OpEd

Popull super i vjedhur

I botuam fotografitë me paratë e palosura me shumë pedanteri - dhe bëmë mirë. Mbase do të na kenë gënjyer për vlerën, porse e dimë se ato 400 mijë të deklaruara do të mbesin në dhomën e dëshmive. Nuk jam shumë e sigurt se janë shumë të sigurta aty, porse tash e dimë se kë mund ta mbajmë përgjegjës po qe se zhduken: ata që vrapuan për t'i marrë meritat në një konferencë për shtyp urgjente - Lumezi, Sahiti e Munishi

Fushata zgjedhore na solli rritjen e pritur të rasteve të të infektuarve me COVID. Në tri ditët e fundit numri e ka tejkaluar 400-shin e çdoditshëm dhe ky trend me siguri se do te vazhdojë - sepse nesër nis dyjavëshi i ri - ai "dyjavëshi kritik", që na lajmërohej çdo javë qëkur shpërtheu pandemia.

Dje, evidenca zyrtare tregonte për 68.351 të infektuar dhe për 1.592 të vdekur dhe kush e di dhe sa të tjerë që janë të infektuar e nuk dihet se janë. Me rëndësi se kishin ardhur shiringat dhe madje alkooli e pambuku, po thonë disa, tash vetëm mbetet që të vijnë vaksinat. E kur, hajt se na tregojnë me ndonjë status diku.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk e ka nisur vaksinimin, as të personelit esencial, se lëre më të të moshuarve. Dhe pikërisht fakti se nuk kemi asnjë dozë të vetme vaksine, përderisa shteti fqinj, Serbia, e ka bërë si në vetëshërbim ku mund të zgjedhësh një nga pesë vaksinat në dispozicion - tregon se çfarë shteti jemi dhe çfarë qeverisjeje të mjerë e kemi.

KQZ-ja nuk po ia huq traditës dhe vazhdon me rinumërimin e ngadalshëm të mbi 500 vendvotimeve, ku me gjasë ka pasur hajni mes kandidatësh se kush po e kalon "pragun" e kush jo. Pse jo, kur dihet se puna më e leverdishme në Kosovë është të punosh deputet. E besa bën edhe zëvendësministër - se paguhesh e nuk bën gjë, dhe askush nuk të mban në përgjegjësi.

* * *

Problemi me votat tashmë është bërë evident në çastin kur u kuptua se partitë apo iniciativat e reja boshnjake dhe rome kishin marrë vota aty ku nuk kanë banorë. Përderisa shihet ashiqare se kjo është kurdisje e votës për të pasur më shumë ndikim Lista e Vuçiqit, e drejta e votës është personale dhe është punë për secilin votues se kujt dhe pse ia jep votën.

Tjetër është muhabeti po qe se dikush do të mund ta dëshmojë se njerëzit kanë marrë para, apo janë kërcënuar, apo i kanë "këshilluar" që të votojnë ashtu siç kanë votuar.

Nuk e di a janë gjetur prova të këtilla. Po të gjendej një rast i vetëm do të mjaftonte të anuloheshin krejt vendvotimet ku janë shfaqur këto anomali. Për shkak se si votuan, si nuk votuan minoritetet, ata i kanë vendet e garantuara.

Pra mirë do të ishte të anuloheshin këto vota, sepse në të kundërtën, do të krijohet një precedent dhe më pas do t'i bëjmë zgjedhjet vijuese edhe më lëmsh seç i kemi tash. Pos nëse ndërkohë ndodh reforma zgjedhore e ndoshta po dalim më në fund nga lloçi.

E dyshoj shumë se do t'i kemi rezultatet bile edhe një javë. E mandej do ta kemi bile edhe një javë ankesa e parashtresa, e mandej mbase dikur iu bie ndërmend se na vyen një qeveri sa më shpejt, për shkak se kjo që është në detyrë, sikur të mos ishte.

* * *

Protagonizmi i javës u takoi hajnave në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë. Natyrisht e la në hije të dërrmuarën LDK që "ende nuk po e kupton se përse i humbi zgjedhjet" dhe ra në këtë derexhe.

U gjet një prokuror i guximshëm, i cili nuk e njoftoi eprorin e vet për atë që kishte pasur ndërmend ta bënte. Po të njëjtën gjë duket se e kanë bërë edhe policët që dolën në aksion. I zunë disa njerëz nëpër zyrat e tyre, ua hallakatën shtëpitë dhe gjetën para me valixhe të ruajtura nëpër banja e vende të ngjashme. U arrestuan 11 veta, u konfiskuan nja 12 vetura (me gjasë asnjëra nën 40 mijë euro vlerë) dhe kush e di edhe çka tjetër që nuk po e dimë.

