e përgjithshme është shkatërrues dhe përjashtues. 

Duhet të bëhet një revidim më se i domosdoshëm i ADN-së së institucionit shtetëror. Kjo për arsye se përcaktimi dhe qasja e institucionit ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi atë se çfarë të ardhme dëshirojmë të ndërtojmë. Acemoglu dhe Robinson flasin për “shkatërrimin kreativ” të punës së institucioneve, që me fjalë të tjera do të thotë se liderët që udhëheqin ato duhet të stopojnë natyrën zhvatëse të tyre nëse duan të ndryshojnë rrjedhën e historisë së shtetit të vet. 

Shkatërrimi kreativ nënkupton edhe luftim të rrjeteve klienteliste, luftim të interesave të ngushta partiake e familjare. Ajo çka është paradoksale në këtë mes është që ky shkatërrim duhet të bëhet nga vetë ata liderë që udhëheqin me këto institucione, e të cilët shpesh janë, me vetëdije apo pa vetëdije, direkt të pleksur në zhvatjen që kryhet nga institucionet. 

Por ndryshimi nuk ka nga të vijë përpos nga brenda. Na duhet të besojmë se edhe atje ka njerëz që janë të gatshëm të luftojnë ndaj sojit të vet me qëllim të ngadhënjimit të së mirës së përgjithshme. Sa më gjithëpërfshirës dhe akomodues që të jetë institucioni, aq më të mëdha janë mundësitë për eliminimin e zhvatjes dhe grabitjes që kryhet në emër të tyre.