Lajmi më i gëzueshëm në këtë aksion është se u zunë njerëzit në flagrancë - se ishin vëzhguar prej kohësh derisa ata serbes kanë vazhduar me hëngër pare prej bujqve, që deshën apo nuk deshën, u bënë pjesë e krimit duke pranuar të japin mitë që të kryenin punë.

I botuam fotografitë me paratë e palosura me shumë pedanteri - dhe bëmë mirë. Mbase do të na kenë gënjyer për vlerën, porse e dimë se ato 400 mijë të deklaruara do të mbesin në dhomën e dëshmive. Nuk jam shumë e sigurt se janë shumë të sigurta aty, porse tash e dimë se kë mund ta mbajmë përgjegjës po qe se zhduken: ata që vrapuan për ta mbajtur një konferencë për shtyp urgjente - Lumezi, Sahiti e Munishi. Donin t'i merrnin meritat për këtë aksion. E nuk mundën. Për shkak se mitmarrja aty duket se është proces shumë i moçëm, nëpër të cilin kanë kaluar tre a katër ministra, ndërkohë që, që tre, i kanë mbajtur postet e larta në prokurori e polici prej vitesh, e nuk kanë bërë asgjë.

Kjo që ka ndodhur me këtë agjenci do të duhej t'i shërbente edhe Qeverisë e edhe Kuvendit të ri të vendosë po qe se njëmend Kosova ka nevojë për kaq shumë agjenci që operojnë me grante, e grantet përherë janë temë që na kthejnë te keqpërdorimi.

Moti është folur për një bankë agrare që nuk u themelua kurrë. Shumë hajnia ishte evituar, po të ishin kanalizuar gjërat si duhet. E tash, paramendoni çfarë shteti jemi që zyrtarët e rangjeve të ulëta i kanë të palosura nga gjysmë milioni eurosh në shtëpi. Po sa para atëherë i paskan ata, të cilëve këta iu bënë argatë dhe e mbajtën vetëm kusurin për vete. Përfundimisht, gjetja fantastike, "Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur", duket se flet më shumë sesa një mijë fjalë.

Më e mira do të ishte që këta të arrestuarit të nisnin të këndonin dhe të tregonin se kush janë kokat e këtij krimi, sepse asnjëri nuk do të tolerohej të mbeste në vendin e njëjtë të punës me ekspozim te paraja e lehtë, po të mos kishte pasur lidhje me dikë më lart.

* * *

Eh t'i kthehemi LDK-së pak, sepse njëmend njeriu nuk këndellet sa herë i dëgjon zyrtarët e lartë të tyre kur japin deklarata.

Pardje na doli LDK-ja dhe na tha se askush aty nuk ka dhënë dorëheqje - edhe pse Lutfi Haziri i kishte deklaruar KTV-së fill pas mbledhjes së parë që pasoi pas debaklit zgjedhor, se e gjithë Kryesia ishte në dorëheqje.

Pikërisht qëndrimi mashtrues i Isa Mustafës që me i "hëngër fjalët e veta" mbase do t'ia bëjë më lehtë të kuptojë se përse LDK-ja ra në 13 për qind. Për shkak se sa herë ka thënë diçka, të nesërmen e ka demantuar me një send tjetër, të kundërt me një parim. Kujt nuk do t'i kujtohet: "nuk ka koalicion me PAN-in" dhe më pas ngarendja për koalicion e post kryeministri në këmbim të zgjedhjes së Thaçit kryetar.

E këso gafash politike ka bërë shumë, e ndër to edhe prishja e koalicionit në mes të pandemisë, që na solli ku na solli të gjithëve: një shtet i cili prej 500 mijë vaksinash të premtuara tash i pret 10 mijë si lëmoshë, se aq kapacitet ka. Dhe aq ia ndien për këtë popull.

* * *

Mirë do të ishte që procesi zgjedhor të kryhej sa më shpejt. T'i kemi institucionet e themeluara dhe le t'ia nisin ta zbatojnë programin e tyre që Agron Demi aq bukur e zbërtheu para dy ditësh në kolumnen e tij të rregullt. Lehtë premtohen edhe yjet, porse duhet ditur se a mundet të mbërrihet te to, e nëse po, si?

E ylli i parë që mua më intereson tash quhet vaksinë. Nuk dua që të pres deri më 2022 për ta marrë dozën, të cilën ma ka borxh ky shtet i marrë. Shtet hajgare!

[email protected]